Lajmet

Borovci përfundon dëshminë, i thotë gjykatës të mos bien pre e dëshmitarëve të shantazhuar

Në fund të dëshmisë së tij, Borovci ka kërkuar nga trupit gjykues drejtësi për Salih Mustafën.

Published

on

Hazir Borovci e ka përfunduar dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Hagë ku ndër të tjera ka thënë që është i bindur në pafajësinë e bashkëluftëtarit të tij. Veprimtari i LDK-së i ka thënë turpit gjykues të mos bien pre e dëshmitarëve të manipuluar por të analizojnë mirë çdo dëshmitarë në mënyrë që të vendoset drejtësia.

Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Borovci ka treguar që është shpërngulur nga Prishtina më 31 mars të vitit 1999 për në fshatin Butovc ku sipas tij është takuar me Salih Mustafën disa herë brenda pjesës së parë të prillit.

“Më datën 2, gjegjësisht 3 ka qenë takimi i parë kurse tre katër herë, gjegjësisht pesë herë takime të tjera, nuk kam thënë që jemi takuar në pjesën e dytë, por kam thënë që ka qenë aty deri nga pjesa e dytë e muajit prill, gjegjësisht 15-16 prilli. Kurse unë takimet e tjera që i kam pasur me zotëri Salih Mustafën kanë qenë edhe tre katër takime të tjera, të cilat nuk i kemi mbajtur çdo ditë për shkak se unë kam qëndruar të Reçicët, ai ka qëndruar të familja e Sopit. Vendi ku kam qenë pozicionuar në një pikë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të ndjeshme, unë kur e kam kryer detyrën time rojën time, jam kthyer në familjen e Reçicëve, por ka pasur raste kur jam kthyer prej aty nëpër oborrin e shtëpisë së Mustafë Sopit, gjegjësisht prindit të tij”, ka thënë Borovci.

Ish-anëtari i BIA-s ka thënë se në periudhën e viteve ’98 informacione i ka dhënë Isa Kastratit duke shtuar që nga vitit 1999 i kanë raportuar Mustafë Sopit i cili sipas tij ka pasur njohje të afërt me Salih Mustafën.

“Nuk e kemi ditur kujt i raporton as Isa, as Mustafa, por logjika na ka marrë që Isa ka lidhje me Zonën Operative të Llapit sepse ka pasur njohje, ka pasur shokë të mëhershëm që i ka mësuar që i ka pasur shokët e burgut, kurse Mustafa na ka treguar që Salih Mustafën e ka pasur nxënës, na ka treguar që Salih Mustafa ka qenë burg, na ka treguar që Salih Mustafa ka një familje të mirë, para se të njohim ne Salih Mustafën kur rrinim në shtëpinë e Mustafë Sopit, na tregonte se është një patriot dhe në bazë të kësaj ne nuk e pyesnim për shkak se me ruajt Mustafën edhe ai me ruajt neve në rast se biem”, ka thënë ai.

Në fund të dëshmisë së tij, Borovci ka kërkuar nga trupit gjykues drejtësi për Salih Mustafën.

“Kryetare trupit gjykues, shkëlqesia e juaj, kërkoj nga ju jo mëshirë por drejtësi dhe jam shumë i bindur që do të vendosni drejt, do t’i analizoni mirë të gjithë dëshmitarët, mos bini pre e dëshmitarëve të manipuluar, dëshmitarëve të shantazhuar, por t’i analizoni mirë rrethanat në të cilat kemi vepruar, rrethana në të cilat kemi punuar ,që kanë qenë rrethana shumë të vështira dhe uroj të mos i ndodh asnjë populli, asnjë kombi ajo që na ka ndodhur ne. Ju falënderoj dhe ju përshëndes të gjithë juve që jeni këtu dhe e përshëndes edhe Salih Mustafën që unë e konsideroj të pafajshëm”, ka thënë Borovci.

Hazir Borovci e ka filluar dëshminë e tij para Dhomave të specializuara të Kosovës në Hagë gjatë seancës së djeshme si dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Ai ka treguar për veprimtarinë e tij politike dhe humanitare gjatë periudhës së viteve ’80 dhe 90 ku ka thënë që ishte kyçur në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në Këshillin Komunal të Emergjencave në Prishtinë.

Tutje, Borovci ka thënë se ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të Gueriles BIA.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se brenda UÇK-së nuk ka pasur asnjëherë dallime partiake apo fetare.

Procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës vazhdon më 4 prill me dëshmitarin e pestë të mbrojtjes.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara