Qumështorja “Vita” ka njoftuar se do të ndërpresë punën për shtatë ditë, pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur mbylljen e fabrikës pas një inspektimi të kryer të enjten.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Artan Spahia, deklaroi para mediave se fabrika nuk do të punojë deri në daljen e rezultateve dhe vendimit përfundimtar nga autoritetet.
“Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës. Vendimi është që të mbyllet deri sa ata të dalin me një vendim me rezultatet. Ne i kemi kontrollet e analizat të gjitha. Fermerë ju kërkojmë falje, por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll juve e po ju falimenton. Shpresoj që të kthehemi pas shtatë dite. Nga sot, qumështorja ‘VITA’ nuk punon dhe nuk pranon qumësht”, tha Spahia.
Më pas, në një adresim para punëtorëve, ai kritikoi ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke pretenduar se veprimet e tij favorizojnë importin e qumështit në vend.
“Ministri i cili më shumë e do Serbinë, më shumë sesa neve. Do më shumë me hy qumështi prej Serbisë, në Maqedoni e me u fut në Kosovë, sesa qumështi i ‘Vitës’. Ne nuk jemi kriminela, ne kemi me shku faqebardhë dhe nuk kemi me u dorëzu”, u shpreh ai.
Spahia u premtoi gjithashtu punëtorëve se kompania do të vazhdojë aktivitetin në sektorë të tjerë dhe se pagat e tyre do të ekzekutohen pavarësisht pezullimit të përkohshëm të prodhimit.
Gjatë ditës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, njoftoi se 25 inspektorë u dërguan për kontroll të paparalajmëruar në qumështoren “Vita”.
Ndërkaq, zyrtari i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Eroll Shehu, konfirmoi se inspektimi ishte urdhëruar nga ministri. Sipas autoriteteve, arsyeja e veprimit lidhet me uljen e sasisë së prodhimit të qumështit nga 1 korriku, për shkak të mungesës së tregut./A.K/