Lajmet

Besëtytnitë e Vitit të Ri

Këto besëtytni janë të trashëguara brez pas brezi.

Published

on

Njerëzit shpesh e shohin Vitin e Ri, si një mundësi për “t’ia filluar nga e para” apo si një “fillim të ri”, ndaj kryejnë rite të ndryshme duke besuar se ato do të sjellin mbarësi dhe fat përgjatë vitit të ardhshëm.

Këto besëtytni janë të trashëguara brez pas brezi në popuj me zakone e tradita të ndryshme, por të gjitha kanë një qëllim të përbashkët: Të largojnë të keqen e vitit të shkuar edhe të sjellin të mirën në Vitin e Ri.

1. Mbani nëpër shtëpi një valixhe bosh

Në Amerikën Latine, besohet se duke mbajtur një valixhe të vogël bosh në shtëpi, viti i ri do të jetë i mbushur plot me aventura dhe udhëtime të reja.

2. Vishni të brendshme të kuqe

Nëse doni që dashuria t’ju trokasë në derë, në vigjilje të Vitit të Ri vishni të brendshme të kuqe. Besohet se ato sjellin fertilitet dhe fat në dashuri.

3. Bëni shumë zhurmë

Filipinasit mendojnë se duke bërë zhurmë nëpër shtëpi, shpirtrat e këqij do të zhduken. Kështu që sugjerohet të këndoni, përplasni gotat dhe hidhni fishekzjarrë për fat!

4. Hani 12 kokrra rrush në mesnatë

Spanjollët sapo ora shënon 12:00 hanë 12 kokrra rrushi. Kjo traditë daton që nga 1880 dhe legjenda thotë që nëse ke arritur të hash 12 kokrra (1 për çdo muaj) para se ora të shkojë 12:01, fati i mbarë është me ty.

5. Pastro shtëpinë

Njerëzit në Amerikën Latine besojnë se pastrimi i shtëpisë, largon të gjithë negativitetin dhe të keqen nga familja dhe jeta jote.

6. Ose jo

Por sipas kinezëve nuk duhet ta pastrosh kurrsesi shtëpinë më 31 dhjetor, sepse largon fatin e mirë dhe mbarësinë që ke mbledhur gjatë vitit.

7. Vendosni para në kuletë

Pak para mesnatës fusni para në kuletë, pasi thuhet se kështu viti do të jetë i mbushur me prosperitet.

8. Hapni dyer e dritare

Pak para mesnatës, duhet të hapësh dyert për të lënë pas vitin e vjetër dhe për të mirëpritur Vitin e Ri. Sipas tyre, kjo bën që energjitë negative dhe e shkuara të lihen pas, ndërsa gjërat e reja dhe fati i mire të futen në jetën tuaj.

9. Puthni dikë në mesnatë

Ky është supersticioni më i njohur në mbarë botën: Nëse puth dikë në mesnatë, do të kesh fat në dashuri për të gjithë vitin.

10. Mos nxirrni asgjë nga shtëpia

Heqja e gjërave nga shtëpia, qofshin plehra apo sende që po dhuroni, mund të nënkuptojë që “ju të humbisni gjëra gjatë vitit të ardhshëm”. Bëjeni këtë para natës së Vitit të Ri, ose duke filluar nga 2 janari.

11. Mos jepni para borxh

Gjithashtu mos merrni borxh ose mos i paguani në atë ditë, borxhet që keni marrë. Kjo mund të bëjë që “të jetë viti i pagesave”. Mbajini kuletat mirë, për një vit me më shumë para.

12. Mos qani

Nuk duhet të derdhni asnjë pikë loti më 1 janar. Viti i Ri nuk duhet të fillohet me të qara. /A2

Botë

Zbulohet rrjeti i trafikimit të armëve në Podujevë: Armët ishin të fshehura në valixhe, të dyshuarit në arrati

Published

on

By

Një arsenal i konsiderueshëm armësh është sekuestruar nga Policia e Kosovës në Podujevë, pas një aksioni që zbuloi një tentativë për trafikim ndërkombëtar të armëve drejt Gjermanisë.

Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 17:30. Pas informacioneve të pranuara në rrugë operative, policia ka ushtruar kontroll në një depo, ku brenda dy valixheve ka gjetur dhe sekuestruar: Pesë armë të gjata automatike AK-47 (Kallashnikov), Një armë të gjatë të modelit M12, Një armë të gjatë të prodhuesit të panjohur, Një pistoletë të tipit Glock, Nëntë karikatorë dhe 144 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Sipas hetimeve të para, tre të dyshuar ishin organizuar që këtë sasi armatimi dhe municioni ta transportonin ilegalisht drejt qytetit Shtutgart të Gjermanisë.

Me urdhër të prokurorit, njësitet policore kanë bastisur shtëpitë e të dyshuarve, mirëpo të njëjtit nuk janë hasur aty dhe aktualisht ndodhen në arrati. Policia e Kosovës ka nisur kërkimin për kapjen e tyre, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë hetimore si “import, eksport, transportim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Qeveria ndan 3 milionë euro për mbulimin e kartonit të gjelbër për mërgatën

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe këtë vit mbulimin e policës kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë për vizitë në vendlindje gjatë sezonit veror.

Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar të mbajtur këtë të mërkurë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se për zbatimin e kësaj mase janë ndarë tre milionë euro.

“Sikurse në vitet paraprake, edhe këtë vit duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjete për të mbuluar policën kufitare apo kartonin e gjelbër për mërgatën tonë që vijnë me vetura. Propozim-vendimi parasheh ndarjen e 3 milionë eurove për zbatimin e masës 4.5 për mbështetjen e mërgatës, në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike”, deklaroi Murati, duke sqaruar se këto mjete transferohen direkt në dikasterin që ai udhëheq.

Përveç lehtësirave për diasporën, në këtë mbledhje u miratuan edhe 13 pika të tjera të rendit të ditës. Ndër to vlen të theksohet shqyrtimi i nismës për Marrëveshjen e Grantit që synon forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Po ashtu, ekzekutivi ka aprovuar ndarjen e buxhetit për financimin e disa projekteve kapitale në komunat: Mitrovicë e Jugut, Shtime, Pejë dhe Podujevë. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve nisin diskutimet për Qeverinë dhe Presidentin

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të respektohet nga të gjithë dhe vullneti i qytetarëve të përkthehet sa më shpejt në institucione funksionale e demokratike.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur këtë të mërkurë, Kurti theksoi se vota e qytetarëve ishte një mesazh i qartë. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, duke shtuar se vetë rezultati i fundit e dëshmoi një gjë të tillë.

“Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike për zhvillim e mirëqenie”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, hapat konkretë drejt formimit të strukturave të reja udhëheqëse do të nisin menjëherë pas përmbylljes së procesit zyrtar nga KQZ-ja.

“Porsa të certifikohet rezultati, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve – konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit/es”, u shpreh ai.

Nga procesi zgjedhor i 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me 7 deputetë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

U kap në Aeroportin e Prishtinës me pasaportë të falsifikuar, arrestohet shtetasi turk

Published

on

By

Një shtetas i Turqisë është arrestuar të martën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi ka tentuar të udhëtojë me dokumente të falsifikuara.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 09:40, kur i dyshuari ka prezantuar dokumentin e udhëtimit që dyshohet se ishte i falsifikuar.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, me vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara