Kulturë

Bienalja e Arkitekturës në Venecia, shpallet thirrja për projektide për pavijonin shqiptar

Published

on

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka shpallur sot thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia. Ky event ndërkombëtar do të mbahet në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025, me temën “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive”.

MEKI bëri të ditur se thirrja është hapur për arkitektë dhe artistë shqiptarë për të paraqitur projekte të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe shoqërisë shqiptare. Qëllimi është që projekte të cilat shfaqin ndryshime thelbësore në këtë fushë dhe që komunikojnë vizualisht me publikun dhe profesionistët të shfaqen në këtë platformë prestigjioze.

Bienalja e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë pjesëmarrjet kombëtare në pavijonet në Giardini dhe Arsenale të Venecias, si dhe në qendrën historike të qytetit.

Ministria inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas ose të huaj që kanë përvojë në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme. Projekte duhet të dorëzohen deri më 30 shtator 2024 për të marrë parasysh në seleksionimin final.

Pjesëmarrësit pritet të ofrojnë projekte inovative dhe të shfaqin potencialin e lartë të artit dhe arkitekturës shqiptare në nivel ndërkombëtar./UBTNews/

Komunikata e publikuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Lajmet

Orkestra “Amadeus” hap me sukses festivalin ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një paraqitje të suksesshme në koncertin hapës të festivalit garues ndërkombëtar “Musica Orbis”, i cili po mbahet në Pragë të Çekisë.

Ceremonia solemne e hapjes u zhvillua në sallën Mayakovski të Teatrit Vinohrady, ku orkestra hapi festivalin me interpretimin e veprës shqiptare “Malësorja”, e cila u mirëprit me ovacione dhe duartrokitje nga publiku.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së orkestrës në një festival ndërkombëtar dhe rolin e saj në promovimin e Kosovës në arenën kulturore botërore.

Organizatorët dhe anëtarët e orkestrës shprehën mirënjohje për Ambasadën e Kosovës në Çeki për mbështetjen dhe angazhimin gjatë qëndrimit të tyre në Pragë, si dhe falënderuan publikun për përkrahjen e vazhdueshme.

Orkestra “Amadeus” do ta përfaqësojë Kosovën edhe në garën ndërkombëtare të orkestrave në kuadër të festivalit “Musica Orbis 2026”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti viziton Galerinë Kombëtare: Arti është udhërrëfyes i shoqërisë

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e artit pamor dhe institucioneve kulturore në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe zhvillimin e jetës publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ndau përshtypjet e tij nga ekspozitat e fundit, duke vlerësuar Galerinë Kombëtare si një hapësirë të rëndësishme për promovimin e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe për ndërtimin e identitetit kulturor të vendit.

“Arti nuk është vetëm reflektim i shoqërisë, por edhe udhërrëfyes i saj. Mbështetja për institucionet tona kulturore dhe krijuesit tanë mbetet prioritet, pasi përmes tyre prezantojmë vlerat tona më të mira para botës”, ka shkruar Kurti.

Gjatë vizitës, ai u njoftua edhe me projektet dhe sfidat e Galerisë Kombëtare, duke rikonfirmuar angazhimin e Qeverisë për rritjen e investimeve në infrastrukturën kulturore dhe për mbështetjen e artit bashkëkohor në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Podujeva mirëpret për të tretin vit Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”

Published

on

Podujeva ka mirëpritur për të tretin vit me radhë Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”, i cili edhe këtë vit e nisi rrugëtimin nga ky qytet, duke sjellë një atmosferë të veçantë kulturore.

Në Sheshin “Katër Dëshmorët”, qytetarët shijuan një mbrëmje të pasur me art, traditë dhe folklor, ku ansamble nga Bullgaria, Holanda, Kosta Rika dhe Greqia prezantuan vallet tradicionale, muzikën dhe veshjet karakteristike të vendeve të tyre.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se është kënaqësi që qyteti vazhdon të jetë nikoqir i një festivali me karakter ndërkombëtar, i cili promovon shkëmbimin kulturor, miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve.

Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit, organizatorët i ndanë një mirënjohje kryetarit Bulliqi. Nga ana e tij, ai u dorëzoi mirënjohje ansambleve pjesëmarrëse, duke i falënderuar për kontributin në promovimin e kulturave të tyre përmes muzikës dhe vallëzimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Americana” sjell sonte magjinë e muzikës amerikane në Sheshin “Skënderbeu”

Published

on

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë sonte, më 9 korrik 2026, koncertin “Americana” në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke filluar nga ora 20:30, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë kryevepra të muzikës amerikane, nga kompozitorë të njohur si George Gershwin dhe Leonard Bernstein.

Koncerti do të interpretohet nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa, duke sjellë një mbrëmje të veçantë me energji dhe emocione muzikore.

Hyrja në koncert bëhet me rezervim online./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara