Aktualitet
A ishte e nevojshme nisja e një procedure për shkelje kundër Gjermanisë?
Qeveria gjermane ka mbështetur shtetet në nevojë.
Published
5 years agoon
By
Betim GashiProcedura e Komisionit Evropian kundër Gjermanisë për shkelje të marrëveshjeve nuk vlerëson drejt tablonë e përgjithshme. Një mbyllje e shpejtë e procedurës do të ishte qëndrim fair ndaj Gjermanisë, shkruan Auron Dodi.
Komisioni Evropian nisi të mërkurën (09.06.) një procedurë kundër Gjermanisë: “për shkak të shkeljes së parimeve bazë të së drejtës së BE”. Një zëdhënës tha se këtu bëhet fjalë edhe për “respektimin e kompetencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”.
Komisioni Evropian mendon se marrëveshjet e BE Gjermania i ka shkelur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese Gjermane të vitit 2020, për blerjet e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane (BQE). Gjykata Kushtetuese Gjermane vuri në dyshim që Banka Qendrore Evropiane i ka mbajtur parasysh “proporcionalisht” pasojat anësore për shtetet e tjera të BE, kur ka blerë në stil të gjerë, në kuadër të funksionit si ruajtëse e stabilitetit të Euros, obligacione të shteteve në krizë të Eurozonës dhe i kërkoi asaj argumenta. Më tej e shpalli të pavlefshëm për Gjermaninë vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë se kishte qenë e ligjshme blerja e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane.
Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese Gjermane u dha atëherë pjesërisht të drejtë paditësve që panë shkelje të të drejtave të tyre kushtetuese nga BE: pasi blerja e obligacioneve nga BQE ndikon negativisht te taksapaguesit gjermanë si në “rritjen e borxhit”, ashtu edhe në pakësimin e “kursimeve personale”.

Mungojnë kritere objektive për kufijtë e kompetencave nacionale e evropiane
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, vërtet që deklaroi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane se mund të hapet një procedurë për shkeljen e marrëveshjeve evropiane nga Gjermania. Aq më tepër kur cënimi i autoritetit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) nga një Gjykatë Kushtetuese nacionale, si e Gjermanisë, mund të shërbejë si një rast frymëzues për shtete që ndihen “të kufizuara” nga e drejta evropiane, si p.sh. Polonia dhe Hungaria.
Në fund të fundit, edhe sipas ekspertëve gjermanë, ky vendim “hap kutinë e Pandorës”. Sepse siç i tha politologu Josef Janning radios kombëtare gjermane Deutschlandfunk, nuk ka “kritere objektive” se ku është kufiri i kompetencave evropiane me ato nacionale.
Komisioni i kërkon qeverisë gjermane që të reagojë brenda disa muajsh me shkrim kënaqshëm për kritikat, ndryshe KE mund ta padisë Gjermaninë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Dhe kjo Gjykatë do të gjykonte atëherë se kishte ajo vetë të drejtë, jo gjykata nacionale gjermane, kur e quajti të drejtë blerjen e obligacioneve nga BQE.
Gjermanisë i kërkohet “rrugë e përshtatshme për ta mënjanuar shkeljen”
Por nisja, në këtë moment, e procedurës për shkelje kundër Gjermanisë shtron pyetje për qëllimin që ndjek me të Komisioni Evropian. Hapi i Komisionit ngre megjithatë disa probleme.
Në një plan të ngushtë, forcat politike që e shtynë apo detyruan Komisionin të nisë procedurën për shkelje kundër Gjermanisë duket se nuk kishin alternativë tjetër. Në fund të fundit, Komisioni duhet të dëshmojë se vepron njësoj, si ndaj shteteve të mëdha, ashtu edhe ndaj atyre më të vogla, kur dyshohen për shkelje të së drejtës evropiane. Por: në Gjermani kemi situatë krejt tjetër nga ajo p.sh. në Poloni apo në Hungari, ku janë veprime të frymëzuara nga qeveritë ato që sjellin përplasje me të drejtën evropiane.
Në një plan më të gjerë, hapi i Komisionit është kujtesë ndaj shtetit më të madh të BE, Gjermanisë: se vendimet legjislative nacionale të Karlsruhes nuk duhet të cënojnë sigurinë juridike në Evropë e t’i vënë pikëpyetje autoritetit evropian, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Mbetet fakt: Gjykata Kushtetuese Gjermane në Karlsruhe deklaroi se vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk ka fuqi ligjore për Gjermaninë, pasi GJED i tejkaloi kompetencat me legjitimimin e shitjeve të obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane.

Politikës i kërkohet të shpjegojë vendime juridike
Komisioni Evropian, qeveria e Evropës, pret tani shpjegime nga “homologia”, qeveria gjermane (në një kohë kur nuk ishte gjykimi i qeverisë ai që hapi “telashe”, por i Gjykatës Kushtetuese Gjermane).
Me këtë Komisioni e vë qeverinë gjermane në një situatë të vështirë. A i bie Komisioni Evropian derës që të dëgjojë dritarja? Po qeveria gjermane nuk ka të drejtë t’i japë udhëzime Gjykatës Kushtetuese për gjykimet që duhet të bëjë. Ndonëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese propozohen për këtë Gjykatë edhe nga forcat politike: vendimet e Gjykatës gëzojnë respekt në Gjermani, sepse ndihen nga të gjitha palët si vendime të pavarura.
Iniciativa e Komisionit Evropian për hapjen e procedurës së shkeljeve kundër Gjermanisë nuk vlerëson si duhet as veprimet faktike më të gjera të qeverisë gjermane në emër të Gjermanisë.
Me dakordimin për Fondin Evropian të Rindërtimittë BE, me hyrjen në borxh edhe të Gjermanisë me shtetet e tjera për të ndihmuar shtetet e goditura më fort nga Covid-19, kancelarja Merkel dha një shembull të fuqishëm të mendësisë evropiane të saj dhe të establishmentit aktual politik të Gjermanisë. Ishte një hap historik, jo vetëm për shtetet që do të përfitojnë më fort nga paratë evropiane.
Jo vetëm kaq: është fakt i pamohueshëm se edhe para situatës së jashtëzakonshme të pandemisë, qeveria e kancelares Merkel nuk ndërmori hapa për ta penguar Bankën Qendrore Evropiane për të kryer atë që ajo e shihte si pjesë të mandatit të saj: blerjen e obligacioneve. Kemi një mbështetje faktike, graduale nga Gjermania të veprimeve të frymëzuara nga drejtori i atëhershëm i BQE, Mario Draghi dhe që kërkoheshin kryesisht nga shtetet latine të Eurozonës.
Qeveria gjermane ka mbështetur shtetet në nevojë
Elita politike në Gjermani ka mbështetur dekadën e fundit shpesh heshturazi, vendime evropiane në dobi të shteteve më të dobëta të BE, shpesh ajo ka qenë një hap përpara opinionit mbizotërues publik në Gjermani. Nga ky opinion publik u ushqye edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese Gjermane. Disa anëtarë gjermanë të Bankës Qendrore Evropiane dhanë madje dorëheqjen si shenjë proteste për politikën e Draghit, politikë të mbështetur edhe nga qeveria gjermane.
Ndoshta Komisioni kërkon të sigurohet me shkrim, me shpjegimet sqaruese që pret nga qeveria gjermane, se ajo nuk mendon si Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë. Dhe për më tepër t’i lërë një “porosi” qeverisë së ardhshme të Gjermanisë pas zgjedhjeve të 27 shtatorit. Meqenëse pakënaqësi në Gjermani ka edhe për Fondin e Rindërtimit të BE.
Vendimi i vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese Gjermane e forcoi pozicionin skeptik të Gjermanisë përballë shteteve që shpresonin të zgjidhnin probleme ekonomike nacionale me para evropiane, si p.sh. rikapitalizimin e bankave problematike nacionale. Është e pamohueshme se ekziston “rreziku moral” (“moral hazard”) që disa shtete e qeveri evropiane frymëzohen të mos bëjnë reforma strukturore, kur faturën për krizat e tyre e paguajnë shtete të tjera.
Përfaqësues të Komisionit thanë se “nuk kanë interes ta thellojnë grindjen” me Gjermaninë. Një mbyllje pas pak muash nga Komisioni të procedurës kundër Gjermanisë, pas marrjes së përgjigjeve me shkrim nga qeveria gjermane, do të dëshmonte se ata që e kanë nxitur procedurën janë realistë dhe fair ndaj Gjermanisë.
You may like
Vendi
Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
Published
21 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.
Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.
Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.
Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.
Vendi
Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së
Published
21 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.
Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.
Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.
Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.
Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.


Vendi
Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
Published
22 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Prof. Dr. Hazir S. Çadraku, nga Fakulteti i Inxhinerisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, në bashkëpunim me Fadil Bajraktari, Cand PhD, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, dhe Prof. Dr. Romeo Hanxhari, nga Departamenti i Gjeografisë, Universiteti i Tiranës, kanë publikuar artikullin me titull: “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në revistën SpeleoMedit Magazine.
Ky studim paraqet një pasqyrë të detajuar mbi historikun e mbrojtjes së shpellave në Kosovë, duke përfshirë aspektet natyrore, kulturore dhe ligjore. Artikulli thekson rëndësinë e shpellave si pjesë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, duke dokumentuar mbi 200 shpellat e identifikuara në territorin e Kosovës, prej të cilave 25 janë të mbrojtura institucionalisht si monumente natyrore, dhe disa kanë vlera kulturore-historike.
Sipas autorëve, shpellat në Kosovë jo vetëm që kanë vlera speleologjike dhe gjeomorfologjike, por gjithashtu ofrojnë mundësi për zhvillimin turistik, edukativ dhe kërkimor, duke përfshirë projekte për digjitalizimin dhe hartografimin e tyre. Studimi gjithashtu evidenton nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e këtyre objekteve dhe zhvillimin e një menaxhimi të qëndrueshëm.
Publikimi vjen si rezultat i një bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkencor midis ekspertëve shqiptarë dhe institucioneve të ndryshme kërkimore, duke kontribuar në avancimin e studimeve speleologjike dhe menaxhimit të trashëgimisë natyrore në Kosovë.
Për më shumë detaje mbi artikullin dhe për të lexuar të plotë tekstin, vizitoni: SpeleoMedit Magazine
Lajmet
Profesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
Published
22 hours agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Nga data 7 deri më 12 dhjetor 2025, Profesori Lulzim Beqiri, nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ka marrë pjesë në një mobilitet akademik në Technische Hochschule Lübeck (TH Lübeck) në Gjermani, në kuadër të programit Erasmus+.

Ky mobilitet është zhvilluar në kuadër të Punëtorisë së dytë të përbashkët ndërmjet FAU/UPT dhe Technische Hochschule Lübeck, ku janë përfshirë shumë studentë, të organizuar në grupe të përbashkëta ndërinstitucionale. Tema qendrore e kësaj punëtorie ka qenë studimi i Lumit të Osumit në zonën e mbrojtur të qytetit historik të Beratit.
Profesori Lulzim Beqiri ka qenë pjesë e stafit udhëheqës akademik të studentëve gjermanë, së bashku me Prof. Michael Locher (Prodekan), Prof. Kendra Busche, Prof. Rike Ruppenthal, duke kontribuar në drejtimin profesional dhe akademik të punës kërkimore dhe konceptuale të studentëve.
Punëtoria njëjavore ka përfshirë analiza urbane, mjedisore dhe arkitektonike të një zone me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, duke e trajtuar lumin Osum si element strukturor në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit 2400-vjeçar të Beratit.

Qeveria miraton vendime preliminare për shpronësime në disa projekte infrastrukturore
Nëse kualifikohet në botëror, Kosova fiton rreth 10.5 milionë dollarë
Gjilani ndalon përdorimin e fishekzjarreve
Paris Saint-Germain fiton trofeun e gjashtë sezonal pas një drame penalltish ndaj Flamengos
TikTok nënshkruan marrëveshje për ndarjen e aseteve në ShBA
Mbappe dhe Endrick udhëhoqën sulmin e Real Madrid në Copa del Rey
REL: SHBA-ja kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë
FIFA ndryshon kategoritë e biletave pas kritikave për çmimet e larta përpara Kupës së Botës 2026
Inter Miami ia mbyll dyert Lewandowskit
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
