Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje zyrtare Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që t’i dorëzojë nënshkrimet e deputetëve në rrugë institucionale dhe të bëjë të qartë emrin e kandidatit të tyre për president. Kurti u shpreh i gatshëm për kompromis, duke propozuar tërheqjen e njërës prej kandidateve aktuale për t’i hapur rrugë garës me propozimin e opozitës.
Gjatë konferencës për media, Kurti potencoi se nëse LDK-ja e zyrtarizon emrin, ai do të kërkojë nga Hatixhe Hoxha që të tërhiqet nga gara, në mënyrë që kandidati i LDK-së të garojë përballë Feride Rushitit.
“Ne me mirësinë dhe kënaqësinë më të madhe do t’i pranonim. Po ta kishim të qartë emrin e LDK-së, ne do ta takonim kandidaten Hatixhe Hoxha dhe do t’i kërkonim të tërhiqet. Neve duhet të na i sjellin ato nënshkrime dhe duhet të jetë e qartë për kë e kanë fjalën. Ajo listë tregon që ata janë bashkë, por për kë dhe për çka, ne nuk e dimë. Le të na e sjellin kandidatin dhe sonte Kosova bëhet me president ose presidente të re”, deklaroi Kurti.
Kryeministri u shpreh kritik ndaj mënyrës se si u prezantua lista e nënshkrimeve në orët e vona të natës, duke e quajtur atë një veprim mediatik dhe jo institucional. Sipas tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka bërë asnjë propozim konkret gjatë takimeve paraprake.
“Ju jeni dëshmitarë që Abdixhikun e kam takuar disa herë dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë propozim. Unë bëja propozime, ai bënte refuzime. Sa i përket paraqitjes së djeshme në orët e vona, ata dolën pas seancës, ndërsa gjatë seancës nuk pati asgjë. Letra me 15 nënshkrime duhet t’i ofrohej LVV-së në mënyrë institucionale, ose te shefja e grupit parlamentar, ose te unë. Ata emra duhet të m’i japin mua, jo juve të nderuar gazetarë”, përfundoi Kurti.
Kjo thirrje e kryeministrit vjen në një moment kritik për sigurimin e kuorumit dhe përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.