Studiuesit nga Universiteti Brigham Young në Utah dhe disa institucione në Gjermani kanë deklaruar se konsumimi i sheqerit në formë të lëngshme mund të ketë ndikim më të keq sesa konsumimi i tij përmes ushqimit.
Sipas tyre, pirja e sheqerit, sidomos përmes pijeve të gazuara apo lëngjeve të ëmbla, lidhet më shumë me rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Rreth 38 milionë amerikanë jetojnë me diabet dhe 90-95% e tyre kanë diabet të tipit 2, ka raportuar The Independent.
“Ky është studimi i parë që krijon një lidhje të qartë në varësi të dozës mes burimeve të ndryshme të sheqerit e rrezikut për diabet të tipit 2. Ai tregon pse pirja e sheqerit, qoftë përmes pijeve të gazuara apo lëngjeve, është më problematike për shëndetin sesa ngrënia e tij”, tha profesoresha e shkencave ushqimore në BYU, Karen Della Corte.
Studiuesit kanë theksuar se kjo ndodh sepse pijet e ëmbla përmbajnë “sheqerna të izoluara”, pra sheqerna të nxjerra nga frutat apo burime tjera e të shtuara në ushqimet e përpunuara. Sheqerna të shtuara gjenden jo vetëm te pijet energjike, limonadat, pijet sportive dhe pijet e gazuara, por edhe te buka, drithërat e përpunuara, jogurtët me pemë dhe ushqimet e konservuara.
Këto sheqerna shkaktojnë ndikim më të madh në nivelin e sheqerit, duke e mbingarkuar mëlçinë, rritur yndyrën në këtë organ dhe duke çuar në rezistencë ndaj insulinës, hormonit që ndihmon në rregullimin e sheqerit. Personat me diabet kanë nevojë për injeksione insuline për ta mbajtur sheqerin nën kontroll.
Sheqeri që ndodhet natyrshëm në ushqime të pasura me lëndë ushqyese, siç janë frutat e drithërat e plota, nuk e mbingarkon mëlçinë se tretet më ngadalë falë fibrave, yndyrave, proteinave dhe përbërësve të tjerë të dobishëm. Studiuesit kanë analizuar të dhënat e mbi gjysmë milioni njerëzish nga kontinente të ndryshme. Rezultatet kanë treguar se çdo racion prej 350 ml pije të ëmbël rriste rrezikun për diabet të tipit 2 me 25 për qind.
“Kjo lidhje e fortë tregon se rreziku fillon që nga racioni i parë ditor, pa ndonjë kufi minimal të ‘sigurt’”, kanë deklaruar autorët e studimit.
Edhe konsumimi ditor i lëngut të frutave rriste rrezikun për diabet, megjithëse në masë më të vogël, çdo 240 ml lëng frutash shtonte rrezikun me 5 për qind.
Interesant është fakti se sheqeri në formën e zakonshme apo sheqeri total që merret nga ushqimet e tjera nuk ka treguar të njëjtin rrezik dhe në disa raste madje pati efekt të kundërt, Konsumimi i lartë i sheqerit lidhet me rrezikun për obezitet, diabet të tipit 2, sëmundje kardiovaskulare dhe kancer. Por, sipas Harvard Medical School, sheqeri gjithashtu siguron energji dhe ka “rol të rëndësishëm në ushqim”.
“Ky studim nënvizon nevojën që të kemi rekomandime edhe më të rrepta për sheqernat në pije, si ato në pijet e gazuara dhe në lëngjet e frutave, sepse ato lidhen drejtpërdrejt me dëmtimin e shëndetit metabolik. Në vend që të dënojmë të gjitha sheqernat e shtuara, udhëzimet e ardhshme ushqimore duhet të marrin parasysh efektet e ndryshme të sheqerit në varësi të burimit dhe formës së tij”, ka thënë Della corte.