Aktualitet

Avokati dënohet me 200 euro, i tha gjyqtarit se po qesh në mënyrë cinike gjatë seancës për vrasjen në Suharekë

Published

on

Avokatit Pjetër Përgjoka i ka kushtuar 200 euro pse ka bërë një ankesë në drejtim të kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmanit, në seancën gjyqësore ku tre persona ngarkohen për një vrasje në Suharekë.

Avokati i të akuzuarës Resmije Bytyqi, Pjetër Pergjoka e ka kundërshtuar mënyrën se si kryetari i trupit gjykues e ka aprovuar propozimin e avokatit Sefer Morina për të ftuar një ekspert për t’i lexuar provat në një CD.

Përgjoka është ankuar për mënyrën se si është miratuar thirrja e ekspertit dhe ka thënë se kryetari i trupit gjykues se nuk ka nevojë të buzëqeshë në mënyrë cinike.

Pas kësaj kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani në Gjykatën Themelore në Prizren e ka dënuar me 200 euro avokatin Pjetër Përgjoka me arsyetimin se ka përdorë fjalë fyese.

Pas një pauzë prej 5 minutash, avokati Pjetër Përgjoka nuk është rikthyer në sallë ndërsa edhe avokati Durim Nevzati deklaroi se pas situatës së krijuar konsideroi se të akuzuarës Resmije Bytyqi nga vendimi i lartëcekur i janë shkelur të drejtat dhe se në shenjë proteste si mbrojtës që bashkë mbrojmë të akuzuarën Resmije Bytyqi e lirojnë sallën për këtë shqyrtim gjyqësor.

Me këtë rast., kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani ndërpreu seancën e sotme dhe e njëjta do të vazhdojë më  5 korrik 2021 në ora 09:30.

Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarve Ademi dhe Bytyqi, në dënim do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 tetori 2016 deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, kurse të akuzuarit Fetiu, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 18 nëntori 2016 deri më 28 qershor 2017, si dhe prej datës 20 maj 2019 e deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se me 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi kurse, Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi,  ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi

Continue Reading

Aktualitet

“Atë ditë në Izbicë s’ka pasë dasëm, por janë masakruar 137 veta”, familjari i zhgënjyer me dënimin ndaj Alidemajt

Published

on

By

Familjari i viktimave, Islam Doni, pas përfundimit të seancës gjyqësore, tha se vendimi i gjykatës për dënimin e Muhamet Alidemajt është i ulët dhe se familjarët do të paraqesin ankesë ndaj aktgjykimit, duke shtuar se mbetet të shihet nëse do ta arrijnë qëllimin e tyre në instancat më të larta, raporton Ekonomia Online.

Doni tha se personalisht nuk ka parë që Alidemaj të ketë vrarë dikë me duart e tij, por sipas tij e ka parë atë duke u prirë forcave serbe për të hyrë në fshatin Izbicë, duke shtuar se nuk mund të pohojë për veprime që nuk i ka parë drejtpërdrejt.

Ai përshkroi se atë ditë në Izbicë nuk kishte pasur dasmë, por ishin dëgjuar krisma të armëve të rënda dhe të lehta, ndërsa sipas tij ishin masakruar 137 persona, si dhe më pas në dy raste të tjera ishin vrarë nga dy deri në trembëdhjetë banorë. Doni tha se fshati ishte djegur dhe plaçkitur, ndërsa sipas tij dy persona të paralizuar ishin djegur në prokolica traktorësh.

“Vendimi na duket shumë i ulët, mirëpo gjykata ka marrë vendim edhe çka kemi na me thënë përtej gjykatës. Më anku kemi me u anku, sa kena me arrit qëllimin tonë, mbetet me u pa.. Kodi penal i Jugosllavisë e përcakton kështu, bie në maksimum. Se për neve edhe 15 vjet normalisht që është pak… Unë personalisht nuk e kam parë që e ka vrarë askënd. Unë e kam parë që iu ka prirë serbëve me hy në fshatin Izbicë. Çka s’e kam parë nuk mundem me thanë që e kam parë duke vrarë. Mirëpo atë ditë në Izbicë nuk ka pasë dasëm. Atë ditë janë ndjerë krisma të tekave, topave, kallashave, pushkëve edhe janë masakruar 137. Edhe dy herë mbasandej na janë vrarë ka dy-trembëdhjetë. Edhe u djeg krejt fshati Izbicë, edhe u plaçkit. Janë djeg dy të paralizuar në prikolica të traktorit. Nuk mundet me iu ikë ky prej përgjegjësie, as s’mundet me thënë që s’kam qenë unë. Normalisht, familjet që i kanë ndarë, gratë i kanë ndarë, iu ka shtirë thikën në fyt, i ka plaçkitur, i ka rrahur. Kanë dëshmuar këto në gjyq”, tha ai pas procesit gjyqësor.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026,

