Lajmet

Avokati Jashari: Kosova po tregon përkushtim serioz në luftën kundër spiunazhit

Published

on

Kosova ka nisur edhe luftën kundër spiunazhit, e institucionet e sigurisë tashmë kanë gjetur dhe fakte me të cilat i ngarkon disa persona, mesin e tyre dhe shqiptarë të cilët nuk hezituan të bëjnë argatin e Inteligjencës serbe-BIA.

Avokati Arbër Jashari ka lavdëruar Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), e cila e ka cilësuar veprimtarinë e spiunazhit si krim serioz që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

“Kosova për vite të tëra ka qenë, si të thuash, një oazë e shërbimeve të huaja, përfshirë edhe atyre që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Nga vendet të cilat janë jo miqësore me Republikën e Kosovës, siç është Republika e Serbisë, ku ato kanë operuar pa e parë pasojën ose frikën se mund të zihen, të zbulohen apo dhe të arrestohen, viteve të fundit, sidomos nga viti 2023 e tutje, kemi parë një përkushtim më të madh të institucioneve të sigurisë, siç është Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe strukturat e sigurisë, të cilët kanë arrestuar disa persona; madje ka prej tyre që janë akuzuar nga prokuroria në një procedurë të mëtejshme dhe janë shpallur fajtorë. Kishim rastin ku një zyrtar i lartë, i cili ka punuar më herët në strukturat e shtetit të Kosovës, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Disa raste janë në pritje e sipër. Kemi rastin e atyre personave në Ferizaj, Bedri Shabani dhe Muharremi Qerimi, për të cilët është ngritur aktakuzë në shkallë të parë dhe tashmë pritet vetëm vendimi i Apelit,” ka deklaruar Jashari.

Jashari ka përmendur edhe rastin e punonjës së OSBE-s, Jelena Gjukanoviq.

“Kemi raste, siç është ish-punëtorja e OSBE-së, të cilëve u është ngritur aktakuzë. Kemi parë një përkushtim të madh të institucioneve të sigurisë së Kosovës në luftimin e spiunazhit. Krejt kjo punë ka rezultuar me arrestime, aktakuza dhe në një rast apo dy ka pasur edhe aktgjykim. Është mirë që organet e Kosovës janë vetëdijesuar dhe kanë arritur në atë nivel që ta luftojnë këtë dukuri, sepse është dukuri e rrezikshme e cila natyrisht i bën dëm shtetit të Kosovës dhe tenton ta luftojë, ta minojë shtetësinë e Kosovës nga brenda. Përderisa të ketë struktura të organizuara të spiunazhit në shtetin e Kosovës, atëherë kjo paraqet një rrezik për sigurinë e këtij shteti”, tha ai.

Më tej ai ka thënë se Kosova ka qenë terren i shërbimeve të huaja, me theks ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.

“Tani është koha kur institucionet e Kosovës kanë arritur një pjekuri dhe maturi dhe kanë arritur në një stad dhe në atë nivel që t’i identifikojnë dhe t’i kapin. Ndoshta në të kaluarën ky kriminalitet, sepse spiunazhi është krim, nuk ka qenë shumë prioritet i vetë institucioneve – për arsye që nuk i di. Fakti që ka pasur një mobilizim të madh kohëve të fundit tregon për një qasje të re të institucioneve, krahasuar me të kaluarën. Kemi një luftë më serioze nga ana e organeve të sigurisë kundër spiunëve dhe spiunazhit, i cili është i dëmshëm dhe nuk dyshoj që në të kaluarën, përmes kësaj veprimtarie kriminale të agjenturës, janë bërë shumë dëme shtetit të Kosovës”, shtoi avokati.

Të martën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur gjykimi fillestar ndaj  Jelena Gjukanoviqit, e cila po akuzohet për spiunazh nga Prokuroria Speciale. Kjo e fundit, para trupit gjykues, nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që i ngarkohen.

Sipas aktakuzës Gjukanoviq ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, Agjentit Rezident të BIA-së, Aleksandër Vllaiq.

Kujtojmë se deri më tani veç Gjukanoviqit, në Kosovë për spiunazh te BIA serbe janë arrestuar, Bedri Shabani, Muharrem Qerimi, Aleksandër Vllajiq, Bojan Jevtiq dhe Hysri Selimi./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

IHMK me paralajmërim për motin sot: Priten reshje shiu, rrufe e mundësi për breshër

Published

on

By

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se gjatë ditës së sotme, më 21 korrik, mbi territorin e vendit do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme.

Sipas parashikimit, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave, të cila vende-vende do të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.

Në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e rrebesheve më intensive, erërave të fuqishme dhe paraqitjes së breshrit.

“Reshjet do të kenë karakter lokal dhe nuk do të përfshijnë tërë territorin e vendit. Për këtë arsye, në disa rajone mund të ketë stuhi afatshkurtra, ndërsa në rajone të tjera moti do të mbetet kryesisht i thatë,” sqaron IHMK.

Temperaturat maksimale pritet të lëvizin ndërmjet 31°C dhe 33°C, ndërsa era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, e cila mund të fuqizohet përkohësisht në zonat me stuhi.

IHMK u rekomandon qytetarëve që të ndjekin përditësimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura në rast të stuhive apo erërave të forta.

Continue Reading

Lajmet

ESTOFEX vendos Kosovën në nivelin më të lartë të rrezikut për stuhi dhe breshër të madh

Published

on

By

Kosova është përfshirë në zonën me nivelin më të lartë të rrezikut (Niveli 3) sipas parashikimit të publikuar nga Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX). Ky alarm paralajmëron mundësinë e motit ekstrem gjatë të martës dhe në orët e para të së mërkurës.

Sipas ESTOFEX-it, niveli 3 është shpallur për pjesë të Italisë, Kroacisë jugore, Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës, kryesisht për shkak të rrezikut nga breshëri i madh, erërat shkatërruese dhe, në raste të izoluara, tornadot. Meteorologët theksojnë se situata atmosferike mund të sjellë një nga episodet më të fuqishme të motit ekstrem këtë verë në rajon.

Në analizën e tyre thuhet se stuhitë e formuara mbi Detin Adriatik mund të lëvizin drejt Ballkanit dhe të ruajnë intensitetin e tyre edhe mbi territorin e Kosovës, ku aktiviteti mund të vazhdojë deri në orët e vona të natës.

Megjithatë, ekspertët sqarojnë se Niveli 3 nuk do të thotë se çdo zonë do të goditet nga fenomene të rënda, por se kushtet atmosferike janë shumë të favorshme për zhvillimin e stuhive të fuqishme. Qytetarëve u rekomandohet të ndjekin paralajmërimet zyrtare dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje më 2022

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit përkatës të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Përmes një njoftimi, Haxhiu bëri të ditur se ky akt përmbyll një proces të zgjatur që nga viti 2022, kur prokurorët në fjalë kishin paraqitur dorëheqjet e tyre.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës,” – deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi tutje se funksionimi i shtetit bazohet mbi parimet e sundimit të ligjit dhe se institucionet nuk mund të mbeten peng i proceseve të papërfunduara.

“Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara,” – nënvizoi Haxhiu, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri në mbrojtje të integritetit institucional. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vetaksident me fatalitet në rrugën Pejë–Prishtinë: Humb jetën një 24-vjeçare, tre të tjerë lëndohen

Published

on

By

Një 24- vjeçare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:30 në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishitnës, Daut Hoxha, për UBTnews bëri të ditur se bëhet fjalë për vetaksident, ndërsa njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Me këtë rast, Policia e Kosovës u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara