Lajmet

A mund të ‘eliminohet’ plotësisht Hamasi?

Por a është e mundur që ta eliminojnë plotësisht “Hamasin” dhe të “fitojnë” në një situatë si kjo?

Published

on

Qeveria e Izraelit ishte e qartë. Grupi militant i Hamasit do të “elimohet”, thanë disa zyrtarë të lartë të Qeverisë, në mesin e tyre edhe kryeminisri. Në disa kanale televizive të Izraelit, shfaqen rregullisht sloganet sikurse “Bashkë do të fitojmë”. Por a është e mundur që ta eliminojnë plotësisht “Hamasin” dhe të “fitojnë” në një situatë si kjo?

Përgjigjja e shkurtër, ashtu sikurse thanë edhe ekspertët, është jo.

Izraeli e ka bombarduar Rripin e Gazës, shtëpinë e mbi 2 milionë palestinezëve që nga sulmi i 7 tetorit në Izrael nga Hamasi, që klasifikohet si organizatë terroriste nga Gjermania, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera. Izraeli ka nisur një offensive tokësore në Rripin e Gazës dhe po bllokon dërgimin e ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike brenda enklavës.

Pavarësisht kësaj, shumica e analistëve thonë se është e pamundur të “heqësh qafe” Hamasin, dhe arsyeja kryesore është që Hamasi është më shumë sesa organizatë militante.

Hamasi si lëvizje shoqërore

Hamasi ka diku 20 mijë deri në 30 mijë luftëtarë, deklaroi Guido Steinberg, ekspert në Lindje të Mesme në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. Por, shtoi ai, “kjo është lëvizje shoqërore që gëzon mbështetje masive në Rripin e Gazës. Dhe ky është problem në plan afatgjatë”.

Hamasi de facto ka qenë nën kontrollin e Rripit të Gazës që nga viti 2007, dhe në kuadër të lëvizjes shoqërore, ekziston një rrjet i mirëqenies i njohur si “dawah”. Sipas tij, besohet se ky rrjet ka 80 mijë deri në 90 mijë anëtarë. Sipas fjalorit të Oxfordit mbi Islamin, “dawah” njihet si “thirrje” apo “ftesë” dhe historikisht është definuar si mënyrë e thirrjes apo ftesës për t’iu bashkuar Islamit.

Izraeli “do të donte të zhdukte Hamasin si një institucion, si një strukturë politike, fetare dhe kulturore dhe si një strukturë ushtarake”, tha për gazetën spanjolle El Pais, Rashid Khalidi, profesor i studimeve moderne arabe në Universitetin Columbia në New York në fund të muajit tetor.

“Unë nuk mendoj se ata mund të bëjnë dy gjërat e para”, argumentoi ai. “Nëse ata vrasin të gjithë liderët e tyre, nëse vrasin të gjithë militantët e armatosur, Hamasi do të mbetet si një forcë politike, nëse izraelitët pushtojnë Gazën apo largohen. Pra, shkatërrimi i Hamasit si institucion politik, shkatërrimi i Hamasit si një ide, është i pamundur”.

Hamasi nuk e njeh shtetin e Izraelit. Ky grup beson se feja duhet të jetë baza e çdo qeverie palestineze. Por ndoshta është pozicioni i saj i vetëpërshkruar si një lëvizje rezistence që kundërshton pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe Rripit të Gazës që e bën atë më të popullarizuar. Megjithatë sipas tij, ajo që izraelitët mund të arrijnë ta bëjnë është të degradojnë aftësitë ushtarake të Hamasit, “por vetëm në një masë dhe periudhë të kufizuar”.

Shkatërrimi i potencialit ushtark të Hamasit

Izraeli është një nga ushtritë më të fuqishme në botë, duke u rankuar në vendin e 18-të nga 145 shtete në vitin 2023 në listën vjetore të Global Firepowers për forcën e armatosur. Gjermania renditet në vendin e 25-të. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Stockholmit për Studimet e Paqes, vitin e kaluar Izraeli shpenzoi 4.5% të të hyrave kombëtare në Mbrojtje – për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Gjermania, që shpenzuan 3.5% dhe 1.4% respektivisht.

Përderisa krahu ushtarak i Hamasit vepron sikurse grup gueril dhe ka kontrabanduar shumicën e armëve të saj në Rripin e Gazës. Kësisoj Izraeli ka burimet për të shkatërruar Hamasin dhe për të dëmtuar liderët e saj. Ndonëse shifrat nuk mund të verifikohen, qeveria e Izraelit tha se ka vrarë diku nga 5 mijë deri në 7 mijë luftëtarë të Hamasit.

“Nëse është e vërtetë, kjo mund të shihet si një sukses i pjesshëm, sepse dobësimi i Hamasit mund të jetë më e mira që mund të pritet. Disa zyrtarë perëndimorë besojnë se ofensiva izraelite e deritanishme, e kombinuar me sigurinë e përmirësuar të kufirit, siguron që Hamasi të mos nisë një sulm tjetër si ai i 7 tetorit”, thanë javën e kaluar ekspertët në grupin e International Crisis Group.

“Siç bëri Hamasi pas konflikteve me Izraelin gjatë viteve 2009, 2012, 2014 dhe 2021, grupi me siguri do të riarmatoset dhe riktheheet”, shkroi Dennis Ross, një ish i dërguar i SHBA-ve në Lindjen e Mesme në një shkrim për New York Times. në fund të muajit tetor. Kjo është arsyeja pse, shpjegoi ai, ishte kundër një armëpushimi derisa Hamasi të largohej nga pushteti.

Shumë e vështirë mposhtja e grupeve guerile

Në të njëjtën kohë, shumë pak ushtri kombëtare ia dolën të mposhtin organizatat guerile në të kaluarën.

Shembuj të pasuksesshëm janë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër talibanëve në Afganistan dhe grupeve kryengritëse në Irak. Fitorja e qeverisë së Shri Lankës kundër grupit separatist Tamil Tigers në luftën civile të vendit shpesh përmendet si rast në të cilin ushtria kombëtare fitoi. Por gjithashtu përmendet se për të arritur te fitorja u deshëb 26 vjet lufte, numri i viktimave ishte nga 80 mijë deri në 100 mijë, dhe krime lufte u kryen nga të dy palët.

Në fakt, në disa situata kur aftësitë e grupeve kryengritëse u shkatërruan, por ia dolën të mbijetojnë, lindin grupet në forma më ekstremiste. Shembull i ngjashëm është grupi Shteti Islamik, i cili u zhvillua nga mbetjet e Al-Qaidas.

Vetë Izraeli nuk ka arritur kurrë ta mposht Hamasin përfundimisht, pavarësisht se ka vrarë një numër të udhëheqësve të tij, në mesin e tyre edhe dy themeluesit e grupit.

Si ta mbysni një ide?

Shkatërrimi i Hamasit me mjete ushtarake nuk ka kuptim, tha Crump për DW, sepse “ndërsa disa gazanë po kthehen kundër Hamasit, njerëz të tjerë në Gaza simpatizojnë Hamasin. Ata do të inatosen me Izraelin për këto veprime dhe kjo do të nxisë ciklin [e dhunës] siç ka bërë gjithmonë – përveç nëse ka një ndryshim shumë të madh në fund të kësaj”.

“Pas më shumë se dy muajsh operacione intensive izraelite, është e qartë se çrrënjosja e Hamasit, edhe si një forcë luftarake, do të jetë një urdhër i gjatë dhe shtytja për ta bërë këtë do të shkatërrojë atë që ka mbetur nga Gaza”, thuhet në njoftim nga think tanku International Crisis Group ose ICS, i publikuar më 9 dhjetor.

Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi, mbi 18 mijë njerëz janë vrarë nga Izraeli dhe mbi 49 mijë e 500 janë plagosur në vetëm dy muaj; rreth 61% e të vrarëve janë civilë, sipas një analize nga Yagil Levy, profesor sociologjie në Universitetin e Izraelit.

Mbi gjysma e të gjitha ndërtesave të Gazës janë shkatërruar dhe 90% e popullsisë tani është e zhvendosur.

“Netanyahu pretendon se shkatërrimi i Hamasit do të mundësojë “deradikalizimin” e Gazës, por e kundërta ka për të ndodhur”, thonë ekspertët e ICS. “Fushata që po zhvillohet dhe pasojat e saj do të prodhojnë forma të reja, ndoshta edhe më këmbëngulëse të militantizmit”./UBTNews/

Publikoi DW

Përktheu dhe përshtati UBTNews

Lajmet

Arrestohet në Prizren i dyshuari për keqpërdorim të të dhënave bankare të shtetasve amerikanë

Published

on

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për keqpërdorim të të dhënave bankare dhe personale.

Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim përmes platformave të ndryshme online, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Gjatë aksionit, të realizuar me urdhër të gjykatës, janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me autoritetet amerikane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tërmet 5.9 ballë godet Zelandën e Re

Published

on

Një tërmet me magnitudë 5.9 ka goditur qytetin Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke shkaktuar lëkundje të forta, por pa raportime të menjëhershme për të lënduar apo dëme materiale.

Epiqendra ishte rreth 40 kilometra në veri të Te Anaut, pranë rajonit turistik Fiordland.

Fillimisht autoritetet vlerësuan magnitudën në 6.3 dhe lëshuan paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të sigurta.

Pas rishikimit të të dhënave, magnituda u ul në 5.9, paralajmërimi u zbut dhe më pas u anulua plotësisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Supreme ndryshon dënimin për Edmond Lajqin: Nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së të pandehurit Edmond Lajqi, duke ndryshuar vendimin për dënimin e tij të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të ri të Supremes, Lajqit, i cili është shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve, i është zbutur dënimi nga burgimi i përjetshëm në 30 vjet burgim efektiv. Gjykata ka vendosur që në këtë dënim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët e tjera, aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë kanë mbetur të pandryshuara.

Ndonëse Supremja konstatoi se gjykatat më të ulëta e kishin vërtetuar drejt fajësinë dhe cilësimin juridik të veprave, ajo gjeti se ato nuk e kishin zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme sqaroi se një pjesë e rrethanave të cilësuara si veçanërisht rënduese nuk kishin mbështetje në prova, kurse disa të tjera përbënin elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të përdoreshin sërish për të justifikuar masën më të rëndë ndëshkimore.

“Burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Duke u bazuar në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme vlerësoi se ky standard ligjor nuk ishte plotësuar për dënimin maksimal, duke argumentuar se dënimi i ri i vendosur prej 30 vitesh përmbush plotësisht efektin e drejtësisë.

“Dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm” thuhet në vendim.

Continue Reading

Lajmet

Ish-drejtori i kompanisë së autostradave në Itali dënohet me 12 vjet burg për shembjen e urës Morandi

Published

on

Ish-drejtuesi i kompanisë Autostrade per l’Italia, Giovanni Castellucci, është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, ku humbën jetën 43 persona në gusht të vitit 2018.

Vendimi u mor nga gjykata në Xhenova, ndërsa prokurorët kishin kërkuar një dënim më të ashpër për Castelluccin, i cili ishte në mesin e 57 të pandehurve në këtë proces gjyqësor.

Ura u shemb gjatë një stuhie shiu, duke bërë që automjete dhe kamionë të binin nga lartësia. Tragjedia ndodhi në kulmin e sezonit turistik dhe konsiderohet një nga fatkeqësitë më të rënda infrastrukturore në Itali.

Një tjetër ish-zyrtar i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burgim.

Familjarët e viktimave e mirëpritën vendimin. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në tragjedi, tha se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin e gjykatës, ndërsa Egle Possetti, që humbi motrën dhe familjen e saj, e cilësoi dënimin ndaj Castelluccit si “të pranueshëm”.

Castellucci aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër prej gjashtë vitesh burgim për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në vitin 2013./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara