Prej vitesh është diskutuar nëse është më mirë të bësh dush në mëngjes a në mbrëmje. Disa e shohin dushin e mbrëmjes si mënyrë për t’u qetësuar para gjumit dhe për të kursyer kohë në mëngjes, ndërsa të tjerë preferojnë të pastrohen në mëngjes për të nisur ditën të freskët.
Edhe pse zgjedhja shpesh varet nga rutina personale dhe mënyra e jetesës, një eksperte ka dhënë një përgjigje të qartë. Dr. Primrose Freestone, pedagoge e lartë në mikrobiologji klinike, tha për The Conversation se, nga këndvështrimi higjienik dhe shëndetësor, është më mirë të bëni dush në mëngjes.
Gjatë ditës, trupin e ekspozojmë ndaj një sërë mikrobesh që grumbullohen në rroba. Këto ndotës përthithen nga lëkura e kalojnë në çarçafët gjatë gjumit. Duke qenë se shumë si lajnë çarçafët, dushi në mbrëmje mund të mos jetë aq efektiv sa mendohet, pasi lëkura e pastër bie në kontakt me shtretër të kontaminuar.
“Si mikrobiologe, e mbështes dushin në mëngjes. Në këtë mënyrë, trupi është më i pastër nga mikrobet që grumbullohen gjatë natës, përpara se të vishen rrobat e ditës,” thekson Dr. Freestone.
Ajo shton gjithashtu se gjatë natës, trupi djersit dhe lëshon qeliza të vdekura të lëkurës, të cilat ushqejnë marimangat e pluhurit dhe mund të shkaktojnë reaksione alergjike te disa persona. Kjo është edhe një arsye shtesë pse është më higjienike të bëni dush në mëngjes.
Pavarësisht orës së dushit, ajo thekson se një rutinë e rregullt higjiene është esenciale. Në rast se nuk keni mundësi të bëni dush në mëngjes, kujdesi ndaj pastërtisë së mjedisit të gjumit është shumë i rëndësishëm.
“Rekomandohet që çarçafët dhe jastëkët të lahen të paktën një herë në javë, për të eliminuar djersën, bakteret, qelizat e vdekura dhe yndyrnat e lëkurës që mblidhen me kalimin e ditëve,” thotë ajo.
Larja e rregullt e çarçafëve ndihmon në reduktimin e sporeve të kërpudhave dhe mikrobeve që prodhojnë erë të keqe.
Dermatologët paralajmërojnë kundër përdorimit të sapunit tradicional, pasi mund të dëmtojë barrierën mbrojtëse të lëkurës.
Në vend të tij, rekomandohen pastrues të butë, të formuluar posaçërisht për të ruajtur shëndetin e lëkurës pa e irrituar atë.