Lajmet

​Banka Botërore me një raport për rajonin: Tregon ku duhet të investohen të paktën 37 miliardë dollarë

Published

on

Grupi i Bankës Botërore ka publikuar sot një raport, ku thuhet se së bashku gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim me për një mbrojtje eficente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike.

Në raportin rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore, i cili u botua sot thotë se përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Investimet në këtë kuadër do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, pasurive dhe rënies së prodhimtarisë, si dhe do të kontribuonin në rritje më të shpejtë ekonomike. Për këtë rajon, që aktualisht është i ndikuar seriozisht nga ndryshimet klimatike, mosveprimi nuk është alternativë e mundshme. Për shembull, përmbytjet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi dy milion njerëz gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që ndikimet priten të përkeqësohen në kuadër të reshjeve më ekstreme që priten. Zjarret janë një tjetër kërcënim gjithnjë e më i madh. Në vitin 2021 janë regjistruar 1.500 syresh, me rritje prej 21% krahasuar me dhjetëvjeçarin e fundit. Thatësirat po ndikojnë negativisht prodhimin bujqësor, ndërsa valët e të nxehtit po rrisin ndotjen e ajrit, duke shkaktuar mijëra vdekje të parakohshme në Ballkanin Perëndimor çdo vit”, thuhet në një komunikatë të Bankës Botërore.

“Ndryshimet klimatike janë kërcënim i qartë ndaj zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, tha Xiaoqing Yu, drejtor vendi i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Kostot e investimeve për përshtatje janë të konsiderueshme. Por, lajmi i mirë është që përfitimet e tyre janë edhe më të mëdha. Përgatitja për rreziqet klimatike na mundëson të shpëtojmë jetë, të mbrojmë komunitetet vendore, dhe të nxisim rritjen ekonomike”.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1$ i investuar përkthehet në rreth 4 dollarë përfitime.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu duhet të pakësojnë shkarkimet e tyre të gazrave serrë, me qëllim që të vijojnë të konkurrojnë, të përforcojnë sigurinë e energjisë dhe të tërheqin investime ndërkombëtare. Megjithatë, arritja e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 në përmbushje të objektivave evropianë, do të kërkonte investime shtesë me vlerë prej 32 miliard Dollarë. Shkarkimet e gazrave serrë në nivelin zero neto në mbarë ekonominë deri në vitin 2050 janë të arritshme nëse energjia diellore, e erës dhe ajo hidrike arrijnë të prodhojnë 95% të të gjithë energjisë, çka do të përbënte rritje të konsiderueshme krahasuar me nivelin aktual të një të tretës të të gjithë prodhimit energjetik. Për më tepër, shkarbonizimi i sektorit të ndërtimit përmes investimeve për eficiencën e energjisë është element thelbësor. Edhe sektori i transportit duhet të transformohet thellësisht përmes uljes së kërkesës për mjete dhe kalimit drejt mënyrave më të qëndrueshme të transportit dhe tranzicionit drejt mjeteve elektrike”, thuhet në raport.

Raporti thekson se një pjesë e konsiderueshme e financimit mund të vijë nga sektori privat. Megjithatë, me qëllim vënien në lëvizje të investimeve private, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të garantojnë kuadro ligjore të qëndrueshme dhe tregje financiare tërheqëse për të nxitur shoqëritë të angazhohen në mundësitë që krijohen nga tranzicioni.

“Përshtatja me ndryshimet klimatike është element kyç për vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim rritjen e potencialit dhe nxitjen e rritjes së fuqishme dhe të qëndrueshme”, tha Nicolas Marquier, Menaxher Rajonal i IFC- për Ballkanin Perëndimor. “Në këtë kuadër, pjesëmarrja e sektorit privat është thelbësore. Raporti paraqet një shteg të qartë me afatet përkatëse për arritjen e këtij ndryshimi drejt zeros neto dhe për të garantuar mbrojtjen dhe përfitimet e komuniteteve vendore nga ky tranzicion i gjelbër”.

CCDR-ja për Ballkanin Perëndimor rekomandon një sërë politikash me qëllim udhëzimin e tranzicionit të rajonit drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Këto rekomandime janë të organizuara në tre kategoritë e mëposhtme të politikave:

• Të ndërthurura: Është e nevojshme që përpjekjet për përshtatje dhe zbutje të integrohen në të gjitha institucionet, me qëllim zbatimin e veprimeve të efektshme për ndryshimet klimatike. Për shembull, duhet të ngrihen agjenci ose komisione të specializuar dhe të përqendruara tek klima, dhe angazhimet kombëtare për ndryshimet klimatike duhet të shërbejnë si kapacitet këshillimor për të gjitha çështjet që lidhen me klimën:

• Ndërkufitare: Bashkëpunimi ndërkufitar është thelbësor për trajtimin e risqeve klimatike që shkojnë përtej kufijve gjeografikë. Forcimi i institucioneve rajonale është veprim kyç për mundësimin e bashkërendimit në fusha si sistemet e paralajmërimit të hershëm, menaxhimin e burimeve të përbashkëta, ose sistemet e harmonizuara të energjisë.

• Të synuara: Trajtimi i nevojave të veçanta të komuniteteve të cenueshme është element thelbësor për zgjidhjet e efektshme dhe zbatimin e politikave. Politikat e synuara përfshijnë reformat në arsim dhe formim me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore, si dhe përpjekjet për zbatimin e praktikave inteligjente në lidhje me klimën.

Grupi i Bankës Botërore po ndihmon vendet të frenojnë shkarkimet e karbonit dhe të rrisin aftësitë ripërtëritëse ndaj motit ekstrem. Grupi po përcakton një pikësynim ambicioz për t’i kushtuar 45% të financimeve të veta veprimeve klimatike brenda vitit 2025, të cilat do të ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet zbutjes dhe përshtatjes. Gjatë viteve fiskale 2023 dhe 2024, Banka Botërore angazhoi rreth 1,2 miliard dollarë për financime që lidhen me klimën në Ballkanin Perëndimor.

Informacion për Raportet e Klimës dhe Zhvillimit në Vend

Raportet e Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin në Vend janë raporte të reja diagnostikuese themelore që integrojnë konsideratat e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit. Ato i ndihmojnë vendet t’i japin përparësi veprimeve me më shumë ndikim që mund të pakësojnë shkarkimet e gazrave serrë (GS) dhe të përshpejtojnë përshtatjen, ndërkohë që ndihmojnë në realizimin e synimeve më të gjera të zhvillimit. CCDR-të bazohen në të dhëna dhe kërkime rigoroze dhe identifikojnë rrugët kryesore të uljes së shkarkimeve të GS-ve dhe pakësimit të cenueshmërive klimatike, përfshirë këtu kostot dhe sfidat, si dhe përfitimet dhe mundësitë që rrjedhin nga këto veprimtari. Raportet sugjerojnë veprime konkrete dhe me përparësi në mbështetje të tranzicionit me aftësi ripërtëritëse drejt nivelet më të ulëta të karbonit. Si dokumente publike, CCDR-të synojnë të informojnë qeveritë, qytetarët, sektorin privat dhe partnerët për zhvillim, si dhe të mundësojnë angazhimin dhe agjendën për zhvillimin dhe klimën. CCDR-të do të kontribuojnë informacion për instrumente të tjera themelore diagnostikimit të Grupit të Bankës, angazhimet në vendet përkatëse dhe operacionet, si dhe do të ndihmojnë në thithjen e fondeve dhe financimit të drejtpërdrejtë për veprime.

Lajmet

United Hospital në shërbim të shëndetit të meshkujve – diagnostikimi i hershëm i kancerit të prostatës, prioritet i mjekësisë moderne

Published

on

By

Në një kohë kur diagnostikimi i hershëm përbën një nga faktorët më të rëndësishëm në luftën kundër sëmundjeve malinje, United Hospital, si një nga institucionet më të mëdha private shëndetësore në Kosovë, po promovon rëndësinë e kujdesit parandalues, diagnostikimit profesional dhe qasjes bashkëkohore ndaj shëndetit të pacientëve.

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese Nëntori Blu, të dedikuar shëndetit të meshkujve, United Hospital vë në pah rëndësinë e kontrolleve të rregullta urologjike dhe zbulimit në kohë të kancerit të prostatës, një ndër sëmundjet malinje më të përhapura te meshkujt në nivel global. Sfida kryesore e kësaj sëmundjeje qëndron në faktin se në fazat fillestare mund të zhvillohet pa simptoma të dukshme, duke e bërë kontrollin parandalues një domosdoshmëri dhe jo thjesht një rekomandim shëndetësor.

Një rol të rëndësishëm në vlerësimin e shëndetit të prostatës ka analiza e PSA-së (Antigjeni Specifik i Prostatës), e cila realizohet përmes një analize të thjeshtë gjaku. Vlerat e rritura mund të sinjalizojnë ndryshime të ndryshme në prostatë, përfshirë zmadhimin beninj, inflamacionin apo mundësinë e një procesi malinj. Megjithatë, PSA-ja nuk përbën e vetme një diagnozë të kancerit, por është një instrument i rëndësishëm në vlerësimin e mëtejshëm nga specialisti i urologjisë.

Sipas rekomandimeve të Shoqatës Evropiane të Urologjisë (EAU), diskutimi për testimin e PSA-së mund të fillojë nga mosha 50-vjeçare te meshkujt me rrezik mesatar, ndërsa te ata me histori familjare të kancerit të prostatës rekomandohet të fillojë më herët, zakonisht nga mosha 45-vjeçare.

Me infrastrukturë moderne, teknologji bashkëkohore dhe staf profesional, United Hospital synon të ofrojë standarde të avancuara të shërbimeve shëndetësore, duke e vendosur pacientin, sigurinë dhe cilësinë e kujdesit në qendër të angazhimit institucional.

Mesazhi i këtij nëntori është i qartë: shëndeti nuk duhet të presë shfaqjen e simptomave. Kontrolli në kohë mund të bëjë dallimin vendimtar. Kujdesi për veten është përgjegjësi, ndërsa diagnostikimi i hershëm është një hap i rëndësishëm drejt trajtimit më të suksesshëm.

United Hospital – profesionalizëm, teknologji dhe përkushtim për shëndetin tuaj.

Nëntori Blu në United Hospital: Kontrolle të specializuara urologjike me paketa promocionale për zbulimin e hershëm të kancerit të prostatës

Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “Nëntori Blu”, e cila i kushtohet ndërgjegjësimit për shëndetin e meshkujve dhe luftës kundër kancerit të prostatës, United Hospital ka ndërmarrë një iniciativë sensibilizuese dhe shëndetësore, duke ofruar dy paketa të veçanta kontrollesh urologjike me çmime promocionale.

Duke qenë se kanceri i prostatës mund të zhvillohet për një kohë të gjatë pa shfaqur simptoma të dukshme, diagnostikimi i hershëm dhe kontrollet periodike përbëjnë një element thelbësor në identifikimin e ndryshimeve patologjike dhe në përcaktimin e trajtimit të duhur. Në këtë drejtim, United Hospital synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbime profesionale diagnostikuese.

Nën kujdesin e Dr. Ardit Nelës, specialist i Urologjisë, pacientëve u ofrohen dy paketa të dedikuara për vlerësimin e shëndetit urologjik, të cilat përfshijnë vizitën specialistike, ekzaminimin ultrasonografik dhe analizat përkatëse laboratorike.

Paketa e parë urologjike, e cila nga çmimi i rregullt prej 70.50 euro ofrohet me çmim promocional prej vetëm 30 eurosh, përfshin:

Vizitë te specialisti urolog dhe ECHO (ultratingull).

Hemogram.

Ure dhe kreatininë.

Glikemi.

Analizë të urinës.

Analizën PSA.

Paketa e dytë urologjike, nga 72 euro në vetëm 30 euro, përfshin:

Vizitë te specialisti urolog dhe ECHO (ultratingull).

Hemogram.

Sedimentacion.

Analizë të urinës.

Urinokulturë me antibiogram.

Përmes kësaj oferte, United Hospital synon të ndërthurë ekspertizën profesionale, diagnostikimin bashkëkohor dhe qasjen më të lehtë të pacientëve në shërbimet shëndetësore, duke e vendosur parandalimin dhe kujdesin për shëndetin në qendër të vëmendjes.

Mesazhi i kësaj fushate është i qartë: mungesa e simptomave nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesën e sëmundjes. Prandaj, kontrollet periodike dhe konsultat me specialistët mbeten hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit.

📞 Terminet dhe informatat: 046 60 70 70

📍 United Hospital – M2 Prishtinë–Ferizaj, kilometri i 7-të, Prishtinë

Për informata dhe termine:

Tel: 046 60 70 70

Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Pranim-dorëzimi i raporteve për vrasjen e Arlinda Zekajt përplas anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.

Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.

Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.

Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

LDK reagon ndaj Presidencës: Largimi i fotos së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë është i papranueshëm

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në hapësirat e Presidencës.

Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja theksoi se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Sipas kësaj partie, trajtimi i simboleve të tilla historike si thjesht elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe cënon vazhdimësinë institucionale.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova të vendosur nga ish-Presidentja Osmani si dhe të Deklaratës së Pavarësisë të vendosur nga ish-Presidenti Sejdiu në vendet e tyre zyrtare të nderit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara