Lajmet

Çfarë qëndron pas vendimit rus për t’i ndërprerë furnizimet me gaz?

Kremlini ka paralajmëruar për këtë mundësi nëse shtetet nuk paguajnë me rubla për energjinë.

Published

on

Associated Press

Gazpromi i Rusisë tha se do t’i ndalë furnizimet me gaz natyror për në Poloni dhe Bullgari, duke përshkallëzuar tensionet ndërmjet Kremlinit dhe Evropës për energjinë dhe pushtimin e Ukrainës. Me këtë vendim është shtuar urgjenca që të bëhen plane të reja që fillimisht të zvogëlohet dhe më pas t’i jepet fund varësisë së Evropës nga gazi dhe nafta ruse.

Më poshtë mund të mësoni gjërat kyçe lidhur me situatën me gaz në Evropë:

Çfarë bëri Rusia?

Gjiganti i energjisë ruse, Gazprom, kompani që kontrollohet nga shteti, tha se do të ndalojë furnizimet për në Poloni dhe Bullgari, sepse këto dy shtete po refuzojnë që të paguajnë me rubla për gazin rus, ashtu siç ka kërkuar presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Liderët evropianë thonë se në kontratat për gazin rus thuhet se pagesa bëhet në euro ose dollarë dhe njëra palë nuk mund ta ndryshojë çështjen e pagesës. Polonia ka ndërmarrë hapa afatgjatë për të mbrojtur veten nga ndalimi i furnizimeve ruse, teksa ka ndërtuar një terminal për import të gazit të lëngshëm që transportohet përmes anijeve dhe kishte planifikuar që në fund të këtij viti të ndërpriste furnizimet nga Gazpromi. Bullgaria, në anën tjetër, thotë se tash për tash ka mjaftueshëm gaz.

Megjithatë, ngrihet pyetja se çfarë ndikimi mund të ketë njoftimi i Gazpromit në tregjet energjetike, teksa janë rritur pasiguritë se furnizimet me gaz natyror mund të ndërpriten edhe për vendet e tjera evropiane që do të mund të shkaktonte një goditje të rëndë për ekonominë.

Kremlini ka paralajmëruar për këtë mundësi nëse shtetet nuk paguajnë me rubla për energjinë. Por, Rusia po ashtu varet nga shitjet e naftës dhe gazit për të financuar qeverinë e saj, teksa sanksionet kanë goditur sistemin financiar rus.

Sipas sistemit të ri të pagesave, Kremlini ka thënë se importuesit do të duhet të krijojnë një llogari në dollarë apo euro në bankën e tretë më të madhe ruse, Gazprombank, dhe një llogari të dytë bankare në rubla. Importuesi më pas do të paguante për furnizimet me gaz me euro apo dollarë dhe banka do t’i këmbente menjëherë paratë në rubla.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 27 prill se pagesa me rubla shkel sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe se kompanitë që kanë kontrata të furnizimeve “nuk duhet t’i pranojnë kërkesat ruse”.

Situata në Ballkan

Gazi rus vjen në Evropë përmes disa gazsjellësve, siç është “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedha Turke”. Me gazin rus furnizohen edhe disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Projekti i Rusisë dhe Turqisë, i quajtur “Rrjedha Turke”, dërgon gazin rus në Turqi dhe në vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore.

Serbia është e varur plotësisht nga gazi rus, që vjen përmes Bullgarisë, që është shtet transit.

Përveç varësisë nga gazi rus, Gazpromi rus ka krijuar monopol në tregun serb, për çka Bashkimi Evropian ka paralajmëruar prej vitesh.

Bullgaria, po ashtu, plotëson 90 për qind të kërkesës së saj me furnizime me gaz nga Rusia, edhe pse kontrata afatgjate i skadon më vonë gjatë këtij viti.

Përmes “Rrjedhës Turke” me gaz rus furnizohen edhe Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia dhe Hungaria.

Gazsjellësi “Rrjedha Turke” është pjesë e ambicieve afatgjata të Rusisë për të minimizuar transportin e gazit përmes Ukrainës dhe për të ofruar alternativë për gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1 dhe 2”.

Çfarë po kërkon Putini?

Për shkak të urdhrit të Putinit që pagesat me rubla të prekin vetëm “shtetet jomiqësore”, ky vendim mund të shihet si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore që kanë larguar bankat ruse nga transaksionet ndërkombëtare financiare dhe kanë detyruar disa kompani perëndimore që t’i largojnë bizneset e tyre nga Rusia.

Motivet ekonomike për të kërkuar pagesa me rubla nuk janë të qarta sepse Gazpromi veçse duhet të shesë 80 për qind të fitimeve të saj të huaja për rubla, prandaj shtytja për rimëkëmbjen e monedhës kombëtare ruse do të ishte minimale. Një nga motivet e këtij vendimi mund të jetë politik: për t’i treguar publikut në Rusi se Putini mund të diktojë kushtet e eksporteve të gazit. Dhe duke kërkuar që pagesat të bëhen vetëm përmes Gazprombankës, kjo lëvizje mund të bëjë që kjo bankë të shënjestrohet nga sanksione të mëtejme.

Nëse Putini po kërkonte për një pretekst për të ndalur furnizimet me energji ruse për shtetet që mbështesin Ukrainën, ky vendim mund të shërbejë për këtë qëllim. Rusia ende po vazhdon të dërgojë gaz në Hungari – ku kryeministri populist, Vikor Orban është pajtuar me sistemin e ri të pagesave të propozuar nga Putini – përmes sistemit të njëjtë të gazsjellësit.

Simone Tagliapietra, ekspert i energjisë dhe bashkëpunëtor në organizatën Bruegel me seli në Bruksel, thotë se “duke lëvizur në këtë drejtim, Rusia po përdor fragmentimin e BE-së – është strategjia ‘përçaj dhe sundo’ – prandaj ne kemi nevojë për një përgjigje të koordinuar të BE-së”.

Si qëndron Evropa me furnizim të gazit?

Sanksionet e koordinuara të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara nuk kanë prekur pagesat për naftë dhe gaz. Ky ishte koncesioni i Shtëpisë së Bardhë për aleatët evropianë, të cilët janë më të varur nga energjia ruse, që ofron 40 për qind të gazit të Evropës dhe 25 për qind të furnizimeve me naftë. Për energjinë ruse, Evropa paguan çdo ditë 850 milionë dollarë.

Shumë persona nuk janë të lumtur që evropianët ende po blejnë energji nga Rusia, e cila mesatarisht fitoi 43 për qind të të ardhurave vjetore qeveritare nga shitjet e gazit dhe naftës në vitet 2011-2020, sipas Administratës amerikane për Informacione të Energjisë.

Vendimi i Rusisë për të zvogëluar shitjet e gazit para nisjes së luftës në Ukrainë, përveç përmes kontratave afatgjate, kontribuoi në një krizë gjatë dimrit që rriti çmimet dhe shërbeu si alarm zgjimi se varësia e Evropës nga energjia ruse e la atë të pambrojtur. Por, lufta në Ukrainë ka treguar se duhet të ketë një rivlerësim të shpejtë të politikës energjetike që është në fuqi prej dekadash, përmes së cilës, gazi i lirë nga Rusia ka mbështetur ekonominë e Evropës.

Por, ndërprerja e furnizimeve të gazit në Evropë nuk i shkon për shtati as Rusisë.

Kur bëhet fjalë për naftën, në teori, Rusia mund ta eksportojë atë diku tjetër përmes anijeve, shembull në Indi apo Kinë, shtete që kanë nevojë për energji dhe që nuk janë pjesë e sanksioneve.

Por, gazi është çështje tjetër. Sistemi i gazsjellësit nga depozitat e mëdha në Gadishullin Jamal të Rusisë, që sjell gazin në Evropë, nuk lidhet me tubacionin e gazit që shkon për në Kinë dhe Rusia ka pak infrastrukturë për të eksportuar gazin natyror përmes anijeve.

A do të mund t’i mbijetonte Evropa një ndërprerjeje të plotë të furnizimit me gaz?

Ekonomia e Evropës do të përballej me vështirësi pa gazin natyror rus, edhe pse ndikimi i një ndërprerjeje të plotë të furnizimit me gaz do të varej nga ajo se sa shumë e përdorin këtë produkt shtetet evropiane. Vlerësimet e ekonomistëve ndryshojnë shumë sa i përket humbjeve që do të mund të kishte Evropa si tërësi. Analistët në Moody thanë në një studim të publikuar së fundmi se ndërprerja e plotë e energjisë – gazit dhe naftës ruse – do ta fuste Evropën në recesion.

Importuesit më të mëdhenj të gazit rus

Dhjetë shtetet që kanë importuar më së shumti gaz rus më 2020 sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji:

Gjermania: 42.6 miliardë metër kubikë

Italia: 29.2 miliardë metër kubikë

Bjellorusia: 18.8 miliardë metër kubikë

Turqia: 16.2 miliardë metër kubikë

Holanda: 15.7 miliardë metër kubikë

Hungaria: 11.6 miliardë metër kubikë

Kazakistani: 10.2 miliardë metër kubikë

Polonia: 9.6 miliardë metër kubikë

Kina: 9.2 miliardë metër kubikë

Japonia: 8.8 miliardë metër kubikë

Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, varet shumë nga energjia ruse. Banka Qendrore gjermane ka deklaruar se një ndërprerje e plotë do të nënkuptonte humbje prej 5 pikësh të përqindjes së prodhimit ekonomik, si dhe rritje të inflacionit.

Inflacioni veçse është në nivele rekorde, duke bërë që për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, edhe çmimet e tjera, nga ato të produkteve ushqimore e deri tek ato të lëndëve të para, të përjetojnë rritje.

Organizata Bruegel ka vlerësuar se Evropa do të kishte 10 deri në 15 për qind më pak sesa kërkesa normale për ta kaluar sezonin e ngrohjes gjatë dimrit të ardhshëm, që nënkupton se Evropa do të duhej të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të zvogëluar përdorimin e gazit.

Çfarë po bën Evropa për të ulur varësinë nga gazi rus?

Liderët evropianë kanë thënë se ata nuk do të mund t’i përballojnë pasojat e një bojkoti të menjëhershëm. Në vend të kësaj, ata planifikojnë të zvogëlojë përdorimin e gazit rus sa më shpejt që të munden. Liderët, po ashtu, kanë porositur më shumë gaz të lëngshëm natyror, që transportohet me anije. Po ashtu, janë duke kërkuar alternativa të furnizimit, siç janë tubacionet nga vendet si Norvegjia dhe Azerbajxhani dhe, po ashtu, po punojnë në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë përmes erës dhe diellit dhe po nxisin masat për ruajtjen e gazit.

Qëllimi është që të hiqet dorë nga gazi rus për dy të tretat deri në fund të vitit dhe deri më 2027, Evropa të heqë dorë plotësisht nga gazi rus. Ende nuk dihet nëse ky qëllim do të arrihet, pasi furnizimet e gazit natyror janë të kufizuara, ndërkaq terminalet e eksportit kanë mbushur kapacitetet e tyre.

Gjermania, që nuk ka një terminal të importit, po mëton që të ndërtojë dy të tillë, por një gjë e tillë mund të kërkojë vite. Italia, që merr 40 për qind të gazit të saj nga Rusia, ka arritur marrëveshje për të zëvendësuar gjysmën e kësaj sasie përmes importeve nga Algjeria, Azerbajxhani, Angola e Kongo dhe po shqyrton mundësinë që të rrisë importet edhe nga Katari. Evropa, po ashtu, është nën presion që të rimbushë depotë e saj nëntokësore në mënyrë që të ketë furnizime të mjaftueshme për dimrin e ardhshëm.

Situata është mjaft serioze dhe ka shtyrë Gjermaninë që të shpallë fazën e parë – prej tri fazash – të planit të saj të emergjencës për energji./REL

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

22 nëntor 1993

Në fatkeqësinë ajrore në aeroportin e Ohrit humbën jetën 97 shqiptarë

Në fatkeqësinë e parmbrëmshme ajrore në afërsi të Ohrit, sipas njoftimeve dhe të dhënave të deritashme humbën jetën 115 persona, prej tzre, 107 udhëtarë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa thuhet se shpëtoi vetëm një person.

Në bazë të të dhënave që i siguruan burimet tona në Gjenevë, mirret vesh se përkatësia etnike e viktimave është: 97 shqiptarë, 9 maqedonas dhe 2 francezë. Në mesin e viktimave 4 janë fëmijë të moshës gjer në 2 vjeç, 4 të tjerë gjer në moshën 12-vjeçare, 19 janë femra dhe 81 meshkuj.

Pesë nga viktimat ishin kërkues të strehimit politik në Zvicër, të cilët policia zvicerane i përcolli gjer në aeroplan: Shemsie Hoxha nga Gjakova me të bijën Shukrien fëmijë), Avdurrahim Orlati, Isuf Berisha nga Shkupi dhe Emin Sopi.

Dy prej viktimave ishin francez: Thierry Joubert, anëtar i shoqatës bëmirëse “Equilibre”, i cili shkonte me mision në Kosovë dhe Pierre Ollier, nëpunës i Komisariatit të Lartë për Refugjatë. Udhëtarët ishin kryesisht të punësuar në Zvicër dhe jetonin në kantonet e Gjenevës, Vaud Lozanë), Valesë, Neuchatelit dhe Bernë.

Aeroplani “Yak 42” ishte i prodhimit rus, ndërsa kompania maqedonase e kishte huazuar nga Ukraina.

 

22 nëntor 1994

Në vend të bustit të Hivzi Sulejmanit u vu shtatorja e njëfar srpski sokolit

Më 17 nëntor, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Hivzi Sulejmani” në Ferizaj, në bazamentin e bustit më parë të përdhosur të Hivzi Sulejmanit, u vu shtatorja e njëfar srpski sokolit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Bëhet me dije se zyrtarët e instasluar serbë në Ferizaj organizuan edhe një solemnitet rasti, në të cilin morën pjesë edhe qytetarë serbë e malazias.

22 nëntor 1995

Dita e Flamurit shënohet edhe në Bullgari

Në organizim të Ambasadës shqiptare në Bullgari, Shoqatës së miqve të Shqipërisë në Bullgari dhe Shoqatës së shqiptarëve në Bullagri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nesër në Sofje do të mbahet një manifestim rasti me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Sipas njoftimit të kryetarit të Shoqatës së shqiptarëve në Bullgari “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Thoma Kacorri këtë manifestim do të shpallë të hapur historiani Bobi Bobev, ndërsa për rëndësinë e kësaj date historike për shqiptarë do të flasë ambasadori i Shqipërisë në Bullgari Xhelal Tahiri.

Në kuadër të këtij manifestimi është paraparë të shfaqet edhe një program kulturo-artistik, në të cilin do të paraqiten këngëtarë dhe artistë që do të lexojnë vargjet tonë social, Migjenit.

22 nëntor 1996

Veshmbathje për familjet e rrezikuara

Forumi i Gruas në krye me Xhylferije Krasniqin dhe Dega e LDK-së në Prizren organizuan një aksion për grumbullimin e veshmbathjes për familjet e rrezikuara të Mitrovicës.

Të shtunën e kaluar, më 16 nëntor një delegacion i FG të LDK-së të Degës së Prizrenit ia dorëzuan FG dhe Degës së LDK-së në Mitrovicë  një sasi veshmbathjehe në një vlerë rreht 3200 DM.

Gjatë kësaj jave vazhdoi ndarja e këtyre ndihmave familjeve të nevojtarëve në Mitrovicë.

 

22 nëntor 1997

Finlandë: Ndihma për Kosovën në ushqim, veshmbathje e barëra

Shqiptarët që jetojnë në Hyvinks të Finlandës, në bashkëpunim me asociacionet e ndryshme humanitare të këtij qyteti, kohë ma përë ndërmorën një aksion për grumbullimin e ndihmave materiale për Kosovën.

Kryetari i Nëndegës së LDK-së dhe i shoqatës “Kosova” në këtë qytet, z. Faton Mulaj, i tha KI të Degës së LDK-së në Finlandë se këto ndihma, kryesisht ushqim, veshmbathje dhe barëra, janë dërguar në Kosovë dhe janë dorëzuar në selinë e shoqatës “Nëna Terezë” në Prishtinë, nga bartësi i këtyre ndihmave, z. Karl Aguson.

 

22 nëntor 1998

Mbi 10.000 shqiptarë demonstruan në Bernë me kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Mbi 10 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria e viset tjera shqiptare demonstruan dje në sheshin para Parlamentit të Zvicrës në Bernë me kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për ndaljen e terrorit serb në Kosovë.

Në demonstratës me moton “Të njihet pavarësia e Kosovës”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë anëtarë të të gjitha partive dhe shoqatave politike e jopolitike shqiptare, si dhe zviceran, miq të shqiptarëve, iu dha përkrahje e plotë politikës së Kryetarit Rugova, si dhe mbështetje e fuqishme luftëtarëve të UÇK-së, drejt realizimit të synimeve kombëtare shqiptare.

Pjesëmarrësit e demonstratës kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare ndërprerjen e terrorit serb në Kosovë dhe dënimin e kryetarit serb Millosheviqe dërgimin e tij në Gjykatën e Hagës.

Para pjesëmarrësve folën shumë oratorë dhe përfaqësues të strukturave politike shqiptare që veprojnë në diasporë, si Hysen Gërvalla, kryetar i Degës së LDK-së për Zvicër, Hafiz Gagica, kryetar i Kolegjiumit të degëve të LDK-së për Diasporë, valdet Avdiu, kryetar i FR të LDK-së për Zvicër, dhe oratorë zviceranë, të cilët dënuan politikën dhe terrorin e regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Para pjesëmarrësve u lexua edhe telegrami i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovësm, akademik Idriz Ajeti.

Demonstratës së shqiptarëve i dhanë publicitet të madh mediat zvicerane.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e Georgi Markovit: kur një ombrellë u shndërrua në armë kundër lirisë së shprehjes

Published

on

By

Në historinë e medias së shekullit XX, pak raste ilustrojnë aq fuqishëm përplasjen midis gazetarisë së lirë dhe regjimeve autoritare sa vrasja e gazetarit dhe disidentit bullgar Georgi Markov në vitin 1978. Ngjarja, e njohur më vonë në mbarë botën si “Umbrella Murder” (Vrasja me Ombrellë), u shndërrua në simbol të metodave të fshehta që regjimet komuniste përdornin kundër kundërshtarëve të tyre politikë dhe kritikëve të pushtetit.

Ajo që e bëri këtë rast të famshëm nuk ishte vetëm viktima apo motivi politik, por edhe mënyra e pazakontë e atentatit. Për herë të parë, opinioni ndërkombëtar u njoh me një operacion sekret ku një mjet krejt i zakonshëm, një ombrellë, u shndërrua në armë vdekjeprurëse. Për shumë njerëz, historia dukej si një skenar filmi spiunazhi. Megjithatë, pas saj qëndronte një realitet i errët i Luftës së Ftohtë dhe i kontrollit të informacionit në shtetet komuniste.

 

Nga shkrimtar i suksesshëm në kritik të regjimit

Georgi Markov lindi në Sofje në vitin 1929. Në vitet 1960 ai konsiderohej një nga shkrimtarët më të njohur bullgarë. Romanet, dramat dhe tregimet e tij botoheshin rregullisht dhe gëzonin mbështetjen e institucioneve kulturore shtetërore.

Megjithatë, me kalimin e kohës Markovi u bë gjithnjë e më kritik ndaj sistemit komunist dhe veçanërisht ndaj udhëheqësit bullgar Todor Zhivkov, i cili sundoi Bullgarinë për më shumë se tri dekada.

Në fund të viteve 1960 ai udhëtoi në Itali dhe më pas vendosi të mos kthehej më në Bullgari. Vendimi i tij u konsiderua tradhti nga autoritetet komuniste. Regjimi filloi ta portretizonte si armik të shtetit, ndërsa veprat e tij u ndaluan.

Pasi u vendos në Perëndim, fillimisht në Itali dhe më pas në Britaninë e Madhe, Markovi filloi një karrierë të re si gazetar dhe komentator politik.

 

Zëri i një disidenti

Në Londër, Markovi nisi bashkëpunimin me BBC World Service, ndërsa më vonë edhe me Radio Free Europe dhe Deutsche Welle.

Pikërisht këtu filloi konflikti i tij më i madh me regjimin bullgar.

Përmes emisioneve radiofonike që transmetoheshin në Bullgari, ai fliste hapur për korrupsionin, privilegjet e elitës komuniste, represionin politik dhe kultin e udhëheqësit Todor Zhivkov. Në një kohë kur mediat bullgare kontrolloheshin plotësisht nga shteti, komentet e Markovit përbënin një alternativë të rrallë informative.

Veçanërisht të njohura u bënë seritë e tij të quajtura “Raportet nga Mungesa” (In Absentia Reports), në të cilat ai përshkruante me hollësi jetën e elitës komuniste dhe kontrastin midis propagandës zyrtare dhe realitetit.

Miliona dëgjues bullgarë ndiqnin fshehurazi transmetimet e tij. Për pushtetin në Sofje, Markovi ishte shndërruar në një nga kritikët më të rrezikshëm të regjimit.

 

E heshtën! Regjimi komunist bullgar, me ndihmën e KGB ruse, e vrau në Londër.

Sot, vrasja e Georgi Markovit konsiderohet një nga sulmet më të famshme kundër një gazetari në Evropën e shekullit XX. Rasti tregon se sa larg mund të shkojnë regjimet autoritare për të heshtur zërat kritikë dhe për të kontrolluar informacionin.

 

Regjimi vendos ta heshtë

Shërbimet sekrete bullgare, të njohura si Darzhavna Sigurnost (Sigurimi i Shtetit), mbanin nën vëzhgim disidentët që jetonin jashtë vendit. Dokumente të publikuara pas rënies së komunizmit treguan se Markovi konsiderohej objektiv me prioritet të lartë.

Bullgaria gëzonte marrëdhënie shumë të ngushta me Bashkimin Sovjetik. Për këtë arsye, shumë studiues dhe hetues kanë besuar se operacioni kundër Markovit është realizuar me ndihmën teknike të shërbimit sekret sovjetik KGB.

Në fund të viteve 1970 u mor vendimi për eliminimin e tij.

 

Atentati në urën Waterloo

Më 7 shtator 1978, në ditëlindjen e Todor Zhivkovit, Georgi Markov po shkonte në punë në selinë e BBC-së në Londër.

Ndërsa priste autobusin pranë urës Waterloo, ai ndjeu një pickim të lehtë në pjesën e pasme të kofshës. Kur u kthye, pa një burrë që po ngrinte një ombrellë nga toka. Burri kërkoi shkurt falje dhe u largua me shpejtësi.

Fillimisht incidenti nuk iu duk i rëndësishëm. Megjithatë, disa orë më vonë Markovi filloi të ndiente temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta.

Gjatë autopsisë, mjekët zbuluan diçka të pazakontë. Brenda këmbës së Markovit gjendej një kapsulë mikroskopike metalike me diametër rreth 1.7 milimetra.

Kapsula kishte dy vrima të vogla që përmbanin gjurmë të helmit ricin, një substancë jashtëzakonisht toksike e nxjerrë nga fara e bimës së ricinit.

 

Gjendja u përkeqësua me shpejtësi. Ai u shtrua në spital, por mjekët nuk arrinin të kuptonin arsyen e simptomave. Pavarësisht përpjekjeve intensive për ta shpëtuar, Markovi vdiq katër ditë më vonë, më 11 shtator 1978, në moshën 49-vjeçare.

 

Misteri i ombrellës

Gjatë autopsisë, mjekët zbuluan diçka të pazakontë. Brenda këmbës së Markovit gjendej një kapsulë mikroskopike metalike me diametër rreth 1.7 milimetra.

Kapsula kishte dy vrima të vogla që përmbanin gjurmë të helmit ricin, një substancë jashtëzakonisht toksike e nxjerrë nga fara e bimës së ricinit.

Hetuesit arritën në përfundimin se kapsula ishte injektuar përmes një mekanizmi të fshehur në ombrellë. Sapo kapsula kishte hyrë në trup, helmi ishte liruar gradualisht në qarkullimin e gjakut.

Kjo metodë ishte aq e sofistikuar sa u bë menjëherë një nga rastet më të famshme në historinë e spiunazhit modern.

Termi “Vrasja me Ombrellë” hyri në historinë e Luftës së Ftohtë dhe vazhdon të përdoret edhe sot për të përshkruar atentatin.

 

Reagimi ndërkombëtar

Vrasja shkaktoi tronditje në Britani dhe në gjithë Perëndimin. Për shumë vëzhgues ishte e qartë se atentati kishte motive politike.

Megjithatë, gjatë viteve të Luftës së Ftohtë ishte tepër e vështirë të siguroheshin prova të drejtpërdrejta kundër shërbimeve sekrete bullgare ose sovjetike.

Autoritetet komuniste mohuan çdo përfshirje. Mediat shtetërore bullgare e paraqitën rastin si propagandë perëndimore dhe shmangën raportimet e hollësishme.

Për shumë vite, rasti mbeti i pazgjidhur juridikisht, megjithëse shumica e ekspertëve dhe historianëve ishin të bindur për natyrën politike të atentatit.

 

E vërteta pas rënies së komunizmit

Pas vitit 1989 dhe rënies së regjimeve komuniste në Evropën Lindore, një pjesë e arkivave të shërbimeve sekrete u hapën për studiuesit.

Dokumentet e publikuara forcuan bindjen se atentati ishte organizuar nga shërbimi sekret bullgar me ndihmën e KGB-së sovjetike. Megjithëse shumë pyetje mbetën pa përgjigje dhe autorët kryesorë nuk u dënuan kurrë, u bë gjithnjë e më e qartë se Markovi kishte qenë objektiv i një operacioni shtetëror.

Në Bullgarinë postkomuniste, Georgi Markov filloi të rehabilitohej si figurë kombëtare. Librat e tij u ribotuan, ndërsa puna e tij gazetareske u vlerësua si shembull i guximit intelektual.

 

Simbol i luftës për fjalën e lirë

Sot, vrasja e Georgi Markovit konsiderohet një nga sulmet më të famshme kundër një gazetari në Evropën e shekullit XX. Rasti tregon se sa larg mund të shkojnë regjimet autoritare për të heshtur zërat kritikë dhe për të kontrolluar informacionin.

Për studiuesit e medias, Markovi përfaqëson figurën e gazetarit që zgjodhi të flasë hapur edhe kur kjo e vinte në rrezik jetën e tij. Ndërsa për historianët e Luftës së Ftohtë, atentati mbetet një shembull klasik i konfliktit midis propagandës shtetërore dhe lirisë së shprehjes.

Mbi të gjitha, historia e tij dëshmon se në regjimet komuniste beteja për kontrollin e informacionit nuk zhvillohej vetëm në redaksi, radio dhe televizione, por shpesh edhe në nivelet më të errëta të aparateve të sigurisë. Për këtë arsye, Georgi Markov mbetet një simbol ndërkombëtar i rezistencës intelektuale dhe i çmimit që mund të ketë kërkimi i së vërtetës.

Continue Reading

Lajmet

Amerikanët donin ta zbutnin uraganin me akull të thatë: Një ditë më vonë, pasoi kaos i plotë

Published

on

Në tetor 1947, shkencëtarët amerikanë vendosën të kryenin një eksperiment që tingëllonte si fantastiko-shkencor. Plani i tyre ishte të përdornin akull të thatë të zakonshëm për të ndikuar në një uragan shkatërrues dhe ndoshta të gjenin një mënyrë për të parandaluar stuhitë katastrofike në të ardhmen. Megjithatë, ajo që ndodhi pas eksperimentit shkaktoi panik, zemërim publik dhe akuza serioze kundër studiuesve.

Gjithçka filloi më 13 tetor 1947, kur aeroplanët ushtarakë amerikanë u ngritën drejt një uragani që po largohej nga brigjet e Floridës. Stuhia kishte shkaktuar tashmë reshje të mëdha shiu dhe përmbytje, por dukej se po vazhdonte drejt Atlantikut të hapur, larg zonave të populluara.

Shkencëtarët e konsideruan atë një mundësi ideale për të testuar një metodë të pazakontë që donin të përdornin për të ndikuar në mot.

Si pjesë e projektit të quajtur misteriozisht “Cirrus”, studiuesit nga General Electric Company, në bashkëpunim me Ushtrinë dhe Marinën Amerikane, vendosën të injektonin në retë e uraganit akull të thatë, pra dioksid karboni të ngurtë.

Ideja e tyre bazohej në zbulimin e kimistit amerikan Vincent Schaefer, i cili një vit më parë vërtetoi se akulli i thatë mund të shkaktojë formimin e kristaleve të akullit në retë që përmbajnë pika uji të nënftohura.

Besohej se një procedurë e tillë mund të ndryshonte strukturën e reve, të nxiste reshjet dhe ndoshta të dobësonte stuhitë e forta.

Shkencëtarët shpresonin se një ditë në këtë mënyrë do të mund të zbusnin fuqinë shkatërruese të uraganeve, të cilat rregullisht merrnin jetë njerëzore dhe shkaktonin dëme të mëdha materiale.

 

Nga aeroplanët u hodhën rreth 82 kilogramë akull të thatë

Për eksperimentin u përdorën aeroplanë ushtarakë, përfshirë bombarduesit B-17. Një aeroplan hodhi akull të thatë të grimcuar në re, ndërsa të tjerët vëzhguan dhe regjistruan ndryshimet.

Afërsisht 82 kilogramë akull të thatë u hodhën gjatë operacionit. Studiuesit vunë re ndryshime të caktuara në strukturën e reve, por nuk kishin instrumente mjaftueshëm të sakta për të përcaktuar nëse ato ishin vërtet përgjegjëse për to.

Pas përfundimit të eksperimentit, aeroplanët u kthyen në bazë dhe shkencëtarët prisnin të ishin në gjendje të analizonin rezultatet në më shumë detaje të nesërmen.

Megjithatë, një surprizë e madhe pasoi pikërisht të nesërmen.

Kur u përpoqën ta gjenin përsëri uraganin, ata zbuluan se qendra e tij ndodhej afërsisht 160 kilometra në perëndim të pozicionit të pritur.

Stuhia bëri një kthesë pothuajse të pabesueshme prej 135 gradësh dhe në vend që të vazhdonte drejt oqeanit të hapur, ajo u drejtua drejtpërdrejti drejt bregdetit të SHBA-së.

Situata u përkeqësua më tej nga fakti që uragani po forcohej përsëri.

Dy ditë pas eksperimentit, më 15 tetor, ai goditi zonën e qytetit të Savannah në shtetin amerikan të Xhorxhias, dhe pasojat u ndien edhe nga banorët e Karolinës së Jugut.

Erërat e forta, përmbytjet dhe valët e stuhive shkaktuan dëme të mëdha materiale. Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), një person humbi jetën, dhe dëmi u vlerësua në rreth dy milionë dollarë në atë kohë.

 

Shkencëtarët u akuzuan për shkaktimin e katastrofës

Kur u mësua se studiuesit amerikanë ishin përpjekur të ndikonin në uragan vetëm dy ditë më parë, midis popullsisë mbizotëroi zemërimi.

Shumë ishin të bindur se shkencëtarët ishin përgjegjës për ndryshimin e drejtimit të stuhisë dhe se eksperimenti i tyre kishte çuar në një katastrofë që mund të ishte shmangur.

Ka pasur edhe kërcënime për padi kundër kompanisë General Electric, e cila mori pjesë në kërkim.

Polemika të tjera u shkaktuan nga fizikani Irving Langmuir, fitues i Çmimit Nobel në kimi, i cili udhëhoqi ekipin e kërkimit.

Ai më pas deklaroi se ishte 99 për qind i sigurt se ishte injektimi i akullit të thatë që shkaktoi ndryshimin në drejtimin e uraganit.

Megjithatë, meteorologët nuk e ndanin bindjen e tij.

Ekspertët nga Shërbimi i Motit i SHBA-së studiuan uraganet e mëparshme dhe gjetën shembuj të stuhive që, në mënyrë të pavarur, pa asnjë ndërhyrje njerëzore, bënë kthesa të ngjashme.

Uragani i vitit 1906, i cili kishte një trajektore pothuajse identike, ishte veçanërisht i rëndësishëm.

Analizat meteorologjike të mëvonshme treguan gjithashtu mundësinë që stuhia të kishte filluar të ndryshonte drejtim edhe para vetë eksperimentit.

Për shkak të kësaj, akulli i thatë nuk është provuar kurrë se shkakton një ndryshim katastrofik në rrugën e një uragani.

Kërcënimet për padi u shuan me kalimin e kohës, por reputacioni i projektit u dëmtua seriozisht.

 

Amerikanët nuk hoqën dorë nga ideja e kontrollit të uraganeve

Edhe pse eksperimenti i vitit 1947 shkaktoi shumë polemika, studiuesit amerikanë nuk hoqën dorë plotësisht nga përpjekja për të dobësuar stuhitë tropikale.

Në vitin 1962 u lansua një program i ri i quajtur “Stormfury”, i cili zgjati deri në vitin 1983.

Këtë herë, në vend të akullit të thatë, shkencëtarët përdorën jodur argjendi, një përbërës kimik që besohet se është në gjendje të ndikojë në formimin e reve dhe të ndryshojë strukturën e uraganeve.

Ideja ishte të krijohej një unazë e re, më e gjerë resh rreth syrit të stuhisë, e cila do të zvogëlonte shpejtësinë e erërave më të forta.

Disa eksperimente dukeshin premtuese në fillim. Megjithatë, hulumtimet e mëvonshme kanë treguar se uraganet shpesh kalojnë natyrshëm nëpër ndryshime pothuajse identike.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se nuk kishte ujë të mjaftueshëm të superftohtë në retë e uraganit që efekti i pritur i jodurit të argjendit të ndodhte në mënyrën se si ata e kishin imagjinuar fillimisht.

Programi u pezullua përfundimisht dhe studiuesit u përqendruan gjithnjë e më shumë në kuptimin e uraganeve, në parashikime më të sakta dhe në paralajmërime në kohë për popullsinë.

Sot, pothuajse tetë dekada pas eksperimentit të pazakontë me akull të thatë, shkenca ende nuk ka teknologji të besueshme për të ndaluar ose drejtuar një uragan.

Historia e projektit “Cirrus” mbetet një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të ambicies njerëzore për të kontrolluar natyrën, por edhe një paralajmërim se sa e vështirë është të dallosh pasojat e një eksperimenti nga ndryshimet që do të ndodhnin në atmosferë vetë. Burimi: Atlantic Oceanographic & Meteorological Laboratory

Continue Reading

Lajmet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit në Prizren

Published

on

By

Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BAUNAS), e cila u mbajt sot në Prizren, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së në bashkëpunimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në rajon dhe më gjerë.

Gjatë punimeve të Asamblesë u diskutuan dhe u miratuan çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e asociacionit, përfshirë pranimin e anëtarëve të rinj dhe votimin e rregullores së re. Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve anëtare.

Në kuadër të këtij aktiviteti, rektori Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të universiteteve të ndryshme anëtare, përfshirë rektorin dhe sekretarin e përgjithshëm të Universitetit Trakya, si dhe përfaqësues të tjerë akademikë. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, zhvillimi i projekteve të përbashkëta, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, si dhe krijimi i partneriteteve të reja ndërinstitucionale.

UBT është anëtar i rregullt i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit prej disa vitesh dhe merr pjesë aktive në aktivitetet dhe iniciativat e tij. Përveç këtij asociacioni, UBT është pjesë edhe e rrjeteve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare të arsimit të lartë, përfshirë Asociacionin e Universiteteve Evropiane (EUA), Magna Charta Universitatum dhe UNIMED-in.

Pjesëmarrja e UBT-së në këto platforma ndërkombëtare dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për zgjerimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Përmes pjesëmarrjes aktive në asociacione dhe rrjete ndërkombëtare, UBT vazhdon të kontribuojë në avancimin e arsimit të lartë, forcimin e lidhjeve akademike rajonale dhe ndërkombëtare dhe zhvillimin e partneriteteve strategjike me universitete nga vende të ndryshme.

Continue Reading

Të kërkuara