Në Bibliotekën Qendrore të Kampusit UBT në Lipjan është promovuar libri më i ri i Prof. Dr. Halil Krasniqit, i titulluar “Religjioni dhe mjekësia – Besimi, shëndeti, jeta dhe rruga e njeriut drejt së vërtetës”. Ngjarja mblodhi familjarë, kolegë, profesorë, studentë e profesionistë të shëndetësisë e kulturës.
Vepra analizon raportin e thellë mes shkencës mjekësore dhe besimit, duke trajtuar lidhjen trup-shpirt, përballjen me sëmundjen dhe kërkimin e paqes së brendshme.
Gjatë fjalës së tij, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vuri në dukje se libri shërben si një pikëtakim thelbësor mes besimit dhe shkencës, veçanërisht në momentet kur njeriu përballet me dilema të brendshme.
“Ajo që profesori Halil e thotë edhe në libër është se religjioni dhe mjekësia janë një ftesë për dialog ndërmjet mjekut dhe pacientit, shkencës dhe etikës, trupit dhe shpirtit, dijes dhe besimit. A është ky një formulim i qëndrueshëm? Po, sepse e gjejmë në pjesën praktike atëherë kur njeriu përballet me ato shqetësimet e veta të brendshme,” u shpreh Sejdiu.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi gjithashtu kontributin e gjatë të Dr. Krasniqit në akademi dhe mjekësi, duke e cilësuar librin si një hap të guximshëm për të hapur debate të nevojshme shoqërore.
“E falënderoj doktor Halilin për kontributin e tij në gjenerimin e dijeve përmes punës si profesor në UBT, si dhe e vlerësoj jashtëzakonisht shumë përkushtimin e tij në fushën e mjekësisë. Libri i tij i fundit është mjaft interesant dhe sfidues… Një guxim i tillë është i nevojshëm, sepse kemi nevojë të debatojmë për çështje që lidhin religjionin me shëndetin,” theksoi Hajrizi.Në përmbyllje, vetë autori Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi tregoi se shtysa kryesore pse një kirurg i përkushtohet shkrimit lidhet drejtpërdrejt me vlerën e vetë njeriut dhe forcën hyjnore që udhëheq jetën.
“Shtrohet pyetja se pse shkruan një mjek, një kirurg, vendi i të cilit është në sallën e operacionit pranë pacientëve? Përgjigja ime është shumë e thjeshtë: të gjitha librat shkruhen për njeriun — qenien më të përsosur, e cila vuan, sëmuret, përjeton faza të ndryshme të jetës dhe që është ajo që e ndryshon botën. E në ndikimin e njeriut ekziston edhe një forcë natyrore që e quajmë Zot (Allah), i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin, jetën dhe vdekjen e njeriut,” përmbylli Krasniqi.
