Live

Bilanci i luftës Iran-Izrael-SHBA: Sa njerëz janë vrarë deri më tani?

Published

on

Lufta ka hyrë sot në ditën e saj të gjashtë dhe raportet për viktimat po ndryshojnë me shpejtësi. Këto janë shifrat e raportuara të të vdekurve në të gjithë rajonin deri më datë 5 mars:

IRAN -Sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, janë vrarë 1,045 persona. Në këtë shifër përfshihen 175 nxënëse dhe staf arsimor që humbën jetën nga një sulm në një shkollë fillore në Minab, në ditën e parë të luftës. Mbetet e paqartë nëse ky total përfshin edhe humbjet e Gardës Revolucionare (IRGC).

IZRAEL- Janë raportuar 10 civilë të vrarë. Sipas shërbimit të ambulancës, nëntë prej tyre humbën jetën nga një sulm iranian me raketa në Beit Shemesh, pranë Jeruzalemit, më 1 mars. Ushtria nuk ka raportuar ende për ushtarë të vrarë në luftime.

LIBAN– Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 77 të vdekur si pasojë e sulmeve izraelite.

BAHREJN- Ministria e Brendshme njoftoi për një person të vrarë, pasi një zjarr shpërtheu në zonën industriale “Salman” pas asgjësimit të një rakete në ajër.

KUVAJT- Sipas ministrive përkatëse, tre persona kanë mbetur të vrarë nga sulmet iraniane, mesin e të cilëve edhe dy ushtarë kuvajtianë.

OMAN- Një person ka vdekur pasi një predhë goditi anijen cisternë “MKD VYOM” (me flamur të Ishujve Marshall) pranë qytetit të Muskatit.

EMIRATET E BASHKUARA ARABE– Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar vdekjen e tre personave.

USHTRIA E SHBA-së -Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se gjashtë pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë gjatë një sulmi në një objekt ushtarak në Kuvajt.

SIRI- Agjencia shtetërore e lajmeve SANA raportoi për katër të vdekur, pasi një raketë iraniane goditi të shtunën një ndërtesë në qytetin jugor të Sueidës.

IRAK- Autoritetet shëndetësore irakiane njoftuan për të paktën 13 të vrarë, ku përfshihen 11 pjesëtarë të milicisë, një ushtar i ushtrisë dhe një civil. /Reuters/

Agjencia e lajmeve Reuters ka bërë të ditur se nuk i ka verifikuar këto shifra në mënyrë të pavarur.

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Përshkallëzohen tensionet: SHBA-ja sekuestron anijen iraniane

Published

on

By

Ushtria amerikane ka sekuestruar këtë të enjte një tjetër cisternë me naftë iraniane, duke përshkallëzuar më tej tensionet me Teheranin.

Operacioni u zhvillua në Oqeanin Indian, vetëm një ditë pasi Garda Revolucionare e Iranit mori nën kontroll dy anije në Ngushticën strategjike të Hormuzit. Departamenti i Mbrojtjes publikoi videopamje të forcave amerikane në kuvertën e anijes “Majestic X”, ndërsa përmes një deklarate, Pentagoni bëri të ditur se do të vazhdojë zbatimin e ligjit detar për të ndërprerë rrjetet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin.

Të dhënat e gjurmimit treguan se anija, e cila ishte nisur drejt Kinës, u ndalua midis Sri Lankës dhe Indonezisë, në të njëjtin rajon ku forcat amerikane sekuestruan më parë edhe cisternën “Tifani”. Deri më tani, nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Irani për këtë aksion.

Ky sekuestrim vjen në një kohë kur sulmet ndaj transportit detar kanë destabilizuar rrugën kryesore ujore, ku kalon rreth 20% e naftës botërore.

Megjithëse presidenti Donald Trump ka zgjatur armëpushimin me Iranin, ai po vazhdon ta mbajë në fuqi bllokadën e porteve iraniane, duke e lënë konfliktin pa një zgjidhje në horizont.

Si pasojë e kësaj bllokade, çmimet e naftës bruto Brent kanë shënuar rritje drastike duke kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së ushqimeve dhe produkteve të tjera në mbarë botën.

Continue Reading

Aktualitet

Araghchi: SHBA dhe Izraeli janë “rrënja e pasigurisë” në Hormuz

Published

on

By

Ministri i Jashtëm i Iranit thotë se “agresioni” i SHBA-së dhe Izraelit është “rrënja e pasigurisë” në Gji dhe në Ngushticën e Hormuzit.

Një seri postimesh në rrjetin X nga qeveria iraniane njoftojnë se Abbas Araghchi u takua me të dërguarin e posaçëm të Koresë së Jugut në Teheran, ku ministri i jashtëm iranian u bëri thirrje shteteve që të “mbajnë një qëndrim të qartë dhe të vendosur në dënimin e këtyre sulmeve”.

Raportohet se Araghchi ka thënë se Irani ka marrë masa sipas ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e tij, duke shtuar se përgjegjësia për pasojat “bie mbi agresorët”.

Kjo vjen në një kohë kur Irani deklaroi se ka “sekuestruar” dy anije në ngushticë, ndërsa një anije e tretë mallrash është sulmuar gjithashtu./BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Irani sulmon tri anije në Hormuz, pak orë pas vendimit të Trumpit

Published

on

By

Situata në Ngushticën e Hormuzit është përshkallëzuar të mërkurën me sulmin ndaj tri anijeve tregtare, zhvillim ky që u konfirmua nga Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO). Sipas raportimeve, Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) ka goditur një anije kontejnerësh dhe dy mjete të tjera lundruese, dy prej të cilave tashmë janë sekuestruar nga forcat iraniane.

Ky përshkallëzim vjen në një moment kritik, vetëm pak orë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi zgjatjen e armëpushimit me Iranin me qëllim dhënien e hapësirës për negociata. Megjithatë, Trump ka bërë të qartë se bllokada detare e porteve iraniane nga marina amerikane do të mbetet në fuqi.

Në rrafshin diplomatik, paqartësia mbetet e lartë:

  • Negociatat në pritje: Udhëtimi i Zëvendëspresidentit JD Vance drejt Pakistanit, i paraparë për të martën, nuk u realizua.

  • Reagimi i Teheranit: Irani ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar ndaj lëvizjes së fundit të Trumpit. Një këshilltar i kryeparlamentarit iranian e ka cilësuar zgjatjen e armëpushimit si një “dredhi” për të përgatitur një sulm të papritur, duke thënë se ky vendim nuk peshon asgjë për ta.

  • Situata në Islamabad: Ndonëse korrespodenti i BBC-së raporton se strukturat për bisedime janë ende gati, gjasat për një takim gjatë kësaj jave janë zbehur ndjeshëm pas incidenteve të fundit në det.

Ky zhvillim i fundit minon përpjekjet diplomatike dhe lë në pikëpyetje statusin e bisedimeve mes dy vendeve, ndërkohë që bllokada detare dhe sulmet iraniane po rrisin pasigurinë në rrugët kryesore tregtare.

Continue Reading

Aktualitet

Trump zgjat armëpushimin me Iranin, por mban në fuqi bllokadën detare pas anulimit të bisedimeve në Pakistan

Published

on

By

Dy ditët e fundit janë përcjellë me zhvillime dramatike dhe kthesa të papritura lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Edhe pse të martën skadoi afati i armëpushimit gati dy-javor mes SHBA-së dhe Iranit, Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi ta zgjasë atë, pavarësisht kërcënimeve të tij të mëparshme për rifillimin e bombardimeve në rast të mungesës së një marrëveshjeje.

Kjo kthesë u bë e ditur përmes një njoftimi të Trumpit në orët e vona të së martës, ku ai sqaroi se armëpushimi do të vazhdojë derisa Teherani të paraqesë një “propozim të unifikuar” për të çuar përpara negociatat e paqes.

Brenda 24 orëve të fundit, situata diplomatike ishte tejet e paqartë. Fillimisht pritej që Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, së bashku me ekipin negociator, të udhëtonte drejt Islamabadit për bisedime me palën iraniane.

Megjithatë, Irani shfaqi hezitim, duke deklaruar përmes Ministrisë së Jashtme se ende nuk kishte vendosur për dërgimin e një delegacioni në Pakistan. Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid, e bëri të qartë se negociatat do të ndodhnin vetëm nëse SHBA-ja jepte shenja konkrete për përfundimin e bllokadës së porteve iraniane.

Pavarësisht këtij kushtëzimi, Presidenti Trump deklaroi për CNBC se Irani “nuk ka zgjidhje tjetër” përveçse të ulet në tryezën e bisedimeve, duke përsëritur se opsioni i bombardimeve mbetet mbi tavolinë nëse nuk arrihet përparim.

Tensioni u rrit kur u raportua se Vance kishte pezulluar udhëtimin e tij drejt Islamabadit, ndërkohë që zyrtarët e lartë amerikanë ishin mbledhur në Shtëpinë e Bardhë për të përcaktuar hapat e radhës.

Në fund, Trump njoftoi zgjatjen e armëpushimit, por konfirmoi se bllokada e marinës amerikane mbi portet iraniane do të mbetet në fuqi. Ai theksoi se ky vendim u mor me kërkesë të Pakistanit, veprim për të cilin u falënderua nga kryeministri pakistanez.

Ndërkohë, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, nënvizoi se vazhdimi i bllokadës detare synon të dobësojë sistematikisht aftësinë e Teheranit për të qarkulluar dhe riatdhesuar fonde. Deri më tani, përveç disa reagimeve jozyrtare në rrjetet sociale, Teherani nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare ndaj këtyre zhvillimeve.

 

Continue Reading

Të kërkuara