Kulturë

Aktori Alban Ukaj një zë aktiv i shoqërisë në Bosnjë

Published

on

Nëse nuk bisedojmë për ngjarjet pas viteve 90-të në ish-Jugosllavi dhe nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë gabimet tona, kam frikë se do të na përsëriten gjërat e asaj periudhe – thotë për DW aktori Alban Ukaj. 

Alban Ukaj e ka filluar karrieren e aktrimit në hapësirat e zyrave të minatorëve në Prishtinë. Aty gjendej Akademia pas luftës në Kosovë. Disa vite më vonë shkoi për herë të parë në Sarajevë. Ai nuk e dinte gjuhën, por kishte vendosur të shpërngulej dhe vazhdonte studimet në Sarajevë. Nga ajo kohë kanë kaluar 20 vite. Albani thotë se ka menduar se do të shkonte diku tjetër, apo do të kthehej në Prishtinë. Por vitin e tretë të studimeve nisi të punonte dhe nga ajo kohë jeton aty.

Alban Ukaj



“Në njëfarë mënyrë kam ndërtuar një familje timen në Sarajevë dhe kur më pyet dikush pse Sarajeva, i kam disa personazhe që i përmend. E kam marrë edhe një vullnet më të madh që të bëj një vazhdimësi të asaj që kanë bërë ata gjatë luftës e shfaqje pasi kanë pasur mbi 120 e ca premiera gjatë atyre katër viteve të luftës këtu dhe jam emocionalisht disi i lidhur me qytetin.” – thotë Albani.  

Alban Ukaj

Aktori me origjinë nga Kosova ka punuar në shumë teatro të rajonit. Ai është i punësuar në teatrin që nisi punën në kohën e shtetërrethimit të Sarajevës SARTR, por ka dhënë shfaqje edhe në Teatrin Kombëtar.

Ukaj është zë aktiv i shoqërisë në Bosnje dhe kritik i ashpër i fenomeneve në shoqëri. Është marrë me temën e luftës dhe është një nga artistët e angazhuar, kritik i nacionalizmit dhe debaton në vazhdimësi për të shkuarën.  

“Quo vadis, Aida?”

Në filmin boshnjak “Quo vadis, Aida?” që u nominua për Oscar në kategorinë e filmave të huaj, por që ndonëse favorit nuk fitoi, Albani luan rolin e njërit prej të punësuarve në bazën e atëhershme të OKB-së ku u vranë mbi 8 mijë myslimanë. Filmi tregon historinë e masakrës së Srebrenicëspërmes përkthyesve dhe paraqet fatin e Aidës, që nuk e shpëtoi dot familjen e saj.

“Që të mos përsëritet diҫka e ngjashmë prapë, duhet ndoshta me qenë radikal në aspektin, të përmendet ajo periudhë, të bashkëjetohet me problemet që janë bërë dhe krimet që janë bërë gjatë viteve të ’90 në ish-Jugosllavi për ta pasur një lloj pastrimi personal secili prej nesh në këto shtetet që janë formuar pas shpartallimit të ish-Jugosllavisë.” – thotë aktori.

Ai tregon se ka njëfarë frike që brezat e rinj që po vijnë, sidomos në kryeqendrat e ish-Jugosllavisë “po bëhen më nacionalistë dhe më radikalë nga sa kanë qenë gjeneratat tona të viteve ’90.

Anita Mancic dhe Alban Ukaj gjatë provave të një shfaqjeje, Beograd 2012

Nëse vazhdojmë me përzgjedh fryma të djathta në qeveri, e kam një frikë që nëse mundohemi ta shtypim brenda atë frustrimin që e kemi prej viteve ’90 dhe nuk e lejojmë të dalë jashtë, nuk bisedojmë për atë punë, nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë gabimet tona, nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë krimet tona – atëherë frikësohem se do na përsëriten gjërat e asaj periudhe.” – thotë  Alban Ukaj. 

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKTK raporton rritje të të ardhurave dhe investimeve në trashëgiminë kulturore

Published

on

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka publikuar të dhënat për nëntëmujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026, duke evidentuar rritje të të ardhurave, investimeve dhe projekteve të konservimit e kërkimit arkeologjik.

Sipas të dhënave të institutit, të ardhurat janë rritur me 93 për qind krahasuar me vitin 2025, ndërsa investimet në pasurinë kulturore kanë shënuar rritje prej 400 për qind.

Edhe projektet e konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik kanë shënuar rritje të ndjeshme. Numri i tyre është rritur me 282 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe me 133 për qind në raport me vitin 2025.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në disa zona të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Lushnjën, Fierin, Korçën, Ersekën, Pogradecin, Divjakën dhe Sarandën.

Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje prej 279 për qind të monitorimeve arkeologjike krahasuar me vitin 2025.

Në kuadër të forcimit të kuadrit rregullator, numri i akteve nënligjore të miratuara ka arritur në tetë gjatë vitit 2026. Ndërkohë, aktmarrëveshjet për monitorimin arkeologjik janë rritur me 32 për qind krahasuar me vitin 2025 dhe me 164 për qind në raport me vitin 2024.

Sipas IKTK-së, këto të dhëna pasqyrojnë zgjerimin e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes, konservimit dhe studimit të trashëgimisë kulturore./atsh/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara