Op-Ed

Covid 19: Mësimet që duhet të nxjerrim nga shpërndarja e vaksinave

Publikuar

Nga Michael Spence

Në këtë pikë të pandemisë së Covid-19, pyetja kryesore është nëse prodhimi i vaksinave mund të rritet aq shpejt sa të lejojë vaksinimin e shpejtë të shumicës së njerëzve. Por e nënkuptuar në këtë pyetje është një pyetje tjetër:Nëse është e përshtatshme dhe në cilat rrethana, të pezullohen të drejtat e pronësisë intelektuale vendase dhe ndërkombëtare.

Kjo çështje po diskutohet në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), tani që administrata e presidentit të SHBA-së Xho Bajden ka dalë çuditërisht në mbështetje të heqjes dorë nga e drejtat e pronësisë për vaksinat kundër koronavirusit, duke shkaktuar një përçarje midis qeverive perëndimore.

Shumica e tyre bien dakord se nëse ka ndonjë grup kushtesh që justifikon heqjen dorë nga kjo e drejtë, pandemia aktuale me siguri që i plotëson ato. Miliona jetë të kërcënuara nga virusi, duhet të shkaktojnë një ndjenjë të përbashkët të njerëzimit.

Dhe vaksinimi është një e mirë publike, sepse siguria e gjithsecilit varet në fund të fundit nga ajo e gjithë të tjerëve. Në disa raste, qeveritë kanë bashkë-investuar me kompani të ndryshme në zhvillimin e vaksinave, duke e forcuar kësisoj edhe kauzën e licencimit të detyrueshëm.

Por çfarëdo lloj gjëje që mund të bëjmë për ta siguruar këtë, kjo nuk duhet të sjellë pasoja të pafavorshme apo të padëshiruara,të cilat mund të dëmtojnë përgjigjet tona ndaj krizave të ardhshme të këtij lloji. Ne duhet ta fillojmë me një pyetje themelore:A do të heqin dorë kompanitë nga të drejtat e pronësisë intelektuale, apo thjesht do të lejojnë licencimin e detyrueshëm, sipas të cilit kompania ruan të drejtat e saj për të fituar prej tyre?

Nga të dyja rrugët, licencimi i detyrueshëm është më i preferueshëm. Duke e pranuar që zhvilluesi i një vaksine ka të drejtën e kthimit të investimit të tij, kjo do të minimizonte efektin e kundërt në stimujt e ardhshëm. Sigurisht, një variabël i rëndësishëm, është që ajo tëlicencohet.

Flasim për vetë përbërjen kimike të ilaçit, apo nëse licenca shtrihet në të gjithë teknologjinë e ngulitur në një proces prodhimi? Rritja e prodhimit global të vaksinës, do t’i kërkonte me siguri të dyja. Por, për shkak se teknologjia e prodhimit nuk është domosdoshmërisht specifike për ilaçet, licencimi i detyrueshëm mund të ndikojë në këtë rast në prodhimin e barnave të tjera, duke ngritur shqetësime në lidhje me drejtësinë dhe shkallën e kthimit të investimit.

Për më tepër, transferimi i teknologjisë së prodhimit nuk është gjithmonë i lehtë. Kapaciteti prodhues është një tjetër variabël i rëndësishëm. Sa kapacitete ka tani, dhe sa më shumë të tjera do të duhet që të ndërtohen shpejt, për të siguruar një prodhim me cilësi të lartë në rast se transferohet pronësia intelektuale?

Cilado qoftë përgjigja e saktë, problemi është se edhe nëse zgjidhet çështja e pronësisë intelektuale, prodhimi dhe shpërndarja do të mbeten kufizime të detyrueshme, së bashku me një ndryshore të tretë kryesore që është: çmimi.

Në përgjithësi, ekspertët dhe politikë-bërësit e shëndetit publike kanë kundërshtuar përdorimin e kësaj të drejte për vaksinimin anti-Covid,pasi do të binte ndesh me objektivin e imunizimit të të gjithëve. Gjithsesi, në kontekstin aktual, klientët që blejnë vaksinat janë kryesisht qeveri apo institucione shumëpalëshe, gjë që do të thotë se duhet të përcaktohen të paktën dy çmime.

I pari është honorari i mandatuar që u paguhet prodhuesve origjinalë, pra me sa duket kompanive që e licencojnë të drejtën e pronësisë. Pastaj është çmimi i paguar nga qeveritë për ata që janë licencuar, të cilët mund të jenë kompani vendase ose jo.

Prioriteti kryesor afatgjatë është të ruhen stimujt për kompanitë kryesore të barnave, për të investuar shumë dhe shpejt në përgjigjen e krizës së ardhshme, siç bënë gjatë kësaj krize. Këto janë investime të rrezikshme. Në total, honoraret duhet të përcaktohen për të prodhuar kthime të konsiderueshme financiare për prodhuesit e suksesshëm, dhe gjithashtu një kthim të caktuar për teknologjinë e prodhimit.

Për më tepër, duhet të ruhet motivimi e fortë për t’i bindur të gjitha kompanitë që të marrin përsipër rrezikun e falimentimit. Disa mund të thonë se kthimi i investimit për prodhuesit e suksesshëm të vaksinave,tashmë është i lartë nga shitjet e vaksinave tek vendet e zhvilluara. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk mund ta marrim të mirëqenë. Kjo është një çështje që do të duhet të zgjidhet në OBT.

Më pak të pasigurta janë parimet mbi të cilat duhet të mbështetemi tani dhe për krizat e ardhshme të ngjashme me këtë aktualen. Për kompaninë investuese, kthimi i pritshëmfinanciar i zhvillimit të vaksinave (që përfshin probabilitetin e dështimit), nuk duhet të jetë në mënyrë të papërshtatshme as i ulët dhe as i lartë.

Është një gabim i zakonshëm të analizohen vetëm kthimet për kompanitë që kanë sukses.

Mënyra më e drejtë për të menduar mbi këtë çështje, është që çmimet të bazohen në të ardhurat për frymë të vendit, qeveria e të cilit po blen vaksinat.

Por, meqenëse diskriminimi midis vendeve krijon mundësinë që sipërmarrës dhe qeveri tëpaskrupullta, mund të përdorin sistemin përmes transportit detar, një institucion ndërkombëtar si OKB do të negocionte dhe blinte sasi të mëdha vaksinash për shpërndarje në vendet nën një nivel të caktuar të të ardhurave.

Nisma Covax, e promovuar që në vitin 2020 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Gavi, Aleanca e Vaksinave dhe Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike, synon ta bëjë këtë gjë përmes financimit nga ekonomitë e përparuara. Kjo është një ide e mirë dhe duhet të ruhet.

Por ndërsa ka bërë përparim në blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, ajo nismë është momentalisht e nën–financuar, dhe i nënshtrohet të njëjtave probleme me furnizimet (nacionalizmi i vaksinave, kërkesat e licencimit dhe sasitë e kufizuara në prodhim) me të cilat përballen zakonisht vendet në zhvillim.

Duhet pritur që vendet ku po zhvillohen vaksinat të plotësojnë më së pari nevojat e tyre. Si e tillë, zgjidhja e vetme e vërtetë në nivelin global, është rritja e kapacitetit prodhues në sa më shumë vende të jetë e mundur. Duke pasur parasysh mësimet e nxjerra deri më tani nga kjo krizë, spikasin 2 përfundime.

Së pari, vendimet kritike nuk duhet të merren njëzëri, dhe ku të gjithë kanë të drejtën e vetos. Kjo është një recetë për vonesat dhe mosveprimin. Përkundrazi, ne kemi nevojë për një organ të përgjegjshëm, gjerësisht përfaqësues si OKB-ja, që të shpallë një emergjencë globale, e cila më pas duhet të shkaktojë marrjen e masave të caktuara.

Së dyti, mbetet një problem i madh dhe urgjent mungesa e ngarkesës maksimale të prodhimit. Kapaciteti i ngarkesës maksimale është i kushtueshëm, pasi ndërsa nuk përdoret në shumicën e kohës, mungesa e tij gjatë momenteve të krizës mund të sjellë vdekshmëri shumë më të lartë dhe ndërprerje më të gjata.

Sektori privat nuk mund ta zgjidhë këtë problem. Për aq sa ka një interes publik botëror për të ruajtur kapacitetin e tepërt të prodhimit farmaceutik, qeveritë në tërësi duhet të gjejnë mënyrat se si të paguajnë për të.

Shënim: Michael Spence, është fitues i Çmimit Nobel në ekonomi, dhe profesor i ekonomisë në Shkollën Pasuniversitare të Biznesit në Universitetin e Stenfordit. / “Arab News” – Bota.al

Lajmet

NATO përballë Rusisë

Rëndësia taktike e kësaj manovre ushtarake shumëkombëshe: Çfarë është stërvitja shumëkombëshe Steadfast Defender 2024?

Publikuar

nga

Manovra ushtarake e NATO-së “Steadfast Defender 2024”

Shkruan: Prof. Dr. Bahri Gashi

NATO ka përmbyllur përgatitjet e fundit me blerjen e mbi 1.1 miliard të municioneve që do t’i përdorë gjatë stërvitjes më të madhe në histori. NATO, sipas informacioneve që posedon, diku nga muaji (maj deri në muajin qershor) NATO posedon informacion serioz se në Ukrainë do të zgjerohet një front i ri lufte.

NATO si kundërpërgjigje po ndërmerr veprime taktike luftimi të trupave të ndryshme ushtarake në kohë paqeje, që bëhen për të rritur përgatitjen luftarake dhe gatishmërinë e tyre për përballje kundër çdo rreziku luftarak.

Rëndësia taktike e kësaj manovre ushtarake shumëkombëshe: Çfarë është stërvitja shumëkombëshe Steadfast Defender 2024?

Steadfast Defender 24 është një stërvitje e madhe e NATO-s që do të zhvillohet nga muaji shkurt deri në maj 2024 në të gjithë rajonin e Eurozonës, hartës transatlantike.

Kjo stërvitje ushtarake do të përdoret si përgjigje ndaj një agresioni të mundshëm të një fuqie ose kundërshtare kundër një vendi anëtar të NATO-së apo vendeve të Ballkanit, përfshirë paqëruajtësit e KFOR-it në Kosovë, duke aktivizuar nenin 5 (kartën e aleancës) të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Stërvitja është pjesë e serisë së manovrave Steadfast Defender. Kjo stërvitje konsiderohet manovra ushtarake me të gjitha kapacitetet luftarake më e madhe e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

NATO do të aktivizojë nē operacione taktike një numër të trupave mbi 90 mijë ushtarë dhe pasije luftarake nga toka, deti dhe ajri, përfshi edhe gjeohapësirën.

Vendet anëtare të NATO-së, si Mbretëria e Bashkuar janë përgatitur të sigurojnë mbi 20 mijë trupa për manovra. Më shumë se 16 mijë ushtarë janë shpallur nga Ushtria Britanike për operacione, në mesin e tyre do të ekspozohet edhe ekipi luftarak i Brigadës së 7-të të Mekanizuar të Lehtë. Marina Mbretërore do të sigurojë 2 mijë marinarë, 15 mijë ushtarë polakë, 10 mijë gjermanë dhe 5 mijë holandezë, e kështu me radhë nga scili vend anëtar pjesmarrës me trupa efektiv ushtarak.

Në kuadër të këtyre manovrave ushtarake Steadfast Defender 2024, Bundeswehr-i gjerman poashtu ka parlajmëruar se do të kryejë edhe manovrën e saj të quajtur “Quadriga 2024”. Ky operacion ushtarak “Quadriga 2024” ndahet në katër nivele manovrash të cilat duhet të praktikojnë ushtrimin e trupave gjermane mē misione tê veçanta luftrake të reagimit të shpejtë. Këto manovra ndahen sipas emërtimeve luftarake: Grand Center (mesi deri në fund të shkurtit), Grand North (nga mesi i shkurtit deri në mesin  marsit), Grand South (fundi i prillit deri në fund të majit) dhe Grand Quadriga (maj).

Në kuadër të stëvitjeve ushtarake Steadfast Defender 2024, Polonia do të intensifikojë manovrat kombëtare “Dragon-24” nga data 25 shkurt deri më 14 mars 2024.

Këto stërvitje taktike – operacionale do të përbëhen kryesisht nga ushtarë të Divizionit të 11-të të Kalorësisë së Blinduar dhe Divizionit të 16-të të Mekanizuar Pomeranez, gjithashtu do të operojnë edhe komponetët tjerë ushtarak si trupa nga Forca e Mbrojtjes Territoriale, Komanda e Trupave Speciale, Forca Ajrore, Marina si dhe Forca e Reagimit të NATO-s dhe do të zhvillohen kryesisht në Qendrën e Trajnimit të Forcave Tokësore Drawsko.

Pjesë përbërëse me një total mbi 3 mijë e 500 automjete janë planifikuar të përdoren duke përfshirë 100 automjete të rënda luftarake duke përfshirë tanke nga SHBA, Spanja dhe Franca. Trupat gjatë stërvitjes po planifikojnë të kryejnë detyra të shumta duke përfshirë kalimet e lumenjve me pajisje të rënda, si dhe lëvizjen e automjeteve gjurmuese në mbi 300 milje rrugë publike dhe terrene jo urbane.

Rëndësia gjeosgrategjike e pozicionit të NATO-së lejon edhe këto stërvitje jashtë saj siq është edhe manovra Nordic Response 24 që do të përdorë Steadfast Defender në 2024 si një manovër në çati, por nuk do të jetë pjesë e saj. Manovrat “Saber Strike 24”, “Immediate Response 24” dhe “Swift Response 24″do të kryhen gjithashtu në kuadë të kursit Steadfast Defender.

Përgatitja e NATO-së dhe alancave për një përballje evenduale NATO-Rusi, është përgjigja e reagimit përmes këtyre lëvizjeve të trupave ushtarake drejt kësaj stërvitje shumë anëtarëshe të NATO-së, me qëllimin e vetëm të parandalohet një skenar i ballafaqimit NATO-Rusi. Në të kundërtën involvimi i menjëhrtshëm i Kinës, pashmangshëmëria e superfuqisë së SHBA-ve edhe si e vetme dhe zgjerimi drejt një lufte me pëmasa globale, në mënyrë të padiskutueshme do të shënonte edhe fundin e një filimi të një lufte të tretë botërore me përmasa katastrofale për njerëzimin.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Në cilat raste sakrifikohet etika dhe pse ishte interes publik dhe interes për publikun video e Lulzim Fejzullahut?

Interes për publikun ishte publikimi i videos e cili tregoi dhe shpartalloi të gjitha pistat e hetimeve dhe dyshimeve.

Publikuar

nga

Nga Musa Sabedini

Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë gjithsesi që ishte interes publik sepse në radhë të parë ishte fëmijë jetim dhe përballë kishte një grup të lidhur me pushtet e sistem të drejtësisë. Ndërsa interes për publikun ishte publikimi i videos e cili tregoi dhe shpartalloi të gjitha pistat e hetimeve dhe dyshimeve.

Asgjë të keqe nuk kishte në publikimin e videos, edhe pse ajo video do të duhej të bëhej publike nga media serioze dhe që do të përcillej edhe me komente nga ekspertë të ndryshëm. Në këto raste realisht sakrifikohet etika, por kjo bëhet vetëm për interes të një çështjeje tejet delikate dhe të ndjeshme. Po më bëjnë përshtypje komente, opinione e vlerësime të ndryshme nga komuniteti i gazetarëve, ekspertëve dhe atyre të fushës së sigurisë, mbi publikimin e videos, ku shihet rrahja brutale dhe vdekjeprurëse e 18 vjeqarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut.

Në librin tim të fundit: “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” e kam sqaruar më gjerësisht interesin publik dhe interesin për publikun në aspektin gazetaresk. Në rastin e vdekjes së 18-vjeçarit interes publik është vet një fëmijë jetim dhe i pa krah, përballë një grupi problematik dhe të njohur nga policia e gjykata, thënë më saktë të amnistuar nga këto dy institucione. Ndërsa interes për publikun, pastaj është videoja e cila demaskoi të gjitha pistat e hetimeve, që si duket janë dhënë qëllimisht me kahje të caktuar gabimisht dhe në drejtime të kundërta, dhe në dëm të tashmë të 18-vjeçarit të vdekur.

Në raste të tilla e sakrifikojmë etikën për një interes të caktuar dhe këtë e bëjmë me qëllim pozitiv sepse dëshirojmë të tregojmë se jemi me të dobëtin dhe të vërtetën, që në këtë rast ishte një djalë jetim që vdiq si pasojë e rrahjeve brutale dhe të dhunshme. Ndoshta publikimi i videos do të duhej të bëhej nga media serioze dhe që kanë ekip dhe ekspertë që do jepnin edhe komente për rastin dhe pamjet brutale të rrahjes së 18-vjeçarit.

Pamjet e vrazhda dhe të rënda mund të jenë shqetësuese dhe stresuese për publikun, por media ka presion nga publiku që të botojnë edhe raste të tilla, që sqarojnë gjithçka, sidomos aty ku tentohet të shitet mjegull në publikun e gjerë. Pra media dhe ata që e botuan videon, kanë bërë mirë sepse tashmë pamjet tregojnë shumëçka, kjo nuk vlen edhe për rrjetet sociale, ku dominon fjalori emocional dhe ka paragjykime ekstreme.

Tani pritet të ndryshojnë veprimet, sidomos Prokuroria, e cila e ka mundësinë, që të përmirësojë gabimin e policisë, gjatë fazës së ngritjes së aktakuzës. Publiku sigurisht që do të njoftohet edhe ditëve në vazhdim sepse ka organizata që merren ekskluzivisht me monitorimin e seancave gjyqësore.

Për rastet e tilla të ndjeshme më herët ka reaguar edhe KMSHK duke kërkuar nga mediet që në situata të tilla gazetarët dhe mediat të kenë kujdes, në mënyrën se si raportojnë dhe çfarë i ofrojnë publikut. Sipas Kapitullit VI të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, trajtimi i rrëfimeve për tragjeditë duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen. Nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj të gjithë të prekurve nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion.

Ndryshe ka disa raste ku sakrifikohet etika për interes të publikut dhe rastin më të freskët e kemi mbytjen e djaloshit trevjeçar nga Siria, Ajlan El Kurdi, që u mbyt në brigjet e Turqisë në vitin 2015. Ajo foto ishte rëndë në aspektin etik, por bëri bujë dhe pushtoi zemrat e miliona njerëzve, duke kritikuar qëndrimet e liderëve evropianë rreth çështjes së emigrantëve.

Ajlan El- Kurdi, ishte trevjeçar ndërsa bashkë me të u mbyt edhe vëllau i tij më i madh, Galib El-Kurdi. Ata vdiqën në tentativë për të kaluar Mesdheun, derisa bota u shtnag nga fotoja e realizuar nga fotografja Nilüfer Demir.

Autori është ligjërues në degën Media dhe Komunikim në UBT

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Kukullat mizore të Iranit

Rreziku i një zgjerimi të konfliktit përballë një reagimi të fortë anglo-amerikan është real, edhe pse kukullat iraniane të “boshtit të rezistencës” duken shumë të kujdesshme dhe selektive në lëvizjen e fijeve…

Publikuar

nga

Për herë të dytë në më pak se tre vjet, Kanali i Suezit bëhet i pakalueshëm, duke vënë në krizë trafikun ndërkombëtar dhe tregtinë botërore. Në gjysmën e dytë të marsit 2021, kur bota po rikthehej me mundim nga kriza e pandemisë Covid 19, një stuhi me erë dhe rërë shkaktoi kalimin e një anijeje gjigante mallrash, Ever Given, duke bllokuar lundrimin për disa ditë dhe duke shkaktuar rritjen në qiell të çmimeve, nga nafta e papërpunuar te perimet.

Sot papërdorshmëria e një kalimi strategjik, që përshkohet çdo vit nga 22,000 anije, 30 për qind e trafikut detar ndërkombëtar dhe 15 për qind e tregtisë botërore, nuk shkaktohet nga forcat e natyrës dhe ngarkesa e tepërt e një anijeje tregtare, por nga rreziku i sulmeve tëHouti-ve, të quajtur ndryshe Partizanët e Allahut, rebelët jemenitë të armatosur dhe financuar nga Irani, të cilët që nga 9 nëntori i vitit që kaloi, kur shtinë në dorë anijen e mallrave Galaxy Leader, me një zbarkim spektakolar duke zbritur prej helikopterëve, kanë kryer plot 27 aksione kundër anijeve që kalojnë tranzit nga Gjiri i Bab al Mandab.

Efektet e menjëhershme janë të njëjtët. Reduktim i trafikut detar: 91 përqind për kontenierë, nga dje edhe shoqata ndërkombëtare e pronarëve të anijeve të naftës këshillon anëtarët e vet që të qëndrojnë larg nga Bab al Mandab, kompanitë e mëdha të kontenierëve si Maersk dhe Msc, që të marrin në konsideratë rrugën e Kepit të Shpresës së Mirë, 10 ditë më e gjatë se sa ajo e Suezit. Çmimet janë rritur menjëherë, duke nisur nga ata të naftës brut (4% në vetëm një ditë), e deri tek çmimet e furnizimeve ushqimore.

Por kësaj radhe, steka është shumë më lart dhe me rrezik se sa ajo e ngjarjeve të paparashikueshme natyrore. Dhe rreziku mund të jetë më afatgjatë se sa një stuhi rëre. Bëhet fjalë për të drejtën universale të lirisë së lundrimit dhe kundërvënies ndaj piraterisë, që është maskuar prapa mbështetjes për “kauzën palestineze”, për ofensivën izraelite në Gaza.

Në të vërtetë, Houti-tëve as nuk u bëhet vonë për palestinezët. Atyre u duhet vetëm si një argument më shumë për negociata, që ta hedhin në tryezën e bisedimeve të paqes me Arabinë Saudite, të cilat nisën pas armëpushimit të brishtë të vitit 2022. Siç ka thënë një ekspert i Chatham House, instituti autoritar londinez, Houti-t janë “biznesmenë ushtarakë shumë të zotë”, që janë duke kapitalizuar shansin që u ka dhënë ofensiva izraelite, e cila pasoi masakrën e tmerrshme të Hamasit në 7 tetor: “Mbrojnë Palestinën, sulmojnë Izraelin, denoncojnë hipokrizinë e vendeve të tjera arabe. Prandaj, sa kohë që lufta në Gaza do të vazhdojë, Houti-t do të vazhdojnë përshkallëzimin në Detin e Kuq”.

Pikërisht për të shmangur këtë “përshkallëzim”, përveçse për të rikthyer të drejtën e lirisë së lundrimit, SHBA dhe Britania e Madhe kanë vendosur një sulm masiv ndaj bazave të Houti-tëve në Jemen, të mbështetur nga një koalicion heterogjen, i përbërë nga Kanadaja, Australia, Bahreini dhe Holanda, e vetmja anëtare nga vendet evropiane.

Ndoshta sepse parimi i lirisë së deteve është i rrënjosur në kujtesën e një populli lundruesish dhe të një vendi, i cili ka qenë një fuqi e madhe detare: në vitet e tyre të artë, rreth viteve 1670, Kompania e Indive kishte 150 anije detare dhe 40 anije lufte.

Houti-t kishin qenë nënvlerësuar, sikur të ishin një formacion i vogël dhe më pak i rrezikshëm, të paktën në optikën perëndimore, në “boshtin e rezistencës” shiite, të drejtuar nga iranianët, përbërë nga Hamasi, Hezbollahu dhe Xhihadi Islamik.

Në të vërtetë kanë zhvilluar një aftësi ushtarake të madhe, e cila ka ardhur duke u rritur bashkë me ekspansionin e tyre territorial në Jemen dhe me shpenzimet e forcave qeveritare, duke zëvendësuar armatimet e vjetra sovjetike me instrumenta lufte moderne: nga raketat tek dronët, të cilat i ekspozuan vitin e kaluar në një paradë të madhe ushtarake në kryeqytetin Sana’a, bashkë me sloganin “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit”. Dhe besueshmëria e tyre politike është rritur falë mistifikimit me zotësi që i kanë bërë mbështetjes së “kauzës palestineze”.

Rreziku i një zgjerimi të konfliktit përballë një reagimi të fortë anglo-amerikan është real, edhe pse kukullat iraniane të “boshtit të rezistencës” duken shumë të kujdesshme dhe selektive në lëvizjen e fijeve, në morsën që duan të shtrëngojnë përreth izraelit. Por pasojat e një ndërprerjeje të tregtisë botërore do të ishin shumë më të rënda nëse do u lejohej Houti-tëve që të vazhdojnë piraterinë, me justifikimin e një “kauze të drejtë”. / (Paolo Garimberti, La Repubblica) (bota.al)

Vazhdo të lexosh

Op-Ed

Liridona Ademaj në botën tjetër, Naim Murseli me shok në burg, po mediat i dhanë fund spekulimeve?

Mediet online me storiet e tyre abuzuan me rastin për të përfituar nga kjo tragjedi klikime.

Publikuar

nga

Nga Musa Sabedini

Vrasja mizore dhe e porositur e Liridona Ademajt, shkaktoi traumë mediatike në shoqërinë kosovare, duke shpërfaqur dilema të shumta profesionale dhe mungesë etike. Mediet online me storiet e tyre abuzuan me rastin për të përfituar nga kjo tragjedi klikime, duke shkelur privatësinë dhe duke u marrë me gjëra banale dhe periferike. Media online duhet edhe më shumë të profesionalizohet sepse jemi treguar shumë të mangët në respektimin e kodeve të etikës, duke shkelur mbi parimet bazë të gazetarisë së mirëfilltë dhe të shëndoshë profesionale. Gazetar të rinjë, të papërvojë ishin ata që ofruan video e prononcime të palëve të përfshira në konflikte, sikurse ky rreth tragjik të ishte njëfarë “Big Brother”. Vërtet e frikshme dhe shumë shqetësuese kjo dukuri mediatike.

Publiku kosovar dhe ai mbarë shqiptarë në ditët e fundit ishte i terrorizuar nga lajmet senzacionale për vrasjen e Liridona Ademajt, vrasje kjo e porositur nga burri i saj dhe dy të dyshuarit, që tashmë ndodhen në qeli.

Kemi lexuar e parë gjithçka rreth kësaj tragjedie. Storie, kronika, mbulime të ndryshme, prononcime të avokatëve, të ekspertëve, figurave publike, njerëz pa ndikim e me ndikim mediatik. Një mish – mash paragjykimesh, që tek e fundit vetëm e dëmtojë procesin e ardhshëm gjyqësor.

Pse i tërë ky turr mediatik dhe pse e terë kjo joshje e medias online për të tërhequr vëmendjen?

Në ditën e parë kur ka ndodhur rasti media onile në përgjithësi u tregua korrekte sepse kureshtja e publikut ishte e madhe, për të ditur “vrasësin” dhe për të pasur njohuri e detaje, mbi motivet e rastit. Dhe kjo e kishte efektin e vet pozitiv.

Por që nga momenti kur Naim Murseli rrëfeu para policisë dhe mori përsipër se është i përfshirë në vrasje, të gjitha spekulimet tjera, teorit konspirative nga më të ndryshmet bijnë poshtë.

Aq më parë kur Naim Murseli nuk u dha në lajmet ditore si “vrasës i dyshuar”, por tërë kohën merrte kahje e paragjykime tjera në stilin ”Këshilltar” në këtë ministri, person i afërt me këtë politikan, njeri i biznesit e i krimit, homoseksual, trans gjinor, njeri që deshti të përfitoj nga sigurimi, e shumë e shumë etiketime e banalitete tjera.

Kurrë mos harroni: Një akuzë, një padi ose çdo akuzë duhet të provohet në gjyq dhe tani jemi në fazën intensive të hetimeve, që i kryen prokuroria dhe media nuk ka asnjë arsye të fus hundët ku nuk duhet.

“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse”.(David Randall, “Gazetari Universal”, (Mort Rosenblum, Associated Press).

Kjo thënie ka një peshë të madhe edhe në këtë rast, por ka pak dallime. Në rastin e Naim Murselit po dihet se kush është personi që kërkoi vrasjen dhe kush është ekzekutuesi.
Janë të pafalshme ato kronika që për pak minuta e terrorizojnë edhe lexuesin më pak të vëmendshëm.

Intervistat e dy prindërve të palës akuzuese në këtë fazë janë të padobishme dhe shkaktojnë kundër efekt. Llogariteni dëgjova pyetje edhe si kjo: ”Kur ke me shkue në Suedi”, një intervistë e stilit të rrugës: “A po më kallxon qysh e përjetove rastin” sikur ta kishte gazetari dajë a tezak prindin e Naimit, thjeshtë pa asnjë peshë mediatike, me përjashtim të joshjes së rrjeteve sociale.

Mendoj se në rastet e tragjedive të rënda redaksitë qendrore duhet të dërgojnë gazetar të përgatitur profesionalisht të cilët gjatë intervistimit ose gjatë përcjelljes së rastit duhet të tregojnë se janë të aftë, vigjilent, të përgatitur, këmbëngulës dhe të kujdesshëm.

Do të provohej e kundërta nëse Naim Murseli do të ndodhej në arrati ose nëse Naim Murseli do të ishte njëfarë “Supermeni” dhe “Jashtë tokësor”. Atëherë do të lejohej që media të luante një rol hetuesie për të qitur në dritë sa më shumë detaje. Ose nëse policia e prokuroria do të neglizhonte me rastin. Po tani e kemi rastin ndryshe. Naimi është në burg, Liridona është në botën tjetër, mediat ku po mbeten me tërë këtë shkarje e mungese profesionalizmi.

“Në gazetari ka një pyetje të lashtë, një pyetje që kurrë nuk do të marrë një përgjigje të prerë. A është më e rëndësishme e drejta e publikut për tu informuar sesa e drejta personale për privatësi. Kjo është një temë për të cilën debati gjithnjë ia ka vlejtur, qoftë edhe për t`i detyruar gazetarët të mendojnë pak më gjatë pasojat e asaj që bëjnë”, (marrë nga libri “Diskutim për etikën”).

Ta bëjmë më të qartë. Interes publik ishte Naim Murseli padyshim, interes për publikun ishte vrasja e porositur e saj dhe tani interes për publikun e gjerë është pritja nga drejtësia për ta vendosur dhe zbardhur rastin si duhet.

Media duhet të tregohet e përmbajtur sepse rivarrimi dëshmoi mungesë etike, pavarësisht se vëllau i Liridonës bëri apel për privatësi.

Ose ditën kur Naim Murseli doli para Gjykatës vetëm brenda dy orëve një portal plasoi mbi 13 lajme të natyrave të ndryshme. ”Erdhi Naim Murseli”, “Shkoi në Gjykatë Naim Murseli”, “Doli nga Gjykata Naim Murseli”, “Avokatët u deklaruan për Naim Murselin”, “Ky është vendimi që mori Gjykata për Naim Musrelin”, “Kështu u protestua para Gjykatës për Naim Murselin” e tituj e tituj të tjerë, që fare lehtë kanë mundur të përmblidhen në një kronikë të vetme, ku do të kishte dominuar korrektësia, saktësia dhe objektiviteti në raportim.

Vrapimi i medieve pas fëmijëve të Naim Murselit është shkelje e rëndë e etikës.

Edhe në rastin konkret shumë lajme janë postuar dhe janë përcjellur edhe me foto, pak minuta pas tragjedisë. Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.

Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.

Ka shumë për të thënë rreth këtij rasti që vërtet u banalizua dhe u bë temë mediatike pothuajse e panjohur deri më tani, dhe këshilla kryesore është që portalet kryesore të njihen mirë me kriteret dhe udhëzimet mbi mënyrat e raportimit në rastet e ndjeshme.

Ekziston Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës (KMSHK) që kujdeset për etikën dhe respektimin e kodeve të saj, thjeshtë lexoni dhe kuptoni të drejtat e juaja, por edhe të drejtat e të tjerëve, në raste të përfshira sepse tek e fundit Naim Murseli ende është vetëm një person i dyshuar.

Tani i takon prokurorisë që me mekanizmat e saj ta “djersitë” Naim Murselin për ta kuptuar esencën e vrasjes së porositur. Mediet e guximshme dhe hulumtuese e kanë fare lehtë të shfrytëzojnë lidhjet e tyre brenda prokurorisë për të kuptuar të vërtetën, por koha e spekulimeve tashmë ka mbaruar.

“Mos shto. Të mos shtosh do të thotë thjesht të mos shtosh fakte që nuk kanë ndodhur. Ose Mos gënje. Të mos gënjesh do të thotë të mos e fusësh kurrë publikun në qorrsokak”.”Bill Kovach/Tom Rosenstiel”

Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: ”Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”. Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske.

(Autori është ligjërues në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara