Lajmet

Banka Botërore përkrah reformat për fuqizimin e financave publike dhe rritjes së qëndrueshme në Kosovë

Ky financim mbështet prioritete të përzgjedhura nga Programi i Qeverisë për periudhën 2021–2025.

Published

on

Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore ka miratuar sot Financimin e Politikave Zhvillimore (FPZH) për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme, që do të mbështesë reformat e Kosovës drejt përmirësimit të transparencës fiskale, zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes së qëndrueshmërisë mjedisore pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.

Ky financim, në vlerë prej 50.6 milionë euro (56.4 milionë dollarë), mbështet prioritete të përzgjedhura nga Programi i Qeverisë për periudhën 2021–2025.

“Reformat e përkrahura nga ky operacion do të mbështesin Qeverinë e Kosovës në rrugëtimin për rritje më të qëndrueshme përtej recesionit të shkaktuar nga COVID-19”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Pandemia ishte një barrë e rëndë për pozicionin fiskal të qeverisë në dy vitet e fundit. Në rrugën përpara, dhe pas një ringjalljeje të fortë të rritjes ekonomike në vitin 2021, Banka Botërore thotë se do të jetë e rëndësishme që autoritetet të ruajnë dhe të konsolidojnë politikën fiskale për të siguruar hapësirë të duhur për adresimin e boshllëqeve të konsiderueshme zhvillimore dhe për të promovuar uljen sa më të shpejtë të varfërisë. Në këtë kontekst, FPZH do të mbështesë masat që synojnë përmirësimin e transparencës fiskale, me synimin e rritjes së qëndrueshmërisë në periudhë afatmesme.

Pandemia ka rritur gjithashtu rëndësinë e një mjedisi më mbështetës për sektorin privat drejt arritjes së synimeve të Kosovës për rritje më të lartë ekonomike dhe ulje më të shpejtë të varfërisë.

Banka Botërore thotë se sektori privat në Kosovë mbetet nën nivelin e pritur sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit.

“Ndër faktorët kufizues janë barra dhe pasiguria rreth kuadrit rregullativ, numri i lartë i kërkesave për licencim dhe inspektime biznesi, furnizimi jo i duhur me energji, dhe kuadri i paplotë ligjor për tregtinë elektronike, përfshirë këtu identifikimin elektronik. FPZH do të mbështesë një sërë masash [të Qeverisë] për të përmirësuar mjedisin mbështetës për zhvillimin e sektorit privat”, vijon komunikata e BB.

Sipas BB-së, qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja e rritjes ekonomike në Kosovë është gjithashtu e rrezikuar ndjeshëm nga sfidat urgjente mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

“Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime më të shpeshta dhe më të rënda. Prodhimi i energjisë, i varur shumë nga lëndët djegëse fosile, dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, kontribuojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe degradimin e mjedisit dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve të vendit, duke rrezikuar perspektivën afatgjate të rritjes ekonomike të Kosovës. Për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për një tranzicion të gjelbër, FPZH do të mbështesë gjithashtu reformat mjedisore në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe menaxhimin e mbeturinave”, vijon BB.

FPZH financohet me një kredi koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka një kohëzgjatje (maturim) prej 25 vitesh, me fillim të shtyer pagese (grejs-periudhë) prej 5 vjetësh. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Rajoni

Spiropali premton mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën diskutoi për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se pas heqjes së masave kufizuese është momenti që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat. Ajo shtoi se Shqipëria do të vazhdojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përparimin drejt BE-së dhe NATO-s.

“Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit per heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën”, nënvizoi Spiropali.

Continue Reading

Vendi

Konjufca dhe Spiropali: Thellim i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri dhe paralajmërim i mbledhjes së përbashkët

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si vëllazëror takimin me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali.

Në një konferencë për media, Konjufca theksoi se pritet thellim i mëtejshëm i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe diplomatik mes dy vendeve.

“Takime vëllazërore që e ndajnë fatin e përbashkët historik. Presim thellim mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në diplomaci të përbashkët”, tha ai.

Nga ana e saj, Spiropali nënvizoi se Kosova mbetet prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se Tirana do të intensifikojë lobimin për njohje të reja të shtetit kosovar.

Ajo gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e një trajtimi të drejtë dhe të paanshëm të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se lufta në Kosovë ka qenë për liri dhe jo për pushtet.

“Drejtësi e plotë dhe pa shkelje të standardeve ndërkombëtare. Nuk mund të injorohet fakti se në Kosovë ka pasur spastrim etnik… Lufta e Kosovës nuk ishte për pushtet, por për liri”, tha Spiropali.

Gjatë vizitës, ministrja e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi gjithashtu mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë sivjet, ku do të diskutohen marrëveshjet e nënshkruara më parë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë për marrëveshje të reja.

“Biseduam për takimin e përbashkët të dy qeverive dhe besojmë se brenda vitit 2026 do të mbahet një mbledhje në Shqipëri ose Kosovë, ku do të diskutohen të gjitha marrëveshjet e mëparshme, fushat me interes të përbashkët dhe të gjitha prioritetet që po implementohen, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja”, tha Spiropali.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur deri tani tetë mbledhje të përbashkëta. E nënta, e planifikuar për 14 qershor 2023, ishte anuluar njëanshëm nga Tirana. /Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Spiropali: Prekazi na kujton se liria ka çmim

Published

on

By

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, vizitoi sot Prekazin, ku u përul në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, së bashku me Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Ajo u prit në Kullën e Jasharajve nga Rifat Jashari.

Gjatë vizitës, Spiropali theksoi rëndësinë e vendimit të familjes Jashari për të mos u dorëzuar dhe reflektimin mbi çmimin e lirisë.

“Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë. Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon të jemi të denjë.”

Kjo vizita thekson lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe respektin për sakrificën që bëri të mundur lirinë e vendit.

Continue Reading

Lajmet

Elisa Spiropali për vizitë zyrtare në Kosovë, takime me krerët e shtetit

Published

on

By

Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ajo fillimisht do të pritet në takim nga homologu i saj, Glauk Konjufca, i cili njëherësh mban edhe postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, në objektin e MPJD-së.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Spiropali do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Albin Kurtin në orën 12:35 dhe me pas me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Në agjendën e saj janë paraparë gjithashtu takime me kryetarë të partive parlamentare në Kosovë.

Continue Reading

Të kërkuara