Kulturë

“A Silent Scream Is a Yawn”: Ekspozita e Manushaqe Ibrahimit, arti që dekodon emocionet, zëri i mendimeve të pashprehura dhe një alfabet për të gjithë

Published

on

Në një mbrëmje të zakonshme në Galerinë 17, heshtja e zakonshme e hapësirës u prish nga një shpërthim i butë tingujsh të brendshëm, i ngjashëm me një zhurmë të lehtë kur hap një letër të mbyllur prej kohësh. Kështu u hap ekspozita e Manushaqe Ibrahimit, e cila, me titullin e saj provokues “A Silent Scream Is a Yawn- Një ulërimë e heshtur është një përgjumje”, sfidoi çdo perceptim të zakonshëm për artin dhe të pashprehurën.

Duke mishëruar fragmente të jetës së përditshme, artistja ndërton një univers të formuar nga përvojat personale dhe reflektimet mbi izolimin, duke përdorur ngjyrat, format dhe simbolet si mjete për të krijuar një “alfabet personal.”

Ekspozita nuk është thjesht një përmbledhje e veprave artistike, por një kod i përjetimeve të brendshme që kërkon zbërthim. Si një ndërthurje midis intimitetit të Edward Hopper-it dhe simbolizmit të Gustav Klimt-it, Ibrahimi krijon një alfabet të ri, ku çdo vepër është një fragment i një gjuhe që nuk është folur kurrë.

Jastëkët e zi: Platforma e reflektimit… një ftesë për të dekoduar veten!

Shtatë piktura dhe tri video u shfaqën si një ftesë për të hyrë në thellësitë e mendimeve të pathëna, gabimeve të paanalizuara dhe bisedave të lëna pezull brenda vetes.

“Ekspozita është një hapësirë ku çdo gjë është e rastësishme, si jeta vetë. Ato biseda që nuk kemi guxuar t’i themi, ato momente kur kemi dështuar të mësojmë nga gabimet, të gjitha marrin jetë këtu,” tha artistja.

Me një ftesë delikate, ajo shtoi: “Jastëkët nuk janë thjesht për t’u ulur; ata janë një metaforë për një vend ku mund të ndalosh, të përqendrohesh dhe të dëgjosh zërin tënd të brendshëm, Nëse dëshironi, mund të uleni dhe të reflektoni para këtyre pikturave, ose të keni një bisedë të hapur me njëri-tjetrin. E rëndësishme është të mos i lini mendimet brenda, por t’i nxirrni jashtë.”

Lexime të ndryshme mbi një gjuhë unike… një zë që gjen kuptim në vetmi!

Kevin Kqira, artist, e interpreton këtë alfabet si një zë që kërkon vesh nga një monotoni e heshtur, një kontrast të fuqishëm mes dominimit dhe kaosit, një zë të ngritur që përplaset mbi mure të paqarta

“Zëri këtu është monotoni dhe ngritje njëkohësisht. Manushaqja krijon një hartë suksesi përmes figurave të saj. Ka një vale zëri që nuk pushon nga monotonia në ngritje, nga dështimi në triumf, është një hartë suksesi dhe një rrugë që i përket secilit, ku gjithkush gërvisht si macja në një hapësirë që të mban brenda, por edhe të sfidon të dalësh jashtë.” Ai pyet: “Çfarë ndodh nëse figura kthehet mbrapsht? A është ky një gabim, apo një tjetër mënyrë për ta lexuar botën?”

Sadri Çoçaj, dizajner grafik, e përshkruan ekspozitën si një vend ku mendimet e pathëna bien ndesh me njëra-tjetrën, duke na treguar konfliktin midis të shfaqurës dhe të fshehtës. Një gjuhë që refuzon të jetë e qartë, si rrudhat e pikturave të Egon Schiele-s.

“Ka mendime që s’kanë zë, por bien ndesh mes veti. Kjo është forca e artit të Manushaqes, të flet për konfliktin e brendshëm që, në fund, të ndihmon të shohësh më qartë.”

Ndërkohë, Gent Ademaj, dizajner shpalos një melankoli të qetë mbi vështrimin e tij për veprat:
“Ky është një udhëtim nostalgjik – çfarë kemi qenë, çfarë jemi, dhe çfarë kemi për t’u bërë. Veprat e Manushaqes janë si kujtimet e ndërlikuara, të dhimbshme dhe të bukura, që të detyrojnë të mendosh për rrugët që ke ndjekur dhe ato që të presin. Ka një ndjesi të thellë të nostalgjisë në këtë art.”

Në anën tjetër, Dea Berisha, studiuese e politikës i përkufizon veprat si zona të tensionuara ku “je brenda, por ndihesh i përjashtuar.” Për të, këto piktura pasqyrojnë luftën për ekzistencë dhe përpjekjen për t’u bërë “personazh në botën toksike të së përditshmes.” Edhe Dea sikur figurat e Giacometti-t, që humbin formën, por ruajnë një identitet të heshtur.

“Jam, por nuk jam. Si kjo pikturë, që ndihesh pjesë e saj, por je jashtë. Sikur të të përjashtonte dhe të të mirëpriste njëkohësisht. Një luftë e brendshme për të qenë diçka më shumë se një pikë në univers.” 

Në veprat e Ibrahimit, Sara Çafleshi, artiste, sheh një “kaos të bukur,” që i ngjan lëvizjeve surrealiste të Miró-s: “Kombinimi i ngjyrave duket i pamundur, por ato bashkëpunojnë me një harmoni që sfidon logjikën. “Është kaos i bukur. Nuk të shkon në mend se këto ngjyra (e kuqe, e gjelbërt, e verdhë) mund të kombinohen, por ja që funksionojnë. Si një ditë me shi që papritur bëhet diell.”

Yll Avdiu, artist, vlerëson aftësinë e veprave për të krijuar një kaos të kontrolluar: “Elementet abstrakte sfidojnë perceptimet tona, duke nxitur një analizë të hollësishme për të zbërthyer alfabetin si një element të përhershëm të dialogut njerëzor.”

Ai e përshkroi alfabetin e Manushaqes si një enigmë që vazhdon të sfidojë: “Pamja dhe dëgjimi këtu janë dy elemente që bashkëjetojnë. Një alfabet i përsëritur, por që gjithmonë zbulon diçka të re. Është një kod që kërkon durim për t’u deshifruar.”

Por më i habitshëm është këndvështrimi profesorit të sportit, Milaim Berisha, i cili e përjeton artin në mënyrën e tij praktike: “Secili këtu tërheq diçka, sikur të ishin lojtarë në një fushë loje. Vijat e bardha shfaqen kur të këqijat largohen. Ky është arti – një lojë e heshtur, por me rregulla të brendshme që vetëm koha mund t’i shpjegojë. Ngjyrat e bardha ngrihen mbi të zezat kur e keqja zhduket. Ka një optimizëm të heshtur në këtë luftë për t’i dhënë formë kaosit.”

Një alfabet që pret të dekodohet…

Së fundi, artistja dhe ish- profesoresha e Manushaqes, Koja Isufi- Shukriu, përmbledh gjithë filozofinë e këtij universi artistik: “Këtu janë dy bota të brendshme që kërkojnë të komunikojnë. Kufijtë midis realitetit dhe virtualitetit janë të zbehtë, dhe veprat e saj na sfidojnë të mendojmë për dilemat tona si krijues. Ky alfabet, që ngjason me kodet e antikitetit, është një thirrje për të mos pasur frikë nga e panjohura. Ndoshta një ditë, dikush do ta deshifrojë. Por deri atëherë, të jetosh në këtë heshtje të pasigurt është vetë thelbi i krijimtarisë.”

Kur heshtja bëhet urë midis artit dhe shikuesit…

Në këtë univers të krijuar nga Manushaqe Ibrahimi, arti nuk është thjesht një medium, por një ekzistencë e heshtur që kërkon të përftohet, të zbulohet dhe të dialogohet. Çdo pikturë është një përpjekje për të kapur të pashprehshmen, një ftesë për t’i dhënë kuptim heshtjes dhe për t’i kthyer ndjenjat e fshehura në një alfabet të përbashkët njerëzor.

Ekspozita “A Silent Scream Is a Yawn” tejkalon rolin e saj si një ngjarje artistike; ajo bëhet një akt meditimi kolektiv, një hapësirë ku vizitori gjen jo vetëm artin, por edhe vetveten. Në këtë përplasje të mendimeve, ndjenjave dhe ngjyrave, Ibrahimi sjell një reflektim filozofik që prek thellësinë e ekzistencës njerëzore: A është arti një pasqyrë e shpirtit, apo shpirtit i duhen pasqyrat e artit për të parë më qartë?

Heshtja këtu është gjithçka përveç mungesës së zërit; ajo është mbushja e boshllëqeve, një pëshpëritje që rritet në zhurmë, një urë midis artistit dhe shikuesit. Dhe në fund, ndoshta arti nuk kërkon as të deshifrohet, as të kuptohet plotësisht, por vetëm të përjetohet si një fragment i pakohë i asaj që jemi dhe asaj që aspirojmë të bëhemi!

 

Gazetare: Dionesa Ebibi

Continue Reading

Kulturë

Premiera e shfaqjes “Nemesis” nga Teatri ODA

Published

on

By

Teatri ODA ka prezantuar premierën e shfaqjes më të re, “Nemesis, me regji të Florent Mehmetit. Premierën e parë e ndoqën spektatorët më 3 mars, ndërsa repriza e parë u zhvillua më 4 mars. Repriza tjetër do të mbahet më 7 mars, ora 20:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë.

Shfaqja trajton rrugëtimet dhe fatet e pushtetit dhe forcës, duke i paraqitur ato si katalizatorë të degradimeve të personalitetit. Nemesis ndërthur referenca historike të njerëzimit, të përshkruara nga Herodoti, me studime të neurokimisë dhe ndryshimeve funksionale në trurin e njeriut, duke eksploruar ndikimin e pushtetit, pasurive dhe trashëgimisë në sjelljen dhe mendjen njerëzore.

Në skenë luajnë: Labinot Raci, Blend Sadiku, Fiona Abdullahu, Era Balaj, Art Pasha, ndërsa asistente regjie është Ardiana Mehmeti. Skenografia është punuar nga Enes Sahiti, muzika nga Lis Boshtrakaj, dhe videografia nga Gëzim Hasani. Koordinatore e produksionit është Renea Begolli, me asistente të produksionit Sabi Paqarizi dhe Delvina Bytyqi. Ndriçimi është realizuar nga Mursel dhe Bujar Bekteshi, ndërsa fotografitë dhe dizajni nga Zana Begolli. Produksioni është i Teatrit ODA.

Biletat për reprizën e 7 marsit mund të rezervohen duke dërguar SMS me emrin, mbiemrin dhe numrin e biletave në: 044 430 693.

Nemesis ofron një përvojë teatrale unike, ku historia, arti dhe shkenca bashkohen për të eksploruar pushtetin, forcën dhe ndikimin e tyre mbi njerëzit dhe shoqërinë.

Continue Reading

Kulturë

Zbulimi i varrit të Tutankhamunit – momenti që ndryshoi arkeologjinë

Published

on

By

“Tridhjetë e tre shekuj kishin kaluar që kur këmbët e njeriut kishin shkelur për herë të fundit në dyshemenë ku qëndronim ne, dhe megjithatë shenjat e jetës së fundit ishin ende rreth nesh,” kujtonte Carter.

Kur Carter foli në radio në vitin 1936, kishin kaluar 14 vjet që nga zbulimi i jashtëzakonshëm i varrit të paprekur të faraonit të ri. Ky zbulim e bëri atë të famshëm në gjithë botën dhe ndezi një interes të madh global për qytetërimin e Egjiptit të lashtë.

Duke rikujtuar ngjarjet e vitit 1924, ai përshkroi ndjesinë e pazakontë që përjetoi kur më në fund arritën te sarkofagu i Tutankhamunit – arkivoli prej guri ku faraoni kishte qëndruar i paprekur për mijëvjeçarë. Detaje të vogla, si “një tas gjysmë i mbushur me llaç, një llambë e nxirë dhe copëza druri të lëna në dysheme nga një marangoz i pakujdesshëm”, e bënin vendin të dukej sikur ishte braktisur vetëm pak çaste më parë.

“Ne kishim depërtuar në dy dhoma, por kur arritëm te një faltore e artë me dyer të mbyllura dhe të vulosura,” kujtonte Carter, “e kuptuam se do të ishim dëshmitarë të një spektakli që asnjë njeri i kohës sonë nuk kishte pasur privilegjin ta shihte.”

Pasi hoqi vulën dhe hapi derën, ai zbuloi një faltore të dytë edhe më të ndritshme dhe më të punuar se e para. Kur dera u hap ngadalë, përballë tij u shfaq një sarkofag gjigant prej kuarciti të verdhë. Për të vazhduar më tej, duhej të ngrihej kapaku prej guri që peshonte rreth 1,130 kilogramë. Me ndihmën e një sistemi të ndërlikuar litarësh dhe rrotash, kapaku u ngrit para syve të një audience të përbërë nga personalitete dhe të ftuar të rëndësishëm.

Kur drita depërtoi në brendësi të arkivolit, Carter kujtonte: “Një psherëtimë mahnitjeje na doli nga buzët, aq madhështore ishte pamja që na u shfaq.” Brenda ndodhej një figurë e artë e mbretit të ri, një vepër arti e jashtëzakonshme. Ajo ishte vetëm kapaku i një serie prej tre arkivolesh të vendosur njëri brenda tjetrit, që ruanin eshtrat e Tutankhamunit.

“Statua të çuditshme, kafshë të pazakonta dhe ar kudo – shkëlqimi i arit ishte gjithandej,” kujtonte Carter.

Ironikisht, njeriu që bëri një nga zbulimet më të mëdha arkeologjike në histori nuk kishte arsim formal në këtë fushë. Carter kishte lënë shkollën në moshën 15-vjeçare. Talenti i tij për vizatim tërhoqi vëmendjen e familjes aristokrate Amherst në Norfolk të Anglisë, e cila kishte një nga koleksionet më të mëdha private të artefakteve egjiptiane në Britani. Pikërisht aty lindi pasioni i tij për Egjiptin e lashtë.

Në moshën 17-vjeçare ai u punësua në Egjipt si vizatues dhe kopjues i relievave arkeologjike. Ai mbërriti në një kohë kur arkeologjia ishte në lulëzim dhe shumë ekspedita financoheshin nga aristokratë dhe pasanikë britanikë. Për më shumë se dy dekada Carter mësoi profesionin në terren.

Zbulimi i jashtëzakonshëm i varrit të Tutankhamunit në Valley of the Kings pranë lumit Nil ishte edhe rezultat i një fati të mirë. Për vite me radhë Carter kishte kërkuar pa sukses në atë zonë, e cila ishte përdorur nga egjiptianët e lashtë si vendvarrimi kryesor për faraonët. Hyrja e varrit kishte qenë e mbuluar nga shtresa të mëdha rrënojash antike, gjë që e kishte mbrojtur atë nga grabitësit e varreve dhe nga arkeologët për mijëra vjet.

Zbulimi i vitit 1922–1924 mbetet edhe sot një nga momentet më të rëndësishme në historinë e arkeologjisë dhe një dritare e rrallë në jetën dhe vdekjen e një mbreti të ri të Egjiptit të lashtë.

Marrë dhe përshtatur nga BBC

 

Continue Reading

Kulturë

Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës nderojnë Epopesë e UÇK-së me koncert solemn

Published

on

By

Në nderim të Epopesë së UÇK-së, Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës do të sjellin një performancë solemne nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

Programi i mbrëmjes përfshin vepra të kompozitorëve të njohur: Drinor Zymberi, Vasil Tole, Valton Beqiri, Feim Ibrahimi dhe Avni Mula, me pjesëmarrjen e pianisteve Elizabeta Qarri dhe Artemida Qarri.

Ky koncert akademi realizohet si një akt institucional kujtese dhe respekti, duke nderuar përmes artit muzikor sakrificën, heroizmin dhe vlerat kombëtare të historisë sonë.

Performanca do të mbahet më 06 mars 2026, e premte, duke filluar nga ora 19:00, në sallën “Kuqe-Ketojane” të Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Të pranishmit do të kenë mundësinë të përjetojnë një mbrëmje të paharrueshme muzikore, e cila lidh historinë dhe kulturën shqiptare nëpërmjet tingujve solemn të muzikës klasike.

Continue Reading

Kulturë

Begaj takon akademikët nga Shqipëria e Kosova

Published

on

By

Presidenti i Shqipëri, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me akademikë nga Shqipëria dhe Kosova, ku u diskutua mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit kombëtar dhe gjuhësor shqiptar.

Në takim morën pjesë: Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe akademikë të tjerë nga të dy vendet.

Kreu i Shtetit përgëzoi kryetarët e akademive për bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht në projektet që promovojnë elementë të identitetit kombëtar dhe adresojnë çështje bashkëkohore shoqërore. Ai u ndal veçanërisht tek projekti madhor “Enciklopedia e shqiptarëve”, një iniciativë e përbashkët e akademive dhe instituteve albanologjike, transmeton ATSH.

Begaj vlerësoi rolin thelbësor të akademikëve në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe gjuhësor shqiptar, si dhe rëndësinë e temave të trajtuara në konferencat e fundit të përbashkëta, veçanërisht ato mbi demografinë, të cilat lidhen edhe me sigurinë kombëtare.

Presidenti garantoi mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare për çdo projekt që synon promovimin e historisë dhe të vërtetave shkencore shqiptare.

Continue Reading

Të kërkuara