Kulturë

Ava Max dikur ishte pushuar nga puna si recepsioniste pasi ishte e dobët me llogaritjet

Published

on

Sot ajo është homologe e artisteve shqiptare me famë ndërkombëtare si: Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

Amanda Koçi e njohur artistikisht si Ava Max është një nga artistet më të spikatura të zhanrit pop në industrinë botërore të muzikës.

Megjithatë, përpara se ajo të bëhej e famshme, ajo thotë se ka qenë një njeri i rëndomtë si gjithë të tjerët duke u përpjekur të bëjë një punë normale në Amerikë.

Duke folur për rubrikën “How I Blew Up Up” të revistës së famshme “Uproxx”, këngëtarja me prejardhje nga Shqipëria rrëfen jetën e saj para se të nxirrte në treg hitin e famshëm “Sweet but Psycho”, kënga që e bëri atë të njohur ndërkombëtarisht.

Ava Max tha se e dinte që gjithmonë kishte dashur të bëhej këngëtare. Por ajo u ndikua shkurt nga zërat e jashtëm, të cilët e bindën atë se të bëhesh yll popi ishte mundësia “një në një miliard”.

“Kështu fillova të gjej një punë të zakonshëm me orar 9:00-17:00. Pastaj nisa të pushohesha nga puna – nuk isha shumë e mirë në asnjërën prej tyre”, tregon ajo.

Këngëtarja provoi një qëndrim të shkurtër si recepsioniste e sallonit të thonjve, por ajo u pushua nga puna pasi ishte e dobët në matematikë.

“Nuk isha shumë e mirë në të, sepse duhej të bëja llogaritje. Kështu që kalkulimi nuk ishte arma ime e fortë”, thekson ajo.

Përfundimisht, shqiptarja filloi një punë tjetër, të shiste drejtues flokësh në një kiosk të një qendre tregtare. Ajo e përshkruan këtë përvojë pune si “argëtuese”, por tha se iu desh ta linte punën, për shkak se qortohej nga shefi i saj sepse shkonte gjithnjë vonë në punë me një kapuçino në dorë çdo mëngjes.

“Ishte argëtuese deri sa, shefi im në një moment më tha: Po vonohesh çdo ditë 20 minuta, ku je? Dhe unë i thoja: Jam duke marrë një kapuçino, po zgjohem herët po…sinqerisht nuk e pëlqeja të bëja atë kështu që e lash atë punë”, tha artistja shqiptare.

Përfundimisht, një prej këngëve fillestare të saj me titullin “Anyone But You” bëri bujë në SoundCloud dhe çoi në lidhjen e një kontrate me label-in Atlantic.

Falë suksesit të albumit të saj debutues “Heaven & Hell”, nuk ka të ngjarë që Max do të duhet të kthehet ndonjëherë në një punë të zakonshme 9:00-17:00 ndonjëherë./Telegrafi/

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dua” dhe “Shame and Money” në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027

Published

on

Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.

Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.

Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.

Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.

Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.

Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.

Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“I Believe the Portrait Saved Me”, vlerësim për filmin e Alban Mujës në DOKUBAKU 2026

Published

on

Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.

Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.

Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.

Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara