Trepça ka regjistruar një fitore të madhe dhe dramatike ndaj skuadrës kroate Split, duke triumfuar me rezultat 94:88 në kuadër të xhiros së shtatë të Grupit A në FIBA Europe Cup. Në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, kampionia e Kosovës, e mbështetur fuqishëm nga tifozët, arriti ta përmbysë rezultatin në çerekun e fundit pas një përballjeje plot kthesa.
Mitrovicasit e nisën takimin me vështirësi, duke e mbyllur çerekun e parë në disavantazh prej tetë pikësh, 19:27. Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm në periudhën e dytë, të cilën Trepça e dominoi 32:19, duke shkuar në pushim me epërsi prej pesë pikësh, 51:46.
Në pjesën e dytë, Spliti u rikthye fuqishëm dhe me një seri prej 12 pikësh radhazi mori kontrollin e lojës (51:58), duke e çuar avantazhin deri në dhjetë pikë gjatë çerekut të tretë. Trepça nuk u dorëzua dhe rreth dy minuta para fundit të kësaj periudhe realizoi një seri 7:0, për ta ngushtuar rezultatin në 67:69.
Përmbysja e madhe ndodhi në çerekun vendimtar. Pesë minuta e 52 sekonda para fundit, Drilon Hajrizi shënoi nga vija e gjuajtjeve të lira për ta kaluar Trepçën në epërsi, 77:76, avantazh të cilin mitrovicasit e ruajtën me kujdes deri në sirenën e fundit për fitoren 94:88.
Më i dalluari te Trepça ishte Jean-Pierre Tokoto me 16 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime. Kontribut vendimtar në çastet kyçe dhanë edhe Drilon Hajrizi, me 18 pikë, dy kërcime e dy asistime, si dhe Andrew Thelwell, i cili realizoi gjithashtu 18 pikë, katër kërcime dhe tri asistime. Në anën tjetër, lojtari më efikas te Spliti dhe në gjithë ndeshjen ishte Nick Johnson me 30 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.
Me këtë sukses — i dyti ndaj Splitit pas fitores edhe në Kroaci — Trepça arrin në kuotën e 11 pikëve, me bilanc prej katër fitoreve dhe tri humbjeve. Mitrovicasit barazohen kështu me pikë me vetë skuadrën kroate, duke e lënë krejtësisht të hapur garën për vendin e dytë në Grupin A. /E.A /