Botë

BE-ja arrin pajtueshmëri për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

Published

on

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar të premten për miratimin e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, si dhe për uljen e çmimit tavan për eksportet e naftës ruse.

Paketa e 18-të e ndëshkimeve ekonomike ndaj Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e vendit fqinj më 2022, u miratua pasi Sllovakia hoqi dorë nga kundërshtimi disa javor, pas bisedimeve me Brukselin lidhur me planet për t’i hequr gradualisht importet e gazit rus.

BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më tani”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Çdo sanksion dobëson aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. Mesazhi është i qartë: Evropa nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. BE-ja do të vazhdojë të rrisë presionin derisa Rusia të ndalojë luftën”, shtoi ajo.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i njohur për qëndrimet e tij proruse, hoqi dorë nga kundërshtimi pasi mori “garancitë” e kërkuara nga Brukseli në lidhje me çmimet e gazit, ndërkohë që blloku synon t’i ndërpresë plotësisht importet ruse deri në fund të vitit 2027.

Si pjesë e sanksioneve të reja që synojnë t’i dobësojnë financimet për luftën e Rusisë, diplomatët thanë se BE-ja është pajtuar ta ulë çmimin tavan për naftën ruse të eksportuar në vendet e treta 15 për qind nën vlerën e tregut.

Kjo ndodh pavarësisht se aleatët e BE-së nuk arritën ta bindin presidentin amerikan, Donald Trump, ta mbështesë planin.

Tavani i çmimit është një nismë e G7-ës që synon ta kufizojë shumën e parave që Rusia fiton nga eksporti i naftës në vende si Kina dhe India.

Çmimi tavan për naftën, i vendosur në 60 dollarë nga G7 në vitin 2022, synon ta kufizojë çmimin me të cilin Moska mund të shesë naftë nëpër botë, duke ua ndaluar kompanive të transportit dhe atyre të sigurimeve që të merren me eksportet ruse mbi këtë shumë.

Sipas skemës së re të BE-së – që pritet të mbështetet nga aleatë të G7-ës si Britania dhe Kanadaja – niveli i ri do të nisë me 47.6 dollarë dhe mund të rregullohet në të ardhmen në përputhje me ndryshimet në çmimet e naftës.

Gjithashtu, zyrtarët thanë se BE-ja do të vendosë në listën e zezë mbi 100 anije të tjera të ashtuquajturës “flotë në hije”, që janë cisterna të vjetra të përdorura nga Rusia për t’i anashkaluar kufizimet për eksportin e naftës.

Po ashtu, parashikohen masa për t’ua pamundësuar tubacioneve të gazit në Detin Baltik, Nord Stream 1 dhe 2, të bëhen sërish në punë.

Sanksione do të vendosen edhe ndaj një rafinerie nafte në Indi që është në pronësi ruse dhe ndaj dy bankave kineze, pasi BE-ja po përpiqet të kufizojë lidhjet e Moskës me partnerët ndërkombëtarë.

Sanksionet e reja pritet të miratohen zyrtarisht nga ministrat e BE-së më vonë gjatë ditës së premte./REL

Lajmet

Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend

Published

on

By

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.

Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.

(more…)

Continue Reading

Aktualitet

Amerikanët dyshojnë në pretendimet e Trumpit për ekonomi “në lulëzim”

Published

on

By

Edhe pse presidenti Donald Trump ka deklaruar se ekonomia amerikane po lulëzon dhe inflacioni është zgjidhur, një sondazh i Reuters/Ipsos tregon se shumica e amerikanëve nuk pajtohen me këtë.

Sipas sondazhit, 68% e të anketuarve nuk besojnë se ekonomia po përjeton rritje të madhe, përfshirë edhe shumë republikanë. Brenda Partisë Republikane, opinionet janë të ndara: 56% mendojnë se ekonomia po lulëzon, ndërsa 43% nuk pajtohen.

Rezultatet vijnë ndërsa afrojnë zgjedhjet e pjesshme të Kongresit më 3 nëntor, ku republikanët do të mbrojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Pakistani nis sulme në Afganistan, ministri: “Luftë e hapur”

Published

on

By

Pakistani ka bombarduar caqe qeveritare në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, si dhe në Kandahar, ku është e vendosur udhëheqja talibane, thanë zyrtarë nga të dyja vendet të premten, ndërsa ministri pakistanez i Mbrojtjes e cilësoi konfliktin si “luftë të hapur”.

Sulmet ajrore pakistaneze shënojnë herën e parë që Islamabadi ka vënë në shënjestër drejtpërdrejt instalime të talibanëve, e jo militantë që pretendohet se mbështeten prej tyre, duke sinjalizuar një përçarje të thellë në marrëdhëniet mes dy fqinjëve islamikë, dikur aleatë të afërt.

Burime të sigurisë në Pakistan thanë se sulmet përfshinë raketa ajër-tokë ndaj zyrave dhe pikave ushtarake talibane në Kabul, Kandahar, si dhe në provincën Paktia. Gjithashtu, janë raportuar përleshje tokësore në disa sektorë përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Talibanët thanë se kanë nisur sulme hakmarrëse ndaj objekteve ushtarake pakistaneze.

Të dyja palët raportuan humbje të mëdha, duke dhënë shifra dukshëm të ndryshme, të cilat Reuters nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

“Durimit tonë i ka ardhur fundi. Tani është luftë e hapur mes nesh dhe jush (Afganistanit)”, deklaroi ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Si krahasohen ushtritë e Pakistanit dhe talibanëve afganë mes rritjes së tensioneve?

Published

on

By

Përleshjet ndërkufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit janë intensifikuar gjatë natës, me të dyja palët që pretendojnë humbje të mëdha, ndërsa ministri pakistanez i Mbrojtjes ka deklaruar se vendi i tij ndodhet në një “luftë të hapur” me fqinjin.

Ndërsa tensionet vazhdojnë, ja një vështrim se si Pakistani e tejkalon ndjeshëm Afganistanin për nga forcat ushtarake dhe arsenali, sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër.

Forcat e armatosura të Pakistanit përfitojnë nga rekrutimi dhe mbajtja e mirë e personelit, të mbështetura nga pajisje ushtarake të furnizuara nga partneri i tij kryesor në mbrojtje, Kina. Islamabadi vazhdon të investojë në programet e tij bërthamore dhe po modernizon gjithashtu marinën dhe forcën ajrore.

Ndërkohë, kapacitetet e forcave të armatosura të talibanëve afganë janë në rënie, për shkak të dobësimit të aftësisë për të përdorur pajisjet e huaja që grupi islamist mori pas rikthimit në pushtet në vitin 2021. Mungesa e njohjes ndërkombëtare të administratës talibane ka ndikuar po ashtu negativisht në modernizimin ushtarak.

Personeli

Pakistani ka rreth 660 mijë trupa aktive në forcat e tij të mbrojtjes, prej të cilëve 560 mijë në ushtri, 70 mijë në forcën ajrore dhe 30 mijë në marinë.

Forcat e talibanëve afganë janë dukshëm më të vogla, me rreth 172 mijë trupa aktive. Megjithatë, grupi ka njoftuar plane për ta rritur numrin në 200 mijë.

Mjetet luftarake dhe artileria

Pakistani disponon më shumë se 6 mijë mjete të blinduara luftarake dhe mbi 4,600 njësi artilerie.

Forcat afgane posedojnë gjithashtu mjete të blinduara, përfshirë tanke kryesore beteje të epokës sovjetike, transportues të blinduar personeli dhe mjete të tjera, por numri i saktë i tyre nuk dihet. Edhe numri i artilerisë që zotërojnë – të paktën tre lloje të ndryshme – mbetet i panjohur.

Forca ajrore

Pakistani ka një flotë prej 465 avionësh luftarakë dhe më shumë se 260 helikopterë, përfshirë helikopterë shumëfunksionalë, sulmues dhe transportues.

Afganistani nuk ka avionë luftarakë dhe praktikisht nuk ka një forcë ajrore funksionale. Dihet se posedon të paktën gjashtë avionë – disa prej tyre që datojnë nga periudha sovjetike – dhe 23 helikopterë, por nuk është e qartë sa prej tyre janë në gjendje funksionale.

Arsenali bërthamor

Pakistani është një shtet me armë bërthamore dhe posedon rreth 170 koka bërthamore, ndërsa Afganistani nuk ka arsenal bërthamor. /Retuers/

 

Continue Reading

Të kërkuara