Lajmet

Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve

Nushi thotë se rritja e vlerës së manganit është fenomen, i cili ndodh në sezonin e vjeshtës dhe pranverës.

Published

on

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tashmë qe dhjetë ditë ka apeluar qytetarët të mos pinë ujë nga liqeni i Badocit, si dhe për mospërdorim të tij në amvisëri për shkak të vlerave të rritura të manganit. Kjo pasi konsiderohet se mund të shkaktojë probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël, duke ndikuar negativisht në rritjen e tyre.

Këto dhe për ndikimet tjera të rritjes së vlerave të manganit, në një intervistë tregon koordinatorja për monitorimin e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi. Nushi thotë se rritja e vlerës së manganit është fenomen, i cili ndodh në sezonin e vjeshtës dhe pranverës dhe se nuk është hera e parë që ndodh një përzieje e ujit me mangan.

“Vlera e manganit, paraqitja e manganit është një fenomen natyror, i cili lajmërohet në sezonin e pranverës dhe në sezonin e vjeshtës. Nuk është hera e parë që kemi pasur këto lloj telashe, por asnjëherë këtë kohëzgjatje dhe këto sasi të manganit. Këtë vit është pak më shumë. Kjo është paraqitur para një jave, 10 ditë në momentin që kemi marrë informacionet prej laboratorit që janë vlerat e ngritura, normal jemi aktivizuar komplet ekipi i IKSHPK-së, është informuar kompania dhe prej atij momenti jemi në bashkëpunim me kompaninë çdo ditë… Vlerat e larta nuk tolerohen më shumë se 10 ditë brenda një viti, po rasti jonë nuk e ka atë vlerë të lartë edhe pse ka qëndru 10 ditë tashmë”, thotë Nushi.

Sipas koordinatores së ujit, vlerat e manganit nuk janë shumë të larta, por nuk preferohet për pije. Ajo tha se mangani ndikon më së shumit te fëmijët e moshave të hershme, por nuk preferohet për pije as te të rriturit pasi simptomat që shkaktohen nga mangani mund të provokojnë edhe sistemin psikik.

“Mangani është metal esencial, i cili ndodhet çdo kund në natyrë, futet në organizëm me shumë rrugë, futet edhe me ushqim, edhe me ujë edhe prej ajrit mundet… Në një anë të manganit vlerat e gjetura përkundër faktit që janë pak më të larta se udhëzimi administrativ i cili i kërkon, vlerat nuk janë aq sa që të paraqesin rrezik të lartë ose të domosdoshme për organizëm në kushte kur ka vlera të shtuara mbi 1 gram, se standardi është 0.05… Mangani me vlera shumë të larta, të shtuara përkundër faktit se është metal esencial mundet të paraqet probleme në sistemin nervor qendror mirëpo akcent të posaçëm e ka të fëmijët prej 0 deri 5 vjet e kryesisht te foshnjat prej 0 deri 6 muaj të cilat ushqehen me qumësht pluhur, pse është me rëndësi kjo se tek qumështi pluhur ka doza të larta të manganit dhe shtimi i ujit me mangan të lartë mund të provokojë që ky fëmijë të rritet më vonë, meqenëse krejt e kanë këtë kimi tek akumulatorët, mund të provokojnë çrregullime në zhvillimin e tyre psikik, nuk kanë koncentrim e kështu me radhë”, thotë ajo.

Derisa rekomandimi për mos pirje të ujit qëndron ende, deri në njoftimin e radhës nga IKSHPK-ja, Nushi thekson se mangani mund të largohet me ndërrimin e temperaturave ditëve të ardhshme.

“Rekomandimet tona ende qëndrojnë për vet faktin se si autoritet shëndetësor që jemi të thirrur për zbatimin e udhëzimit administrativ ne duhet gjithsesi t’i referohemi udhëzimit administrativ, që ky ujë është i ndjeshëm për fëmijët e vegjël. Mirëpo kur japim rekomandime, atëherë nuk munden me cek 20-vjeçarët nuk munden me pi, ata 30-vjeç, por është rekomandim i gjeneralizuar. Sot p.sh. në vlerat tona kemi ulje te dukshme të manganit shumë në krahasim me ditët e para mirëpo ende është mbi vlerën e redaktuar… Po shpresojmë me ndërrimin e temperaturave bie mangani, po shpresojmë brenda javës, deri në fund të javës duhet të qetësohet situata”, përfundon ajo.

Kujtojmë se më 19 tetor, sasia e madhe e detektuar e elementit kimik, mangan, bëri që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të kërkojë nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit e këtij liqeni, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim.

Qytetarët i janë përgjigjur këtij rekomandimi dhe tashmë po furnizohen me ujë të ofruar nga KRU-ja me autobot.

Vendi

Sot shënohet 29-vjetori i protestave studentore të 1 Tetorit 1997

Published

on

By

Sot shënohet 29-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si një nga kthesat më të mëdha historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Protesta paqësore e 1 tetorit të vitit 1997 u organizua si përgjigje ndaj masave të dhunshme të regjimit të Slobodan Milosheviqit, i cili kishte dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë nga objektet universitare, duke imponuar me forcë plan-programin serb.

E prirë nga rektori i atëhershëm, Ejup Statovci, së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, marshimi paqësor u ndërpre dhe u shpërnda me dhunë brutale nga policia serbe. Si pasojë e ndërhyrjes policore, dhjetëra studentë dhe profesorë mbetën të lënduar e të arrestuar.

Akti i guximshëm i studentëve mori një jehonë të jashtëzakonshme në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke tejkaluar çdo zhvillim tjetër politik të asaj periudhe. Kjo ngjarje historike konsiderohet si një pikë kthese që vendosi çështjen e Kosovës në krye të agjendës diplomacisë ndërkombëtare.

Continue Reading

Aktualitet

Ish-presidentit Hashim Thaçi i vazhdohet paraburgimi për rastin e pengimit të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’i vazhdojnë masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, i cili konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet se i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin e saj, gjykata bëri me dije se gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e mëparshëm të Thaçit në çështjen gjyqësore për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, ky dënim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual, i cili vlerësohet në bazë të faktorëve specifikë të kësaj çështjeje.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se bëhet fjalë për veprime të koordinuara në grup me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndaj ish-presidentit Thaçi në këtë çështje rëndojnë tri akuza për pengim të personave zyrtarë, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology” studimi i profesorëve të UBT-së për sigurinë e barnave të hipertensionit

Published

on

By

Një studim i ri farmakoepidemiologjik i realizuar nga profesorët e UBT-së, Arieta Hasani Alidema dhe Fitim Alidema, ka sjellë të dhëna me rëndësi mbi përdorimin, sigurinë dhe rivlerësimin e hershëm klinik të terapisë antihipertensive në kujdesin parësor shëndetësor.

Hulumtimi shkencor, i publikuar në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology“, bazohet në analizën e 1,212 pacientëve të rritur me hipertension arterial, të trajtuar në kujdesin parësor gjatë periudhës janar 2024 – korrik 2026. Mosha mesatare e pacientëve të përfshirë në studim ishte 63.4 vjeç, ku 60.8% e tyre ishin gra dhe 80.1% banorë të zonave rurale, ndërsa mbi 82% e tyre vuanin nga hipertensioni i shkallës së dytë dhe të tretë.

Sipas gjetjeve të studimit, bari më i përshkruar nga mjekët ishte Losartani 40 mg në 56.4% të rasteve, i ndjekur nga Lisinoprili 5 mg me 25.7%. Reaksionet e padëshiruara nga barnat u dokumentuan te 25.2% e pacientëve, duke treguar dallime të ndjeshme statistikore ndërmjet klasave të ndryshme të antihipertensivëve. Në veçanti, analizat treguan se bllokuesit e kanaleve të kalciumit shoqëroheshin me mundësi më të larta për shfaqjen e efekteve anësore, ndërsa përdorimi i statinave dhe trajtimi kronik i rregullt lidheshin me një shkallë më të ulët të këtyre reaksioneve.

Gjithashtu, studimi nxori në pah se rivlerësimi i hershëm klinik brenda 7 deri në 30 ditë u realizua te 96.9% e pacientëve me përcjellje të dokumentuar, çka dëshmon rëndësinë e monitorimit të afërt. Përmes këtij hulumtimi, profesorët e UBT-së nënvizojnë nevojën për një qasje të individualizuar dhe ndjekje të strukturuar të pacientëve në mjekësinë familjare, me qëllim optimizimin e trajtimit dhe rritjen e sigurisë shëndetësore.

Continue Reading

Lajmet

Arbër Havolli dënohet me 20 vjet burgim për vrasjen në Llapashticë të Podujevës

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim unik Arbër Havollin, i akuzuar për vrasjen e ndodhur më 6 shtator 2025 në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.

Trupi gjykues e dënoi Havollin me 19 vjet burgim për veprën penale “Vrasje” dhe me dy vjet burgim për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke shqiptuar ndaj tij dënimin unik prej 20 vjetësh burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I dënuari është ngarkuar po ashtu me shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 150 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 6 shtator 2025, rreth orës 19:30, në rrugën “Hysen Havolli” në Llapashticë të Epërme, Havolli ishte afruar te vetura e viktimës B.S., e cila ndodhej e ndalur përballë një marketi. Pas një bisede me viktimën, i akuzuari kishte shtënë nëntë herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur. Havolli ishte arrestuar nga policia më 23 tetor 2025.

Continue Reading

Të kërkuara