Lajmet

​Bisedimet Rusi-SHBA për marrëveshjen e paqes në Ukrainë përfundojnë pa përparim

Published

on

Pesë orë bisedime midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe negociatorëve kryesorë të Shteteve të Bashkuara nuk dhanë ndonjë përparim në një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, tha një ndihmës i Kremlinit të mërkurën herët.

I dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, u ulën për bisedime të nivelit të lartë me Putinin në Kremlin të martën, duke kulmuar një javë diplomacie intensive, ndërsa administrata Trump vazhdon përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë, transmeton CNN.

Bisedimet në kryeqytetin rus ishin “shumë të dobishme, konstruktive dhe shumë thelbësore”, por një “opsion kompromisi nuk u gjet”, u tha gazetarëve pas takimit këshilltari rus i politikës së jashtme dhe ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov.

Disa nga propozimet amerikane duken pak a shumë të pranueshme, megjithëse ato duhet të diskutohen“, tha Ushakov, duke shtuar se pika të tjera “nuk na përshtaten”.

“Puna do të vazhdojë”, tha ai.

Ndër pikat e mëparshme të ngërçitjes janë kërkesat e Kremlinit që Ukraina të heqë dorë zyrtarisht nga aspirata e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe që Ukraina të dorëzojë territorin në rajonin Donbas të Ukrainës lindore që është aneksuar, por ende jo i pushtuar, nga Rusia.

Pala amerikane ende nuk ka komentuar publikisht mbi bisedimet, por përpara takimit, SHBA-të kishin qenë “shumë optimiste” për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës tre vjeçare e gjysmë, sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Një takim midis Putinit dhe Trump nuk ishte planifikuar dhe një takim i mundshëm ballë për ballë do të “varet nga progresi që jemi në gjendje të arrijmë”, tha Ushakov.

Zyrtarët ukrainas kanë vazhduar të refuzojnë kërkesat maksimaliste të Rusisë, të cilat Kremlini vazhdon t’i konsiderojë si vija të kuqe.

Ushakov tha se Putin dhe delegacioni amerikan diskutuan çështjet territoriale në takimin e tyre, “pa të cilat ne nuk shohim një zgjidhje për krizën”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se priste të komunikonte me ekipin negociator amerikan menjëherë pas bisedimeve të tyre me Putinin dhe se ai ishte “duke pritur sinjale” nga delegacioni mbi rezultatin e takimit./KP

Lajmet

Kamerat inteligjente në RMV regjistrojnë çdo shkelje, gjoba edhe për kosovarët

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët që udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut se autoritetet e këtij shteti kanë filluar zbatimin e sistemit elektronik për monitorimin e komunikacionit rrugor, të njohur si “Qyteti i sigurt”.

Sipas Policisë, monitorimi i komunikacionit rrugor realizohet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të komunikacionit, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Në fazën e parë, ky sistem do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Shkeljet që do të evidentohen përfshijnë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, kalimin në semafor të kuq, ndalimin dhe parkimin e parregullt, si dhe qarkullimin me automjete të paregjistruara.

Policia e Kosovës bën të ditur se për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova, në rast të shkeljeve të konstatuara nga sistemi “Qyteti i sigurt”, shoferët do të njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, qytetarët e huaj kanë të drejtë të përfitojnë ulje prej 50 për qind të gjobës nëse pagesa realizohet brenda afatit prej tetë ditësh. Në rast mospajtimi me shkeljen ose mosrealizimi të pagesës, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë dispozitat ligjore të komunikacionit gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim të shmangies së gjobave dhe procedurave ligjore.

/Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Avokati Selimaj: Edhe pa paraburgimin mund te arrihen rezultatet hetimore

Published

on

Avokati Meshari Selimaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të mbrohen në liri të arrestuarit në rastin e manipulimit të votave, është një tregues se edhe pa paraburgim mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal.

“E pata konsideruar si masë tejet ekstreme atë të paraburgimit në rastin e manipulimeve të pretenduara me zgjedhje. Vendim i drejtë, i ligjshëm e parimor ky i Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Në mesin e tyre ka edhe persona të rinj në moshë të lindur në vitin 2005 apo 2007,  madje edhe për më keq janë femra një pjesë e mirë e tyre. Ju mungon edhe eksperienca jetësore për ta përballuar një masë kaq të rëndë siç është paraburgimi, e cila si masë nuk mundet dhe s’guxon ta arrijë qëllimin e dënimit. Edhe pa paraburgimin mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal, me masa të tjera e pa paraburgim”, ka shkruar Selimaj në rrjetin e tij social “facebook”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton të hënën se ka mbajtur tri (3) seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) të pandehurve. Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi i ftuar në eventin global “Technogym Innovation Outlook 2026″, prezanton potencialin e UBT Smart City për t’u bërë UBT Wellness City

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar të marrë pjesë në eventin vjetor ndërkombëtar të kompanisë lidere globale Technogym, “Technogym Innovation Outlook 2026”, i cili po mbahet në Itali dhe ku marrin pjesë qindra profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues nga mbarë bota.

Ky event prestigjioz shërben si platformë globale për prezantimin e teknologjive më të avancuara në fushën e sportit, fitnesit, shëndetit dhe mirëqenies, si dhe për diskutimin e trendeve të reja dhe mundësive të bashkëpunimit ndërkombëtar, të zhvilluara nga dhe në bashkëpunim me Technogym.

Gjatë kësaj vizite, e cila vjen si rezultat i vizitës së përfaqësuesve të Technogym në UBT, Rektori Hajrizi u takua dhe zhvilloi biseda me udhëheqës të departamenteve të edukimit, shkencës, zhvillimit dhe projekteve të Technogym, me fokus të veçantë bashkëpunimin në implementimin e teknologjive dhe programeve të Technogym-it në ekosistemin e UBT-së, me ç’rast mundësohet realizimi i plotë i UBT Wellness City si një komponentë e domosdoshme e UBT Smart City.

Kështu, modeli i zhvilluar UBT 5S (Small Smart Self-Sustain City), i zbatuar në UBT Smart City, kompletohet edhe me komponentën e mirëqenies dhe stilit të jetesës. Me këtë rast krijohet një model unik që përfaqëson modelin e ri të jetesës në qytete, një shembull se si teknologjia e avancuar, inteligjenca artificiale, sporti, nutricioni, shëndeti dhe rehabilitimi mund të ndërlidhen në një ekosistem të vetëm, të integruar, të personalizuar dhe të qëndrueshëm.

Përmes këtij ekosistemi, nxënësve, studentëve, stafit akademik dhe administrativ, institucioneve dhe komunitetit të gjerë të Kosovës u ofrohet një sistem i kompletuar për fitness, wellness, sport, rehabilitim dhe lifestyle, i ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe i mbështetur nga teknologjitë dhe sistemet më të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, e cila mundëson mbështetje të personalizuar për individin.

Ky vizion bëhet i mundur falë faktit se ekosistemi i UBT-së tashmë është ndërtuar mbi këto baza, duke përfshirë dimensionin edukativ, shkencor, inovativ, zhvillimor dhe klinik, duke e pozicionuar UBT-në si një qendër rajonale dhe më gjerë në fushën e mirëqenies dhe shëndetit të integruar.

Një bashkëpunim me Technogym pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve në kampuset e UBT-së, në qendrat e trajnimit, shërbimet shëndetësore dhe spitalore, si dhe në zhvillimin e aktiviteteve sportive, duke e forcuar më tej rolin e UBT-së si lider në inovacion, transformim shoqëror dhe zhvillim ekonomik, sepse, siç tha edhe Presidenti i Technogym, po kalojmë dhe duhet të kalojmë nga Green Economy në Wellness Economy.

Continue Reading

Lajmet

“Atë ditë në Izbicë s’ka pasë dasëm, por janë masakruar 137 veta”, familjari i zhgënjyer me dënimin ndaj Alidemajt

Published

on

By

Familjari i viktimave, Islam Doni, pas përfundimit të seancës gjyqësore, tha se vendimi i gjykatës për dënimin e Muhamet Alidemajt është i ulët dhe se familjarët do të paraqesin ankesë ndaj aktgjykimit, duke shtuar se mbetet të shihet nëse do ta arrijnë qëllimin e tyre në instancat më të larta, raporton Ekonomia Online.

Doni tha se personalisht nuk ka parë që Alidemaj të ketë vrarë dikë me duart e tij, por sipas tij e ka parë atë duke u prirë forcave serbe për të hyrë në fshatin Izbicë, duke shtuar se nuk mund të pohojë për veprime që nuk i ka parë drejtpërdrejt.

Ai përshkroi se atë ditë në Izbicë nuk kishte pasur dasmë, por ishin dëgjuar krisma të armëve të rënda dhe të lehta, ndërsa sipas tij ishin masakruar 137 persona, si dhe më pas në dy raste të tjera ishin vrarë nga dy deri në trembëdhjetë banorë. Doni tha se fshati ishte djegur dhe plaçkitur, ndërsa sipas tij dy persona të paralizuar ishin djegur në prokolica traktorësh.

“Vendimi na duket shumë i ulët, mirëpo gjykata ka marrë vendim edhe çka kemi na me thënë përtej gjykatës. Më anku kemi me u anku, sa kena me arrit qëllimin tonë, mbetet me u pa.. Kodi penal i Jugosllavisë e përcakton kështu, bie në maksimum. Se për neve edhe 15 vjet normalisht që është pak… Unë personalisht nuk e kam parë që e ka vrarë askënd. Unë e kam parë që iu ka prirë serbëve me hy në fshatin Izbicë. Çka s’e kam parë nuk mundem me thanë që e kam parë duke vrarë. Mirëpo atë ditë në Izbicë nuk ka pasë dasëm. Atë ditë janë ndjerë krisma të tekave, topave, kallashave, pushkëve edhe janë masakruar 137. Edhe dy herë mbasandej na janë vrarë ka dy-trembëdhjetë. Edhe u djeg krejt fshati Izbicë, edhe u plaçkit. Janë djeg dy të paralizuar në prikolica të traktorit. Nuk mundet me iu ikë ky prej përgjegjësie, as s’mundet me thënë që s’kam qenë unë. Normalisht, familjet që i kanë ndarë, gratë i kanë ndarë, iu ka shtirë thikën në fyt, i ka plaçkitur, i ka rrahur. Kanë dëshmuar këto në gjyq”, tha ai pas procesit gjyqësor.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026,

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesl Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor sot me datë 02.02.2026, ndaj të akuzuarit është fajtor se ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile. Trupi gjykues në bazë të dispozitave, të akuzuarin Muhamet Alidemaj e shpall fajtor edhe e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vjetëve”, tha ai.

Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë. /Ekonomiaonline/

Continue Reading

Të kërkuara