Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla u takuan sot me presidentin italian, Sergio Mattarella, në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Itali. Ky është udhëtimi i parë i mbretit pas largimit nga spitali, ku ai u trajtua për kancer, sipas informacioneve të agjencisë AP.
Mbreti Charles dhe Camilla u shoqëruan nga një grup rojesh presidenciale dhe u përshëndetën nga presidenti Mattarella në oborrin e Pallatit Quirinale, ku do të zhvillohet një banket shtetëror nesër në mbrëmje. Ky banket do të shënojë jo vetëm vizitën e mbretërorëve britanikë, por edhe 20-vjetorin e martesës së çiftit mbretëror.

Mbreti Charles do të takohet nesër me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, përpara se të mbajë një fjalim në një seancë të përbashkët të Parlamentit italian – një ngjarje historike, pasi është hera e parë që një monark britanik merr pjesë në një fjalim të tillë.
Gjatë vizitës së tij, mbreti Charles do të theksojë lidhjet e ngushta mes Britanisë së Madhe dhe Italisë, dy aleatëve të NATO-s, në një periudhë kur këto dy shtete po përpiqen të forcojnë mbështetjen për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.
Pjesë e vizitës treditore të mbretit dhe mbretëreshës do të jetë një udhëtim në Ravena, në rajonin verior Emilia Romagna, të enjten, për të përkujtuar 80-vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore./UBTNews/