Aktori Dwayne “The Rock” Johnson u përfshi nga emocionet gjatë premierës së filmit të tij më të ri, “The Smashing Machine”, në Festivalin e Filmit në Venecia, ku publiku e priti me duartrokitje të pandërprera që zgjatën plot 15 minuta.
Në pamjet e shpërndara, ai shihet duke fshirë lotët krahas koleges në film, Emily Blunt, ndërsa salla shpërthen në ovacione të fuqishme. Gazetari i “Variety”, Ramin Setoodeh, e përshkroi skenën si një nga momentet më prekëse të këtij edicioni:
Johnson po qante gjatë 15 minutave të ovacioneve në Venecia për “The Smashing Machine”. Ky ishte momenti më emocional që kemi parë në Lido që nga koha kur Brendan Fraser nisi këtu fushatën për Oscar me “The Whale” katër vite më parë.
Ky reagim ka ngjallur spekulime se The Rock mund të jetë pretendent serioz për nominim për Oscar. Krahasimet me Brendan Fraser më 2022, kur u rikthye në Venecia e fitoi Oscar-in për aktorin më të mirë, janë tashmë të pashmangshme.
“The Smashing Machine”, me regji dhe skenar të Benny Safdie, është dramë sportive ku Johnson portretizon legjendën e MMA-së, Mark Kerr, jeta e të cilit u bë më parë subjekt i një dokumentari të suksesshëm të HBO.
Krahas tij, Emily Blunt interpreton rolin e Dawn, të dashurës së Kerr, duke shënuar bashkëpunimin e dytë pas “Jungle Cruise”.
Premiera amerikane e “The Smashing Machine” është caktuar për 3 tetor, pritshmëritë janë të larta që ky rol të jetë një nga interpretimet më të rëndësishme të karrierës së Johnson.