Lajmet
Doli nga shtypi libri i profesorit Musa Sabedini, “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”
Published
5 hours agoon
By
ubtnewsProfesori, gazetari, publicisti dhe studiuesi i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, Musa Sabedini, ka botuar librin e tij të katërt universitar, të titulluar “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve profesionistë, si dhe gazetarëve dhe profesionistëve të sinqertë, të përkushtuar dhe të guximshëm në të gjitha kohërat e vështira.
Duke qenë për një kohë të gjatë pjesë e gazetarisë hulumtuese dhe hulumtues i shumë temave që kanë pasur peshë në Kosovën e pasluftës, autori ka thënë se ky libër, që mban një titull profesional “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, erdhi si përmbyllje dhe kurorë e një përvoje mbi 35-vjeçare në fushën e gazetarisë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese.
Profesori, gazetari dhe studiuesi i palodhur në fushën e medias ka thënë se nuk ishte e lehtë ta finalizonte këtë projekt jetësor, por as e pamundur.
“Pas dekadash pune në terren, pas fitimit të katër çmimeve kombëtare për gazetari hulumtuese, ndjeva përgjegjësinë që kjo përvojë të mos mbetej vetëm kujtim personal, por të shndërrohej në një udhërrëfyes praktik dhe frymëzues për brezat e rinj të gazetarëve, për ata që duan të sfidojnë realitetin, të kërkojnë të vërtetën dhe të mbrojnë interesin publik, edhe në rrethana të ndërlikuara e shpeshherë të rrezikshme. Ky libër është rezultat i përkushtimit tim ndaj misionit të gazetarisë hulumtuese, ndaj profesionit që nuk njeh kompromis me të pavërtetën. Kam dashur që përmes tij të përcjell një mesazh të qartë për studentët, kolegët, studiuesit, redaktorët dhe pronarët e mediave se gazetaria hulumtuese është themeli i demokracisë dhe zëri i ndërgjegjes publike”, ka shkruar Sabedini në parathënien e librit.
Profesori, autor i katër librave universitarë, të gjithë me tematikë nga fusha e medias, ka theksuar se ky libër është ndër të parët në hapësirën shqiptare që trajton me pedantëri dhe përkushtim shkencor e praktik rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke bashkuar përvojën e terrenit me reflektimin akademik.

“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”, ka nënvizuar, pos tjerash, profesor Sabedini.
Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, ka thënë se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet e gazetarisë po lëkunden ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë.
“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur; është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke i hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.
Ai ka shkruar se në një libër voluminoz, autori Sabedini me të drejtë e ka ndarë materien në tri pjesë.
“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka vlerësuar profesori Zejnullahu.
Libri, sipas tij, do t’u shërbejë studentëve të gazetarisë si një burim shumë i mirë për të mësuar bazat e gazetarisë hulumtuese, sidomos në një kohë sfiduese për gjithë gazetarinë, të ndikuar nga ndryshimet e imponuara nga përparimet tepër të shpejta teknologjike.
“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.
Ndryshe, në parathënien e librit është dhënë edhe struktura e tij, e cila përbëhet nga tre kapituj kryesorë, secili me tematikë dhe thellësi të veçantë.
Kapitulli i parë trajton përkufizimet, misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese. Ai përfshin reflektime mbi etikën, moralin, neutralitetin dhe pavarësinë e gazetarit hetues, si dhe analizon raste konkrete të aferave më të njohura ndërkombëtare dhe vendore, duke nxjerrë mësime për qasjen profesionale dhe njerëzore që kërkon ky profesion.
Kapitulli i dytë fokusohet në epokën digjitale dhe ndikimin e saj në gazetarinë hulumtuese. Diskutohet transformimi i profesionit në epokën e teknologjisë, kufijtë e rinj të raportimit, roli i insajderëve, sfidat etike dhe rreziqet që paraqet mungesa e mbrojtjes ligjore për gazetarët.
Kapitulli i tretë ndalet te teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat online, roli i multimedias, inteligjencës artificiale dhe mediave sociale në ndërtimin e gazetarisë bashkëkohore. Ai analizon gjithashtu aspektet ligjore dhe etike të përdorimit të kamerave të fshehta dhe raportimit digjital, duke sjellë një panoramë të plotë të evolucionit të gazetarisë hulumtuese në kohën moderne.
Profesori Sabedini ka theksuar në parathënie se e veçanta dhe më e rëndësishmja e librit mbeten 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet, të hartuara me zemër, duke e ditur se sa i vështirë mund të jetë një hulumtim fillestar për një gazetar të ri, por edhe sa të vlefshme janë ato për gazetarët me përvojë, redaktorët përgjegjës dhe profesorët universitarë.
“Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemën profesionale të një gazetari hulumtues, por edhe dimensionet etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues. Ato synojnë të shërbejnë si një ‘udhërrëfyes etik dhe praktik’ për çdo gazetar hulumtues, veçanërisht për studentët e gazetarisë në të gjitha nivelet e studimit. Këto pyetje dhe këshilla janë personale, origjinale dhe burimore. Ato burojnë nga koncepti im profesional dhe nga rruga e gjatë, me shumë sfida dhe sakrifica, që kam kaluar si gazetar hulumtues në Kosovë dhe më gjerë”, ka potencuar Sabedini.
Ai ka falënderuar Rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe profesional.
Sipas Sabedinit, ky libër është më shumë se një botim profesional; është një rrëfim i përvojës, pasionit dhe përkushtimit ndaj gazetarisë si mision jetësor.
“Libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë dhe përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, e cila sjell rreziqe sa delikate e sfiduese, aq edhe të shpejta dhe dobiprurëse për botën bashkëkohore. Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që ajo sjell”, ka vlerësuar ai.
Ndryshe, Musa Sabedini, si gazetar hulumtues dhe profesor universitar, është autor i mbi 14 punimeve shkencore, të mbrojtura dhe prezantuara ndër vite në konferenca ndërkombëtare të UBT-së.
Ai ka të botuara punime studimore në revista amerikane dhe në SCOPUS, ndërsa që nga viti 2011 është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT, ku ligjëron katër lëndë kryesore mbi gazetarinë dhe etikën mediatike.
Profesori Sabedini është tash e 14 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa po aq vite drejton edhe një portal online.
Për kontributin e tij profesional, profesori Musa Sabedini është vlerësuar me katër çmime në kategorinë e gazetarisë hulumtuese në Kosovë, në vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008, nga juri të ndryshme profesionale.
Libri ka 718 faqe, ndërsa botues është UBT.

Lajmet
Më 15 janar do të ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë
Published
2 minutes agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Me rastin e ditës së përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” më 15 janar 2022 duke filluar nga ora 19:30 do të ndezë qirinj në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Në Prishtinë, aktivistët e kësaj Qendre qirinjtë do t’i ndezin në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa për të gjithë ata që nuk do të mund t’iu bashkëngjiten kanë apeluar të ndezin qirinjtë në ballkonet e shtëpive.
“Në të njëjtën kohë ftojmë shoqatat e viktimave të luftës dhe qytetarët e qyteteve të tjera të gjejnë formën e përshtatshme që të përkujtojnë viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se, më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë u cilësuan si gjenocid dhe u përcaktua që 15 janari të jetë Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Lajmet
Pas 26 vjetësh, Peja nuk shënon asnjë vrasje në 2025-ën
Published
36 minutes agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Pas 26 vjetësh, komuna e Pejës, shënon vitin e parë pa asnjë vrasje.
Në një konferencë për media, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka prezantuar rezultatet e punës për vitin 2025, duke e cilësuar këtë vit si një nga më sfiduesit, por edhe ndër më të suksesshmit për institucionin që ajo drejton.
Në konferncë ajo ka treguar se për 25 vjet në rajonin e Pejës u shënuan 203 vrasje me 227 viktima.
“Duke ditur që regjioni jonë ka qenë më i ndjeshëm në aspektin e veprave penale të rëndë veçanti të vrasjeve. Aty ku shtrihet juridiksioni dhe kompetenca lëndore e territoriale kemi punuar në këtë drejtim dhe sot në praninë e juaj kam nderin, kënaqësinë dhe privilegjin të prezantojë që pas 26 vjetësh pas luftës viti 2025 evidentohet si viti i vetëm pa asnjë vrasje në rajoni e Pejës. Kjo ka ardh si rezultat i mirëkordinimit institucional dhe thellimit ndërinstitucional me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat tjetër institucional dhe pa minimizuar asnjëherë bashkëpunimin e ngushtë edhe me qytetarët tanë. 203 vrasje për 25 vite, me 227 viktima për 25 vitesh, është jashtëzakonisht shumë për një rajon siç jemi ne e mos të flasim sa e dhimbshme për familjarët që i kanë përjetuar këto”, tha ajo.
Vuçetaj, shtoi se kjo ka bërë që ta rendit Pejën si rajonin më të qetë.
“Ashtu siç shihet viti 2025 është zero vrasje e zero viktima. Kjo tregon se nga rajoni më i nxehtë me më së shumti raste dhe me rastet më të ndjeshme dhe komplekse, falë punës dhe angazhimit tonë të përbashkët kemi arrit që vitin 2025 me plotë të drejtë ta marrim epitetin si rajoni më i qetë dhe prokuroria e vetme në sistem prokurorial pa asnjë rast vrasje”, tha ajo.
Lajmet
Nëna e binjakëve të vrarë në Prizren kërkon burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin
Published
42 minutes agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Nëna e dy djemve binjakë të vrarë në Prizren, Mihrije Daçaj ka kërkuar edhe një herë burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin, i cili akuzohet për krime lufte në zonën e Prizrenit.
Pas përfundimit të seancës se sotme të Gjykatës së Apelit, ku është shqyrtuar ankesa ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e Millosh Pleskoviqit, nënë Mihrija ka thënë para mediave se “nuk kam pasur çfarë të shtijë në tokë”.
“Unë kërkoj burg përjetë, m’i kanë mbytur dy djemtë, në mal, pa kurrfarë… M’i kanë dërrmuar djemtë, nuk kam pasur çfarë të shtij në tokë“, ka thënë ajo.
Dënim të përjetshëm ka kërkuar edhe avokati Gent Gjini, i cili tha se ky krim është makabër.
“Sot Gjykata e Apelit ka mundësi që të vërtetojë gjërat, sepse kemi të bëjmë me një kriminel tipik të grupit të Arkanoviqëve, sepse zonjës Mihrije ja ka mbytur dy djem të rinj mu në qendër të qytetit, afër Kalasë së qytetit dhe ai krim ka qenë makabër dhe dënimi prej 15 vjetësh është dënim i vogël, e diskriminimi më i madh është se ky po dënohet me ligj të Jugosllavisë e ne pse ta dënojmë një kriminel me ligj të Jugosllavisë kur e kemi Ligjin e Tribunalit të Hagës, ku këta kriminelë duhet të dënohen me dënim të përjetshëm sepse krimi është makabër dhe për këtë zonja Mihrije kërkon drejtësi“, tha ai.
Në seancën e sotme, avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq, ka pretenduar se ky krim nuk është kryer nga Pleskoviqi./Sh.Pajaziti
Avokati Blend Gjini e ka konsideruar “tallje”, per çka paralajmëroi se nuk do të ndalen se kërkuari burgim të përjetshëm.
“Avokatja që e mbrojti kriminelin lufte vec na ka prezantuar foto, foto që ka qenë si turist ne Prizren. Do te thotë me këto foto ajo po dëshiron të tregojë se nuk ka të bëjë aspak me vrasjen e civilëve. Paramendo, po vjen si turist kur ka pasur urdhërarrest, mandej ju ka zbuluar, dhe sot po na tregon avokatja se kam foto se unë kam ardhur si turist edhe çka është më e keqja po thotë ‘ka marrë shumë likes dhe komente nga komentues shqiptarë’, kjo është një tallje me ne, por ne nuk do të ndalemi derisa të kërkojmë burgim të përjetshëm“, përfundoi ai.
Millosh Pleskoviq është dënuar me 15 vjet burgim, më 31 korrik 2025, ku i njëjti akuzohet për vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë.
Lajmet
Hasan Arat nderohet me medalje presidenciale për kontributin në afirmimin ndërkombëtar të sportit të Kosovës
Published
43 minutes agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar personalitetin botëror të sportit, Hasan Arat, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar në sportin ndërkombëtar, si dhe të rolit dhe përkushtimit të tij në procesin e kandidimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Osmani theksoi se Arat ka dhënë kontribut të çmueshëm në promovimin e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke kulmuar me angazhimin e tij që Kosova ta fitojë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Nga ana e tij, Arat u shpreh se ndihet i nderuar me marrjen e medaljes presidenciale, duke shtuar se promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e bënë me shumë zell, derisa tha se populli i Kosovës duhet të ndihet krenar me të arriturat në sport si dhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të bëhet pas katër vitesh.
Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), e për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.
Më 15 janar do të ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë
Pas 26 vjetësh, Peja nuk shënon asnjë vrasje në 2025-ën
Nëna e binjakëve të vrarë në Prizren kërkon burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin
Hasan Arat nderohet me medalje presidenciale për kontributin në afirmimin ndërkombëtar të sportit të Kosovës
DW: Ç’pamje mund të kenë trupat evropiane në Ukrainë?
REL: Dhjetëra kufoma para morgut në Teheran, mes protestave vdekjeprurëse në Iran
REL: Lidhjet e grupeve kriminale nga Ballkani me Venezuelën
REL: Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit: Rritje në shifra, ulje në jetën reale
Cilat janë 50 klubet më të vlefshme të futbollit në botë?
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