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesl Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor sot me datë 02.02.2026, ndaj të akuzuarit është fajtor se ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile. Trupi gjykues në bazë të dispozitave, të akuzuarin Muhamet Alidemaj e shpall fajtor edhe e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vjetëve”, tha ai.

Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë. /Ekonomiaonline/

Continue Reading

Aktualitet

UBT nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për sigurinë kibernetike në kuadër të projektit SHIELD

Published

on

By

UBT ishte nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për zhvillimin e kurrikulës në fushën e sigurisë kibernetike, e cila u mbajt më 27 dhe 28 janar. Kjo punëtori u organizua në kuadër të projektit SHIELD – United for Cyber Safety: Up-Skilling High School Communities for Protecting Students, i mbështetur nga Erasmus+.

Projekti u koordinua nga Ss. Cyril and Methodius University në Shkup, ndërsa partnerë janë University “St. Kliment Ohridski”, në Sofia, UBT, si dhe Ekonomikas un Kultūras Augstskola, në Letoni. Qëllimi kryesor i projektit është fuqizimi i komuniteteve shkollore të arsimit të mesëm përmes zhvillimit të aftësive dhe njohurive në fushën e sigurisë kibernetike, me fokus në mbrojtjen e nxënësve dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë.

Në hapjen e punëtorisë mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi se UBT ka investuar vazhdimisht në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe ka krijuar departamente të veçanta për fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjive të avancuara, duke e konsideruar këtë fushë si jetike për të ardhmen e arsimit dhe shoqërisë digjitale.

Agjenda e punëtorisë përfshiu sesione të dedikuara për analizën e nevojave arsimore, përcaktimin e fushës së trajnimeve në siguri kibernetike, strukturimin e kurrikulës dhe rezultateve të të nxënit, si dhe qasjen gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme në dizajnimin e trajnimeve. Po ashtu, diskutimet u fokusuan edhe në format e ofrimit të trajnimeve, materialet mësimore, mjetet digjitale, si dhe planifikimin e testimit pilot dhe zbatimit të kurrikulës.

Kjo punëtori paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së arsimit profesional me sfidat aktuale të sigurisë digjitale, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rolin e UBT-së si një institucion lider në zhvillimin e programeve inovative dhe të orientuara drejt nevojave reale të shoqërisë.

Continue Reading

Aktualitet

“Ukraina nuk po humb, Rusia nuk po fiton”: Situata në frontin e luftës

Published

on

By

Në juglindje të qytetit të sulmuar ukrainas, Kupjansk, gjendet qyteza e vogël, Kupjansk-Vuzlovi.

Në nëntor të vitit 2025, komandanti më i lartë i ushtrisë ruse pretendoi se Kupjansku ka rënë në duart e tyre.

Nuk ishte e vërtetë.

Në fakt, trupat ushtarake ukrainase kishin punuar në kundërofensivë dhe tani duket se po i largojnë edhe ushtarët e fundit rusë nga qyteti.

Javën që lamë pas, komandanti i njëjtë, gjenerali Valery Gerasimov, ka thënë se forcat ruse e kanë marrë kontrollin e Kupjansk-Vuzlovit.

Sipas vëzhguesve rusë dhe ukrainas të fushëbetejës, situata reale ishte kështu: forcat ruse ishin larg fshatit – rreth 10 kilometra – dhe as afër kontrollimit të tij.

Disa javë pas hyrjes së luftës në vitin e pestë, Rusia është duke goditur me sukses rrjetin energjetik të Ukrainës dhe shumë qendra të ngrohjes, duke i lënë qytetarët ukrainas nën temperatura të ulëta atmosferike. Por, Moska nuk është duke shënuar ndonjë fitore bindëse në fushëbetejë.

Forcat ushtarake të Moskës po e luftojnë mbrojtjen ukrainase në disa zona në frontin e luftës në gjatësi prej 1.100 kilometrash. Mirëpo, lëvizja e tyre është shumë e ngadalshme, ndoshta më e ngadalshmja në ndonjë lufte moderne, sipas një studimi. Dhe një realitet i tillë e ka koston e vet.

“Fronti i luftës përshkruhet më së miri si ‘stagnim dinamik’ që nënkupton luftime intensive me ndryshime gjeografike margjinale”, ka thënë Ivan Torres, major i pensionuar i ushtrisë amerikane, i cili tani punon si analist i lartë i ushtrisë ruse në grupin politik kërkimor Rochan Consulting.

Lodhja e Ukrainës u atribuohet edhe bisedimeve për paqe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shënuar përparim, mirëpo mospajtimet për një mori çështjesh vazhdojnë të jenë pengesë.

“Ukraina nuk po humb dhe Rusia nuk po fiton”, ka vlerësuar Instiuti Royal United Services, me seli në Londër.

Më poshtë i kemi renditur rajonet kryesore që meritojnë vëmendje:

KUPJANSKU

Qyteti njihet për një kryqëzim të rëndësishëm hekurudhor dhe deri më tani është përballur disa herë me luftë: Rusia e ka pushtuar atë pas nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022. Më pas, forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll pozicionet ruse në shtator, dhe kanë arritur deri në Oskil.

Mirëpo, për më shumë se një vit, forcat ruse – më shumë në numër, me më shumë armë – i janë afruar sërish Kupjanskut.

Në shtator, njësitet ruse kanë depërtuar përmes gazsjellësve të papërdorur nëntokësorë të Oskilit dhe kanë arritur në paralagjet e Kupjanskut në veri. Kështu, ata kanë infiltruar grupe të vogla ushtarësh në brendësi të qytetit.

Autoritetet lokale më pas kanë ngritur alarmin dhe komandantët ukrainas i kanë angazhuar kompanitë e specializuara për dronë, dhe para Vitit të Ri, njësitet ukrainase i kanë shtyrë tutje pozicionet ruse.

Megjithatë, moti i keq në tetë javët e fundit ka ndikuar në performancën e ushtarëve ukrainas për t’i larguar të gjithë ushtarët rusë nga ato zona.

Forcat ruse, në anën tjetër, nuk dorëzohen, ato tentojnë vazhdimisht t’i thyejnë bllokadat ukrainase dhe të rimarrin qytetin.

“Pastrimi i plotë i Kupjanskut duket i vështirë, por rusët e kanë humbur momentumin”, ka thënë Emil Kastehelmi, analist ushtarak në organizatën për kërkime, Black Bird Group.

“Nuk pres ndryshime të mëdha në të ardhmen në atë zonë”, i ka thënë ai Radios Evropa e Lirë.

“Është e mundshme që Ukraina të humbë pozicionet në lindje të lumit Oskil në një pikë, mirëpo kjo nuk do të thotë që rusët do të avancojnë shumë në brendësi”.

KOSTIANTINIVKA

Një tjetër qytet me rëndësi për kryqëzime hekurudhore dhe furnizim të ushtrisë, Kostiantinivka, ka qenë shumë e rrezikuar prej kur ushtarët rusë arritën t’i largonin forcat ukrainase prej Çasiv Jar-it vitin e kaluar.

Ky rezultat u dha përparim rusëve. Çasiv Jar-i gjendet në lartësi më të madhe, duke u dhënë mundësi rusëve që të bombardojnë mbrojtjen ukrainase prej lartësisë.

Duke bërë presion prej jugut dhe jugperëndimit, ushtarët rusë tani synojnë disa lidhje të rëndësishme rrugore që shtihen drejt Kramtorskut. Ky qytet, bashkë me Sllovianskun, janë dy pika të rëndësishme përmes së cilave ukrainasit i mbrojnë pjesët e rajonit të Donjeckut që i kanë ende në duar.

“Kostiantinivka mund të jetë në listën e operacioneve kryesore të rusëve”, ka thënë Torres.

“Këto zona janë shumë problematike për Ukrainën. Forcat ruse kanë kaluar muaj duke tentuar të krijojnë qendra logjistike. Luftimet aty karakterizohen nga sulme të shpejta të këmbësorisë që synojnë t’i lodhin mbrojtësit ukrainas, në vend të një depërtimi të thellë”.

POKROVSKU DHE MIRNOHRADI

Dikur një qendër e rëndësishme logjistike për mbrojtjen ukrainase në rajonin e Donjeckut, Pokrovsku ka muaj është dërmuar, pasi njësite të vogla ukrainase janë infiltruar gradualisht në qytet. Strategjia ka funksionuar dhe tani ushtarët rusë kontrollojnë rreth 80-90 për qind të qytetit. Komandantët ukrainas po i mbajnë me vështirësi vijat e kontrollit në veriperëndim.

Rënia e Pokrovskut në duart e rusëve do t’i rrezikojë edhe pozicionet tjera ukrainase, përfshirë ato rreth qytezës së Mirnohradit, e cila është kryesisht nën kontrollin rus.

Ushtarët ukrainas kanë thënë se njësitet ruse kanë zhvendosur pajisje të rënda në qytezë dhe e kanë tashmë një zonë komanduese.

“Forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të të dyja qyteteve, ndonëse rezistenca ukrainase mund të jetë ende e vërejtshme në disa vende, qytetet mund të konsiderohen të humbura”, ka thënë Kastehelmi, i cili sapo është kthyer nga një udhëtim në Ukrainë.

HULJAPOLE DHE ORIHIVI

Në Hulyaypole, jugperëndim të Pokrovskut, kapacitetet e mbrojtjes ukrainase varen nga lumi Hajçur, i cili ndan qytetin në zona. Ekspertët kanë paralajmëruar që forcat ruse i kanë tejkaluar disa zona përtej lumit dhe i kanë konsoliduar pozicionet e tyre, dhe që ukrainasit po përpiqen t’i pengojnë përparimet e mëtejme.

Disa ekspertë kanë thënë se mbrojtja ukrainase mund të jetë dobësuar për shkak të forcave të dërmuara dhe vendimeve të komandantëve për t’i zhvendosur të gjitha resurset për ta zotëruar Kupjanskun në veri.

“Rënia e Hujlapoles ishte një ngjarje fatkeqe, mirëpo rusët nuk kanë avancuar shumë përtej saj”, ka thënë Kastehelmi.

Humbja e Huljaypoles është problematike sepse në zonën perëndimore është një stepë relativisht e hapur që nuk ka vija mbrojtëse dhe mund të kalohet lehtësisht nga automjete të blinduara. Kjo do t’ua hapte derën njësiteve ruse për të rritur presionin në perëndim drejt Orikhivit, qytet më i madh, rreth 70 kilometra larg.

“Kapja e këtij qyteti dhe thyerja e mbrojtjes ukrainase përgjatë lumit Hajçur kërcënojnë qëndrueshmërinë e mbrojtjes së Orikhivit nga Ukraina”, vlerëson Torres.

KAMJANSKE DHE ZAPORIZHJA

Vëmendje shumë më e vogël – ukrainase apo ruse – i është dhënë avancimit gradual të ushtarëve rusë në brigjet e atij që dikur ishte rezervuar i Kahovkas në lumin Dnjepër. Diga e Kahovkas është shkatërruar sa ka qenë në kontrollin rus në qershor të vitit 2023.

Në fund të dhjetorit të vitit 2025, trupat ruse kanë arritur të depërtojnë në qytezën Kamjanske, në drejtim të kryeqytetit rajonal, Zaporizhjas.

“Ata mund të shkaktojnë më shumë probleme në muajt në vijim, nëse arrijnë ta marrin qytetin në copëza të vogla”, vlerëson Kastehelmi.

“Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, situata në Zaporizhja mund të shkojë në drejtim shqetësues, por disa pengesa lokale dhe taktike tani, nuk nënkuptojnë se situata e përgjithshme po shkon drejt një krize të madhe”.

Përgatiti: Krenare Cubolli /REL/

Continue Reading

Lajmet

36 vjet nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Published

on

By

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje ndaj Sllobodan Millosheviqit për vetë emërimin si ‘kral’ i të gjithë serbëve në Fushë-Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i paevitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm, por për atdheun, shkruan KosovaPress.

Kjo rini e shëndoshë, pa hezitim, timonin e pajtimit ia dhuroi Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbarë trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për t’u bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anembanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte krisur ora e madhe e historisë sonë. Fryma e faljes dhe e pajtimit të gjaqeve, e nisur atëherë, mbetet e gjallë edhe sot, në disa raste. /Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara