

Aktualitet
UBT dhe Binance bashkë në një ngjarje unike për Blockchain dhe sigurinë në kripto
Published
20 hours agoon
By
Driton IseniNë kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, pjesë e Global UBT Fest 2025, në hapësirat e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një aktivitet i veçantë me Binance, që mblodhi së bashku studentë, profesorë, profesionistë të fushës dhe të interesuar të tjerë për të diskutuar dhe mësuar më shumë rreth temave aktuale në teknologjinë Blockchain dhe kriptovaluta.
Hapjen solemne të ngjarjes e bëri Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjive të reja si Blockchain në arsim, ekonomi dhe sektorë të tjerë strategjikë të zhvillimit.
Në vijim, eksperti Sandro Slukan mbajti një prezantim tematik rreth “Themeleve të Kriptovalutave, sigurisë në kripto dhe mënyrave për mbrojtjen e vetes në botën digjitale”, duke ofruar njohuri të rëndësishme praktike për të rinjtë që duan të angazhohen në këtë fushë.
Pjesë e programit ishte edhe paneli diskutues me temën “Integrimi i Blockchain në institucione”, i udhëhequr nga Rektori Hajrizi, ku morën pjesë Sandro Slukan dhe Polina Brottier, përfaqësuesë nga kompania globale Binance. Paneli solli perspektiva konkrete për aplikimin institucional të teknologjisë Blockchain në administratë, arsim dhe biznese.
Ngjarja vazhdoi me një prezantim të veçantë nga Polina Brottier, me temën “Karriera dhe vullnetarizmi në Binance: Qasjet më të mira”, ku ajo ndau me studentët përvojat dhe mundësitë që ofron Binance për të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit.
Gjithashtu u prezantua edhe projekti “Angels Binance”, ku Betim Cakiqi nga Kosova tregoi përvojën e tij si vullnetar në këtë platformë ndërkombëtare, duke dëshmuar se të rinjtë tanë mund të bëhen pjesë aktive e skenës globale të inovacionit.
Ky aktivitet ishte një mundësi unike për pjesëmarrësit që të kuptojnë më thellë potencialin transformues të Blockchain-it dhe të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me ekspertë të industrisë.
You may like
-
Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit
-
Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT
-
UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
Bota
Raportohet për të paktën 26 të vrarë në Gazë
Published
28 minutes agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha më 19 korrik se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 26 persona dhe kanë lënë të plagosur më shumë se 100 të tjerë pranë dy qendrave të ndihmës në jug të territorit palestinez.
Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Basal i tha AFP-së se 22 persona u vranë pranë një qendre të ndihmës në jugperëndim të Han Junisit, ndërkaq katër të tjerë afër një qendre në veriperëndim të Rafahut, duke fajësuar “sulmet izraelite” për të dyja rastet.
Ushtria izraelite tha se po heton këto pretendime.
Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj mediave ndërkombëtare, raportimet për numrin e viktimave dhe detajet për sulmet e raportuara nga agjencia për mbrojtje civile dhe palë të tjera nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Lufta në Gazë, që u nxit nga sulmi i Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare në enklavën palestineze.
Mbi 2 milionë persona që jetojnë në Gazë po përballen me mungesë të furnizimeve ushqimore dhe furnizimeve të tjera elementare, teksa mjekët kanë raportuar për rritje të madhe të rasteve të kequshqyerjes.
Raportimet për sulmet ndaj personave që kërkojnë ndihma pranë qendrave të shpërndarjes janë ditore, teksa autoritetet palestineze fajësojnë Izraelin për këto raste.
Një ditë më parë, agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi se nëntë persona u vranë pranë qendrës për shpërndarjen e ndihmës në veriperëndim të Rafahut.
Fondacioni Humanitar për Gazën – që mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli – mori përsipër shpërndarjen e ndihmës në Gazë në fund të majit. Ky fondacion tha se të mërkurën 20 persona vdiqën në Han Junis. Por, për vdekjen e tyre fondacioni fajësoi “personat e armatosur të lidhur me Hamasin” që pretendoi se shkaktuan “skena katoike dhe të rrezikshme” dhe “qëlluan drejt personave që kërkonin ndihma”.
Më herët gjatë javës, Kombet e Bashkuara thanë se kanë regjistruar 875 të vrarë në Gazë, të cilët po tentonin të merrnin ndihma, përfshirë 674 “në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën” që kur ky fondacion nisi operacionet për shpërndarjen e ndihmës./REL
Bota
Trump nënshkruan projektligjin historik për kriptovalutat
Published
2 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të premten legjislacionin historik për kriptovalutat, duke vendosur kuadrin e parë rregullator federal për stablecoin-et.
Trump, një ish-skeptik ndaj kriptovalutave, është përpjekur të riformulojë veten si një mbrojtës i kriptovalutave në mandatin e tij të dytë, duke shtyrë përpara miratimin e legjislacionit për të forcuar pozicionin e SHBA-së në tregun dixhital.
“Këtë pasdite, ne bëjmë një hap gjigant për të çimentuar dominimin amerikan të teknologjisë globale të kriptovalutave, ndërsa nënshkruajmë Aktin historik GENIUS në ligj. Pra, urime të gjithëve. Është një gjë e madhe“, tha ai në një ceremoni nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë me anëtarë të industrisë së kriptovalutave të pranishëm.
“Unë u zotova se do të rikthenim lirinë dhe lidershipin amerikan dhe do ta bënim Shtetet e Bashkuara kryeqytetin e kriptovalutave në botë, dhe kjo është ajo që kemi bërë. Dhe nën administratën Trump, kjo vetëm sa do të shkojë më tej, do të bëni shumë mirë“, shtoi ai.
Akti Udhëzues dhe Vendosës Kombëtar i Inovacionit për Monedhat Stablecoin të SHBA-së (GENIUS) u miratua nga Senati muajin e kaluar, por iu drejtua tavolinës së Trump për t’u nënshkruar si ligj pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi 308-122 për të miratuar legjislacionin në baza dypartiake të enjten.
Ligji ua lehtëson bankave emetimin e monedhave stablecoin, ose kriptovalutave të lidhura me një aset si dollari amerikan. Ai gjithashtu synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e tregut të monedhave stablecoin.
Aktualitet
Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit
Published
11 hours agoon
July 19, 2025By
Driton Iseni
Në kuadër të Akademisë Verore, e organizuar nga Fakulteti i Sistemeve të Informacionit, Prof. Dr. Edon Maliqi mbajti ligjëratën tematike me titull “Vëzhgimi Satelitor: Nga të dhënat te formësimi i politikave”, e cila ngjalli interes të madh tek studentët dhe pjesëmarrësit.
Gjatë ligjëratës, Prof. Maliqi trajtoi rëndësinë e të dhënave satelitore dhe mënyrën se si ato mund të përpunohen dhe përdoren për të ndihmuar në hartimin e politikave strategjike në fusha të ndryshme. Diskutimet nxorrën në pah potencialin që teknologjitë hapësinore, si Misioni Landsat (SHBA) dhe Misioni Sentinel (Evropë), kanë për të ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe vendimmarrjen e informuar.
Studentët dhe pjesëmarrësit treguan angazhim dhe pasion për temën, duke kontribuar me pyetje dhe komente të vlefshme, që dëshmojnë interesin e madh për inovacionin dhe zhvillimet teknologjike në vend.
Aktualitet
Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT
Published
12 hours agoon
July 19, 2025By
Driton Iseni
Në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, një delegacion nga University of Sannio në Itali ka realizuar një vizitë zyrtare në UBT, në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë dhe projektit IOT-Eco.
Delegacioni përbëhej nga profesorë dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht, si: Prof. Pasquale Daponte, Prof. Stefano Acierno, Giuseppe Nappi, Prof. SSA Marina Paolucci, Prof. Francesco Pepe, Prof. Giovanni Vito Persiano dhe Prof. Francesco Vespasiano.
Gjatë qëndrimit në UBT, anëtarët e delegacionit mbajtën ligjërata të specializuara për studentët dhe stafin akademik, duke ndarë njohuri, përvoja dhe zhvillime të fundit në fushën e inteligjencës artificiale, IoT-së dhe teknologjive të avancuara.
Në kuadër të vizitës, ata u pritën nga Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe nga stafi akademik. Delegacioni vizitoi gjithashtu Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, ku patën mundësi të njihen nga afër me kapacitetet infrastrukturore, laboratorët, projektet kërkimore dhe modelet e inovacionit të zbatuara në këtë hapësirë unike në rajon.
Sërish s’ka konstituim të Kuvendit, Nisma pret sinjal pozitiv nga LVV-ja

Raportohet për të paktën 26 të vrarë në Gazë

Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona

14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj

Trump nënshkruan projektligjin historik për kriptovalutat

Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit

Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit

Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT

UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore