Aktorja irlandeze Jessie Buckley, e cila është në garë për çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë, ka thënë se aktrimi është “si uji për mua”, duke treguar se pasioni për profesionin e saj e ndihmoi të përballojë një çrregullim të të ngrënit dhe depresionin gjatë adoleshencës.
Aktorja 36-vjeçare ka fituar një sërë çmimesh për interpretimin e saj si Agnes Hathaway, bashkëshortja e William Shakespeare, në filmin Hamnet, dhe tani është në mesin e pretendenteve për çmimin prestigjioz të Akademisë.
Buckley, e lindur në Killarney të County Kerry në Irlandë dhe që aktualisht jeton në Norfolk, tha për emisionin e BBC Radio 4, Desert Island Discs, se aktrimi ka qenë “thelbësor” për jetën e saj dhe se e ka ndihmuar shumë edhe në shëndetin mendor.
Përveç zgjedhjes së këngëve të saj të preferuara në emision, ajo foli edhe për pjesëmarrjen në spektaklin e talenteve të BBC-së I’d Do Anything, si dhe vlerësoi nënën e saj, të cilën e quajti “të jashtëzakonshme”.
Buckley, e cila është gjithashtu një këngëtare e nominuar për çmimin Mercury Music Prize, tha se nuk pendohet për vështirësitë që ka kaluar në të kaluarën.
“Nuk dija si të jetoja jetën në mënyrën që doja dhe ishte e vështirë,” tha ajo. “Por nuk pendohem aspak. Mendoj se kam arritur ta transformoj atë përvojë dhe të kuptoj më mirë dobësitë tona si njerëz.”
Ajo shtoi se askush nuk mund të kalojë nëpër jetë pa u prekur nga vështirësitë, por ato mund të shndërrohen në diçka që të bën më njerëzor dhe më të gjallë.
Buckley tregoi se edhe kur u shpërngul në Londër, ende nuk e kishte kaluar plotësisht atë periudhë të vështirë.
“Kishte momente kur mendoja: nëse nuk përmirësohem këtu, përmes muzikës dhe teatrit, nuk do të mund ta bëj më këtë punë dhe ndoshta nuk do të mbijetoj,” tha ajo.
“Por pikërisht kjo më bëri të ndryshoj mënyrën e të menduarit. Mendova: nuk dua ta sakrifikoj këtë, është diçka më e madhe se kaq – dhe arrita ta kapërcej.”
Aktorja tashmë ka fituar një Golden Globe dhe një BAFTA, ndër çmime të tjera, për rolin e saj në Hamnet, i cili bazohet në romanin me të njëjtin titull të autores Maggie O’Farrell.
Ajo tregoi gjithashtu se hera e parë kur doli në skenë ishte një moment vendimtar për të.
“Ishte si të pije ujë,” tha ajo. “Sa më shumë që e bëja, aq më shumë e kuptoja se kjo është diçka thelbësore për mua.”
Burimi: BBC