Lajmet

Rreth 50 të arrestuar në një aksion kundër rrjetit të narkotikëve me anëtarë nga Ballkani Perëndimor

Published

on

Rreth 50 të dyshuar janë arrestuar në një aksion policor ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, anëtarët e të cilit janë të lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, njoftoi të enjten Agjencia Evropiane e Policisë, Europol.

Europol-i tha se të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasje, rrëmbime, të shtëna me armë zjarri dhe sulme me granata dore në gjithë Evropën.

Aksioni kulmoi më 6 tetor me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë, ndërsa arrestimet u kryen në bashkërendim me një qendër operative në Lubjanë dhe me mbështetjen e Europol-it.

Mes të dyshuarve janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe të Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Holandës.

Në hetim morën pjesë shërbimet policore dhe gjyqësore nga 22 shtete.

Numri më i madh i të dyshuarve u arrestua në Slloveni, gjithsej 34, bëri të ditur Europol-i, ndërsa nga një person u arrestua në Spanjë dhe Kroaci.

Edhe 11 të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët, gjatë një hetimi disavjeçar.

Gjatë ditës së fundit të aksionit, policia sekuestroi 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, stoli dhe para të gatshme, thuhet në njoftim.

Hetimi zbuloi se grupi kriminal fshihte sasi të mëdha narkotikësh në ngarkesa komerciale të mallrave, duke përdorur rrugët e ligjshme të transportit si mbulesë për kontrabandën.

Sipas Europol-it, anëtarët e rrjetit angazhonin kryesisht shoferë nga Sllovenia, Bosnje e Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët me kamionë, furgonë dhe automjete bartnin drogën së bashku me mallra të ligjshme.

Për komunikim dhe koordinim, ata përdornin platformat e enkriptuara SKY ECC dhe CryptCom.

Kokaina, kanabisi, amfetamina, MDMA-ja dhe metamfetamina transportoheshin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të tjera evropiane. Transporti i ligjshëm i mallrave njëkohësisht sillte fitime shtesë dhe ulte kostot e kontrabandës.

Humbja e drogës çonin në dhunë

Sipas rezultateve të hetimit, EUROPOL-i thekson se dërgesat e drogës të sekuestruara ose mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rrjetit shpesh përfundonin me përleshje të dhunshme.

Hetuesit e lidhin grupin me disa të shtëna me armë zjarri, vrasje dhe tentativa vrasjeje, si dhe me rrëmbimin e një anëtari të organizatës.

Në sulme u përdorën mjete shpërthyese, përfshirë granata dore, ndërsa objektiva ishin anëtarët e rrjetit kriminal dhe familjarët e tyre.

Autoritetet thonë se dhuna përdorej për të rikuperuar humbjet, për të ndëshkuar përgjegjësit për dërgesat e dështuara dhe për të ruajtur kontrollin brenda organizatës. Gjatë hetimit u zbulua edhe një tentativë vrasjeje në Spanjë.

Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet sekuestruan 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.

U sekuestruan gjithashtu 550 litra anhidrid acetik, një kimikat që përdoret në prodhimin e drogës, armë automatike me silenciator, municion dhe disa pistoleta.

Megjithatë, Europol-i thotë se sasitë e sekuestruara përbëjnë vetëm një pjesë të aktiviteteve të përgjithshme kriminale.

Përmes analizimit të komunikimeve në SKY ECC dhe provave të tjera, hetuesit kanë rindërtuar transporte dhe transaksione të tjera të lidhura me të dyshuarit.

Për këtë arsye, pritet që të dyshuarit të ndiqen penalisht për trafikimin e 2.5 tonëve të tjerë kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë, 11.6 kilogramëve MDMA, nga një kilogram ketaminë dhe hashash, 18.000 tabletave ekstazi dhe 1.000 njësive kërpudhash psikoaktive.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu 45 litra vaj të destinuar për prodhimin e amfetaminës.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Europol-i gjatë hetimit u ofroi policive kombëtare mbështetje analitike dhe operacionale, ndërsa në ditën e aksionit një ekspert i kësaj agjencie dhe një hetues kroat punuan nga qendra e koordinimit në Lubjanë.

Nga kjo qendër u koordinuan në kohë reale arrestimet dhe aktivitetet e hetuesve në territorin e disa shteteve. /REL/

Continue Reading

Vendi

Caktohet seanca për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar për sot mbajtjen e seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj.

I dyshuari Sylaj u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan, pas kërkimeve nga Policia e Kosovës.

Ai akuzohet se e ka privuar nga jeta me sëpatë 49-vjeçaren Arlinda Zekaj. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nis protesta kombëtare në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Prishtinë për protestën kombëtare të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në shenjë revolte dhe ndërgjegjësimi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pjesëmarrësit po bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe femicideve.

Organizatorët dhe qytetarët pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrjet për mbrojtjen e jetës së grave dhe ndëshkimin maksimal të kryerësve të veprave të tilla.

Continue Reading

Vendi

Ndalohen punimet në gjashtë ndërtime për shkak të pasigurisë

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi serioze sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore. Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara