Rruga drejt famës s’është aspak e lehtë. Aftësia për t’u përballur me dështimin dhe besimi ndaj vetes janë dy cilësi të rëndësishme në çdo profesion, dhe aktrimi nuk bën përjashtim.
Madje edhe aktorët më të famshëm dhe yjet e Hollywood-it u përballen me dështime në fillim të karrierës dhe madje shumë shpesh iu janë mbyllur edhe dyert.
Carey Mulligan
Carey Mulligan u refuzua në të gjitha shkollat e teatrit në të cilat ajo aplikoi. Dhe më vonë ajo e quajti audicionin në Qendrën e Dramës në Londër “torturë”. Përfaqësuesit e saj i rekomanduan që ajo të bëhej spikere në një shfaqje për fëmijë. Aktorja e ardhshme u trondit nga refuzimi.
Tani, ajo është fituese e BAFTA-s për ‘aktoren më të mirë’ në rolin kryesor në filmin “An Education” dhe çmimin e zgjedhur nga kritikët për ‘gruaja e re premtuese’. Shumë njerëz e njohin Carey Mulligan falë rolit të Daisy në “The Great Gatsby”.
Lisa Kudrow
Para suksesit të “Friends”, Lisa Kudrow u pushua nga sitcom “Frasier” në ditën e tretë të provave. Krijuesit vendosën ta zëvendësojnë atë me një aktore tjetër. Edhe pse Lisa pranon se ishte vërtet e trishtuar, ajo gjeti forcën për të vazhduar përpara.
Disa vite më vonë, Lisa mori një çmim Emmy si aktorja dytësore në serialin “Friends”. Përveç kësaj, Kudrow dhe kolegët e saj u bënë aktorët dhe aktoret televizive më të paguara në atë kohë, duke fituar nga një milion dollarë për çdo episod të sezonit të 9-të dhe të 10-të.
Jack Nicholson
Për të qenë më afër botës së kinemasë, 20-vjeçari Jack Nicholson pranoi punën si asistent në departamentin e animacionit në MGM dhe më vonë filloi të ndiqte mësime për aktrim dhe të folur. Në fund të viteve ’50, ai filloi të pranonte role në filma, por ai nuk ishte vërtet i suksesshëm.
Nicholson u bë i famshëm pas serialit “Easy Rider” dhe ai ishte 30-vjeçar. Ky ishte momenti i përparimit për të.
Hilary Swank
Para se të merrte rolin e saj të parë të rëndësishëm, Hilary Swank ishte pjesë e filmave të vegjël. Në fillim të karrierës së saj, ajo portretizoi një nënë beqare në “Beverly Hills, 90210”. Por roli i saj iu ndërpre pas 16 sezonave. Ndonëse u shkatërrua nga ky refuzim, pas një kohe tha se nëse nuk do të ishte aq e mirë, nuk do të ishte pjesë e asaj drame.
Por vitin e ardhshëm, aktorja mori rolin kryesor në filmin “Boys Don’t Cry”, me të cilin fitoi një çmim Oscar. Dhe pesë vite më vonë fitoi çmimin e dytë Oscar me rolin e saj në “Million Dollar Baby”.
Maggie Gyllenhaal
Gjatë gjithë karrierës së saj të aktrimit, Maggie Gyllenhaal shpesh përballej me opinione negative për pamjen e saj. Kjo është arsyeja pse asaj nuk iu dhanë role të caktuara, për shembull, ato romantike. Njohjen e parë dhe çmimin e parë e mori me rolin e sekretares. Por ajo është ende e zhgënjyer nga shumë gjëra në Hollywood. Ajo ishte 37-vjeçare kur i thanë se ishte shumë e vjetër për të portretizuar dashurinë e një burri 55-vjeçar.
Në vitin 2021, Maggie debutoi si regjisore. Filmi i saj “The Lost Daughter” mori çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin e Filmit në Venecia./UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.
Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.
Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/
Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.
Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.
Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.
Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.
Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.
“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.
Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.
Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.
“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.
Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/
Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.
Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.
“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/