Aktualitet

Dalin rezultatet e qytetit të parë në SHBA, Trump dhe Harris “kokë më kokë”

Published

on

Në një ilustrim se sa e ngushtë është gara në të gjithë vendin, Kamala Harris dhe Donald Trump janë të barabartë me nga tre vota secili në një qytet të vogël në New Hampshire që ka prodhuar rezultatin e parë të ditës së zgjedhjeve.

Dixville Notch, ku ka vetëm gjashtë votues, ka një traditë që daton që nga viti 1960 për të qenë qyteti i parë që përfundon votimin dhe numërimin.

Një version fizarmonikë i himnit kombëtar të SHBA-së kumboi përpara se votuesit të votonin në mesnatë.

Numërimi përfundoi 15 minuta më vonë.

Donald Trump dhe Kamala Harris janë në një garë të ngushtë, ku ende sondazhet nuk japin një fitues të qartë.

Një seri sondazhesh u publikuan gjatë fundjavës në Shtetet e Bashkuara, me secilin prej tyre që tregonte shifra që ndryshonin lehtshëm.

Nëse ndiqet trendi tërësor dhe jo ai individual i kandidatëve, atëherë Kamala Harris është vetëm një pikë përpara ndaj Trump në sondazhet kombëtare, përkatësisht 48 me 47 për qind.

Por kuotat në fjalë nuk do të përcaktojnë fituesin, që ka gjasa të vendoset në shtatë shtetet e konsideruara fushë beteje.

Konkretisht, Trump kryeson me nga një deri në 3 pikë në shtetet Xhorxhia, Arizona dhe Karolinën e Veriut. Ndërsa në fushëbetejat e tjera rezultatet janë edhe më të ngushta.

Trump kryeson me më pak se një pikë në Pensilvani dhe Nevada, ndërsa Harris me një avantazh të barabartë në Miçigan dhe Uiskonsin.

Por asnjëri nga kandidatët nuk mund të pretendojë fitoren në këto shtete, pasi shpesh herë rezultatet e zgjedhjeve kanë ndryshuar nga ato të sondazheve me rreth tre pikë, nivel që mund të përmbysë çdo avantazh.

Ndryshimi më i madh i rezultateve të sondazheve ndodhi ditën kur Harris u bë kandidate e demokratëve. Në ditën kur Biden njoftoi braktisjen e garës, ai ishte pas Trump me thuajse 5 pikë përqindjeje në të shtata shtetet e lëkundura.

Në Pensilvani për shembull, Biden ishte mbrapa me 4.5 pikë përqindjeje kur u tërhoq. Bëhet fjalë për një shtet kyç për të dyja kampet pasi ka numrin më të lartë të votuesve elektorale dhe rrjedhimisht, një fitore atje e bën më të lehtë fitoren e 270 votave të nevojshme.

Por sondazhet nuk janë edhe aq të besueshme. Ato kanë nënvlerësuar mbështetjen për Trump në dy zgjedhjet e fundit dhe marzhi i gabimit në nivel kombëtar në 2020-n ishte më i larti në 40 vjet. Ndaj motivet për t’u treguar të matur me rezultatet janë të shumta.

Live

Përshkallëzohen tensionet mes Iranit dhe Izraelit

Published

on

By

Situata në Lindjen e Mesme ka shënuar një tjetër valë të rëndë përshkallëzimi, pas rritjes së intensitetit të sulmeve të ndërsjellta mes Iranit dhe Izraelit. Sipas raportimeve të fundit nga mediat ndërkombëtare, shkëmbimet e goditjeve ajrore dhe operacionet ushtarake janë intensifikuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke rritur alarmin për një konflikt më të gjerë rajonal.

Ky zhvillim vjen në një moment mjaft kritik në arenën ndërkombëtare, ku dinamikat politike po ndiqen me vëmendje të shtuar edhe nga Uashingtoni. Ndryshimet në lidershipin amerikan dhe qasja e administratës së Presidentit Donald Trump ndaj kësaj krize po shihen si faktorë kyç në ecurinë e ngjarjeve, teksa koordinimi dhe komunikimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, mbetet në qendër të diplomacisë globale.

Komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje të vazhdueshme për vetëpërmbajtje, ndërsa vëzhguesit ushtarakë paralajmërojnë se vazhdimi i sulmeve të këtij përmasa rrezikon të prodhojë pasoja të paparashikueshme për sigurinë dhe stabilitetin në mbarë rajonin./The Guardian/

Continue Reading

Vendi

Pas zgjedhjeve, Kurti udhëton në Austri: Do të takojë kancelarin Stocker

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Austri, vetëm një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë kësaj vizite dyditore, kreu i qeverisë në detyrë do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë shtetëror dhe ekonomik. Ndër të tjera, ai do të pritet në takim nga Kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum).

Ky udhëtim zyrtar i Kurtit zhvillohet pikërisht në kohën kur në Kosovë sapo është përmbyllur procesi i numërimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka përfunduar 100% numërimin e kutive të votimit (2,498 nga 2,498 vendvotime), duke nxjerrë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave përfundimtare të kësaj faze nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike në vend duke siguruar 42,91% të votave (299,152 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,12% (147,220 vota), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,58% (122,575 vota). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka grumbulluar 7,16% të votave, ndërsa Lista Serbe ka marrë 6,18%. Në këto zgjedhje, pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve me të drejtë vote arriti në 37,05%, teksa rezultatet pritet të certifikohen pasi të përmbyllen procedurat e numërimit të votave të diasporës dhe ato me postë.

 

Continue Reading

Rajoni

Liqeni i Shkodrës përfshihet në UNESCO

Published

on

By

Një lajm i rëndësishëm ka ardhur për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë, me përfshirjen zyrtare të Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin ndërkombëtar të kësaj pasurie të jashtëzakonshme natyrore.

Këtë arritje e ka ndarë me publikun edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një mesazhi u shpreh se ky është një sukses i angazhimit institucional dhe diplomatik të vendit.

“Me kënaqesinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë”, ka njoftuar Rama.

Continue Reading

Lajmet

Kaja Kallas: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funksionale

Published

on

By

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të angazhohen për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.

Kallas theksoi se vendi ka nevojë për institucione funksionale që mund të çojnë përpara reformat e nevojshme dhe procesin e integrimit evropian. Ajo nënvizoi se tejkalimi i ngërçit politik është i domosdoshëm për stabilitetin institucional dhe përfitimin e Kosovës nga mbështetja e Bashkimit Evropian.

Deklarata e saj vjen në një periudhë kur skena politike në Kosovë po përballet me sfidën e krijimit të shumicës parlamentare dhe formimit të qeverisë së re. Bashkimi Evropian ka përsëritur vazhdimisht se funksionalizimi i institucioneve është kusht kyç për avancimin e reformave dhe afrimin e vendit me strukturat evropiane.

Sipas Kallas, përgjegjësia për tejkalimin e dallimeve politike bie mbi partitë dhe liderët e vendit, të cilët duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët në interes të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të Kosovës. Ajo vlerësoi se krijimi i shpejtë i institucioneve do të dërgonte një sinjal pozitiv për partnerët ndërkombëtarë dhe do të ndihmonte në zhbllokimin e proceseve të rëndësishme zhvillimore.

BE-ja ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por ka theksuar se përfitimi i plotë nga kjo mbështetje kërkon institucione të qëndrueshme dhe efektive që mund të zbatojnë reformat e kërkuara.

 

Continue Reading

Të kërkuara