Kulturë

Arkitektura e ideve: Profili i programit të Arkitekturës në UBT

Published

on

Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, si njësi akademike brenda UBT-së, përqendrohet kryesisht në ofrimin e mësimdhënies cilësore dhe në përdorimin e metodave të përparuara. Fokusi i tij është edhe në aktivitetet akademike të tjera që e forcojnë dhe e pasurojnë procesin mësimor, gjë që e bën programin më të madh në rajon, ku për çdo vit të interesuar për studime në këtë program ka mijëra studentë. Fakulteti gjeneron njohuri të reja përmes hulumtimeve, që janë pjesë integrale e mësimdhënies dhe bashkëveprimit midis stafit akademik dhe studentëve. Këto njohuri të fituara përmes hulumtimeve individuale dhe grupore aplikohen dhe transmetohen tek studentët nëpërmjet procesit akademik të mësimdhënies, projekteve të bashkëpunimit me komunitetin, ekspozitave të organizuara nga fakulteti, si dhe nëpërmjet konferencave shkencore të zhvilluara në UBT dhe aktiviteteve të tjera.

Fakulteti organizon edhe aktivitete ekstrakurrikulare me qëllim të shtimit të vlerës së studimeve në Arkitekturë dhe të ofrimit të mundësive për zhvillimin e kompetencave shtesë për profesionin e arkitektit. Këto aktivitete përfshijnë akademinë verore, konferenca shkencore, ekspozita, ligjerata tematike të hapura, si dhe vizitat studimore. Përmbledhja e fushave kryesore të kërkimit shkencor në arkitekturë dhe urbanizëm janë, Arkitekturë e Qëndrueshme, Banim, Trashëgimia Arkitektonike dhe Urbane, Planifikim Hapësinor/ Planifikim Urban, Dizajn Urban/Dizajn i Peisazhit, Historia dhe Teoria e Arkitekturës, Menaxhimi Arkitekturor, Urban dhe Mjedisor, Efiçenca e Energjisë në Ndërtesa, Performansa fizike e ndërtesës.

Studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor të UBT-së po bëjnë përvoja të rëndësishme në sektorin e industrisë përmes vizitave të organizuara. Gjithashtu, ata janë pjesë e një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë ligjëratat tematike, konferencat dimërore dhe verore të studentëve, ceremoninë e graduimit, shkollën verore, ekspozitat studentore dhe punëtoritë, duke i pasuruar kështu përvojat e tyre në këtë fushë. Poashtu, UBT ofron një ambient të përshtatshëm për performancën akademike të studentëve dhe profesorëve të tyre. Aktivitetet kryesisht zhvillohen në ambiente të dedikuara për ligjëratat dhe ushtrimet për studentë, si dhe në ambiente shtesë në Prishtinë, Lipjan, Ferizaj dhe Prizren, duke i dhënë një shtrirje gjeografike të gjerë.

Infrastruktura e fakultetit lidh pjesën teorike me atë praktike, duke krijuar një lidhje të natyrshme midis moduleve të mësimit dhe zhvillimit. Klasat për ushtrimet kanë një kapacitet që lejojnë një qasje të drejtpërdrejtë dhe interaktivitet më të madh mes profesorëve dhe studentëve.

Fakulteti ka lidhje të ngushtë me industrinë, duke integruar praktika profesionale në kurrikulën e studimeve dhe duke ofruar punësim profesional menjëherë pas përfundimit të studimeve. Studentët përdorin qendrat e modelimit dhe simulimit të UBT-së për të kuptuar më mirë projektet dhe fenomenet që studiojnë. Infrastruktura përfshin amfiteatro për ligjëratat, klasa për ushtrimet, laboratorë për IT, hapësira ekspozuese, bibliotekë, hapësira për punë të pavarur të studentëve, studio, laboratorë me kompjuterë, laboratorë për shtyp/printim, institutet për fizikën e ndërtesave dhe studime urbane, qendrat e studentëve dhe karrierës, si dhe zyra këshillimore dhe qendra për transferimin e teknologjisë.

UBT ka një rrjet të gjerë partneritetesh me universitete dhe institucione të ndryshme në të gjithë botën. Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në veçanti ka partneritet me institucione prestigjioze si Vienna University of Technology në Austri, University of Pécs në Hungari, Anhalt University of Applied Science në Gjermani, Wroclaw University of Science and Technology në Poloni, University of Minho në Portugal, Mimar Sinan University dhe shumë universitete në Evropë e rajon.

Fakulteti gjithashtu është anëtar i disa organizatave ndërkombëtare si AESOP (Association of European Schools of Planning) dhe EAAE (European Association for Architectural Education), duke e bërë atë pjesë e një komuniteti të gjerë shkencor dhe akademik në fushën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor./UBTNews/

© Dionesa Ebibi

 

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara