Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot në Samitin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor se Bashkimi Evropian ende s’është Evropë, duke përmendur me këtë rast mospërfshirjen e Ballkanit Perendimor.
“Pjesa e parë ka të bëjë me shndërrimin e Bashkimit Evropian në Evropë”.
“Siç e dimë, shtatëdhjetë e një vite më parë, mes vuajtjeve të mëdha, shkatërrimit, armiqësisë dhe mosbesimit të krijuar nga Lufta e Dytë Botërore, është publikuar Deklarata Schuman dhe ka lindur një ide e guximshme; ideja e bashkëpunimit nëpërmjet institucioneve të përbashkëta. Kjo ide lulëzoi dhe çoi në krijimin e tregut më të madh të lirë në botë, duke bashkuar më shumë se 500 milionë njerëz në një Bashkim Evropia”.
“Megjithatë, edhe pse është zgjeruar në masë të madhe, BE-ja sot nuk është Evropë. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia mbeten jashtë BE-së”.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, por BE-ja akoma nuk është Evropë”./UBTNEWS
Fjala e kryeministrit Kurti sot ne Tiranë në Samitin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor:
“White Paper” për Agjendën për Ballkanin Perëndimor 2030
I nderuari Kryeministër i Shqipërisë, z. Rama,
I nderuari Komisioner i BE-së, z. Varhelyi,
Të nderuar liderë nga vendet fqinje dhe rajoni,
Kryeministër Rama, ju faleminderit për organizimin e këtij samiti dhe që na mblodhët të gjithëve, në të vërtetë, ne duhet të takohemi më shpesh dhe të bisedojmë më shumë.
E di që i kemi 5 minuta për prezantim, prandaj do të përpiqem të flasë shkurtimisht. Fjalën time do ta ndajë në tri pjesë, ku pjesa e fundit përfundon me një propozim për bashkëpunim të ardhshëm mes vendeve tona.
Pjesa e parë ka të bëjë me shndërrimin e Bashkimit Evropian në Evropë.
Siç e dimë, shtatëdhjetë e një vite më parë, mes vuajtjeve të mëdha, shkatërrimit, armiqësisë dhe mosbesimit të krijuar nga Lufta e Dytë Botërore, është publikuar Deklarata Schuman dhe ka lindur një ide e guximshme; ideja e bashkëpunimit nëpërmjet institucioneve të përbashkëta. Kjo ide lulëzoi dhe çoi në krijimin e tregut më të madh të lirë në botë, duke bashkuar më shumë se 500 milionë njerëz në një Bashkim Evropian.
Megjithatë, edhe pse është zgjeruar në masë të madhe, BE-ja sot nuk është Evropë. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia mbeten jashtë BE-së.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, por BE-ja akoma nuk është Evropë.
Pjesa e dytë ka të bëjë me faktin që modeli ynë aktual i angazhimit duhet të ndryshojë.
Qasja aktuale ndaj bashkëpunimit rajonal ndikohet negativisht nga mosmarrëveshjet politike që e kanë penguar bashkëpunimin dhe i kanë ngritur dyshimet dhe pasiguritë në lidhje me të ardhmen. Për t’i zgjidhur këto probleme, ne së pari duhet ta pranojmë hapur burimin e tyre, pa ekuivoke ose finesë.
Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është pengesë e vazhdueshme ndaj bashkëpunimit rajonal. Kosova nuk mund të angazhohet në iniciativa që janë të përshtatura për ta mohuar statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur; ne do të angazhohemi vetëm si të barabartë.
Në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Kosova vazhdimisht është trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë. Në formën e saj aktuale, CEFTA nuk mund ta përgatisë rajonin për anëtarësim në BE. Kemi nevojë për përmirësim dhe përshpejtim.
Në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, të gjitha iniciativat shndërrohen në mosmarrëveshje në lidhje me terminologjinë. Duke i pasur parasysh këto fakte, nuk mund të pretendojmë që iniciativat e ardhshme do t’i zgjidhin pengesat aktuale, përveç nëse e ndërrojmë kornizën aktuale të bashkëpunimit.
Për më tepër, korniza aktuale nuk i adreson çështjet që ndërlidhen me pjesëmarrjen demokratike, ballafaqimin me të kaluarën, luftën kundër korrupsionit, llogaridhënien nga qeveria, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias.
Kjo më sjell në pjesën e fundit, e cila është rruga që e kemi përpara.
Për të ecur përpara na duhet një kornizë e re bashkëpunimi, e cila bazohet në vlera të përbashkëta dhe në një zotim për një sërë parimesh thelbësore. Kjo kornizë e re do të quhej Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – ose SEFTA.
SEFTA do t’i përfshinte vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, bazuar në një marrëdhënie të veçantë me BE-në, të ngjashme me marrëveshjen e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA).
Pas krijimit të SEFTA-s, BE-ja, përmes një marrëveshje me SEFTA-në, do të zgjerojë katër liritë e BE-së – lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, personave dhe kapitalit – në të gjithë vendet e SEFTA-s.
Kjo marrëveshje do të modelohet në Marrëveshjen aktuale EFTA-EEA e cila do të parashikonte që Ballkani Perëndimor dhe BE të ecnin përpara së bashku duke u bazuar në legjislacionin e BE-së.
Marrëveshja do të kishte një strukturë të ngjashme institucionale të modeluar rreth EEA-së që do të përbëhej nga Këshilli, Komiteti i Përbashkët, Gjykata, Sekretariati dhe autoriteti i Mbikëqyrjes, ndër të tjera.
Marrëveshja do t’i përgjigjej gjithashtu “Planit të Investimeve Ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor”, i cili synon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro në fonde në këtë dekadë.
Duke pasur parasysh mungesën e gatishmërisë dhe ekspertizës brenda rajonit, marrëveshja me BE-në do të parashikonte një mekanizëm mbikëqyrjeje, të drejtuar dhe operuar në kuadër të Bashkimit Evropian për të siguruar që të gjithë anëtarët e respektojnë marrëveshjen; kjo është thelbësore nëse do të kemi një treg të përbashkët që funksionon në mënyrë të drejtë dhe parimore.
BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të mund të zhvillonin një samit të veçantë në vitet 2024 dhe 2027 për ta vlerësuar nivelin e gatishmërisë për anëtarësim të plotë në BE.
Republika e Kosovës është e interesuar të anëtarësohet në BE dhe të kontribuojë në rritjen e saj të vazhdueshme. E mirëpresim mundësinë për të punuar ngushtë me të gjithë fqinjët tanë rajonalë në lehtësimin e anëtarësimit tonë kolektiv në BE. Propozimi ynë është i guximshëm, por të tilla janë edhe ëndrrat e qytetarëve tanë. Ne jemi të bindur që nëse ecim së bashku në këtë rrugë, atëherë do të jemi në gjendje të adresojmë shumë sfida dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët.
Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.
Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.
Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës
Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.
Shërbimet përfshijnë:
Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.
Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.
Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.
Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.
Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës
Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.
United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.
Kontakti për termine dhe informata:
UNITED HOSPITAL
046 60 70 70
M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë
United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/
Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.
Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.
“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.
Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.
Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.
UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.
Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.
Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”
Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.
“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”
Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.
Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.
UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
13 nëntor 1992
“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë
Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.
13 nëntor 1993
Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.
Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.
13 nëntor 1995
Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë
Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.
Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.
13 nëntor 1996
Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi
Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.
Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.
13 nëntor 1997
Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë
Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.
13 nëntor 1998
Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë
Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:
– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.
I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:
– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.
Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:
– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.
I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:
– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.
Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:
– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.