Lajmet

DASH: Propozimi i BE-së, mundësi për popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë

Sipas tyre, mundësi për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Published

on

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.

“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.

Këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet ka thënë një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin që do të zhvillohet të hënën në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekesandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me Vuçiqin.

Dy ditë më parë, Chollet ka biseduar edhe me Kurtin për rëndësinë e takimit të 27 shkurtit.

Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.

Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.

Thirrjen e njëjtë ia kanë bërë Kurtit edhe tre liderët evropianë – presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni – në një letër të nisur të dielën.

Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Kosovës, së fundi është duke iu rritur trysnia për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Mirëpo, në BE nuk kanë asnjë dyshim që me pranimin e propozimit të BE-së, pranohet edhe obligimi për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL/

Vendi

Foda me ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Izraelit: Rikthehet Avdullahu, mbetet në dyshim Muriq

Published

on

By

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e përditësuar të lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e sontme përballë Izraelit.

Në listën zyrtare të dorëzuar në UEFA është përfshirë mesfushaari Leon Avdullahu, i cili është rikthyer me ekip pas një shkëputjeje të përkohshme për arsye familjare. Po ashtu, në listë janë përfshirë Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu, ndërsa jashtë grumbullimit për këtë sfidë kanë mbetur Baton Zabërgja, Vesel Demaku dhe Leard Sadriu.

Në dyshim për këtë përballje mbetet portieri Arijanet Muriq, i cili pësoi një lëndim gjatë ndeshjes së kaluar ndaj Austrisë.

Kosova zhvillon sonte ndeshjen e tretë në kuadër të Grupit B3 në Ligën e Kombeve kundër Izraelit, në stadiumin e Debrecenit në Hungari, nga ora 20:45. Pasi e nisën edicionin me fitore 1:0 ndaj Irlandës dhe pësuan humbje 3:1 ndaj Austrisë në Vjenë, “Dardanët” do të presin Austrinë në Prishtinë më 4 tetor.

Continue Reading

Vendi

Mbyllen përkohësisht disa rrugë në Prishtinë për shkak të protestës për UÇK-në

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga ora 15:00 do të mbyllen përkohësisht për qarkullim rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri” në kryeqytet, për shkak të protestës gjithpopullore që do të mbahet sot nga ora 16:00.

Protesta organizohet në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, varësisht nga zhvillimet në terren dhe lëvizja e pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të trafikut edhe në rrugë të tjera ndërlidhëse.

“Sipas planifikimeve policore, prej orës 15:00 rrugët të cilat do të mbyllen përkohësisht për qarkullim në kryeqytet janë: ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Enver Zymeri’, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, Policia e Kosovës bën të ditur se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve

Continue Reading

Vendi

Sot shënohet 29-vjetori i protestave studentore të 1 Tetorit 1997

Published

on

By

Sot shënohet 29-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si një nga kthesat më të mëdha historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Protesta paqësore e 1 tetorit të vitit 1997 u organizua si përgjigje ndaj masave të dhunshme të regjimit të Slobodan Milosheviqit, i cili kishte dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë nga objektet universitare, duke imponuar me forcë plan-programin serb.

E prirë nga rektori i atëhershëm, Ejup Statovci, së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, marshimi paqësor u ndërpre dhe u shpërnda me dhunë brutale nga policia serbe. Si pasojë e ndërhyrjes policore, dhjetëra studentë dhe profesorë mbetën të lënduar e të arrestuar.

Akti i guximshëm i studentëve mori një jehonë të jashtëzakonshme në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke tejkaluar çdo zhvillim tjetër politik të asaj periudhe. Kjo ngjarje historike konsiderohet si një pikë kthese që vendosi çështjen e Kosovës në krye të agjendës diplomacisë ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Ish-presidentit Hashim Thaçi i vazhdohet paraburgimi për rastin e pengimit të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’i vazhdojnë masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, i cili konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet se i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin e saj, gjykata bëri me dije se gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e mëparshëm të Thaçit në çështjen gjyqësore për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, ky dënim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual, i cili vlerësohet në bazë të faktorëve specifikë të kësaj çështjeje.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se bëhet fjalë për veprime të koordinuara në grup me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndaj ish-presidentit Thaçi në këtë çështje rëndojnë tri akuza për pengim të personave zyrtarë, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara