Op-Ed

Çfarë na pret në fakt në të ardhmen

Published

on

Çfarë na pret në fakt në të ardhmen, rreziqet dhe parashikimet?

Nga Pietro Paganini

Çfarë na premton e ardhmja? Të bërit më mirë sesa vitin e kaluar nuk do të jetë e vështirë. Por sfidat që na presin janë të ndërlikuara, dhe ne rrezikojmë të mos dimë si t’i përballojmë ato. E tashmja është e komplikuar nga pandemia Covid-19, e cila për herë të parë në një shekull ka qenë globale.

Ne e kemi përballuar atë më mirë sesa pandemitë e dikurshme, por sërish u kapëm të papërgatitur. E megjithatë, ne i kishim mjetet dhe njohuritë për ta parashikuar atë. Kemi përpara dy dekada mjaft të ndërlikuara, të cilat duhet të jemi në gjendje që t’i përballojmë duke ulur kostot ekonomike dhe sociale dhe duke rritur përfitimet.

Shumë gjëra do të varen nga mënyra se si do të jemi në gjendje të përdorim teknologjitë,pra nëse do ta përmirësojmë praninë tonë në planet apo do ta përkeqësojmë atë. Disa raporte, përfshirë ato më të fundit nga qeveria amerikane (Këshilli Kombëtar i Inteligjencës) identifikojnë disa dukuri me rreziqe shumë të mëdha:

Sfidat e përbashkëta globale – Rritja e temperaturës së planetit tonë, dhe ndikimi i njerëzimit në mjedis, pandemitë, krizat financiare dhe teknologjitë përçarëse, do të jenë gjithnjë e më të shpeshta. Ato do të kenë një ndikim të madh në të gjitha rajonet e botës. Askush nuk është më imun.

Përplasjet gjeopolitike – Sfidat globale do ta radikalizojnë konfrontimin e vazhdueshëm gjeopolitik. Përkundër asaj që u mendua gjatë euforisë fillestare që e shoqëroi globalizimin, ekziston rreziku i copëzimit dhe brishtësisë më të madhe të marrëdhënieve shoqërore dhe politike.

Kina dhe SHBA, garojnë për epërsinë globale, Evropa është në një fazë reflektimi apo konfuzioni (çfarëdo qoftë), ndërsa qytetarët e rajoneve të tjera po shfaqin pakënaqësi me sistemet e tyre apolitike-ekonomike. Ndërkohë, kompanitë që ofrojnë produkte dhe shërbime globale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në sjelljen tonë, dhe madje kanë filluar të veprojnë si autokraci të vërteta.

Popullsia-Linja demografike është e qartë. Gjatë 20 viteve të ardhshme, jetëgjatësia do të rritet shumë në vendet më të pasura, ku gjithsesi do të lindin gjithnjë e më pak fëmijë. Nga ana tjetër, popullsia do të vazhdojë të rritet në mënyrë eksponenciale në Azinë Jugore dhe Afrikë, të paktën deri në vitin 2050.

A do të jetë në gjendje tregu i punës dhe mirëqenia e rajoneve perëndimore t’i rezistojnë këtij ndryshimi rrënjësor, me një fuqi punëtore gjithnjë e më në tkurrje? A do të arrijnë ata të administrojnë territoret, siç janë qytetet, me një popullsi gjithnjë e më të plakur?

Në rajonet më të varfra ekonomikisht, të rinjtë do të migrojnë ose domosdoshmërisht do të duhet të përdorin burimet mjedisore, gjë që do të ketë pasoja mbi biodiversitetin dhe shpejtësinë e ndryshimeve klimatike. Në të kaluarën, njerëzimi ka treguar se mund të përshtatet për të mbijetuar duke përpunuar, shpërndarë dhe përdorur njohuritë për të zhvilluar  teknologji të reja.

Veprimet individuale të shpikësve, inovatorëve dhe sipërmarrësve kishte një bazë të ngushtë, dhe për këtë arsye, edhe nëse në fillim ngjallte shqetësime, arritën në një kohë të shkurtër që të pranoheshin dhe më pas të ngjallin një pritshmëri të madhe brenda një konteksti social të një besimi të thellë.

Por në këtë fazë historike dhe për një të ardhme të parashikueshme, njerëzimi e ka harruar vështirësinë dhe pasigurinë e të bërit kërkime, dhe ka marrë përsipër, i nxitur nga pritshmëritë e mëdha të shkencës dhe sigurisë, një pritshmëri jorealiste sipas së cilës gjithçka që është arritur ka qenë e lehtë.

Zbulimi se në fakt nuk është kështu, ka sjellë mungesën e besimit. Një pjesë e mirë e jona nuk parashikon përmirësimin e kushteve tona socio-ekonomike. Ne duhet të shqetësohemi seriozisht se zhvillimi shoqëror dhe ekonomik që e ka shoqëruar njerëzimin nga revolucioni industrial në globalizim duke ulur varfërinë dhe përmirësuar kushtet e jetesës mund të ngadalësohet apo të bëjë hapa pas.

Në vitin 2020, 150 milionë qytetarë janë varfëruar, dhe ata ndiejnë sot një rënie të qartë të standardit të jetesës, ndonjëherë edhe nën atë që është e durueshme. Pritshmëritë janë shpesh një burim pesimizmi. Rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe një rritje e përgjithshme e inflacionit si një shenjë pozitive e rikthimit tek rritja, rrezikon të na çojë drejt humnerës së një konfliktit social të acaruar, mungesës së besimit në mjedisin e vet apo edhe në bashkëjetesat e llojeve të tjera.

Këta faktorë, dhe shumë variabla të tjerë që nuk merren parasysh këtu, do të na ndihmojnë të imagjinojmë skenarë të ndryshëm, pak a shumë optimistë ose pesimistë. Gjithsesi, rezultati i këtyre sfidave varet nga ne:nga mënyra se si do të jemi në gjendje të përdorim njohuritë e marra deri më tani.

Teknologjia kuantike, inteligjenca artificiale dhe automatizimi, mund të përdoren për t’i zgjidhur këto konflikte të domosdoshme sociale përmes politikave që promovojnë bashkëjetesën dhe prosperitetin e secilit individ:mundësi të barabarta fillestare, paga më të drejta, dhe një ekuilibër më të mirë midis nevojave njerëzore dhe mjedisit.

Për këtë është e nevojshme të zhvillohen skenarë të mundshëm duke mbledhur të dhëna dhe fakte, të shmanget një qasje ideologjike dhe fetare që ndjek zgjidhje përfundimtare, dhe të kemi durimin për t’u përballur me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje që kënaqin diversitetet më të gjera.

Durimi nënkupton pikërisht aftësinë njerëzore për të kuptuar se asgjë nuk është përfundimtare, dhe se zgjidhjet nuk janë të pagabueshme dhe ndërtohen hap pas hapi. Derisa të përdorim këtë kriter, që është baza e metodës eksperimentale, do të kemi të vështirë të përballojmë sfidat që na presin, të parashikojmë shfaqjen e tyre dhe të shijojmë rezultatet. / “Formiche.net” – Bota.al

Continue Reading

Op-Ed

Media mund ta parandalojë dhunën, por edhe ta nxisë atë!

Published

on

Nga Safet Zejnullahu – Rastet e vrasjeve dhe të vetëvrasjeve ndodhin në të gjitha shoqëritë. Sikur edhe incidentet e tjera.

Vetëm këtë mbrëmje paskan ndodhur dy sulme fizike në sheshin e Prishtinës dhe të Podujevës me të njëjtin emër.

Një pjesë e portaleve (nga ato që lexoj unë, theksoj këtu Telegrafin, Kohën dhe Infokusin…), raportuan mjaftueshëm për ta përcjellë informacionin te publiku.

Por, një pjesë tjetër, për të satën herë, e tepruan. Duke detajuar përtej të gjitha limiteve. Të tillat seriozisht duhet të ndjehen në faj. Pikë.

Raportimi senzacionalist dhe në stilin e telenovelave nxit: edhe vrasjet, edhe vetëvrasjet, edhe aktet e tjera.

Një 15 vjeçar, për t’u bërë “hero mediatik” nuk përton ta vringëllojë thikën!

Sa s’janë kaluar të gjithë kufijtë, pariparueshëm, ka një zgjidhje:

Raportojini këto raste në një vend të padukshëm, pa emra, pa foto, pa detaje;

Hulumtoni pse në periudha krizash politike shtohen aktet e dhunshme;

Jepjuni zë ekspertëve që flasin për format e parandalimit të veprimeve të dhunshme.

Media profesionale mund të parandalojë vrasjet, vetëvrasjet dhe format e tjera të dhunës. (Vlerësoj reagimet e AGK-së e KPM-së, por ato, sikur edhe institucione të tjera, duhet të shtojnë përpjekjet, me trajnime shtesë, gjithashtu edhe me udhëzime reja e të përditësuara lidhur me raportimet në këto raste).

 

Continue Reading

Op-Ed

Raportimi i kronikës së zezë, raportimi me ndjeshmëri – Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Published

on

Nga Musa Sabedini – Po i referohem vetëm disa rasteve të fundit siç ishte vrasja e policit Muhamet Lika, të rastit tragjik të dizajnerit Festim Isufi dhe të disa rasteve tjera të plagosjeve e therjeve me thikë, të cilat janë të mjaftueshme, për ta alarmuar në rrafshin profesional mungesën e etikës në raportime të tilla, me ndjeshmëri.

Tituj bombastik e sensacional të përcjellur me të dhëna, e detaje të parakohshme dhe joshja e lexuesit në rrjetet sociale, për të ngjallur me çdo kusht interesimin e tyre për të “pëlqyer”, një lajm nga kronika e zezë, janë dobësi profesionale dhe mungesë respekti dhe etike për viktimat dhe familjarët e tyre.

“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse” .(David Randall).

Nuk ka më mirë se sa media ose gazetari të njihet ose të vlerësojë, pos Etikës dhe standardeve profesionale të gazetarisë, të njoh edhe aktet juridike që lidhen me Vrasjet, vrasjet e rënda, vrasja e kryer në gjendje të fortë mendore, vrasje nga pakujdesia, vrasja e foshnjës gjatë lindjes.

Jo rastësisht e përzgjodha këtë thënie të një gazetari me përvojë, i cili fuqishëm demonstron arsyen pse burimet janë të dobishme për punën e çdo gazetari apo mediumi, pse parimet dhe mënyra e raportimit për një ngjarje, ndodhi, tragjedi, aksident, zjarrëvënie, dhunim, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, krime të rënda, vrasje, tentim vrasje, afera të ndryshme e shumë vepra të tjera nga të cilat mund të kemi e të marrim shembuj të shumtë, duke specifikuar këtu edhe natyrën e krimit.

Për të jetuar me këto rregulla e parime etike, duhet patjetër që gazetari të jetë i përpiktë në mbledhjen dhe grumbullim të fakteve për secilin rast, të jetë afër ngjarjes, afër dëshmive, shumë afër të së vërtetës dhe të mos shpif apo spekulojë në asnjë rast të vetëm.

Nganjëherë mediet duke dashur të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe gabojnë me qëllim apo pa të dhe për t`i ikur këtyre defekteve ekzistojnë procedura, udhëzues nga më të ndryshmit e mbi të gjitha kritere e kode etike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.

Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online janë vërejtur defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen.

Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda. Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, por seriozitetin dhe ndjeshmërinë e raportimit duhet ta respektojë në çdo situatë të ndërlikuar.

Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni. Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.

Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehtë dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.

Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.

Raportimi për situatat e ndjeshme, raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë. Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale e të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është e mundimshme në rrafshin profesional.

Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve.

Natyrisht që secila media ose secili gazetarë do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim e ka gazetaria.

Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime. Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë.

Therjet me thikë dhe “tentim vrasja”. Pse janë momente të sikletshme për raportim?

Mediet shpesh herë japin lajme për therjen me thikë ndërsa policia gjithmonë i cilëson si “Tentim Vrasje”.

Duhet një vëmendje e posaçme kur jemi tek ky grup i kualifikimit sepse në Prokurori bazohen në rastet e therjes me thikë tek neni 172 i Kodit Penal që i bije cilësimi si “Vrasje e rëndë” dhe lidhet tek neni 28 që ka lidhje me “Tentativa në vrasje”.

Ndikimi i medies në këtë drejtim është thelbësor sepse ndikon pozitivisht në vetëdijesimin e të rinjve dhe grupeve apo bandave për të hequr dorë nga përdorimi i thikës që quhet dhe mjet i ftohtë.

Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Dhuna dhe keqtrajtimet sidomos kur në pyetje janë femrat shpesh në mediet tona marrin hov dhe dimension më të madh. Gazetari është një lloj hetuesi dhe këtu s`kam asnjë dilemë dhe i mbështesë hetimet në çfarëdo fazë, vetëm kur ato të jenë të besueshme dhe mirë të vërtetuara.

Por publikimi i rasteve me foto dhe të dhëna përcjellëse brenda 12 orëve është me rrezik për shumë palë të përfshira. Mos harroni kur pala e dëmtuar ose personi që ushtron ankesë dhe ndodhet në duart e policisë dhe prokurorisë, mund ta ndryshoj deklaratën gjatë marrjes në pyetje.

Deklarata në polici mund të jepet nën presion ose detyrim dhe më vonë i njëjti ose e njëjta person mund të tërhiqet nga deklarata.

Pra bëhuni të kujdesshëm në verifikimin e çdo lajmi dhe materiali. Besoni zyrtarëve dhe hetuesve, por më shumë besoni dokumenteve të nënshkruara dhe vulosura dhe vëzhgimeve tuaja  vetjake dhe të drejtpërdrejta. Shprehja amerikane: “Edhe kur nëna të thotë të dua, verifikoje”?

Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: ”Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”. Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske.

Gazetari normalisht që duhet të ketë interesim për punën e tij dhe duhet t`i kushtojë shumë vëmendje edhe gjërave më të vogla.

Botimi i fotografive paralel me lajmin në mes të dhembshurisë dhe mesazhit përçues?

Shumë lajme në mediet kosovare postohen dhe përcillen edhe me foto, pak minuta ose pas aksidentit apo tragjedisë. Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.

Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.

Gjithmonë kemi dilema në pyetjet që parashtron fotografi Garry Bryant i “Desert News”, i cili ofron këtë listë të pyetjeve kur japim imazhe përcjell me lajmin:

– Ky moment a duhet të bëhet publik?

– A do t`u shkaktojë një traumë subjekteve të fotografuar?

– A jam në distancën e duhur për të mos u shqetësuar?

– A po veprojë me dhembshuri?  (Philip Patterson, Lee Wilkins,“Etika në media, çështje dhe raste”.

Ne kemi obligim të kujdesemi për të gjitha detajet dhe elementet që raporti apo kronika të mos përshkruhen me shkelje drastike.

Raportimi i kronikës së zezë – Ballafaqimi me traumat dhe viktimat?

Asnjëherë mos harroni se viktimat dhe njerëzit e traumatizuar kërkojnë një vëmendje bukur delikate edhe në fazën e raportimit po edhe gjatë hetimeve tuaja.

Keni parasysh se shpesh edhe mund të humbni raste të mira për një lajm të mirë dhe ekskluziv, nëse shmangni listën udhëzuese për traumat dhe viktimat.

Një lajm i thjeshtë mund të jetë një pikë kthese për një storie me shumë peshë për publikun. Mirëbesimi dhe kontrolli logjik në pyetjet e shtruara dhe në trajtimin mediatik me shumë korrektësi është fitorja e juaj e parë.

Në udhëzuesin e “Res Publika” thuhet se gjithmonë do ju vijë rasti të gjeni fytyra njerëzore, të vizitoni shtëpitë dhe vendet e punës dhe t’u bëni njerëzve pyetje të pakëndshme për historitë.

“Por viktimat mund të jenë të traumatizuar. Ata mund të mos duan të identifikohen dhe të diskutojnë për ngjarjen. Edhe emërtimi i vendit ku jeton viktima mund të krijojë probleme me komunitetin, duke e lënë familjen e viktimës edhe më të pasigurt”.

Disa këshilla që mund të japim janë:

– Trajtojini viktimat me dinjitet.

Lëreni viktimën t’ju “ftojë” në historinë e vet.

– Lëreni viktimën të diktojë kohën dhe vendosjen e intervistave.

– Jini transparent.

– Merrni pëlqimin e informuar se si do të identifikohet viktima.

– Vendos njerëzoren përpara historisë. Së pari jepni përparësi mirëqenies së viktimës, së dyti historisë.

– Mos e mbingarkoni fillimisht me pyetjet më të vështira.

– Kini empati dhe dëgjoni.

– Ballafaqimi i përsëritur me viktimat e traumatizuara mund të ndikojë tek ju. (https://rm.coe.int/udhezues-praktik-per-mbrojtjen-dhe-sigurine-e-gazetareve/1680a4e081). Mediet dhe reporterët që mbulojë sektorët problematik ose të ndjeshëm duhet ta zbatojnë në secilin rast që është e mundur Etikën dhe përherë të jenë në shërbim të interesit publik.

Në situatat kritike e të raportimit të mangët reagon edhe Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, i cili merret ekskluzivisht me të drejtat dhe gabimet që bëjnë mediet online. Ekziston një udhëzues që i dedikohet mënyrës së raportimit për incidentet, aksidentet, të arrestuarit dhe të akuzuarit për veprat penale.

Në preambulën e KMSHK-së pika V janë të qartësuar në detaje “kufizimet”.

“Mediet e shkruara nuk do ta trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se diçka e tillë të konfirmohet nga Gjykata. Mediat e shkruara gjatë raportimit për incidente, aksidente apo vepra penale duhet të kenë parasysh prezumimin e pafajësisë për secilin të përfshirë dhe si të tillë duhet ta paraqesin në shkrim/raportim”.

Në librin tim dedikuar enkas situatave të ndjeshme dhe raportimeve delikate :”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, botuar në vitin 2023, kam prezantuar dhe analizuar në hollësi, të gjitha rastet dhe mënyrën e raportimit profesional për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.

Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT.

/UBT News/

Continue Reading

Op-Ed

Gazetaria e sotshme dhe ajo hulumtuese, e skajshme, periferike dhe larg problemeve akute që po na rrethojnë

Published

on

Nga Musa Sabedini – E tërë lufta në gazetarinë ditore dhe informative ka për qëllim që të tregoj të vërtetën, që të thuhet ajo kur dhe si duhet. Gazetaria kosovare fatkeqësisht e ka devalvuar këtë maksimë dhe në vend të saj, në të gjitha mediet nacionale, dominojnë lajmet protokollare të zbehta dhe të pa vlera.

E kam thënë edhe më herët se gazetaria online në Kosovë, duke mos përjashtuar as TV nacionale e radiot, po dominohet nga lajmet protokollare, të cilat ekskluzivisht përshkruajnë një hark të ngushtë Parlament – Qeveri – Presidencë – Shtabe të partive politike, e portrete me politikanët e subjekteve politike.

Dikur në mediet qendrore kishte edhe paralajmërime nga gazetar me zë dhe media kredibile në stilin “Super intervistë”, “Ekskluzive ose super ekskluzive me Albin Kurtin..etj”.

Ky trend me gjasë sivjet pak ka ndryshuar, pikërisht sepse u pa që as kryeministri e as kushdo tjetër, nuk ua rregullon gazetarëve, as kushtet financiare e as vendin e punës. Duke i dhënë hapësirë përherë lajmeve të kota nga Qeveria, Parlamenti, Presidenca dhe çfarëdo informacioni që del nga “klubet institucionale”, qytetari i rëndomtë mbetet larg realitetit dhe përditshmërisë.

Personalisht as nuk i postoj e as publikojë shtëpitë kafaz të tipit “Big Brother”, sepse për mua nuk kanë asnjë vlerë etike dhe të mos flas mediatike. Por kështu nuk po e shohin televizionet qendrore të cilat për interesa të tyre, e për klikime po janë në gjendje të shkaktojnë lloj – lloj krize me publikun.

Ndërsa kur erdhi puna te protestat e rrymës, u ndalë turri mediatik sepse nuk kishte ndonjë interes të theksuar prej asaj pune.

Media parasë gjithash ka rol edukues, ka rol këshillues e sensibilizues për të përkrahur çdo iniciativë të shoqërisë, të grupeve të shëndosha të interesit dhe të gjithë atyre që vërtet punojnë e veprojnë për një vend ligjor e demokratikë.

Unë parimisht përherë i kam përkrahur të gjitha nismat e gazetarëve kundër institucioneve kokëforta, por “Shefat” e medieve kryesore nuk duhet të dërgojnë gazetar të rinj e të papërvojë dhe të shohin si realizim të “ëndrrës” një përgjigje nga Albin Kurti apo Vjosa Osmani, e ndonjë lider tjetër politik.

Për mua këto prononcime dhe ky vrapim i gazetarëve shpërfaq një gjendje kaotike të vet medieve kryesore, që tolerojnë, që aq ulët e aq jo profesionalisht, lejohen të nëpërkëmbën nga ndonjë kryeministër që i mungon sjellja etike.

Gazetaria sot dhe ajo që do të vije pas nesh, duhet të fokusohet në tema problemore, tema të nxehta, trajtim serioz ndaj të gjitha dukurive negative, një hulumtim dhe hetim profesional për të gjitha dilemat e dyshimet, që lidhen me korrupsion e krim të organizuar.

Gazetaria hulumtuese sikur nuk ekziston fare në këtë Kosovë të dërmuar nga politikat shterpe. Gazetaria hulumtuese mund të praktikohet orë e çast në Kosovë, duke i parë defektet që i kemi si shoqëri.

Po kush e zhvillon dhe e avancon gazetarinë profesionale dhe atë hulumtuese. Sigurisht të gjithë ata, që e duan me shpirt e zemër gazetarinë, dhe të gjithë ata profesionist të vërtet që nuk tremben nga e vërteta që përshkruhet nga argumenti dhe vërtetësia e fakteve.

Hetoni, hulumtoni, zbuloni, verifikoni dhe raportoni, pa u ndaluar përkundër pengesave dhe presioneve tuaja. E dua një gazetari vërtet kredibile e cila i nënshtrohet një rregulli bazik e funksional, e kjo lidhet edhe me guximin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Nuk po them që s`ka fare gazetari në Kosovë, e as hulumtuese, por kjo për momentin është e pamjaftueshme, për ta bërë më të përgjegjshme klasën politike, ndaj obligimeve shtetërore që kanë ata.

Media ka obligime publike për ta avancuar saktë, drejtë, shpejt, objektivisht, me argumente e saktësi çdo zhvillim që ndodhë rreth nesh.

Porosia për gazetarët e mediet servile ndaj pushteteve. Kurrë mos harroni se politika është jetëshkurtër, kurse profesioni e karriera e juaj në gazetari nuk vdes, e as shuhet kurrë. Gazetaria e mirë dhe e vërtetuar jeton gjithmonë në zemrat e çdo lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi.

Autori është gazetar profesionist dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT. /UBT News/

Continue Reading

Op-Ed

A është Putini vërtet i interesuar për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë?

Published

on

By

Shkruan: Alfred Marleku

Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka shprehur mbështetje të kushtëzuar për propozimin amerikan, i cili më parë është pranuar edhe nga pala ukrainase, për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë disa arsye kokëforta dhe strategjike që shpjegojnë se përse Putinit në fakt nuk i konvenon një marrëveshje e tillë, edhe pse ai me elegancë diplomatike dhe për të mos ofenduar Presidentin Trump, pohoi se është një propozim “me vend”.

Rusia ka aktualisht një avantazh strategjik në terren. Forcat ruse kanë arritur të rikthejnë gradualisht territore të humbura më parë dhe momentalisht janë në një pozicion të favorshëm për të forcuar më tej kontrollin e tyre në rajone strategjike. Sipas burimeve të shumta, në rajonin e Kurskut dhe në lindje të Ukrainës, forcat ruse janë afër spastrimit të plotë të forcave ukrainase pas muajsh të tërë inkursionesh të dështuara nga pala ukrainase. Në këtë kontekst, një armëpushim tani do të lejonte Ukrainën të rimarr frymë, të siguroj mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë dhe të përgatitet për kundërofensivë, duke rrezikuar humbjen e avantazhit që Moska ka fituar me shumë kosto.

Putini e specifikoj se çdo marrëveshje për armëpushim duhet të çoj në “paqe të qëndrueshme dhe të eliminoj shkaqet rrënjësore të krizës”. Por, ajo që ai e quan “shkaqe rrënjësore” janë në fakt kërkesat maksimale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Ndër këto kërkesa, e para është mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO. Që prej fillimit të konfliktit, Kremlini ka theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënimin kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë dhe se një Ukrainë e lidhur me aleancën ushtarake perëndimore është e papranueshme për Moskën. Rusia kërkon një Ukrainë neutrale sa i përket rreshtimeve ushtarake, pra një shtet që nuk lidhet me asnjë bllok ushtarak dhe që nuk pranon trupa të huaja në territorin e saj.

Një tjetër kërkesë qendrore e Rusisë është njohja zyrtare si territor rus e rajoneve që Moska i ka aneksuar. Donetsku, Luhansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea konsiderohen nga Putini si pjesë integrale e Federatës Ruse dhe çdo armëpushim, sipas Moskës, duhet ta përfshijë pranimin e këtij realiteti të krijuar me forcë. Kjo kërkesë, natyrisht, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me vetë parimet e sovranitetit të Ukrainës.

Një kusht tjetër i shpallur nga Kremlini është refuzimi kategorik i vendosjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë. Rusia kundërshton çdo ide që do të sillte forca ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin ose për të mbikëqyrur zbatimin e tij, pasi kjo do të dobësonte kontrollin rus dhe do të nënkuptonte pranimin e një roli të drejtpërdrejtë të Perëndimit në zgjidhjen e krizës.

Në këtë sfond, edhe pse Putin deklaron publikisht se “në parim” pajtohet me propozimet për ndalim të luftimeve, ai njëkohësisht thekson se “armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme”, duke përsëritur se shumë çështje mbeten të hapura dhe se çdo marrëveshje duhet të garantoj sigurinë afatgjatë të Rusisë. Në të vërtetë, këto janë vetëm mënyra diplomatike për të thënë se pa plotësimin e këtyre kërkesave, armëpushimi nuk është realisht i mundshëm.

   

 

Autori është profesor i Shkencave Politike

 

Continue Reading

Të kërkuara