Lajmet

Blinken: Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara

Blinken falënderoi Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës.

Published

on

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Kosova është partnere e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Blinken gjatë takimit në Uashington me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ka thënë se dy shtetet kanë një histori të gjatë, teksa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës pas agresionit rus.

“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se siç e dini të gjithë, ka një histori të gjatë dhe të fortë mes nesh, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta. Dua t’ju falënderoj përsëri për pritjen bujare të afganëve në rrezik, mbështetjen e fortë që kemi parë që nga dita e parë për Ukrainën e përballur me agresionin rus, punën që po bëni në Samitin për Demokraci, duke përfshirë organizimin e samitit për gratë, paqen dhe sigurinë – dhe, zonja Presidente, vlerësoj veçanërisht udhëheqjen tuaj në këtë drejtim. Nesër do të nënshkruani një marrëveshje me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit – vërtet të rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbështetjen e përpjekjeve tuaja për të ndërtuar energji të rinovueshme. Pra, ka shumë për të folur, ndërsa po punojmë për të gjitha këto çështje, si dhe, natyrisht, për çështje qenësore të sigurisë rajonale që e di se do të kemi një shans për t’i diskutuar”, theksoi Blinken.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe se do të punojnë me SHBA-të dhe vendet tjera demokratike që pozita ndërkombëtare e vendit tonë të forcohet edhe më tej duke marrë vendin e merituar në komunitetin euro-atlantik.

Osmani ka përmendur edhe përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Siç e dini sekretar, Putini do të vazhdojë të përpiqet të destabilizojë Evropën edhe përmes Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të kemi nevojë për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatëve tanë evropianë, për t’u siguruar që planet e Rusisë, si dhe përfaqësuesve të saj në rajon të ndalen. Për këtë arsye, ne presim me padurim të punojmë me ju, me të gjithë administratën Biden, për t’u siguruar që si linjat e para në mbrojtjen e demokracisë, të jemi të suksesshëm në mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta, të cilat janë themelet e vendit tonë… Kosova e pavarur, sovrane, e lirë, është një realitet i pakthyeshëm që ju keni ndihmuar që të krijohet. Ne do të punojmë krah për krah çdo ditë së bashku me Shtetet e Bashkuara, si dhe me vendet e tjera demokratike në mbarë botën, për t’u siguruar që ky realitet të forcohet, të sigurohemi që pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës të forcohet, dhe për të ecur përpara drejt vendit tonë të merituar në komunitetin euroatlantik”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani tha se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë aleate e fuqishme e SHBA-së.

“Në të njëjtën mënyrë që qëndruat pranë nesh në atë kohë dy dekada më parë, sot po qëndroni me Ukrainën. Kështu që unë dua t’ju siguroj në emër të Kosovës se edhe populli i Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, siç e kemi treguar me miratimin e sanksioneve menjëherë, në të njëjtën ditë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë këtë. Dhe, sigurisht, ne ripërsërisim thirrjen tonë për të gjitha vendet në rajon për ta bërë këtë”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, udhëtuan të hënën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e marrëveshjes 200-milionëdollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.

Lajmet

Dështojnë bisedimet për buxhetin: Kryeministri i Belgjikës De Wever ofron dorëheqjen

Published

on

By

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka ofruar dorëheqjen Mbretit Philippe pas dështimit të negociatave për buxhetin brenda koalicionit të tij pesëpartiak.

Nacionalisti konservator flamand, i cili mori detyrën në shkurt të vitit 2025 për të trajtuar borxhin e lartë të vendit, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partnerëve të qeverisë për buxhetin e vitit 2027.

Pallati Mbretëror konfirmoi dorëheqjen, ndërsa Mbreti Philippe e ka shtyrë vendimin për pranimin e saj duke shprehur keqardhje për mungesën e marrëveshjes. Monarku belgjik do të nisë konsultimet me krerët e grupeve parlamentare të martën, përpara se ta presë sërish De Weverin në takimin e së premtes. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet drejtori i Spitalit të Mitrovicës për dhunë në familje, gjykata e lë në arrest shtëpiak

Published

on

By

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është ndaluar nga policia nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. Me urdhër të prokurorit kujdestar ai u ndalua për 48 orë, ndërsa Prokuroria paraqiti kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe në vend të paraburgimit i ka caktuar Berishës masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Këtë masë do ta monitorojë Stacioni Policor në Vushtrri.

Sipas Gjykatës, arresti shtëpiak është i mjaftueshëm për të parandaluar përsëritjen e veprës dhe për të mbrojtur të dëmtuarën. Masa do të zbatohet në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, meqë palët nuk jetojnë më bashkë, duke shmangur kështu kontaktin mes tyre./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tahiri paralajmëron debat parlamentar për krizën energjetike në Kosovë

Published

on

By

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e energjisë, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një debat parlamentar lidhur me dështimet në këtë sektor.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri theksoi se situata aktuale është mjaft shqetësuese, pasi Kosova po blen energji me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që blloku B1 ndodhet jashtë funksionit. Ai nënvizoi se trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit strategjik dhe energjetik të vendit.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet këtë të enjte, në orën 12:00.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.

Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara