Lajmet

Çfarë pasojash shkakton zhvendosja e rërës së shkretëtirave?

Kjo zhvendosje shkakton një sërë efektesh në ekosistemet e të gjithë planetit.

Published

on

Pluhuri që zhvendoset nga shkretëtirat në mbarë botën, shkakton një sërë efektesh në ekosistemet e të gjithë planetit, të cilat arrijnë deri edhe në modifikimin e klimës në Tokë.

Për t’i vlerësuar këto efekte, studiuesit e atmosferës analizojnë rrugëtimin e stuhive të pluhurit, nga pika e tyre e nisjes në zonat më të thata të planetit, deri në mbërritjen e tyre, praktikisht kudo.

”Disa rajone të veçanta të Tokës, si Saheli, por edhe disa zona shkretinore në Tunizi dhe Libi, janë burim i stuhive të mëdha të pluhurit të Saharasë”, thotë biologu dhe studiuesi italian Stefano Guerconi.

“Rëra që largohet nga Sahara, mesatarisht rreth 200 milionë tonë në vit, shkon drejt Atlantikut (170 milionë tonë) dhe mbërrin deri në Karaibe (5 milionë), ose përshkon Mesdheun drejt Evropës (25 milionë ton)”.

Një ”supë” me rërë

Por më shumë sesa udhëtimi, më interesantë janë “udhëtarët” dhe “ndalesat”. Në fakt rëra që ngrihet nga era dhe largohet nga shkretëtira, nuk përbëhet vetëm nga kuarci, si ajo e plazheve. Ajo përmban edhe minerale të tjera, por edhe çdo gjë tjetër që është mjaft e vogël për t’u rritur, si pjalmi ose viruset.

Për më tepër, kur era përfshin edhe sipërfaqen e detit, në ajër ngrihen pikëza uji dhe grimca kripe, të cilat i bashkohen rërës. Grimcat më të mëdha, bien sërish poshtë pas disa kilometrash. Nëse kjo gjë ndodh mbi det, shkakton një seri ngjarjesh interesante.

“Disa zona detare janë shumë të varfra në lëndë ushqyese, sidomos në hekur, dhe kjo gjë e kufizon rritjen e organizmave detarë, siç janë algat mikroskopike. Ndërkohë, hekuri gjendet me bollëk tek rëra” thotë Guerconi.

“Plehërimi” i oqeanit

Për shkak të efektit fertilizues të hekurit, kur pluhuri i ngritur nga stuhia bie sërish mbi det, zhvillohen “lulëzime të algave”, të cilat mbulojnë qindra kilometra katrorë oqean. Kjo dukuri është vënë re si në Detin e Karaibeve (ku algat stimulohen nga rëra e Saharasë) ashtu edhe ne veri të Oqeanit Paqësor, që “fekondohet” nga pluhuri i shkretëtirës së Gobit.

Llojet e atyre që rriten jashtë çdo proporcioni janë zakonisht cianobakteret ose algat mikroskopike si diatomet, që janë afta të bëjnë fotosintezën. Kur popullsia e tyre rritet, ato thithin shumë dioksid karboni. Por dioksidi i karbonit është gjithashtu “fajtor”, për rritjen e temperaturës së planetit, duke shkaktuar një rritje të efektit serë.

Duke thithur CO2, algat e zvogëlojnë ngrohjen globale. “Duke përfituar nga ky fenomen,
ka pasur disa përpjekje për ta “fekonduar” oqeanin me sasi të mëdha hekuri” thotë eksperti italian. Rezultatet, por sidomos pasojat e mundshme, janë të diskutueshme. Por në një eksperiment të vitit 1999, të quajtur SOIREE, thuhet se lulëzimi i madh algave ishte i dukshëm edhe nga hapësira.

Retë e krijuara nga pluhuri

Por nuk është kjo e gjitha. Grimcat e rërës të pasura me hekur, kanë gjithashtu një ndikim të madh tek shirat, sepse të kombinuara me përbërjet e squfurit të pranishëm në atmosferë, ato veprojnë si “bërthama kondensimi”, rreth të cilave mblidhen molekulat e ujit që formojnë retë. Nga ana tjetër, retë e ftohin planetin, duke bllokuar rrezet e diellit. Këtyre mund t’ushtohet edhe një gaz i prodhuar nga algat fitoplanktonike, dms, që e rritin edhe më shumë prodhimin e reve.

Sëmundjet “fluturuese”

Por pluhuri i shkretëtirës lëviz edhe qenie të gjalla. Deri kohët e fundit shkenca mjekësore, pretendonte se asnjë organizëm nuk mund të përballojë një “udhëtim” në atmosferën e sipërme, pasi rrezet ultravjollcë janë të afta të vrasin çdo bakter.

Por analizat mbi pluhurin e ngritur nga era kanë zbuluar se ai përmban baktere, kërpudha dhe viruse patogjene. Ndër ta spikat bakteri që shkakton salmonelën dhe një tjetër që shkakton meningjitin.

Po ashtu ka shumë lloje kërpudhash, që prekin si njerëzit ashtu edhe kafshët ose bimët e tjera. Në mostrat e pluhurit u gjetën kërpudha që shkaktojnë tek njerëzit koksidiomikozë, ndërsa të tjera prekin patatet, thjerrëzat, grurin, kallamin e sheqerit, bimën e kafes dhe bananen.

Për këtë arsye, kur grimcat e imëta afrikane mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, ato mund të shkaktojnë alarm tek autoritetet shëndetësore. Meqenëse shumë grimca janë shumë të vogla, ato ka të ngjarë të shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes.  

Por fatmirësisht pluhuri i shkretëtirës ka edhe efekte pozitive. Nëse hekuri fekondon algat e oqeanit, të njëjtin rol luajnë edhe fosfori dhe komponimet e tjera pyjore. Dhe ato ndodhen në pyje shumë të largëta: rërat nga Saharaja apo Saheli arrijnë në xhunglën e Amerikës së Jugut. Edhe rëra e shkretëtirave të Kinës arrin deri në ishujt Hauai, duke fekonduar pyjet e tij tropikalë, që rriten në një tokë shumë të varfër në minerale.

Efektet kontradiktore

Efektet e stuhive të rërës dhe veprimet e njeriut për t’i luftuar ato mund të jenë paradoksale. Siç e thekson Endi Rixhuell i Fakultetit të Shkencave Mjedisore në Universitetin e Anglisë Lindore në Noruiç “nëse do të vazhdojë lufta kundër shkretëtirëzimit (me shndërrimin e shkretëtirës në tokë bujqësore) dhe do të ketë në të ardhmen një sukses i madh, kjo mund të shkaktojë një ulje të emetimit të rërës, dhe për rrjedhojë një rënie të fekondimit të oqeaneve”.

Dhe më pak fekondim, do të thotë që algat thithin më pak dioksid karboni. Prandaj, në mënyrë paradoksale, lufta kundër shkretëtirëzimit, mund të çojë në një rritje të ngrohjes globale të planetit./bota.al

Lajmet

FSK e dyta në garën ushtarake në ShBA, shkëlqen ushtaraku Ismail Ahmeti

Published

on

By

Tre pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfaqësuar me sukses Kosovën në “Garën për Luftëtarin më të mirë” e cila u mbajt në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Gardës Kombëtare të Ajovës.

Gjatë katër ditëve sa zgjati ky aktivitet, ushtarakët iu nënshtruan sfidave të ndryshme me karakter ushtarak, të cilat vunë në provë të fortë përgatitjen e tyre fizike e mendore, aftësitë taktike si dhe qëndrueshmërinë.

Sukses të veçantë në këtë garë shënoi pjesëtari i FSK-së, OR3 Ismail Ahmeti, i cili arriti të renditet në mesin e finalistëve dhe të sigurojë vendin e dytë, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi.

Pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në këtë garë vendimtare shërben si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, testimin e kapaciteteve profesionale, si dhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti nderon në New York vëllezërit Bytyqi: “Koha nuk e zbeh krimin”

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në New York në kujtim të vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të cilët i ka përshkruar si luftëtarë të lirisë nga Batalioni Atlantiku, qytetarë amerikanë dhe dëshmorë të kombit shqiptar.

Kurti ka bërë të ditur se në homazhe ishte së bashku me familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe kolegë e bashkëpunëtorë.

“Vëllezërit Bytyqi, me veprat e tyre fisnike, përfaqësojnë vlerat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se sakrifica e tyre, sipas tij, nderon edhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e cila i qëndroi pranë Kosovës gjatë periudhave më të vështira.

Kurti ka treguar se gjatë takimit, Ilir Bytyqi ka rrëfyer për burgosjen e tre vëllezërve të tij, transferimin, torturimin dhe vrasjen e tyre.

Sipas Kurtit, trupat e vëllezërve Bytyqi u gjetën më vonë në një varr masiv, ndërsa rasti mbetet një nga çështjet për të cilat, sipas tij, ende nuk është vendosur drejtësi.

“Kalimi i kohës nuk e zbeh krimin dhe as nuk e shuan detyrimin për përgjegjësi”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqin.

Në fund, Kurti ka shprehur mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe mërgatën shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tre persona arrestohen në Gjakovë, u gjenden dy thika dhe sprej OC

Published

on

Në Gjakovë, më 20 shtator 2026, rreth orës 17:35, janë arrestuar tre persona, meshkuj kosovarë.

Gjatë kontrollit tek të dyshuarit, Policia ka gjetur dhe konfiskuar dy thika dhe një sprej OC.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shtetasi turk arrestohet në Prizren, i gjendet 4.31 gramë marihuanë

Published

on

Në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, më 20 shtator 2026, rreth orës 22:17, është arrestuar një shtetas i Turqisë nën dyshimin për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 4.31 gramë.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara