Lajmet

Barnat shiten pa fletudhëzim në gjuhë shqipe

Shitja pa fletudhëzim në gjuhë zyrtare, e kundërligjshme.

Published

on

Në barnatoret e Kosovës shiten barna që nuk kanë fletudhëzim në gjuhët zyrtare: shqip ose serbisht.

Një prej tyre është medikamenti “Sintredius”, i cili, ndonëse është i pranishëm në treg të Kosovës, fletudhëzimin e ka vetëm në gjuhën italiane.

Fletudhëzimi është ai që e shoqëron produktin medicinal dhe përmban informata për përdoruesin e tij – nga sasia që duhet të merret deri tek efektet anësore që mund t’i shkaktojë.

Një qytetare në Prishtinë, e cila ka dashur të identifikohet vetëm me inicialet Sh.L., thotë për Radion Evropa e Lirë se është përballur drejtpërdrejt me produktin “Sintredius”.

“Këtë bar, mjeku ia ka përshkruar fëmijës tim 1 vjeç e 4 muaj, me bronkit akut. Pasi e kam blerë në barnatore, kam dashur t’i lexoj efektet anësore. Kështu veproj çdoherë, por gjithçka ishte në gjuhën italiane dhe nuk e kuptoja”, rrëfen Sh.L. dhe thotë se zgjidhjen e ka bërë duke kërkuar në internet.

Nga përkthimi që i ka bërë REL fletudhëzimit del se “Sintredius” përdoret, mes tjerash, për trajtimin e llojeve të caktuara të alergjive, gjendjeve inflamatore dhe sëmundjeve autoimune. Aty, po ashtu, ka informacione për mënyrën e përdorimit te të rriturit dhe fëmijët, si dhe për efektet e mundshme anësore.

Fletudhëzimi në gjuhën italiane i një ilaçi që shitet në barnatoret e Kosovës.
Fletudhëzimi në gjuhën italiane i një ilaçi që shitet në barnatoret e Kosovës.

REL ka vizituar disa barnatore në Prishtinë, por përfaqësuesit e tyre nuk kanë pranuar të flasin hapur për shitjen e produkteve medicinale pa fletudhëzim në dy gjuhët zyrtare të Kosovës.

Disa farmacistë, megjithatë, nuk e shohin si problematike këtë çështje.

Duke folur në kushte anonimiteti, ata thonë se për secilin produkt që shitet, blerësi këshillohet se si ta përdorë atë, ndërsa informohet edhe për efektet e mundshme anësore.

“Disa kanë fletudhëzim në shqip e disa nuk kanë”, thotë një farmaciste e një barnatoreje në Lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Shitja pa fletudhëzim në gjuhë zyrtare, e kundërligjshme

Me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë, shitja e produkteve medicinale pa fletudhëzim në gjuhët zyrtare është e ndaluar.

Kjo nënkupton që secili produkt medicinal duhet të ketë fletudhëzim në shqip dhe në serbisht.

Përgjegjëse për lëshimin e licencave për veprimtarinë e farmacive në Kosovë dhe të lejeve për import dhe eksport të produkteve dhe pajisjeve medicinale është Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale (APPM).

Ushtruesi i detyrës së shefit të APPM-së, Arian Ahmeti, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se kompanitë farmaceutike janë të obliguara të plasojnë në treg produkte medicinale me fletudhëzime në gjuhët zyrtare.

Sipas tij, kompania që e prodhon produktin medicinal dhe që e dërgon në tregun e Kosovës, është e obliguar që atë ta shoqërojë me fletudhëzimin në gjuhët zyrtare të vendit ku e eksporton – në këtë rast Kosovës.

Në rastet kur kjo nuk përfillet, duhet të lajmërohet Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë ai.

Inspektorati Farmaceutik thotë se kryen inspektime në baza ditore në pikat doganore, të autorizuara për zhdoganim të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Drejtoresha e këtij inspektorati, Remzije Thaqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2021 janë kryer 694 inspektime dhe se në dhjetë raste janë gjetur produkte medicinale pa fletudhëzim në gjuhët zyrtare.

“Për të gjitha këto raste janë marrë masa sipas dispozitave ligjore në fuqi, me ç‘rast importuesi është obliguar ta tërheqë produktin pa fletudhëzim [në gjuhë zyrtare] nga tregu dhe të mos e shpërndajë derisa të pajiset me fletudhëzim në gjuhët zyrtare”, thotë Thaqi.

Doganat nuk mbajnë përgjegjësi

I pyetur se si produktet pa fletudhëzim në gjuhët zyrtare të Kosovës kanë hyrë në tregun e Kosovës, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kjo çështje nuk është obligim ligjor i këtij institucioni.

“Kur vjen një kontingjent me barna… pra, te produktet medicinale janë inspektoratet e veçanta. Gjatë inspektimit të produkteve medicinale është Inspektorati Farmaceutik. Dogana, këto mallra i trajton vetëm në aspektin e sasisë, taksave e të tjera. Çështjet tjera, si p.sh.: a kanë fletudhëzim në gjuhë zyrtare, i trajton Inspektorati Farmaceutik”, thotë Stavileci për Radion Evropa e Lirë.

Inspektorati Farmaceutik nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si kanë hyrë në Kosovë barnat pa fletudhëzim në gjuhën shqipe dhe serbe.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, thotë se blerja e një produkti pa fletudhëzim të tillë, shkakton probleme dhe vështirësi për pacientët.

“Pavarësisht sqarimeve që i bën mjeku dhe farmacisti, pacienti shpeshherë ka nevojë të lexojë dhe të mësojë më shumë për atë produkt medicinal”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Jakupi thotë se janë evidentuar raste edhe kur pacienti, në mungesë të informacionit, nuk e ka marrë terapinë në mënyrë të duhur dhe rrjedhimisht, thotë ai, ka dëmtuar shëndetin.

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara