Shtetet e Bashkuara do t’u ofrojnë termine me përparësi për vizë tifozëve që kanë bileta për Kupën e Botës 2026, vendim ky që erdhi pas takimit midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
FIFA njoftoi krijimin e sistemit të ri FIFA PASS, i cili synon të thjeshtojë procesin e aplikimit për viza dhe të rrisë pjesëmarrjen ndërkombëtare në turneun që zhvillohet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Turneu do të mbahet në 16 qytete dhe do të marrë pjesë 48 ekipe.
Infantino tha se SHBA-të janë të gatshme të mirëpresin tifozët nga e gjithë bota dhe se interesi për bileta është i madh, me mbi një milion të shitura deri tani.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri të ditur se tifozët me bileta mund të marrin një intervistë për vizë brenda 6–8 javësh nga aplikimi. Ai u bëri thirrje tifozëve që të aplikojnë sa më shpejt.
Aktualisht, shumë vende kanë pritje të gjata për termine vizash. Në Kolumbi pritja arrin deri në 11 muaj, në Mexico City rreth 9 muaj e gjysmë, ndërsa në Toronto deri në 14 muaj për banorët jo-qytetarë.
Nuk dihet ende nëse lehtësimet vlejnë edhe për shtetasit e vendeve të ndaluara të udhëtojnë në SHBA sipas urdhrit ekzekutiv të qershorit, që përjashton vetëm atletët dhe stafet, por jo tifozët.
Shumë qytetarë nga Evropa, Japonia, Australia dhe vende të tjera që janë pjesë e programit të heqjes së vizave mund të hyjnë në SHBA deri në 90 ditë pa vizë.
Në Kupat e Botës në Rusi dhe Katar, një biletë shërbente si dokument hyrjeje për tifozët, ndërsa për turneun e vitit 2026 tifozët do të duhet të respektojnë rregullat e zakonshme të vizave të SHBA-së./S.K/KP/