Lajmet

​Bislimi e mirëpret marrëveshjen KEDS-Elektroserver

Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje po bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.

Published

on

Zëvendëskryeminstri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka mirëpritur marrëveshjen komerciale në mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje po bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.

“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, shkroi Bislimi.

Ai shtoi se operimi në veri do të ndodhë brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovoës, teksa bëri thirrje që të vazhdohet tutje.

“Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasiqë pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë. Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, u shpreh ai.

Bislimi shtoi se Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presin dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces.

Lajmet

Digjen tri vetura dhe një pjesë e shtëpisë në Prishtinë, nuk ka të lënduar

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, tri vetura dhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga zjarri në rrugën “Selman Lokaj” në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës 01:10, ndërsa rrethanat e përhapjes së zjarrit ende nuk dihen.

Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk është raportuar për persona të lënduar.

Rasti është duke u hetuar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mosmarrëveshje në Podujevë, nxirret arma dhe konfiskohen 36 fishekë

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, pas një mosmarrëveshjeje verbale në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, një person dyshohet se ka kanosur një tjetër, i cili më pas dyshohet se ka nxjerrë armën në praninë e tij.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 36 fishekë, një kuti përcjellëse me pajisje, si dhe lejen e armës.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare Dolly Parton, ikona e muzikës country

Published

on

Këngëtarja dhe kantautorja amerikane Dolly Parton ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas një karrierë më shumë se gjashtëdekadëshe në muzikë, film dhe televizion. Vdekja e saj u njoftua më 25 gusht 2026 nga familja, ndërsa ekipi i saj bëri të ditur se ajo ndërroi jetë në Nashville pas një beteje të shkurtër me kancerin.

E rritur në varfëri në Tennessee, Parton u shndërrua në një nga figurat më të rëndësishme të muzikës country. Ajo shkroi rreth 3 mijë këngë dhe shiti më shumë se 100 milionë disqe në mbarë botën.

Mes këngëve të saj më të njohura janë “Jolene”, “9 to 5”, “Coat of Many Colors” dhe “I Will Always Love You”, ndërsa ndikimi i saj u shtri edhe në kinematografi, televizion dhe filantropi.

Parton ishte gjithashtu e njohur për angazhimin e saj humanitar, veçanërisht për nismën Imagination Library, si dhe për mbështetjen e kërkimeve mjekësore dhe programeve për fëmijët.

Pas lajmit për vdekjen e saj, homazhe kanë ardhur nga emra të njohur të muzikës dhe kulturës, mes tyre Paul McCartney, Elton John, Oprah Winfrey, Taylor Swift dhe Beyoncé.

Dolly Parton largohet nga jeta si një nga artistet më të suksesshme dhe më të dashura të muzikës amerikane, me një trashëgimi që shtrihet përtej muzikës, në film, kulturë dhe bamirësi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot, në ditën e lindjes së Nënë Terezës, kujtohet rrugëtimi i Gonxhe Bojaxhiut

Published

on

Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, gruaja që bota do ta njihte si Nënë Tereza e Kalkutës, një nga figurat më të njohura humanitare të shekullit XX.

E lindur në një familje shqiptare, Gonxhja ishte vajza e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut. Babai i saj kishte origjinë nga Prizreni dhe prejardhje familjare nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna nga rrethina e Gjakovës.

Në moshën 18-vjeçare, Gonxhja u largua nga Shkupi dhe iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë. Një vit më vonë udhëtoi drejt Indisë, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës.

Fillimisht punoi si mësuese, por përballja me varfërinë e madhe në Kalkutë e shtyu drejt një misioni të ri. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren, ajo përjetoi atë që e përshkroi si një “thirrje brenda thirrjes”, duke vendosur t’ua kushtonte jetën njerëzve më të varfër.

Në vitin 1948 nisi veprimtarinë e saj në lagjet e varfra të Kalkutës, ndërsa më 7 tetor 1950 mori lejen e Vatikanit për themelimin e Misionarëve të Bamirësisë.

Ajo krijoi qendra për të sëmurët, jetimët, njerëzit pa strehë dhe ata në ditët e fundit të jetës. Veprimtaria e saj më pas u shtri në shumë vende të botës.

Për kontributin humanitar, Nënë Tereza mori çmime të shumta, ndërsa kulmi i vlerësimeve ishte Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1979.

Përkatësia e saj shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e identitetit. Ajo është cituar të ketë thënë: “Me anë të gjakut, unë jam shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës.”

Në vitin 1991, Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë dhe hapi një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Në Prishtinë, emrin e saj e mban Katedralja Katolike Shën Tereza.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shën Terezë të Kalkutës.

Pavarësisht admirimit global, figura e saj është shoqëruar edhe me debate dhe kritika lidhur me kushtet në disa prej institucioneve të Misionarëve të Bamirësisë, menaxhimin e donacioneve dhe qëndrimet e saj për disa çështje shoqërore.

Megjithatë, ndikimi i saj në humanizëm dhe bamirësi mbetet i madh. Nga Gonxhe Bojaxhiu e lindur në Shkup te Shën Tereza e Kalkutës, rrugëtimi i saj u shndërrua në një prej historive më të njohura të shekullit XX./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara