Lajmet

Ngritja e liqenit artificial, shpresa e anamoravasve për sigurimin e ujit të pijes

Published

on

Komuna e Gjilanit, por edhe lokalitetet jashtë perimetrit të saj, pothuajse kurrë nuk kanë ujë të mjaftueshëm të pijes. Gjendja ndryshon, në varësi të reshjeve atmosferike. Kur ka reshje më shumë, reduktimet kohore janë më të shkurtra, e kur reshjet mungojnë, ndalja e ujit bëhet për orë të tëra. Për të bërë zgjidhje më afatgjatë, shpresa për këta qytetarë mbetet në krijimin e një liqeni të ri artificial, plani për të cilin është bërë dhe synohet që penda të ngritet në fshatin Shusht të Vitisë.

Blenda Agaj

Gjilan, 7 qershor – Ka më shumë ujë kur ka reshje atmosferike, e kur moti është i thatë, më të thata janë edhe krojet shtëpiake të qytetarëve të komunës së Gjilanit. Tash për tash, Gjilani i ka kapacitetet të limituara furnizuese me ujë. Burimi kryesor është uji që merret nga Liqeni i Përlepnicës. Ky është një liqen i ndërtuar vite më parë, porse si liqen artificial që është, ai varet direkt nga të reshurat atmosferike. Si pasojë e mungesës së tyre, kompania “Hirdomorova” e cila menaxhon me rrjetin e ujësjellësit në këtë komunë, detyrohet të aplikojë masa restriktive. Ashpërsia e tyre, është e ndryshme, porse ndodh që ujë të mos ketë për kohë të gjatë.  

Këtë e konfirmon edhe kryeshefi ekzekutiv i “Hidromoravës” në Gjilan, Muhamed Suliqi, duke potencuar varësinë që kanë nga reshjet. Megjithatë, kur flet për këtë vit, ai është optimist se gjendja do të jetë shumë më e mirë.

“Në këtë vit penda e Liqenit të Perlepnicës ka mbërri kuotë të lartë të mbushjes me ujë dhe zonat ubrane e rurale do kenë ujë”, thotë Suliqi.

Nevojën për ngritje të reja të kapaciteteve furnizuese me ujë të pijshëm, e kanë ngritur edhe komunarët gjilanas. Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça thotë të kenë përgatitur një projekt për ndërtimin e një pende në fshatin Shusht në Komunën e Vitisë dhe ta kenë përcjellë atë në qeverinë e Kosovës për të kërkuar përkrahje.

“Projekti si propozim është në Ministrinë e Ekonomisë dhe e kemi ne Komuna e Gjilanit, por ende nuk kemi rezultate konkrete rreth tij”, thotë Korça.

Ai tregon se për këtë projekt, të kenë marrë mbështetje financiare nga Banka Botërore.

“Kemi përfituar si donacion 11 milionë euro”, ka thënë Korça.

Ndërkaq nga perspektiva e drejtorit teknik në “KRU Hidromorava”, Mumin Morina, ndërtimi i pendes në rajonin e Vitisë, do të furnizonte edhe Vitinë dhe ndihmonte edhe Gjilanin.

“Dhe gjithashtu, do ta rregullonte edhe problemin me vërshime, të cilat cyten shumë nga lumi Morava”, thotë ai.

Derisa situata të jetë më ndryshe, kryeshefi ekzekutiv, Muhamed Suliqi nuk është në gjendje të ofrojë sigurinë e plotë se furnizimi me ujë do të jetë i pandërprerë. 

“Mungesë të ujit mund të kemi vetëm nëse ndodh ndonjë defekt në stacionet e pompimit apo dëmtimit të ndonjë gypi transportues, përndryshe këtë vit do të kemi furnizim të rregullt me ujë”, thotë ai.

Pos reduktimit të ujit që vjen si pasojë e mungesë së reshjeve atmosferike, një problem shtesë që i kontribuon keqësimit të situatës, është edhe rrjeti i vjetëruar i gypave të shpërndarjes së ujit.

“Duhet bërë ndërrimi i gypave kryesorë dhe rezervuareve shtesë në Kodrën e Dëshmorëve, të cilët ka 50 vjet e që janë vendosur dhe janë amortizuar, e po ashtu nuk kanë dimensionet e duhura për të përçuar sasinë e ujit të nevojshëm, andaj kjo do ishte zgjidhje që Gjilani të mos ketë mungesë të ujit”, thotë Morina, duke shtuar se në të kundërtën, nuk do të arrihet të ketë eliminim të tërësishëm të reduktimeve.

Qytetarët kanë këndvështrime të ndryshme. Njëri nga ta, Trim Selimi thotë se vetë qytetarët e komunës, duhet të kujdesen shumë më tepër për kursimin e ujit.

“Duhet të edukohemi për të mos shpenzuar kot ujin”, thotë ai.

Faik Syla një qytetar tjetër, mendon se numri i madh i banorëve në qytetin e Gjilanit, pamundëson furnizim të rregullt me ujë, andaj edhe duhet shtuar kapacitetet gjeneruese për të përballuar kërkesën.

Përndryshe, situatë pak më e mirë e furnizimit me ujë të pijshëm është në zonat rurale të Komunës së Gjilanit. Kjo jo për shkak se ujësjellësi i furnizon mjaftueshëm, porse nëpër këto zona qytetarët kanë bërë zgjidhje personale duke hapur puse./UBTNews

Aktualitet

Lëndohen pesë persona në një aksident zinxhirorë

Published

on

Pesë persona kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një aksidenti mes pesë veturash sot rreth orës 12:00 në magjistralen Prishtinë-Pejë, konkretisht në Sllatinë.

Lajmin e ka bërë të ditur Luljeta Mehmeti nga zyra për media e Policisë së Kosovës. Sipas saj, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa njësitë policore janë duke e trajtuar rastin.

“Duke u bazuar në të dhënat fillestare nga tereni, ju informojmë se me datën 18.07.2025 rreth orës 12:00 në drejtimin Prishtinë- Pejë, respektivisht në fshatin Sllatinë, është raportuar për një aksident trafiku zinxhiror ku të përfshira kanë qenë pesë (5) vetura. Lidhur me rastin të gjitha njësitë relevante duke përfshirë edhe ato mjekësore, kanë dal në vendin e ngjarjes. Si pasojë e këtij aksidenti, deri me tani raportohet për pesë (5) persona të lënduar të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor. Njësitë kompetente policore janë duke e trajtuar rastin për procedurat e mëtejme”, ka thënë Mehmeti. /Telegrafi

Continue Reading

Aktualitet

Greva e punëtorëve të sigurimit fizik në QKUK po vazhdon

Published

on

Greva e punëtorëve të sigurimit fizik në QKUK po vazhdon që nga data 11 korrik, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së punësimit të tyre në QKUK. Kryetari i Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi bëri të ditur se të hënën do të hapen ofertat e reja, në kuadër të procesit të tenderimit.

“Përfundimisht kryetari i Shoqatës (së Sigurimit Fizik të QKUK-së) me drejtorin e SHSKUK-së dhe me drejtorin e QKUK-së kanë ardhur në përfundim që të të hënë hapen ofertat e reja. Shumë normale se ne si Sindikatë e kemi vetëm një mundësi: nëse kompanitë nuk merren vesh mes vete, nuk pajtohen , do t’i tregojmë edhe ne dhëmbët tanë se këto kompani që të gjitha nuk e kanë respektuar ligjin”, tha ai.

Azemi shtoi se do të kërkojnë nga kompanitë që së paku të u falin dy muaj, derisa të përfundojë tenderimi i këtij procesi të rregullt dhe se do të kërkojnë në njëfarë forme do t’u bien në gjunjë për hir të këtë punëtorëve.

Përndryshe, ai theksoi se greva po shkon shumë mirë deri më tani.

Continue Reading

Aktualitet

Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut

Published

on

Përmes një njoftimi për media të IPK-së, është bërë e ditur se janë hapur zyrat e reja të IPK-së ku ndër të tjera thuhet se në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë  Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, kryetari i Komunës së Mitrovicës , Erden Atiq si dhe zyrtarë e eprorë nga ARC, IPK dhe Policia e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se zyrat e reja të IPK-së tani janë në lagjen e Boshnjakëve, në rrugën “Çlirimi” në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Në fjalimet e rastit, hapja e zyrave të reja u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës. Sveçla dhe Hodaj theksuan rëndësinë e zyrave të reja të IPK-së për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit  në Kosovë. Kryeshefi i IPK-së, gjatë fjalës së tij, falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) për mbështetje të vazhdueshme në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, thuhet në njoftim.

Po ashtu ministri i Brendshëm gjatë ceremonisë, theksoi rëndësinë e hapjes së zyrave të reja të IPK-së, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës./Telegrafi

Continue Reading

Lajmet

​Ekstradohet nga Austria në Kosovë një person i kërkuar për vjedhje të rëndë

Published

on

By

Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Njësiti për Menaxhimin e Urdhëresave të stacionit të Podujevës, ka realizuar pranimin e një personi të kërkuar me dy urdhëresa aktive të gjykatës, për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Sipas Policisë së Kosovës, i kërkuari është ekstraduar në Kosovë, sot rreth orës 01:00, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe ato vendore.

Menjëherë pas pranimit, ai është dërguar për vuajtje të dënimit (1 vit e 6 muaj)”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Policia e Kosovës vazhdon angazhimin për zbatimin e ligjit dhe sjelljen para drejtësisë të personave të shpallur në kërkim.

Continue Reading

Të kërkuara