Aktualitet

Agjencia rregullatore bërthamore e Ukrainës: monitorët e rrezatimit në Çernobil kanë pushuar së funksionuari

“Nuk ka më zjarrfikës në dispozicion në rajon për të mbrojtur pyjet e ndotura nga dekada radioaktiviteti”.

Published

on

Agjencia rregullatore bërthamore e Ukrainës thotë se monitorët që masin nivelin e rrezatimit rreth termocentralit bërthamor të Çernobilit, vendi i aksidentit bërthamor më të rëndë në botë në vitin 1986, kanë pushuar së punuari.

Në një deklaratë të hënën, agjencia tha gjithashtu se nuk ka më zjarrfikës në dispozicion në rajon për të mbrojtur pyjet e ndotura nga dekada radioaktiviteti, ndërsa moti po ngrohet. Uzina u morr në kontroll nga forcat ruse më 24 shkurt.

Sipas deklaratës të së hënës, kombinimi i disa rreziqeve mund të nënkuptojë një “përkeqësim të ndjeshëm” të aftësisë për të kontrolluar përhapjen e rrezatimit jo vetëm në Ukrainë, por përtej kufijve të vendit në javët dhe muajt në vazhdim.

Ekipi drejtues i uzinës së Çernobilit tha të dielën se 50 anëtarë të personelit që kishin punuar pa pushim që nga marrja në kontroll nga Rusia janë ndërruar dhe zëvendësuar.

Ukraina i tha Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se rreth gjysma e personelit “më në fund” ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpitë e tyre të dielën pasi punuan në vendndodhje për gati katër javë, tha drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi.

Ata që u larguan u zëvendësuan nga personel tjetër ukrainas, tha zoti Grossi në një deklaratë të dielën vonë.

“Është një zhvillim pozitiv – megjithëse i vonuar prej kohësh – që disa anëtarë të personelit në Çernobil tani janë ndërruar dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre”, tha zoti Grossi.

“Ata meritojnë respektin dhe admirimin tonë të plotë që kanë punuar në këto rrethana jashtëzakonisht të vështira. Ata ishin atje për një kohë të gjatë. Unë sinqerisht shpresoj që stafi i mbetur gjithashtu të mund të ndërrohet së shpejti”.

Më 24 shkurt, ditën kur Rusia sulmoi Ukrainën, trupat e Moskës morën kompleksin e Çernobilit, vendi i shkrirjes bërthamore të vitit 1986 që shkaktoi katastrofën më të keqe të një reaktori bërthamor në histori.

Rreth 100 anëtarë të personelit teknik kanë punuar të rrethuar nga roje të armatosur për të mirëmbajtur kompleksin.

Zoti Grossi, i cili kishte shprehur shqetësim të thellë për mirëqenien e personelit ukrainas, “përshëndeti lajmin për rotacionin e pjesshëm të personelit”, tha agjencia.

“Përpara rotacionit të sotëm, i njëjti grup pune kishte qenë në vend që një ditë përpara se forcat ruse të hynin në zonë,” shtoi ai.

Është e paqartë përse ushtarët rusë morën nën kontroll Çernobilin, ku reaktori i shkatërruar mbahet nën mbikëqyrje të rreptë brenda një sarkofagu prej betoni dhe plumbi, dhe tre reaktorët e tjerë po çaktivizohen.

Në vitin 2017, reaktori ishte një nga disa objektivat ukrainase të goditura nga një sulm masiv kibernetik që mendohej se e kishte origjinën në Rusi, i cili për një kohë të shkurtër e nxorri sistemin e saj të monitorimit të rrezatimit jashtë rrjetit.

Continue Reading

lajme

UBT dhe Instituti Yunus Emre bashkojnë artin dhe komunikimin përmes filmit “The Colors of Nazar”

Published

on

By

Në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre në Prishtinë, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi shfaqjen e filmit “The Colors of Nazar” (“Ngjyrat e Mësyshit”), në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së. Në aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, z. Ramadan Yilmaz.

Pas shfaqjes së filmit, aktiviteti vazhdoi me një panel diskutimi, ku ekipi realizues ndau me të pranishmit përvojat nga procesi i krijimit të dokumentarit, duke trajtuar aspektet artistike dhe teknike të produksionit. Panelistë ishin regjisori Dr. Fatih Diren, drejtori i fotografisë Evrim Inci, protagonistja kryesore Gizem Ozdemir dhe profesori Berk Kyqyk.

 

Në këtë aktivitet morën pjesë dekani dhe prodekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, profesorë dhe studentë të UBT-së, të cilët patën mundësi të bashkëbisedojnë me ekipin realizues dhe të njihen më nga afër me përvojën e tyre profesionale në fushën e filmit dokumentar.

Ky aktivitet shënon një tjetër mundësi për bashkëpunim kulturor dhe akademik ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash dhe përfshirjen e studentëve në diskutime me profesionistë të industrisë audiovizuale.

Continue Reading

Vendi

BE-ja shpreh shqetësim për dhunën në protestën e Tiranës: Kërkon hetim për forcën e policisë

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke kërkuar që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen me përparësi.

Përmes një deklarate zyrtare, BE-ja theksoi domosdoshmërinë që forcat e rendit të veprojnë brenda kornizave ligjore dhe të respektojnë të drejtat e njeriut.

“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në deklaratë.

Më tej, BE-ja theksoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen dhe të ushtrohen gjithmonë në mënyrë paqësore. Blloku evropian u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të ulin tensionet dhe t’i drejtohen dialogut konstruktiv për zgjidhjen e situatës.

Continue Reading

Vendi

Bëhet ndërrimi i komandës së KFOR-it në Kosovë

Published

on

By

Në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë sot është mbajtur ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Gjatë kësaj ngjarjeje, komandanti i deritanishëm, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ia dorëzoi zyrtarisht detyrën gjeneralmajorit Roberto Vergori, i cili do të marrë drejtimin e mëtejshëm të misionit.

Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfshirë presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministrave e ish-presidentëve të vendit.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për shërbimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, duke i uruar njëkohësisht sukses komandantit të ri, gjeneralmajorit Vergori, në përgjegjësinë e tij të re.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, nga i cili u informua se Italia po përgatit një dokument për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral ushtarak me Kosovën. Qeveria dhe Forca e Sigurisë e Kosovës rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in në shërbim të paqes dhe stabilitetit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tensione në Tiranë: Studentët përplasen me policinë, sulmohet një bankë komerciale dhe dëbohen politikanët

Published

on

By

Tensionet në Rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po vazhdojnë edhe sot, ku protesta e studentëve ka pësuar përshkallëzim të mëtejshëm. Disa nga protestuesit kanë sulmuar një bankë komerciale, duke i goditur e thyer xhamat e jashtëm si dhe duke tentuar t’i shkulin pllakat e godinës.

Në protestë janë grumbulluar studentë nga universitete të ndryshme, përfshirë Universitetin e Mjekësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Politeknikun, Fakultetin e Drejtësisë e të tjerë. Ndaj ndërtesës së ministrisë janë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Shtetit është pozicionuar përballë tyre dhe po vazhdon shpërndarjen e turmës me ujë me presion, si dhe ka arrestuar e shoqëruar disa pjesëmarrës.

Situatë me tensione u shënua edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku një grup protestuesish e theu derën kryesore dhe u fut brenda ambienteve të fakultetit.

Në vendngjarje u parën edhe disa deputetë të Partisë Demokratike (PD), mirëpo prania e tyre u refuzua nga të rinjtë. Figurat politike si Belind Këlliçi dhe Eno Bozdo u dëbuan nga vetë studentët, të cilët iu kërkuan të largohen për të shmangur politizimin e kauzës, përpara se të vazhdonin përplasjen me forcat policore.

Ndërkohë, vala e protestave dhe pakënaqësive po përhapet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Universitetin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës ka nisur bojkotimi i procesit mësimor në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë. Ndërkaq, në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër situata raportohet të jetë e qetë dhe mësimi po zhvillohet normalisht. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara