Qeveria e re e Malit të Zi duhet të ketë 7-8 detyra të qarta, thotë Dritan Abazoviq në intervistë ekskluzive për DW. Ndër to janë vazhdimi i rrugës evropiane dhe përgatitjet për sezonin e ri turistik.
Shoqëria malazeze është ende e polarizuar, thotë në një intervistë për DW, Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministër në mandatin e qeverisë së kaluar dhe kandidati kryesor për kryeministër të ardhshëm malazez. Ai do të dëshironte që Mali i Zi të jetë plotësisht i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025.
Abazoviq vlerëson se në 14 muajt e qeverisjes së Zdravko Krivokapiqit janë iniciuar shumë gjëra pozitive, si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se aty janë arritur rezultate konkrete. Ai thekson se ndryshimet në administratën publike janë një proces gradual dhe pohon se tashmë është shfaqur një “valë e re njerëzish”. “Ne jemi këtu për të treguar se kohezioni social është i mundur”, thotë Abazoviq, duke theksuar se do të bënte gjithçka për të parandaluar ekzistencën e “dy shteteve paralele në Mal të Zi”.
“Ne e mposhtim DPS-në më 30 gusht”
Akuzave se ai po punon në shërbim të disa faktorëve të huaj, “si për shembull, për Serbinë apo të tjerë”, Abazoviq u përgjigjet se kjo është retorikë e atyre që pëlqejnë përçarjet në Mal të Zi. Ai e sheh veten si një politikan që “doli nga klishetë e deritanishme”. “E mposhtëm Partinë Demokratike Socialiste (DPS) më 30 gusht” dhe tani “duhet të ndërtojmë institucionet e sistemit”. DPS e ka “kopjuar” mënyrën e qeverisjes së saj në shumë institucione dhe kompani, e kjo tani është kapërcyer.
Qeveria e re e Malit të Zi duhet të ketë 7-8 detyra të qarta, ndër të cilat më kryesoret janë “zhbllokimi i rrugës europiane”dhe përgatitjet për sezonin e ri turistik. Abazoviq i quan këto si detyra “kryesore” dhe beson se ato janë shumë specifike, të diferencuara qartë dhe të zgjidhshme. Sidomos nëse Mali i Zi “gjen veten në një kuptim pozitiv” – bashkohet dhe çon përpara çështjet që janë në interes të “shumicës dërmuese të qytetarëve”.
Qeverisë së kaluar i mungonte mbështetja e një parlamenti funksional dhe një shumicë funksionale parlamentare. Kjo duhet të zhbllokohet tani. Por jo duke bërë zgjedhje të reja pa reformë zgjedhore. Është koha për të dalë nga një “perceptim primitiv i realitetit politik”, thotë Abazoviq, duke theksuar vazhdimisht nevojën për “pajtimin e Malit të Zi”.
Nacionalizmi dhe korrupsioni
Mendime të tilla si ajo se malazezët dhe serbët nuk mund të funksionojnë së bashku në vend janë pjesë e mendimeve të vjetra: “Unë qëndroj pas tezës se korrupsioni dhe krimi i organizuar fshihen pas çdo nacionalizmi në Ballkan”.
Abazoviq kujton gjithashtu se deri më tani ka pasur shumë kontakte me“bashkësinë ndërkombëtare”. Ai i kërkon asaj mbështetje, por jo në kuptimin që bashkësia ndërkombëtare të rregullojë marrëdhëniet e brendshme në Mal të Zi. “Kjo është detyrë ekskluzive e përfaqësuesve legjitimë të popullit,” thotë Abazoviq, i cili nga bashkësia ndërkombëtare pret që “të mbështesë përpjekjet e Malit të Zi për t’u bërë anëtari i ardhshëm i BE-së dhe që Mali i Zi të ruajë kursin e tij politik properëndimor.”
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim përshëndetës ambasadorin jorezident të Australisë për Kosovën, Richard Rodgers, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Gjatë këtij takimi, Konjufca shprehu mirënjohjen e tij për punën e ambasadorit, duke e falënderuar për angazhimin e vazhdueshëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Australisë.
Të dy bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë e vendeve respektive për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe për të forcuar më tej lidhjet diplomatike dhe miqësore në të ardhmen.
Zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, dhe aktivisti Bahri Zabeli kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës pas lëndimeve në kokë që morën gjatë një përleshjeje në një kafene në Skenderaj. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Mehani u sulmua nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku, dhe truprojat e tij derisa po pinte kafe.
Në reagimin e tyre, Vetëvendosje tha se “Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Ky sulm tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje.”
Ndërsa, Sami Lushtaku i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk i sulmoi ai, por se qytetarët reaguan të irrituar nga provokimet.
“Etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan!”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi nga organet e rendit që të veprohet menjëherë.
“Mandati publik nuk është mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik. Ftoj organet e rendit të veprojnë menjëherë dhe pa asnjë hezitim”, shkruan Haxhiu.
Policia tashmë ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit.
Ka përfunduar me sukses operacioni i evakuimit në minierën e Trepçës në Stan Tërg, ku të gjithë minatorët që kishin mbetur të bllokuar tashmë kanë dalë mbi sipërfaqe. Lajmi është konfirmuar pas nxjerrjes së 18 punëtorëve të fundit, të cilët po qëndronin në zgafellë si pasojë e një defekti të rëndë elektrik.
Më herët, menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” kishte sqaruar përmes një njoftimi zyrtar se nga rreth 50 punëtorë sa ishin bllokuar fillimisht, 29 prej tyre kishin arritur të dalin menjëherë, ndërsa 18 të tjerë pritën ndërhyrjen alternative për shkak të bllokimit të liftit, raporton Ekonomia online.
Sipas ndërmarrjes, ky incident erdhi si pasojë e një avarie në linjën 35 kilovolt në Stan Tërg, ku shkëputja e një përcjellësi në hyrje të trafostacionit dëmtoi izolatorët dhe shkaktoi djegie në trafon kryesore që furnizon flotacionin me energji elektrike. Ekipet teknike kanë qenë në teren për të sanuar dëmtimet e stabilimenteve, ndërsa gjendja e minatorëve të evakuuar raportohet të jetë stabile. /Ekonomia online/
Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.
Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Sipas dokumentit, njoftimi mban numrin e transmetimit DDTC 26–017, dhe i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.
Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.
Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë licencë. /REL/