Lajmet
6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025
Published
3 hours agoon
By
UBTnewsPër mbrojtjen e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar 6 milionë e 277 mijë e 500 euro gjatë vitit 2025. Ndërsa në total, për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MD) lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara për vitin 2025.
Shuma më e madhe është shpenzuar nga mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për secilën nga mbrojtjet e tyre, janë shpenzuar nga 1 milion e 320 mijë euro në rastin për krime lufte. Ndërsa, 17 mijë e 500 euro të tjera, janë shpenzuar për Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Për mbrojtjen e Salih Mustafës dhe atë të Pjetër Shalës, janë shpenzuar nga 480 mijë euro.
Kurse, për Bashkim Smakan janë shpenzuar 10 mijë euro, për të bashkë të akuzuarin e tij, Fadil Fazliun janë shpenzuar 7 mijë euro. Ndërsa, për Ismet Bahtijarin janë shpenzuar 3 mijë euro.
Të dhënat në fjalë janë ofruar nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Por, nga kjo Ministri nuk kanë ofruar të dhëna nëse dhe sa kanë shpenzuar avokatët për Haxhi Shalën, Sabit Januzin, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.
Për vizitat familjare u shpenzuan mbi 237 mijë euro
Sipas të dhënave nga MD-ja, nga buxheti i Republikës së Kosovës për vizitat familjare të të akuzuarve në Hagë janë shpenzuar gjithsej 237 mijë e 567 euro e 69 centë. Këtu përfshihen biletat e aeroplanit dhe ushqimi.
Nga të dhënat, Hashim Thaçi del se nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Ndërsa, për vizitat familjare të Jakup Krasniqit janë shpenzuar gjithsej 34 mijë e 771 euro e 40 centë, për ato të Rexhep Selimit janë shpenzuar 32 mijë e 39 euro e 29 centë.
Po ashtu, Isni Kilaj ka shpenzuar 29 mijë e 457 euro e 23 centë, për Haxhi Shalën u shpenzuan 28 mijë e 912 euro e 60 centë, për Bashkim Smakajn 26 mijë e 969 euro e 6 centë.
Në anën tjetër, Kadri Veseli për vizita familjare ka shpenzuar 22 mijë e 563 euro e 28 centë. Kurse, Salih Mustafa për të njëjtën kategori ka shpenzuar 17 mijë e 361 euro e 68 centë, Pjetër Shala 8 mijë e 365 euro e 72 centë, si dhe Ismet Bahtijari 3 mijë e 925 euro e 87 centë.
Ndryshe, në përgjigjen e MD-së thuhet se buxheti që është ndarë për vitin 2025, për Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë DhSK-së, është 8 milionë e 50 mijë euro.
Në total, nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.
Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.
Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).
Ndryshe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë trajtuar tri raste për krime lufte. Rasti më i madh në këtë Gjykatë është ai i ish-krerëve të UÇK-së me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Në këtë rast, Prokuroria gjatë 2025-ës ka përfunduar me paraqitjen e provave, periudhë gjatë së cilës dëshmuan 125 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Pas tyre dëshmuan dy të mbrojtësit të viktimave, si dhe shtatë të tjerë të mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Rrjedhimisht, mbrojtja ka përfunduar zyrtarisht paraqitjen e provave më 2 dhjetor 2025. Ndërsa, mbyllja e paraqitjes së të gjitha provave në këtë rast, është bërë më 18 dhjetor 2025. Është vendosur që dosjet përfundimtare në këtë çështje të dorëzohen në janar 2026. Ndërsa, deklaratat përmbyllëse do të mbahen në shkurt.
Në anën tjetër, aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndërsa, më 6 prill 2023, u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte. Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.
“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024, me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Sërish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.
Ndërsa, rasti i fundit për krime lufte është ai i Pjetër Shalës, të cilit më 14 korrik 2025, Gjykata e Apelit e DhSK-së, ia ka ulur dënimin nga 18 vjet kur ishte dënuar në shkallë të parë në 13 vjet burgim. Ndërsa, më 14 tetor 2025, Shala kishte dorëzuar ankesë në Supreme kundër vendimit të Apelit. Përmes saj, kërkonte rrëzimin e vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe që çështja të kthehet në rigjykim.
Po ashtu, në këtë gjykatë kanë qenë edhe tri raste kundër administrimit të drejtësisë që nga fillimi i punës së saj e deri më tani.
Në vitin 2024, Hashim Thaçit i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me të njëjtin rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, një ditë më pas, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së. Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në rastin tjetër, me 4 shkurt 2025, Haxhi Shala është dënuar me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim. Ky vendim është marrë pasi të akuzuarit ende pa filluar gjykimi kishin arrit marrëveshje për pranim të fajësisë, e cila u pranua nga trupi gjykues në ditën që u shpall aktgjykimi dënues.
Si rrjedhojë, ishte aprovuar edhe marrëveshja për zhdëmtimet, e cila do të ekzekutohej më së largu deri më 19 shkurt 2025. Pra, Shala obligohej të paguajë 400 euro dhe Januzi 100 euro për viktimën, ndërsa Bahtijari nuk obligohej të bëjë pagesa. Viktimës i janë kryer këto pagesa brenda afatit kohor që u ishte caktuar të akuzuarve.
Ndërsa, rasti tjetër ka të bëjë me Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin të cilët po ashtu kanë qenë të dënuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë./BetimipërDrejtësi
Lajmet
Rritet numri i përfituesve nga skemat e pensioneve
Published
7 minutes agoon
January 21, 2026By
UBTnews
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, është rritur numri i përfituesve nga disa skema pensionale dhe sociale.
Sipas ASK-së, rritje e numrit të përfituesve është shënuar në: skemën për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (12,6%); skemën e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (8,6%); skemën për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (8,0%); skemën e pensioneve bazike të moshës (7,5%); skemën e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1%); skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (4,5%); si dhe skemën për veteranët e luftës (2,7%).
Po ashtu, rritje është shënuar edhe te skema e kompensimeve për personat e verbër (1,2%) dhe skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (0,8%).
Ndërsa, në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore me 27,5 %; skema për pensionet e Trepçës me 20,6 %; skema për pensionet familjare me 10,6 %; skema e ndihmës sociale me 10,3 %, skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës me 2,0 %, skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës e1,4 %).
Lajmet
Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit publikojnë në revistën e indeksuar në Scopus
Published
1 hour agoon
January 21, 2026By
UBTnews
Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, dr. Votim Hanoli dhe dr.Ferid Selimi, së bashku me koautoren Elda Sinani, publikuan punimin “Hedonizmi në epokën digjitale: Një analizë e përdorimit të rrjeteve sociale si burim kënaqësie”, në revistën ndërkombëtare “Architectural Image Studies”, e indeksuar në platformën Scopus.

Ky punim trajton marrëdhënien mes hedonizmit dhe përdorimit të rrjeteve sociale në kontekstin e epokës digjitale. Në një shoqëri gjithnjë e më të ndërvarur nga teknologjia dhe komunikimi virtual, rrjetet sociale janë shndërruar në mjete të fuqishme për përmbushjen e nevojave emocionale dhe psikologjike të individëve, përfshirë kënaqësinë e menjëhershme, vëmendjen dhe vlerësimin social.
Duke u mbështetur në teori të tilla si Teoria e Kultivimit (George Gerbner), dhe Teoria e kornizimit (Framing) e (Goffman), studimi eksploron motivimet hedoniste që qëndrojnë pas sjelljes së përdoruesve në platformat digjitale.
Për të analizuar këtë fenomen, u realizua një studim empirik ku të dhënat tregojnë se shumica e të rinjve e përjetojnë përdorimin e rrjeteve sociale si një burim kënaqësie të menjëhershme, sidomos në lidhje me marrjen e pëlqimeve, ndarjen e përmbajtjeve personale dhe ndërveprimet sociale. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve raportuan gjithashtu ndjenja boshllëku, ulje të vetëbesimit dhe varësi emocionale ndaj këtyre platformave.
Rezultatet sugjerojnë se rrjetet sociale funksionojnë si një mekanizëm i fuqishëm për përmbushjen e nevojave hedoniste, por gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me ndikimet afatgjata në mirëqenien psikologjike. Punimi përfundon me sugjerime për ndërgjegjësim mediatik dhe përdorim më të vetëdijshëm të teknologjisë dhe mediave sociale./UBTNews
Linku i revistës: Architectural Image Studies, 2184-8645
https://journals.ap2.pt/index.php/ais
Lajmet
“Liria ka Emër” thërret protestë më 17 shkurt, me moton “Drejtësi jo politikë”
Published
2 hours agoon
January 21, 2026By
UBTnews
Me moton “Drejtësi jo politikë”, më 17 shkurt në sheshin “Skëndërbeu” do të protestohet në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo protestë do të fillojë në orën 14:00 dhe organizohet në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Protesta kësaj radhe organizohet nga organizata “Liria ka Emër”.
Ne një konferencë për media, përfaqësues të kësaj organizate kanë përmendur shkeljet që janë bërë gjatë këtij procesi gjyqësor, për cka thanë se përmes protestës do të kërkojnë drejtësi.
Vitin e kaluar janë organizuar pesë protesta me thirrjet “Drejtësi per Çlirimtarët”.
Protesta e parë është mbajtur në Prishtinë, më pas në Hagë, Tiranë, Strasburg e në Shkup.
Aktualitet
UBT në BETT 2026 në Londër – prezanton modelin unik të Smart City
Published
2 hours agoon
January 21, 2026By
ubtnews
Si i vetmi institucion nga rajoni, UBT po prezantohet me hapësirën e vet në panairin më të madh botëror të teknologjisë në arsim, BETT 2026 në Londër, krahas kompanive globale si Google, Meta dhe të tjera.
Në këtë ngjarje globale, UBT prezanton platformën unike inovative për Smart City (All-in-One Solution), si dhe zgjidhje inovative në fushën e EdTech-ut, platformat digjitale dhe projektet kërkimore për transformimin e arsimit përmes inteligjencës artificiale.
Ekipi i UBT-së, gjatë tri ditëve, do të prezantojë përpara mijëra pjesëmarrësve dhe përfaqësuesve të sektorit të arsimit dhe industrisë edukative, duke ofruar produkte teknologjike, shërbime dhe sisteme smart për tregun global.

Rritet numri i përfituesve nga skemat e pensioneve
Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit publikojnë në revistën e indeksuar në Scopus
“Liria ka Emër” thërret protestë më 17 shkurt, me moton “Drejtësi jo politikë”
UBT në BETT 2026 në Londër – prezanton modelin unik të Smart City
Kurti flet me Marta Kos për gjeopolitikën dhe Planin e Rritjes
KEK-u rikthen operimin me pesë njësi gjeneruese, rifillon me sukses Njësia A3
6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025
Akademi përkujtimore për Ibrahim Rugovën nën patronatin e Presidentes Osmani
Top 50 filmat më të mirë, sipas publikut
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Rajoni2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Rajoni3 months agoNjë kontribut shkencor për ruajtjen e trashëgimisë inxhinierike në Kosovë – Publikohet artikulli i profesorëve të UBT-së, Naser Morina dhe Hazir Çadraku
