Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj deklarimeve publike të bëra nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale, që përfshijnë intervistimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, në cilësinë e të dyshuarit.
“Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në reagim.
Shoqata thekson se të gjithë prokurorët në Kosovë, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet.
“Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjete për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve. Kriteri i vetëm për vlerësimin e një prokurori është performanca profesionale, respektimi i ligjit dhe standardeve etike”, thuhet më tej në reagim.
Shoqata u bën thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial dhe të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve.
Kujtojmë se të martën, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës zhvilloi bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në zyrat e një kompanie private.
Sipas prokurorit të rastit, Admir Shala, hetimet lidhen me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, u intervistua në cilësinë e të dyshuarit.
Pas intervistimit të tij, reaguan disa zyrtarë të lartë të Qeverisë. Ministrja e Jashtme në detyrë dhe bashkëkryetare e GUXO, Donika Gërvalla, e cilësoi intervistimin e Pecit si “inskenim të gërditshëm” nga ana e kryeprokurorit Blerim Isufaj. Edhe vetë subjekti politik GUXO lëshoi një deklaratë ku ngriti dyshime mbi paanshmërinë e hetimeve. Në mbështetje të ministrit Peci doli gjithashtu edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.