Atentati ndaj një gazetari të njohur holandez të kronikës së zezë ka nxitur një debat kombëtar mbi imazhin e vendit si kryeqendra e trafikut të drogës në kontinentin evropian.
Pak minuta pasi plumbat goditën gazetarin Peter R.De Vries mbrëmjen e 6 korrikut, një debat i veçantë shpërtheu midis politikanëve, gazetarëve dhe analistëve rreth mënyrës së interpretimit dhe përcaktimit të atij sulmi të rëndë me armë.
Nga njëra anë, atentati u cilësua si një goditje kundër gazetarisë investigative dhe sundimit të ligjit. Të tjerët, që shpesh anojnë nga e djathta, gjykuan se akti ishte një manifestim shumë tipik për këtë vend, që po shndërrohet në një “narko-shtet”.
Njerëzit vendosin lule në vendin në Lange Leidsedwarsstraat të Amsterdamit, ku u qëllua Peter R.De Vries.
Vetë emërtimi narko-shtet mund të jetë një surprizë për ata që e mendojnë Holandën si një vend në dukje me rregulla të forta, ku sundon rendi dhe ligji, një motor ekonomik dhe si një shembull i stabilitetit politik.
Ky kategorizim nuk është i pranuar botërisht në qarqet akademike dhe politike, por po përdoret gjithnjë e më shumë që nga ndodhja e një serie vrasjesh brutale, dhe një serie raportesh shqetësuese mbi rolin e vendit si një qendër e trafikut të marijuanës, kokainës dhe MDMA (ekstazi).
Pak analistë do të argumentonin se situata i ngjan asaj në Meksikë. Por 2 vjet më parë Holanda u trondit nga vrasja e avokatit të dëshmitarit kryesor në një proces të madh mbi një vrasje të kryer midis trafikantëve të drogës, duke mbajtur emrin e zgjedhur rastësisht “Marengo”.
Gjyqi përfshinte një drejtues të një prej grupe kryesore të krimit të organizuar në Holandë, që u kap në Dubai dhe u ekstradua. Një nga vëllezërit e dëshmitarit (që nuk merrej me asnjë aktivitet kriminal), që kishte qenë ish-anëtar i grupit, ishte vrarë më herët.
Pas vrasjes së avokatit, një sondazh tregoi se rreth 60 për qind e holandezëve ishin dakord me etiketimin e vendit të tyre si një narko-shtet. Në Gjermaninë dhe Belgjikën fqinje, politikanët dhe zyrtarët e policisë kanë shprehur shqetësim rreth rolit të Holandës si një qendër e trafikut të drogës.
Një zyrtar i policisë gjermane, e quajti vitin e kaluar Holandën si një “zyrë postare” për drogën, pas një rritje të sekuestrimi të substancave narkotike të dërguara me postë. Kryebashkiaku i krahut të djathtë në Antverpen, Bart de Wever, që drejton luftën e tij të diskutueshme ndaj trafikut të drogës, thotë:“Hol është bërë një narko-shtet për shkak të politikës së saj tolerante ndaj drogës”.
Toleranca e Holandës ndaj konsumit të marijuanës që në vitet 1970, e ka shndërruar këtë vend në një magnet për turizmin e drogës dhe tregtinë e saj. Sipas raportit më të fundit të agjencisë evropiane të luftës kundër drogës, EMCDDA, ajo luan një rol të madh në trafikun e marijuanës dhe kokainës, dhe është një nga prodhueset kryesore të drogave sintetike, me 20 nga 23 laboratorët e drogave ekstazi të shkatërruara në vitin 2018, që ndodheshin pikërisht në Holandë.
Për më tepër, me dy nga portet më të mëdha në Evropë, Roterdamin dhe Amsterdamin, dhe një nga aeroportet më të frekuentuara në Evropë, Shifol, Holanda ka qenë gjithashtu një shënjestër e kontrabandistëve.
De Vries, një gazetar i vjetër i kronikës së zezë, i njohur në Holandë por edhe në nivel ndërkombëtar, vdiq më 15 korrik,pasi qëndroi disa ditë në koma Ai ishte një figurë e diskutueshme për shkak të disa prej metodave që përdorte në punën e tij,dhe një hero kombëtar për shkak të rolit të tij në zgjidhjen e rasteve të vështira, duke ngushëlluar familjarët e viktimave dhe duke liruar nga burgu të pafajshmit.
Në fillim të këtij viti ai ndërmori hapin e guximshëm për të pranuar një kërkesë nga dëshmitari i drejtësi në procesin Marengo, për t’u bërë këshilltar dhe zëdhënës i tij. Kjo është ajo që shumë njerëz tani e konsiderojnë si arsyen më të mundshme të atentatit ndaj tij, që ndodhi në kohën kur po ai po largohej nga një studio televizive në qendër të Amsterdamit.
Policia arrestoi dy të dyshuar menjëherë pas sulmit, bazuar në pamjet e kudogjendura të kamerave së sigurisë. Midis tyre është qitësi i dyshuar i identifikuar në shtyp si 21-vjeçari Delano G. Banor, ai thuhet të jetë një pjesëtar i njohur i organizatës kriminale që po shënjestrohet në procesin Marengo.
I dyshuari i dytë është një shtetas polak 35 vjeçar, që dyshohet se drejtonte makinën me të cilën u krye largimi nga vendngjarja. Procesi Marengo, përfshin një seri vrasjesh të tmerrshme në të ashtuquajturën Mafia Mokro, që përbëhet zakonisht nga emigrantë me origjinë marokene.
Qëndrimi tradicionalisht i ashpër ndaj sundimit të ligjit dhe rendit i liberalëve konservatorë të kryeministrit Mark Rutte, ka sjellë dekadën e fundit politika buxhetore shtrënguese,të cilat kanë çuar në mbylljen e shumë stacioneve policore, apo shpërbërjen e ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë.
Njëherazi, partia dhe kryeministri Rutte mbeten mbështetës të llojit të politikave financiare dhe tatimore liberale,që e bëjnë Holandën shumë tërheqëse për organizatat ndërkombëtare të pastrimit të parave dhe krimit. Kjo ka krijuar hapësirë qëme këtë çështje të merren partitë e tjera.
Gati të gjithë kërkojnë një kombinim më të mirë të trupës policore, ligje më të ashpra apo goditje të krimit financiar. Partitë e ekstremit të djathtë kërkojnë deportimin dhe heqjen e shtetësisë për kriminelët me kombësi të dyfishtë, duke pasur shpesh parasysh qytetarët marokeno-holandezë.
Vlera totale e eksporteve holandeze për vitin 2019 ishte rreth 7 miliardë euro, ndërsa vlerësimet mbi sasinë e parave të lidhura me drogën që qarkullojnë në Holandë variojnë midis 16-20 miliardë euro./theneweuropean/abcnews.al
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit të saj dhe ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara prej shumë vitesh, duke rrënuar objektet e ndërtuara pa leje.
Ky hap vjen pas punës së një komisioni të posaçëm të formuar në mars të këtij viti, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale, ka vërtetuar gjendjen pronësore. “Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.
Para marrjes së vendimit për ndërhyrje, institucioni u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave që veprojnë brenda këtij perimetri, duke kërkuar dëshmi mbi bazën ligjore të shfrytëzimit të hapësirave.
Megjithatë, nga QKUK-ja bëhet e ditur se asnjëri prej shfrytëzuesve nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi, ndërsa dokumentet e dorëzuara kanë rezultuar të jenë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.
Procesi i lirimit të këtyre hapësirave ka marrë mbështetje edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar të njëjtat gjetje.
“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, ka theksuar ky institucion. /E.A/
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se, përkundër erërave të fuqishme që shkaktuan dëmtime në rrjetin shpërndarës, furnizimi me energji elektrike është normalizuar për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur brenda tri orëve të para pas qetësimit të motit.
Ndër zonat më të prekura nga moti i ligë kanë qenë Prishtina, Gjakova, Dragashi, Prizreni, Suhareka, Kamenica, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Shtimja, Drenasi, Obiliqi, Fushë Kosova, Podujeva dhe Ferizaj.
Sipas KEDS-it, paralelisht me rikthimin e energjisë për shumicën e konsumatorëve, janë lokalizuar defektet në shtylla dhe përçues në pothuajse të gjitha pikat e rrjetit ku janë evidentuar dëmtime.
Ekipet në terren po vazhdojnë punën intensive për sanimin e plotë të problemeve dhe rikthimin e rregullt të furnizimit për të gjithë konsumatorët./E.A/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të premten aktgjykimin dënues ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, duke i dënuar me nga 18 vjet burgim secilin për vrasjen e zyrtarit policor, Triumf Riza. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se gjykata i shpalli të akuzuarit fajtorë për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë”, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas vendimit të gjykatës, Ilir Abdullahut i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa e njëjta masë e paraburgimit i është caktuar edhe Rrahim Abdullahut. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit, në sallë ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Ilir Abdullahu i shoqëruar nga avokati i tij, Ramë Dreshaj, ndërsa Rrahim Abdullahu mungoi dhe u përfaqësua nga avokatja Agnesa Salihu. Në seancë mungoi po ashtu edhe prokurorja e rastit, Arbëresha Shala.
Zyrtari policor Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë. /Ekonomia Online/
Rusia ka goditur urat në Kiev dhe stacionet hekurudhore gjatë natës në një sulm të madh, i cili u ndërmor vetëm pak ditë pasi Ukraina dëmtoi rëndë Urën strategjike të Krimesë. Raketat balistike goditën pikat kyçe të kalimit në kryeqytetin ukrainas gjatë një sulmi në shkallë vendi, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi si një nga goditjet më masive të luftës deri më tani, duke lënë të vrarë të paktën nëntë persona dhe duke plagosur së paku 28 të tjerë.
Sipas presidentit Zelensky, sulmet goditën disa qytete dhe rajone, përfshirë ndërtesa banimi dhe objekte energjetike, ndërsa sirenat e alarmit ajror zgjatën pa ndërprerje gjatë gjithë natës deri në orët e mëngjesit. Ai bëri të ditur se Rusia lëshoi mbi 110 raketa dhe më shumë se 400 dronë sulmues, duke përdorur taktika të lëshimit të valëve në intervale prej 20 deri në 30 minutash, gjë që vështirësoi shuarjen e zjarreve, pastrimin e rrënojave dhe rikthimin e shërbimeve. Si pasojë e goditjeve, tri urat e shënjestruara në Kiev – ura Podilsko-Voskresensky, ura Darnytskyi dhe Ura Jugore – u mbyllën për qarkullim, ndërsa kryebashkiaku Vitali Klitschko u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet me vetura private në qytet, duke konfirmuar shtatë të vdekur dhe 17 të plagosur vetëm në kryeqytet.
Dy viktima të tjera u regjistruan në qytetin perëndimor të Lvivit, ku u dëmtua rëndë stacioni hekurudhor Sknyliv, një nga pikat kryesore të hyrjes në Ukrainë për njerëzit dhe ndihmat ndërkombëtare. Ky kundërsulm vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar me hakmarrje të dhimbshme pas operacionit ukrainas që shembi një pjesë të rrugës së Urës së Krimesë, të cilën Moska e përdor për furnizimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake që nga aneksimi i paligjshëm i gadishullit në vitin 2014.
Sulmet ruse përkuan me zhvillimet e dendura diplomatike në Berlin, ku liderët evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Andy Burnham, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, deklaruan se janë të gatshëm për negociata me Moskën për t’i dhënë fund luftës. Në takimin e “koalicionit të të vullnetshmëve”, ku morën pjesë Zelensky dhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner pretendoi se Rusia do të ishte e hapur ndaj garancive të sigurisë për Ukrainën të bazuara në Nenin Pesë të NATO-s. Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov e hodhi poshtë këtë ide, duke theksuar se një anëtarësim i tillë i Ukrainës në NATO është i papranueshëm për Rusinë. Nga ana tjetër, Trump, i cili u kyç në bisedime nga avioni presidencial pas takimeve në Kinë me Putinin dhe Xi Jinpingun, raportohet se vuri në pikëpyetje vendimin e liderëve evropianë për të ndarë 70 miliardë euro fonde ushtarake për Ukrainën.
Ndërkohë, tensionet u përhapën edhe përtej kufirit ukrainas, pasi kryeministri polak Donald Tusk akuzoi Rusinë për provokim të qëllimshëm kur një raketë lundruese ruse ra rreth 50 kilometra brenda territorit polak, së bashku me dy predha të tjera të paidentifikuara që ranë në fshatrat përreth pa shkaktuar viktima, çka detyroi ngritjen në ajër të avionëve luftarakë polakë dhe suedezë në krahun lindor të NATO-s. Pas sulmeve në Kiev, ku raportohet se u dëmtuan edhe ambasadat e Austrisë dhe Holandës, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i quajtur goditjet ruse krime për të cilat Moska do të duhet të japë llogari. /BBC/