Lajmet

“Çfarë ndodhi në Brazil nuk ishte përsëritje e sulmit të 6 janarit në SHBA”

Kishte dallime të rëndësishme mes asaj që ndodhi në Uashington dhe asaj në Brasilia.

Published

on


Nga Raphael Tsavkko Garcia

Më 8 janar, mbështetësit e ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, sulmuan pallatin presidencial të vendit, Kongresin dhe Gjykatën e Lartë duke kërkuar që përmes një grusht shteti ta rikthenin atë në pushtet.

Të ashtuquajturit “bolsonaristët” thyen xhamat dhe mobiljet në godinën e Gjykatës së Lartë. Ata u ngjitën në çatinë e ndërtesës së Kongresit dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “ndërhyrje”. Ata shkatërruan dhe vodhën vepra arti dhe thyen panele xhami. Ata bredhën në pallatin presidencial duke brohoritur parulla pro Bolsonaros. Ata e sulmuan edhe një polic.

Këto skena tmerri në Brasilia ishin pothuajse të ngjashme me ato që u panë në Kapitol në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 6 janar të vitit 2021, kur selia e Kongresit u pushtua nga mbështetës të guximshëm të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Dhe ngjashmëritë mes dy ngjarjeve nuk ishin rastësi. Dihet fare mirë se Bolsonaro është një admirues i ish-presidentit amerikan dhe inspirohet nga libri i tij i famshëm. Djali i Bolsonaros, kongresmeni Eduardo Bolsonaro, udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëntorin e kaluar për të takuar presidentin Trump. Gjatë kohës sa ishte atje, u raportua se ai ka pasur diskutime me ish-këshilltarët e Trump, Stephen Bannon dhe Jason Miller, rreth hapave të mundshëm të ardhshëm të babait të tij pas humbjes së presidencës ndaj rivalit të tij të krahut të majtë, Lula de Silva.

Përkundër se refuzimi i mbështetësve të Bolsonaros për të pranuar rezultatet legjitime të zgjedhjeve dhe përpjekja e tyre për të rikthyer liderin në pushtet dukej se ishte përsëritje e skenarit të 6 janarit, pothuajse saktësisht dy vjet më parë, kishte dallime të rëndësishme mes asaj që ndodhi në Uashington dhe Brasilia – dhe këto dallime lënë të nënkuptojnë se Brazilit do t’i duhet të luftojë shumë më tepër se Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shëruar demokracinë e tij.

Dallimi i parë dhe më i dukshëm është se në SHBA kryengritja e mbështetësve të Trumpit kishte në shënjestër vetëm Kapitolin. Në Brazil, megjithatë, përkrahësit e Bolsonaros sulmuan edhe Gjykatën e Lartë. Kjo, natyrisht, nuk ishte befasuese pasi Bolsonaro kaloi pjesën më të madhe të presidencës së tij duke akuzuar gjyqtarët më të lartë të Brazilit se ishin të njëanshëm dhe kundër tij.

Dallimi tjetër dhe ndoshta më i rëndësishëm midis ngjarjeve në SHBA dhe Brazil është mënyra se si forcat e sigurisë iu përgjigjën atyre.

Në SHBA, pavarësisht dështimeve fillestare, forcat e sigurisë ndërmorën veprime kundër protestuesve të dhunshëm pa hezitim dhe nuk kishte asnjë dyshim se ushtria mund të ishte në të vërtetë mbështetëse e kërkesave të tyre për një grusht shteti kundër presidentit të sapozgjedhur. Në Brazil, megjithatë, ishte shumë më e vështirë të konstatohej se ku qëndronin besnikëria e forcave të sigurisë.

“Protesta” e dhunshme e së dielës në Brasilia nuk ishte befasi. Përkrahësit publikuan postime në lidhje me pushtimin e Kongresit në platforma sikurse WhatsApp dhe Telegram me dhjetëra mijëra ndjekës që nga të paktën 3 janari. Po ashtu në rrjete sociale u diskutua se mbështetësit radikalë të Bolsonaros në të gjithë vendin merrnin me qira autobusë për të shkuar në aksionin e dhunshëm qeveritar në Brasilia.

Pavarësisht gjithë kësaj, dhe pavarësisht se padyshim ishin të vetëdijshëm për kritikat e ashpra me të cilat u përballën homologët e tyre amerikanë për shkak të papërgatitjes së tyre për ngjarjet e 6 janarit, forcat braziliane të sigurisë me sa duket nuk morën asnjë veprim për t’u përgatitur për veprimet antidemokratike të së dielës. Madje edhe më keq, të gjitha provat tregojnë se pjesë të mëdha të Policisë Ushtarake të Qarkut Federal (FD), ku ndodhet Brasilia, dhe forcat e armatosura, në përgjithësi, janë mbështetëse të sulmeve.

Që nga humbja elektorale e Bolsonaros, forcat e armatosura kanë mbyllur njërin sy ndaj bolsonaristëve që po qëndronin rreth kampeve të tyre dhe po kërkonin grusht shtet. Dhe më 8 janar, zyrtarët e policisë në vendngjarje u panë duke buzëqeshur, duke bërë fotografi dhe duke u vëllazëruar të lumtur me ata që sulmonin institucionet më të rëndësishme demokratike të Brazilit.

Marrëveshja e fshehtë midis policisë së FD dhe përkrahësve të Bolsonaros më 8 janar ishte aq e dukshme sa guvernatori i Distriktit Federal, Ibaneis Rocha, ndjeu nevojën për t’i kërkuar falje publike presidentit Lula, presidentes së Gjykatës së Lartë, Rosa Weber dhe udhëheqësve të Kongresit, Arthur Lira dhe Rodrigo Pacheco, për atë që ndodhi në kryeqytet atë ditë. Ai gjithashtu shkarkoi nga detyra Sekretarin e Sigurisë Publike të DF, Anderson Torres, i cili më parë kishte shërbyer si Ministër i Drejtësisë i Bolsonaros dhe shihet nga shumë njerëz si personi përgjegjës për përndjekjen e policisë së FD ndaj bolsonaristëve të dhunshëm.

Kjo përpjekje e minutës së fundit nga Guvernatori Rocha për të dëshmuar besnikërinë e tij ndaj institucioneve demokratike të Brazilit, megjithatë, nuk ka qenë e mjaftueshme për të shpëtuar punën e tij dhe për të parandaluar ndërhyrjen e qeverisë federale në punët e FD. Gjatë dy ditëve të fundit, Gjykata e Lartë vendosi ta shkarkojë atë nga detyra për 90 ditë dhe presidenti Lula caktoi një përfaqësues federal për t’u kujdesur për sigurinë në FD për një periudhë 30-ditore.

Tani, pyetja e të gjithëve është se si do ta sigurojë Lula të ardhmen e qeverisë së tij të re, të mbrojë demokracinë e brishtë të Brazilit dhe të parandalojë trazira të mëtejshme sociale?

Nga ana e tyre, bolsonaristët nuk tregojnë asnjë shenjë tërheqjeje. Vetëm një ditë pas ngjarjeve të 8 janarit, ata i vunë flakën gomave dhe bllokuan rrugët e ngarkuara në Sao Paulo dhe u përpoqën të bllokonin hyrjen në rafineritë e naftës në shtete të tjera.

Shumë në Brazil, si sociologu Celso Rocha de Barros, besojnë se opsioni i vetëm i Lulës përballë një sulmi kaq të paturp dhe të vazhdueshëm të ekstremit të djathtë ndaj qeverisë së tij është të “fillojë një dialog me të djathtët demokratë, të cilët denoncuan grushtin e shtetit, dhe dërgojnë fashistët në burg”.

Qeveria Lula njoftoi se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të identifikuar dhe ndëshkuar të gjithë në pozitat e pushtetit, nga pushteti vendor e deri te ushtria, të cilët duket se kanë mbështetur sulmin e dhunshëm ndaj tri fuqive të Republikës. Një dialog me krahët e djathtë që dënuan ngjarjet e së dielës mund të fillojë së shpejti, pasi Lula tashmë arriti të fitojë mbështetje nga disa parti të qendrës së djathtë që kishin qenë afër Bolsonaros në të kaluarën.

Por vetëm koha do të tregojë nëse këto lëvizje do të mjaftojnë për të riparuar një demokraci të thyer dhe për të bashkuar një popull të ndarë.

Shumë besojnë se qeveria e Lulës do të dalë nga ky kaos edhe më e fortë se më parë. Gazetarja dhe ekspertja e shtetësisë dixhitale, Madeleine Lacsko, për shembull, më tha se ajo beson se e djathta braziliane në thelb “ka kryer vetëvrasje” duke lejuar të djathtën ekstreme të përshkallëzojë veprimet e tyre nga interneti në sulme të jetës reale ndaj institucioneve demokratike. Ndërkohë Marcos Cavalcanti nga Universiteti Federal i Rio de Zhaneiros, tha se është i bindur se artikulimi i një përgjigjeje demokratike ndaj krimeve të përkrahësve të Bolsonaros do të forcojë apelin politik të Lulës.

Por edhe ata që mendojnë se Lula mund të përdorë ngjarjet e së dielës për të forcuar dhe zgjeruar bazën mbështetëse të qeverisë së tij, pranojnë se pabesia e shfaqur nga forcat e sigurisë atë ditë është thellësisht shqetësuese.

Në të vërtetë, shteti brazilian nuk mund të mbështetet më në forcat e tij të sigurisë kur përballet me sulme antidemokratike dhe të dhunshme nga e djathta ekstreme. Rritja e mbështetjes për ideologjitë e ekstremit të djathtë brenda ushtrisë dhe forcave të tjera të sigurisë përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për të ardhmen e demokracisë braziliane.

Tani që e vërteta është hapur, përtej ndëshkimit të individëve përgjegjës dhe përpjekjes për të ndërtuar ura të reja me të djathtët me mendje demokratike, qeveria Lula duhet gjithashtu të marrë masa të menjëhershme kundër kapjes ideologjike të Bolsonaros ndaj aparatit të fuqishëm të sigurisë të Brazilit.

Fakti është se forcave braziliane të sigurisë nuk mund t’u besohet më në një skenar të trazirave sociale. Kjo do të thotë se ata që mbështesin demokracinë do të duhet të mobilizohen dhe të fillojnë të kërkojnë mënyra të reja për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e institucioneve demokratike të Brazilit./UBTNews/

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara