Lajmet

Abdixhiku i fton partitë parlamentare për qeveri tranzicionale

Published

on

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzicionale dhe “unifikuese”.

Propozimi i Abdixhikut vjen pas një letre që ai e mori nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për koalicion qeverisës dhe pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja rreth tre muaj pas zgjedhjeve.

“Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të tranzicionit”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.

Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.

“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.

Ai i ktheu përgjigje Kurtit edhe përmes një letre pas marrjes së kërkesës për koalicion qeverisës, në të cilën, ndër të tjera, thuhet se Kosova ndodhet në “një krizë të thellë politike dhe institucionale për shkak të dështimit tuaj të krijoni partneritete politike që do ta garantonin shumicën”.

Abdixhiku tha se i ka ftuar liderët e partive parlamentare dhe se e fton edhe Kurtin, për takim konsultativ për ta nisur këtë proces.

Ai tha se qeveria e tranzicionit do të kishte një kryeministër “unifikues” dhe se do të zgjaste deri në kohën kur vendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, pra në prill të vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

“Po flasim për qeveri nacionale të tranzicionit, të unitetit të tanishëm, të domosdoshëm për Kosovën dhe me afat të shkurtër. Me kryeministër dhe kabinet unifikues deri në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, tha ai.

Kurti e përsëriti të martën gjatë një ngjarjeje në Gjilan se ai “unë do të jem kryeministër dhe vazhdojmë tutje”, pasi ishte pyetur rreth formimit të institucioneve të reja.

Abdixhiku tha se disa prej liderëve të partive parlamentare kanë shprehur gatishmëri për këtë dhe se Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka pranuar ftesën.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse, që është pamjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi Partia Demokratike e Kosovës, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postimin e kryetarit të Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, po dështon për shkak se Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Haxhiu shihet nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, derisa LDK-ja nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj./REL/

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

lajme

Komisioni për Punë të Jashtme pret në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Published

on

By

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, László Dux.

Takimi mes anëtarëve të komisionit parlamentar dhe diplomatit hungarez po zhvillohet prapa dyerve të mbyllura për mediat.

Deri më tani nuk janë bërë me dije detaje zyrtare lidhur me temat konkrete të cilat janë përfshirë në agjendën e këtij takimi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova e përmbyll Kampionatin Ballkanik të Karatesë me 10 medalje

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.

Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.

Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.

Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara