Op-Ed
Arabia Saudite si sinjal i qartë strategjik nga ShBA-ja
Published
1 year agoon
By
UBTnewsShkruan: Alfred Marleku
Takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite ka provokuar supozime mbi sinjalet strategjike që Uashingtoni dëshiron të përcjellë përmes përzgjedhjes së këtij lokacioni. Në vend që negociatat të mbaheshin në një kryeqytet evropian, siç ka qenë praktikë e zakonshme për çështje të lidhura me luftën në Ukrainë, ShBA-ja ka zgjedhur Riadin si arenën diplomatike për këto bisedime. Ky vendim reflekton një lëvizje të qëllimshme në strategjinë globale të Uashingtonit, e cila shkon përtej Ukrainës dhe përfshin balancimin e fuqisë në skenën ndërkombëtare.
![]()
Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Arabisë Saudite është sinjalizimi i një zhvendosjeje të interesave strategjike të ShBA-së nga Evropa drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme. Lufta për dominim global nuk është më e kufizuar në konfliktin Rusi-Ukrainë, por përfshin garën për hegjemoni mes ShBA-së dhe Kinës. Uashingtoni e kupton se sfida kryesore dhe afatgjate nuk është Rusia, por Kina, një rival i aftë të sfidoj epërsinë amerikane në aspektin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak. Për këtë arsye, ShBA-të po përpiqen të ripërcaktojnë prioritetet e tyre duke e zhvendosur fokusin në Indo-Paqësor dhe Lindjen e Mesme, ku ndikimi kinez është në rritje. Këtë e mbështet edhe deklarata e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili deklaroi se evropianët nuk mund të supozojnë se prania ushtarake e Amerikës në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.
Një tjetër mesazh i qartë i këtij takimi është dobësimi i rolit të Evropës në negociatat për të ardhmen e Ukrainës. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, vendet evropiane janë rreshtuar pas Uashingtonit, duke mbështetur Kievin me ndihma ushtarake, humanitare e financiare. Megjithatë, zgjedhja e Arabisë Saudite për këto bisedime nënkupton se ShBA-ja nuk e sheh më Evropën si një aktor kryesor në formësimin e një marrëveshjeje të mundshme. Në vend që të lejoj Brukselin ose ndonjë tjetër kryeqytet evropian të ndikoj dialogun me Moskën, Uashingtoni e pozicionon veten si arbitri ekskluziv i çdo zgjidhjeje të mundshme. Kjo i jep Shteteve të Bashkuara fleksibilitet më të madh për të manovruar sipas interesave të veta, pa qenë i detyruar të marrë parasysh shqetësimet evropiane.
Për më tepër, shumë vende evropiane që për dekada të tëra kishin ruajtur statusin e neutralitetit ushtarak, si Finlanda dhe Suedia, të shtyra nga pushtimi rus i Ukrainës, e braktisën këtë status për t’u anëtarësuar në NATO. Ky ndryshim ka ndikuar në perceptimin e tyre si ndërmjetës të mundshëm në negociatat për të ardhmen e Ukrainës, duke e dobësuar rolin e tyre si vende të përshtatshme për të ndërmjetësuar në bisedimet diplomatike.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka ambicie të qarta për t’u pozicionuar si lojtar kyç në diplomacinë globale. Ky takim i jep Riadit një platformë për të forcuar statusin e tij si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare, duke konsoliduar pozitën e tij si një fuqi rajonale me ndikim global. Për ShBA-në, afrimi me Arabinë Saudite është një investim në një partner të fuqishëm që mund të ndihmoj në ekuilibrimin e pushtetit në Lindjen e Mesme.
Fakti që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar në këtë fazë të bisedimeve ka shkaktuar alarm në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane. Ukraina ka bërë të qartë se nuk do të pranoj asnjë marrëveshje që arrihet pa pjesëmarrjen e saj. Megjithatë, ky hap tregon qasjen realiste dhe pragmatiste të administratës amerikane. Uashingtoni po teston terrenin për mundësinë e një marrëveshjeje me Moskën për të ulur tensionet, pavarësisht qëndrimit të Kievit. Nëse kjo do të thotë një marrëveshje që e lë Ukrainën në një pozicion të pafavorshëm, kjo nuk do të jetë hera e parë që një fuqi e madhe sakrifikon interesat e një aleati më të vogël për të formësuar rendin ndërkombëtar sipas interesave të saj.
Zgjedhja e Arabisë Saudite si vend për negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë për konfliktin në Ukrainë nuk është thjesht një çështje e përshtatshmërisë logjistike të palëve. Ajo përcjell mesazhe të qarta strategjike që përfshin zhvendosjen e vëmendjes gjeopolitike amerikane drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, zbehjen e rolit të Evropës në bisedime dhe pozicionimin e ShBA-së si aktori kryesor në përpjekjet për një zgjidhje diplomatike. Për Ukrainën dhe Evropën ky zhvillim është një sinjal se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për fatin dhe sigurinë e tyre në të ardhmen.
Autori është profesor i Teorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Gjeopolitikës në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT
lajme
Kur sulmohet gazetaria, rrezikohet demokracia, të vërtetën nuk e hesht as pushteti, as linçimi
Published
11 hours agoon
July 25, 2026By
ubtnews
Sot, të jesh gazetar në Kosovë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi, është një profesion që kërkon kurajë, durim dhe integritet për të punuar në një klimë të rënduar nga gjuha e urrejtjes, linçimi publik dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve.
Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës
Ky lumë fyerjesh dhe diskursi degradues nuk e dëmton vetëm dinjitetin e gazetarit; ai cenon vetë kulturën demokratike dhe përpjekjet për ndërtimin e një gazetarie profesionale, të lirë dhe moderne. Megjithatë, zhurma nuk e zëvendëson kurrë të vërtetën. Faktet, argumentet dhe puna serioze gazetareske mbeten gjithmonë më të forta se propaganda dhe etiketimet.
Gjatë rrugëtimit tim shumëvjeçar në gazetari, veçanërisht në gazetarinë hulumtuese, jam përballur me kërcënime, presione e tentativa të ndryshme për të më heshtur. Asnjëra prej tyre nuk më ka ndalur. Përkundrazi, ato më kanë bindur edhe më shumë se gazetaria ka kuptim vetëm kur sfidon krimin e organizuar, korrupsionin politik e ekonomik dhe çdo formë të abuzimit me pushtetin.
Në çdo rrethanë kam qëndruar në mbrojtje të kolegëve, edhe atëherë kur disa prej tyre zgjodhën të heshtnin përballë sulmeve ndaj meje. Por ajo që sot më shqetëson më së shumti nuk janë sulmet që vijnë nga politika apo grupet e interesit. Më shqetëson servilizmi i një pjese të vogël të gazetarëve, të cilët, në vend se ta mbrojnë profesionin, shndërrohen në zëdhënës të pushtetit dhe përpiqen të diskreditojnë kolegët e tyre me narrativa të fabrikuara dhe argumente të imponuara.
Ky deformim i rolit të gazetarit është ndër goditjet më të rënda që mund t’i jepen profesionit. Gazetaria nuk mund të ushtrohet me nënshtrim, as me besnikëri ndaj pushtetit. Misioni i saj është t’i shërbejë publikut dhe interesit qytetar, jo interesave politike apo personale.
Askush nuk është i pagabueshëm. Edhe gazetarët dhe mediat bëjnë gabime. Por ekziston një dallim thelbësor mes gabimit profesional dhe fushatës së organizuar për ta njollosur një koleg. Është e papranueshme që gazetarët të përdoren si instrumente për të goditur gazetarët e tjerë. Solidariteti profesional nuk nënkupton pajtim me çdo qëndrim, por respekt për parimet mbi të cilat ndërtohet liria e medias.
Fatkeqësisht, këtë klimë përçarëse e ka ushqyer edhe retorika e pushtetit aktual, i cili në vazhdimësi ka zgjedhur përballjen me mediat, duke i etiketuar ato si “media të Serbisë” apo duke i sulmuar për faktin se funksionojnë si biznese mediatike. Këto janë narrativa që nuk i shërbejnë demokracisë dhe nuk i shmangin institucionet nga përgjegjësia për transparencë e llogaridhënie.
Mediat financohen nga puna e tyre, nga audienca, nga shërbimet dhe tregu që u lejon të mbijetojnë. Në një shtet demokratik, kjo është krejtësisht legjitime. Pyetja që shtrohet është një tjetër: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe për çdo cent të taksapaguesve? Pikërisht këtu duhet të drejtohet vëmendja e pushtetit, e jo te përpjekjet për ta delegjitimuar gazetarinë kritike.
Respekt për të gjithë ata gazetarë që, pavarësisht presioneve, vazhdojnë ta mbrojnë integritetin profesional, etikën dhe besueshmërinë e medias. Janë pikërisht ata që e mbajnë gjallë misionin e gazetarisë së lirë dhe e dëshmojnë se e vërteta nuk mund të mposhtet nga propaganda, por vetëm nga heshtja. Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë kurrë zgjedhje.
Një fjalë edhe për ata që, të fshehur pas profileve në rrjetet sociale, qofshin nga Evropa, Amerika apo kudo tjetër, e kanë shndërruar fyerjen, kërcënimin dhe linçimin virtual në mjet “debati”.
Kujdes me gjuhën që përdorni dhe me rolin që i jepni vetes. Askush nuk ka të drejtë të marrë në dorë “gjykimin” e gazetarëve, të shpallë fajtorë apo të nxisë urrejtje ndaj tyre, sikur Kosova të mos ishte shtet me ligje, institucione, polici dhe drejtësi.
Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës.
Musa Sabedini
Autori është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT
Op-Ed
Prof. Dr. Bahri Gashi për Kosharen: Beteja që theu mitin serb
Published
4 months agoon
April 9, 2026By
ubtnews
Në 27-vjetorin e fillimit të operacionit luftarak në Koshare, nga 9 prilli 1999 deri në çlirimin përfundimtar, kjo betejë kujtohet si akti historik i heqjes me luftë të kufirit shqiptaro-shqiptar. Beteja e Koshares përfaqëson një nga operacionet më të mëdha dhe më komplekse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u shndërruar në një pikë kthese të rëndësishme në luftën për liri dhe në një moment që theu mitin e pathyeshmërisë së ushtrisë serbo-jugosllave.
Në këtë kontekst, paraqitet një opinion i profesorit Bahri Gashi, nga Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT, i cili përmes një analize të detajuar ushtarake dhe historike, vë në pah përmasat e jashtëzakonshme të kësaj beteje, rëndësinë e saj strategjike, si dhe rolin e saj si një nga operacionet më komplekse dhe më të organizuara të UÇK-së, që shënoi jo vetëm një sukses ushtarak në terren, por edhe një moment të rëndësishëm simbolik në rrugën e çlirimit të Kosovës dhe konsolidimit të lirisë së saj.
[Dhjetë (10) fakte unike që duhet të dihen për BETEJËN E KOSHARES në 27 vjetorin e heqjes me luftë të kufirit shqiptaro – shqiptar në Koshare nga fillimi i operacionit më 9 Prill 1999 deri në çlirimin përfundimtar]
- Mobilizimi gjithëkombëtar; Stafi komandues (profilizimi ushtarak); Struktura ushtarake; Fazat intensive përgatitore; Fillimi i operacionit në shkallë të gjerë; Ritmet e betejës; Zotërimi i pozicioneve dominante; Përmasat; Ndërlikueshmëria; Efektet taktiko-operative, ato të ndërveprimit luftarak dhe të efektit superior në epërsi luftarake; Siguria e aspektit logjistik; Zbatimi i së drejtës humanitare në respektimin e ligjeve të luftës, ndaj (pengjeve të luftës) e formësojnë dhe lartësojnë këtë betejë: ‘BETEJA E KOSHARES’, Heqja me Luftë e Kufirit, si lufta e parë e zhvilluar në shkallë të gjerë në rajonin e Koshares si Beteja më e madhe e luftës për çlirim dhe operacionin më kompleks luftarak të UÇK-së.
- FILLIMI I OPERACIONIT LUFTARAK në Koshare është zhvilluar në një intensitet të lartë të luftimeve, duke marrë pozicionet strategjike dhe dominante të luftës, zotërimi i pozicioneve kritike të luftës si; Kazerma Ushtarake e Koshares e njohur nga APJ si [Karaulla Koshare], Rrasa e Koshares, Zhares dhe Oplazit, Pikat dominante të lartësisë së Rrasës së Zogut, Ujezëz – Gomureve, Maja e Kokës, Kërrshi i Yllit, pastaj Reparti Ushtarak Qafë Morinë; Pozicionet e ndërlikuara tek Vrojtoret, 7 Korriku, Shkoza, Shkalla e Radanit, Gusha e Botushës, Oaza e Shpella e Molliqit, Gryka e Morinës etj, tregojnë qartazi për një betejë të përmasave të një lufte të madhe, duke u ballafaquar me një përballje të drejtpërdrejtë dhe një makineri shumë komplekse të fortifikuar të ushtrisë serbo-jugosllave, përfshi sulmet e sinkronizuara me këmbësori efektive, Komapania Tankiste e Motorizuar, Kompania “Beretat e Kuqe”, Batalioni 52 i Policisë Ushtarake, Batalioni Diverzanto Vëzhgues – Njësi të shumta elitare – paramilitare dhe mercenare; Topa goditës në distancë: “NORA”- shumë tutësh, “ORKAN” dhe “OGANJ”, sistemet kundër blindues: “MALUTKA” – “FAGOT”, helmet kimike të tipit Neuroparalitik – “VX” – “SARIN”, operacione manovruese tankiste, artileri të rëndë, aviacioni MIG 21, etj.
- DIMENSIONET E ARTIT TË LUFTËS SË KOSHARES; Operacionet luftarake gjatë betejave, ritmet e betejës dhe çlirimi përfundimtarë, përbëjnë tërësinë e kësaj lufte. Beteja e Koshares e cila në vete ngërthente aspektin e ‘Luftës së Përparuar’, aspektin taktiko-operativ – strategjik, aspektin politik, aspektin logjistik, aspektin humanitar e aspektin historik të saj, dëshmon për shumë dimensionalitetin dhe artin luftarak të gjithë kësaj lufte që theu mitin serb.
- MOTIVI PËR LUFTË; Unifikimi mbarëkombëtar, plani operativ i detajuar, pozicioni strategjik i luftës, zotërimi i shpejt i pozicioneve dominante të luftës, epërsia në rezultat deri në fund të luftës së Koshares, e bëjnë këtë betejë, unike, një, të vetme dhe të pakrahasueshme me betejat tjera të UÇK-së.
- FAZAT PËRGADITORE; për luftë frontale, taktike dhe operative; QSU-Papaj, aspektet e stërvitjeve luftarake nën kushte ekstreme të mbijetimit, strukturat sipas niveleve – njësive ushtarake (skuadër, tog, kompani, batalion, [I-II-III -IV] dhe brigadë) misionet luftarake para operacionit, misionet ushtarake gjatë operacionit, rritja e njësive dhe strukturave komanduese, luftimet shumë intensive dhe dinamike që zhvilloheshin përgjatë periudhës 09 Prill – 10 Qershor 1999 përbënin sfidat e një operacioni kompleks, duke e përmbushë misionin luftarak në Koshare.
- STRUKTURA E STAFIT KOMANDUES USHTARAK; Struktura komanduese e profilizuar me eprorë profesionist të shkolluar në akademi ushtarake, në gjini të ndryshme, përkatësisht të të gjitha llojeve të armëve për luftë, e dallojnë Betejën e Koshares prej çdo lloj organizimi strukturor luftarak brenda UÇK-së.
- TRYSNIA DHE TENTIMET E APJ-SË USHTRISË; serbo-jugosllave për rikthim të territorit të çliruar, për kundër këtij fakti, Komanda e Operacionit Luftarak të Koshares kishte zotëruar epërsi luftimi, riorganizim të pozicioneve luftarake, makineri ushtarake, pajisjet dhe mjete për luftë, njësi në detyrë sipas gjinive luftarake dhe me një territor luftarak në 7 Km thellësi dhe 22 Km gjerësi të frontit – distancës së luftës me goditje zjarri artilerik deri në 20 Km, përbëjnë poashtu Betejën e Koshares, betejë unike në veprim, një, dhe të vetmen betejë me përmasat më të mëdha të luftës së UÇK-së.
- MJETET DHE PAISJET LUFTARAKE; Duke filluat nga (Thika, revolet, automatikët, pushkët, llojet automatike, mitrolezët, snajperët deri në 12.7 mm, granata dore, mortaja krahu, RPG, Raketa hedhës, Zola, Osa, Embrusi Gjerman, etj. Armët artilerike të kalibrit: 60, 82,107, 120,160 dhe obusi 122mm, Armët Kundërajrore, topi kundërajror 20mm dhe TK 14.5 mm. Armët e topave padridhje 75,82 dhe topit 122mm, Njësitë mbështetëse Tankiste, Uniformat, Pelerinat, gjyksoret, mataret, gazmaskat, pakot e ushqimit për mbijetim, poashtu përbëjnë një dhe të vetme Betejën e Koshares, të pakrahasuara nga cilido formacion tjetër i UÇK-së.
- ASPEKTI I GJITHPËRFSHIRJES KOMBËTARE, DHE TË HUJAVE; Pjesëmarrja masive e luftëtarëve nga të gjitha trojet etnike, e gjithë Europa, Amerika, Kanada e Australia. Pjesëmarrja e luftëtarëve tē huaj nga Franca, Anglia, Gjermania, Turqia, Algjeria etj. Të rënë tre dëshmor të huaj në betejë, poashtu e shëndrrojnë Betejën e Koshares në një nga betejat, të vetme dhe më unike të UÇK-së.
- Përfundimisht, Lufta e Koshares, shënon misionin më kompleks luftarak i ndërmarrë në shkallë të gjerë, që nga dita (D) në rajonin e gjerë të Koshares, është lufta përgjatë shumë betejave, më e madhe e zhvilluar, operacione të ndërlikuara luftarake, beteja më e përgjakshme luftarake, me 114 Dëshmorë, të gjithë [Heronjë të Kosovës], derisa numëron qindra të plagosur dhe mijëra luftëtarë në front, përkatësisht operacioni më i madh luftarak i UÇK-së, i realizuar fillimisht nga (GO-III), tri formacione nga Ministria e Mbrojtjes, në përbërje të brigadave 131 dhe 134 dhe Batalionit Diverzanto Vëzhgues (BDV) – i njohur si Forcat Komando Delta, më von, pas një ristrukturimi të brigadave të Dukagjinit me 11 Maj me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së emërohet Brigada 138 “AGIM RAMADANI” – Zona Operative e Dukagjinit.


Aktualitet
Gazetaria hulumtuese, pasion dhe mision publik që kërkon guxim, përkushtim dhe durim
Published
5 months agoon
February 14, 2026By
ubtnews
Nga Musa Sabedini – Çdo hulumtim ka një mision, dhe çdo mision bart në vete një rrezik real. Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për të kuptuar thelbin e gazetarisë hulumtuese, një profesion që jeton gjatë, sepse rrënjët e saj ushqehen nga e vërteta dhe drejtësia. Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.
Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet në shërbim të shoqërisë, zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtësja e guximshme e së vërtetës dhe e çdo njeriu që përballet me padrejtësi, pavarësisht nëse ajo vjen nga individë, grupe kriminale apo struktura të kriminalizuara institucionale.
Gazetaria hulumtuese, misioni që nuk ndalet
“Gazetaria është akt rebelimi kur shteti gënjen”. (Sweeney, 2020). Nuk është rastësi që zgjodha këtë fjali të John Sweeney, gazetarit britanik me përvojë të gjerë në raportimet nën regjime autoritare dhe hetimet për BBC “Panorama” e “The Observer”.
Ai njihet për stilin konfrontues, guximin për të ekspozuar gënjeshtrat e pushtetit dhe aftësinë për të raportuar në kushte ekstreme. Për Sweeney-n, gazetaria është një akt rebelimi dhe një armë kundër pushteteve abuzive.
Ky është mesazhi që duhet të përçojë çdo gazetar hulumtues, se rebelimi në kuptimin pozitiv është i domosdoshëm kur shteti gënjen, shtyp, diskrediton apo abuzon me shoqërinë duke keqpërdorur buxhetin publik, financat dhe duke instaluar “vrima të zeza” në strukturat e saj.
Gazetari hulumtues është roje vigjilente në çdo kohë, situatë apo krizë.
Përmes storieve të guximshme, ai sjell para publikut tregime të argumentuara, që japin.
shpresë dhe energji qytetarëve. Ne, gazetarët, jemi nën llupën e pushtetit ditë e natë, sepse ata që nuk duan të vërtetën na shohin si armiq. Por përballë tyre kemi një pasqyrë tjetër, publikun, që pret tregime të vërteta dhe të ndershme, ndërsa ne përpiqemi ta avancojmë gazetarinë hulumtuese moderne.
Shpesh është thënë se gazetaria hulumtuese, në sytë e publikut, është një “task forcë speciale” që depërton në çdo cep të pushtetit të inkriminuar, duke ekspozuar abuzimet dhe shkeljet e ligjit. Në këtë kuptim, ajo është një urë solidariteti me qytetarët që u shkelen të drejtat, qoftë nga pushteti i dhunshëm, qeveritë e korruptuara apo struktura të tjera të padrejta.
Për mua është e qartë, gazetaria hulumtuese, me metodat e saj të punës në terren dhe këmbënguljen profesionale, mbetet një avangardë kundër padrejtësive, një shtyllë e demokracisë dhe një mbrojtëse e interesit publik.
Si forcë e brendshme dhe mekanizëm që lëviz shoqëritë, gazetaria hulumtuese mbetet një ndër shtyllat më të shenjta të demokracisë moderne. Ajo është motori që shtyn përpara zhvillime të rëndësishme, zbardh afera, zbulon skandale, ndriçon situata konfliktuoze, çon drejtësinë në veprim dhe shpesh sjell arrestime e dënime që ndryshojnë realitete të tëra.
Gazetaria hulumtuese është gjithmonë aty e pranishme, e guximshme, e pa kompromis në çdo shtresë të shoqërisë, në çdo hapësirë ku e vërteta kërkon të dalë në dritë. Ajo na mëson kujdesin ndaj parasë publike, ndaj hajnisë së organizuar dhe krimit të maskuar me pushtet. Na paralajmëron për rreziqet që shpesh ia shkaktojmë vetes përmes heshtjes apo mosveprimit.
Misioni i gazetarisë hulumtuese: Nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd
Ky është një mision që nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd, pavarësisht pozitës, autoritetit apo pasurisë që dikush mund të ketë. Gazetaria hulumtuese nuk njeh frikë nga pushteti, sepse burimin e saj e ka te liria, përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare.
Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.
Të merresh me gazetari hulumtuese do të thotë të ecësh nëpër një skaj të mprehtë, ku çdo hap kërkon kujdes, guxim dhe integritet. Është një udhëtim përmes të panjohurës, ku rreziqet, të papriturat dhe sfidat shfaqen në çdo kthesë.
Gazetari hulumtues i vërtetë e di se çdo hetim fillon në terr dhe përfundon në dritë, vetëm nëse udhëhiqet nga parimet themelore të profesionit: e vërteta, saktësia, përgjegjësia dhe ndershmëria.
Ai duhet të mendojë thellë, të analizojë me kujdes dhe të ndjejë me shpirt çdo histori që ndjek.
Kredibiliteti dhe autoriteti i gazetarit hulumtues nuk ndërtohen brenda natës, ato fitohen me vite përkushtimi, sakrifice dhe mbrojtjeje të çdo detaji e prove. Vetëm ai që ruan integritetin e çdo sekuence hetimore, që nuk ndalet para presioneve dhe nuk lëkundet para pushtetit, arrin të fitojë respektin e lexuesve dhe besimin e publikut.
Çdo shmangie nga e vërteta, çdo kompromis me faktet, është një plagë që dëmton jo vetëm gazetarin, por edhe vetë besueshmërinë e gazetarisë hulumtuese si profesion fisnik.
Gazetaria hulumtuese është një rrugë e vështirë, por e denjë, një ecje mbi tehun e së vërtetës, ku vetëm të guximshmit mbeten në këmbë.
Carl Bernstein, (2007), bashkëpunëtor i Bob Woodward për skandalin Watergate duke folur për kredibilitetin dhe autoritetin profesional të gazetarit hulumtues ka theksuar: “Kredibiliteti është monedha e vetme që ka një gazetar. Kur e humb, gjithçka tjetër bie”.
Këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe për një gazetar profesionist dhe hulumtues
Si një nga gazetarët e rrallë, që e ka përjetuar në lëkurë të bërit gazetari hulumtuese, duke trajtuar tema hulumtuese nga më të ndryshmet, kam arritur të kuptojë se profesionalizmi, guximi, vendosmëria, beteja mbi të vërtetën, lufta për ta ndaluar dhe ekspozuar të keqën, këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe që një gazetar profesionist dhe hulumtues, të arrijë të mbijetojë mbi faktet e ofruara, edhe atëherë kur të tjerët ju pengojnë, me të gjitha format e mjetet.
Në fakt gazetaria hulumtuese duhet të përjetohet nga secili gazetar, autor, kronist, hulumtues, argumentues, duke qëndruar “esull”, gjithmonë me dëshmitë e juaja, duke treguar elan, dashuri, përkushtim, sinqeritet, aftësi dhe njohuri për secilin ose secilit, që ju mendoni se mund të jenë pjesë hetimore e pistës suaj. Nga ky këndvështrim pista e juaj dhe agjenda ditore e javore duhet të jetë optimiste, duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha, përherë me risi dhe fakte të reja që juve, do ju mjaftojnë për të arritur kulmin strategjik dhe taktik të bërit hetime.
Gazetaria hulumtuese, ka ekzistuar gjithmonë dhe do të jetë përherë aktuale, aktive, e dobishme, e kërkuar nga të gjithë njerëzit që e duan jetën ndryshe, jetën pa krim e korrupsion, që e respektojnë jetën e të tjerëve dhe ofrojnë zgjidhje, duke zbuluar të vërteta e afera, që për të gjitha pushtetet e qeveritë, ato tentohen të mbahen të fshehura dhe larg publikut. Publiku i etur dhe gazetari i uritur për tema të mëdha dhe ndikim në jetën publike, janë faktor i rëndësishëm që ju të mendoni përherë për këtë formulë “magjike”.
David Randall (2003), në librin e tij: “The Universal Journalist” është shprehur qartë mbi rolin dhe misionin që ka një gazetar profesionist – hulumtues. “Kape lexuesin për fyti në paragrafin e parë, shtrëngo rripat në të dytin, dhe mos e lësho deri në rreshtin e fundit”.
Gazetaria hulumtuese as nuk blihet nga të tjerët, po as nuk përfitohet e zbatohet me ndihmën e të tjerëve.
Ju jeni bërthama e punës, injeksioni i hetimeve dhe hulumtimeve paraprake. Thjesht ju jeni kapaku pragmatik, që i shtynë përpara proceset hulumtuese, derisa ju mbetet të vraponi, kërkoni, verifikoni dhe analizoni me kujdes çdo material, dokument, video, fotografi, incizim, deklarim publik e jo publik, përcjellje maksimale në rrjetet sociale të njerëzve të dyshuar, mundësi për të fituar nga teknologjia moderne, e cila është mbështetëse e madhe e punës tuaj, por sigurisht që nuk është kryesorja, e aq më pak përfundimtarja.
Kurrë mos harroni se ju jeni një lloj “heroi”, “roje e demokracisë” ose edhe më saktë një “mbikëqyrës”, i të gjitha devijimeve dhe dukurive shqetësuese, në një shoqëri demokratike, ku dominojnë ligji dhe etika njerëzore, ngaqë lexuesi, shoqëria, publiku dhe të tjerët presin me padurim rezultatin tuaj hetimor e kërkimor.
Të krijosh në gazetarinë hulumtuese
Nuk është e lehtë të krijosh në gazetarinë hulumtuese, sidomos nëse nuk je i përgatitur profesionalisht, emocionalisht dhe psikologjikisht. Këto tri shtylla janë themeli mbi të cilin ndërtohet gazetari hulumtues, ai “valltar” i shpejtë, i kthjellët dhe i vëmendshëm në terren, që di të ruajë ekuilibrin në çdo situatë dhe të përmbyllë me sukses çdo mision që merr përsipër.
Në këtë udhëtim nuk mjaftojnë as minutat, as ditët, e as javët. Ajo që kërkohet është përqendrim i plotë, qëndrueshmëri emocionale, durim dhe një vetëdije e mprehtë për të kuptuar botën e ndërlikuar në të cilën vepron gazetari hulumtues.
Po aq e rëndësishme është që, në çdo situatë, në çdo takim me të dyshuar, dëshmitarë të mundshëm, zyrtarë të korruptuar apo individë të përfshirë në krime dhe tragjedi, gazetari të mbetet gjakftohtë, i kthjellët dhe me shikim të mprehtë.
Çdo lëvizje, çdo shprehje apo pyetje e tij mund të interpretohet ndryshe, ndaj kujdesi, profesionalizmi dhe vetëkontrolli janë mburoja e tij më e fortë.
Prandaj, notoni me ndershmëri mbi dokumentet, dëshmitë, arkivat, fotografitë, deklaratat, fakturat, bisedat, intervistat, incizimet dhe videot tuaja.
Çdo detaj është një pjesë e mozaikut që ndërtoni, përdoreni për ta bërë historinë tuaj më të plotë, më të besueshme dhe më prekëse për publikun.
Të gjitha këto atribute dhe finesa që e karakterizojnë gazetarinë hulumtuese flasin për seriozitetin dhe përkushtimin e atyre gazetarëve e studiuesve që e kanë përjetuar këtë profesion në shpirt, në palcë dhe në kurriz.
Vetëm ata që e kanë jetuar nga afër e dinë se sa e vështirë është të hulumtosh me ndershmëri, të kërkosh të vërtetën mes mjegullës së mashtrimeve dhe të dalësh faqebardhë në fund të çdo hetimi.
Gazetaria hulumtuese është shpesh një betejë e brendshme, një “tërbim” profesional që kërkon kohë të gjatë, përkushtim të palodhur dhe sakrificë personale.
Por kjo betejë është bërë edhe më e ndërlikuar sot, në epokën moderne digjitale, ku gazetari përballet me një sërë pengesash të reja nga dezinformimi dhe manipulimi i të dhënave, deri tek mungesa e kohës për verifikim dhe presioni për të publikuar sa më shpejt.
Teknologjia është një mjet i fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi profesionale
Teknologjia është një mjet jashtëzakonisht fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi të avancuara profesionale për t’u përdorur në mënyrë të sigurt dhe efektive në shërbim të së vërtetës.
E kam theksuar edhe më herët se as teknologjia dhe as digjitalizimi nuk mund ta përfundojnë vetë një mision gazetaresk. Ato mund të ndihmojnë, ta lehtësojnë apo ta përshpejtojnë procesin e hetimit, por në asnjë mënyrë nuk përbëjnë fazën përfundimtare të tij. Dokumentet fizike të vulosura, deklaratat e drejtpërdrejta të viktimave apo dëshmitarëve, incizimet autentike dhe përgjimet e realizuara ligjërisht mbeten prova shumë më të vlefshme në çdo proces hulumtues sesa çdo mjet teknologjik, i cili mund të krijojë edhe dilema ligjore ose etike.
Si gazetar me përvojë të gjatë në profesion dhe me një bagazh të pasur në fushën e gazetarisë hulumtuese, tashmë i vlerësuar me katër çmime nga juri të ndryshme, vazhdoj të besoj se intuita dhe vendosmëria janë dy shtyllat kryesore që e udhëheqin gazetarin drejt suksesit.
Intuita shpreh forcën intelektuale të gazetarit dhe aftësinë për të dalluar temat me interes publik, ato që prekin ndjeshëm shoqërinë dhe jetën e komunitetit.
Ndërsa vendosmëria është një lloj “ilaçi” moral që i mundëson gazetarit të qëndrojë i patrembur dhe i palëkundur përballë sfidave, presioneve apo situatave të pakëndshme që mund të shfaqen gjatë rrugëtimit të tij profesional.
Roli i intuitës në gazetarinë hulumtuese është i pamohueshëm, ajo është drita që ndriçon drejtimin e së vërtetës, aty ku të tjerët shohin vetëm mjegull.
Jeto për të hetuar, puno për të vepruar, sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën
Mos e pyesni kurrë veten se çfarë sakrifice kërkon gazetaria hulumtuese, në vend të kësaj, brengosuni për atë që mund t’i ofroni publikut, më të mirën e mundshme nga puna juaj hulumtuese.
Jeto për të hetuar, puno për të vepruar dhe sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën, atë të vërtetë që i pengon ata që jetojnë me krimin dhe cenojnë jetën e të tjerëve në emër të tij.
Gazetaria hulumtuese kërkon ndjekje sistematike të provave, ngjashëm me punën e detektivëve. Ajo kërkon guxim, përkushtim moral e profesional, madje edhe atëherë kur e vërteta bie ndesh me pushtetin e fortë.
Qëllimi i gazetarit duhet të jetë shërbimi ndaj publikut, jo kërkimi i famës apo vëmendjes personale.
Fama i takon argumenteve, provave dhe publikut të etur për të vërtetën. Ajo u përket gjithashtu njerëzve me të cilët ke bashkëpunuar dhe që do të jenë mirënjohës nëse hulumtimi yt ka qenë i drejtë dhe efektiv.
Fama është e përkohshme, historia, kronika dhe tema hulumtuese janë të përjetshme. Ato do të jetojnë gjatë në kujtesën e çdo lexuesi, nëse t`i i je përmbajtur me përpikëri agjendës dhe pikave kyçe të hetimit të thelluar.
James B. Stewart, (2025), emër i njohur në gazetarinë hetimore, thekson se qëllimi i profesionit nuk është fama personale, por shërbimi ndaj së mirës publike: “Gazetaria nuk ka të bëjë me vëmendjen apo njohjen; ka të bëjë me shërbimin për të mirën publike”.
Të ecësh vetëm në tehun e gazetarisë hulumtuese
A mjafton të ecësh i vetëm në këtë teh të shpatës, pa përkrahje, pa njohuri dhe pa mbështetje profesionale apo materiale Sigurisht që jo. Vetëm guximi nuk mjafton. Për të qëndruar gjatë dhe për të mbijetuar në këtë fushë të vështirë, gazetari duhet të ndërtojë rrjete besimi dhe burime të sigurta brenda institucioneve dhe jashtë saj.
Duhet të ketë besim tek ata, ashtu siç ata duhet të kenë besim tek ai sepse ky është parimi themelor, që e mban të gjallë komunikimin dhe e mbron integritetin profesional.
Kurrë mos e tradhto një prokuror të ndershëm, një polic hetues të guximshëm apo një burim të besueshëm. Mos e shpërndaj kurrë informacionin nëse nuk e ke aprovimin e atyre, që të kanë përkrahur e ndjekur me mbështetje, sidomos atë informacion që të është besuar dhe ruaj marrëdhëniet me ata që të ndihmojnë në momentet më të vështira.
Pikërisht këto lidhje, të ndërtuara me ndershmëri dhe respekt, janë shtylla që mbajnë në këmbë gazetarin hulumtues.
Në çdo rast të rëndë që kam hetuar apo hulumtuar, kam hyrë me guxim, ndershmëri dhe përgjegjësi. Në gazetarinë hulumtuese nuk ka version të parë apo të dytë, tema ose del në dritë, ose humbet në errësirë.
E vërteta duhet të dominojë mbi gjithçka, ndërsa morali i gazetarit duhet të qëndrojë i përqendruar, i pastër dhe i angazhuar deri në fund.
Fergal Keane, gazetar i BBC-së, që ka raportuar nga zona lufte, nënvizon rëndësinë morale të profesionit: “Arti i gazetarit duhet të jetë, mbi të gjitha, një festim i së vërtetës. Dhe nëse kjo e vërtetë ofendon diktatorët, kriminelët apo policinë sekrete… le të ndodhë”.
Gazetaria hulumtuese në Kosovë, arritje dhe sfida
Në Kosovë, gazetaria hulumtuese ka njohur një zhvillim të shpejtë. Janë publikuar dhjetëra afera dhe skandale që kanë përfshirë njerëz të pushtetit, kompani publike dhe institucione të ndryshme. Kjo është padyshim një shenjë pozitive, që dëshmon për rritjen e guximit profesional dhe përgjegjësisë publike.
Megjithatë, në këtë rrugëtim nuk kanë munguar gabimet dhe lëshimet profesionale, të cilat duhet të analizohen dhe të korrigjohen në të ardhmen.
Një prej mangësive më të dukshme është mungesa e gazetarisë hulumtuese kolektive, e cila bazohet në hetime afatgjata dhe të mirëstrukturuara. Në vend të saj, shpesh janë dominuar hulumtimet e shpejta, që edhe pse kanë tërhequr vëmendjen e publikut, nuk janë ndjekur deri në fund. Shumë storie janë mbyllur menjëherë pas publikimit të parë, pa një vazhdimësi logjike dhe profesionale.
Temat e mëdha, që prekin interesin publik, duhet të përcillen deri në fund. Publiku ka të drejtë të dijë çdo zhvillim, nga hetimi fillestar deri te epilogu final.
Shpesh ndodh që, pas publikimit të një hulumtimi, personat e përfshirë të përfundojnë në gjykatë apo edhe në burg. Por, nëse gazetari nuk informon më tej për rezultatet e procesit, dënimin apo përfundimin e rastit, atëherë historia mbetet e paplotë dhe vlera e saj gazetare zbehet.
Gazetaria hulumtuese në Kosovë, ndër sfida dhe angazhim publik
Është e drejtë të shtrohet pyetja nëse ka ekzistuar vërtet gazetaria hulumtuese në Kosovë dhe si ka filluar ajo të zhvillohet. Ka mendime se ajo mori formë pas shpalljes së pavarësisë, kur gazetarët fituan mundësi të hetonin shtetin e tyre, dokumentet dhe provat të arkivuara nga institucionet vendore.
Megjithatë, unë mendoj se gazetaria hulumtuese nisi të zhvillohej menjëherë pas luftës, edhe pse jo pa vështirësi. Pushteti absolut i UNMIK-ut, i mbështetur nga KFOR-i dhe i monitoruar nga OSBE-ja, ishte një pengesë serioze jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por shpesh edhe për gazetarinë e përditshme. Sidoqoftë, edhe në atë kohë pati skandale dhe afera të zyrtarëve ndërkombëtarë, të cilat u bënë publike falë mediave kosovare.
Sa aktive ka qenë kjo gazetari dhe sa interes ka ngjallur, është një çështje tjetër. Edhe sot, megjithëse gazetaria hulumtuese ekziston dhe zhvillohet, shpesh mungojnë temat esenciale, ato që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të thjeshtë.
Për fat të keq, shumica e hetimeve fokusohen tek afera korruptive apo skandalet seksuale brenda institucioneve publike, duke lënë në hije problemet e shumta të komuniteteve.
Kosova është një vend i vogël, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të vendeve perëndimore, dhe pritej që gazetaria hulumtuese të ishte më e zëshme dhe më e pranishme me tema goditëse. Nganjëherë krijohet përshtypja se mungon sensi dhe interesimi i duhur, pavarësisht mungesës së mjeteve financiare.
Megjithatë, ekzistojnë gazetarë që kanë sakrifikuar për vite me radhë, duke e mbajtur gjallë gazetarinë hulumtuese dhe duke u përpjekur ta avancojnë atë më tej.
Të investosh në gazetarinë hulumtuese dhe të kultivosh talent të aftë në këtë fushë përbën një garanci të rëndësishme për demokracinë, sepse forcon transparencën dhe llogaridhënien.
Kjo qasje duhet të kuptohet edhe në mediat dhe shoqërinë kosovare, duke mos e reduktuar gazetarinë hulumtuese vetëm në prodhim lajmesh, por duke e parë si një vlerë të domosdoshme për fuqizimin e demokracisë në një shtet që përballet me sfida të mëdha juridike dhe politike.
Investimi në gazetari hulumtuese nuk është thjesht investim në lajme: është investim në demokraci, transparencë dhe llogaridhënie.
Etika mbetet baza themelore e gazetarisë hulumtuese
Etika mbetet shtylla themelore e gazetarisë hulumtuese. Një gazetar hulumtues fiton besimin e publikut dhe forcën profesionale vetëm kur, përveç aftësive të tij në terren dhe në procesin hetimor, i kushton rëndësi të veçantë etikës në çdo hap të punës.
Pa respektimin e parimeve etike, çdo raportim rrezikon të humbasë kredibilitetin dhe qëllimin e tij publik. Gazetaria hulumtuese fillon të zbehet në momentin kur etika nënvlerësohet ose anashkalohet, sepse pikërisht ajo është garancia që e ndan të vërtetën profesionale nga manipulimi dhe sensacionalizmi.
Frika më e madhe për një gazetar hulumtues, mbetet përfundimi dhe argumentimi i historisë së tij
Në karrierën time profesionale kam dokumentuar mbi 35 kërcënime me vdekje, dhe asnjëherë nuk jam dorëzuar apo trembur. Ajo që më shqetësonte më së shumti ishte të sigurohesha që historia ime të ishte e plotë, e argumentuar dhe e bazuar në të vërteta të verifikuara.
Kur një storie përmban të gjitha provat dhe flet me një të vërtetë kritike e të bazuar në fakte, çdo sfidë tjetër bëhet vetëm pjesë rutinore e procesit.
Këshilla ime për gazetarët hulumtues është e thjeshtë, por e fuqishme, mos u dorëzoni para atyre të zhytur në krim dhe hakmarrje, por gjithmonë ruani kujdesin për veten dhe vëmendjen përreth, sidomos në një fushë të minuar nga njerëz dashakëqinj. Askush, në fund të fundit, nuk do të kujdeset për ju dhe familjen tuaj, edhe pse rreziku që ju përballeni i takon shoqërisë dhe njerëzve për të cilët punoni me përkushtim dhe pasion.
Jeni në rrezik nëse u jepni atyre arsyetime apo llogari, në vend të kësaj, injorojini kërcënimet dhe presionin, pa i marrë kurrë afër zemrës. Por gjithmonë kryeni detyrën tuaj me nder, saktësi, legjitimitet dhe kredibilitet, duke siguruar që storiet tuaja të jenë guximtare dhe të besueshme.
Autori është ligjërues në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT
Lajmet
Kompleksiteti ushtarak-operacional i inteligjencës: “Maduro jasht” nuk ishte akt lufte, por zbatim i ligjit
Published
7 months agoon
January 5, 2026By
ubtnews
(Operacioni special për neutralizimin e objektivave dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s përfaqëson kulmin e artit modern të zbatimit të ligjit përmes inteligjencës strategjike)
United Hospital: Teknologji moderne dhe ekspertizë mjekësore për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të tiroides
Kur sulmohet gazetaria, rrezikohet demokracia, të vërtetën nuk e hesht as pushteti, as linçimi
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 korrik 1993-1998?
REL: Përtej Pediatrisë: Me çfarë kushtesh përballen pacientët në QKUK?
Marc van Bommel emërohet përzgjedhës i Belgjikës
Jurgen Klopp emërohet përzgjedhës i Gjermanisë
Ligjvënës amerikanë nuk e duan Beogradin si mikpritës të sesionit të OSBE-së
Kurti: Zgjedhja e presidentit tejkalon një parti të vetme, përgjegjësi e të gjitha subjekteve
Cristian Volpato dyshohet për përdorim të kokainës pas testit policor në Sydney
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Lajmet2 days agoSHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar
-
Lajmet nga UBT2 months agoStudentët e vitit të tretë në UBT prezantojnë ekspozitën përfundimtare “The Graduets”
-
Aktualitet2 days agoTrumpi paralajmëron Houthit pas sulmit ndaj anijeve saudite

